Mendime
Fatmir Lekaj: Rrëfim për kryengritjen e udhëhequr nga Xhafer Shatri në burgun e Spuzhit në Malë të Zi, në vitin 1977
E hene, 22.12.2014, 08:33 PM
Rrëfim për kryengritjen e udhëhequr nga Xhafer Shatri në burgun e Spuzhit në Malë të Zi, në vitin 1977
Nga Fatmir Lekaj*
Xhafer Shatri është një nga protagonistët e spikatur të ish-lëvizjes revolucionare të Kosovës, dhe poashtu një nga protagonistët e spikatur të ish-emigracionit politik shqiptar. Veprimtaria e ish-emigracionit politik shqiptar, si në aspektin strukturor ashtu edhe në aspektin e aktorëve, tashmë si kategori historike (pothuajse e ndërstudjuar) është temë e rëndësishme për studim. Siç dihet, disa veprimtarëve u ka kushtuar edhe me jetë veprimtaria e tyre në kuadër të ish-emigracionit politik shqiptar: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Vehbi Ibrahimi, Enver Hadri etj.
Shikuar nga një pikëpamje holiste, mund të thuhet se veprimtaria e ish-emigracionit politik shqiptar në vitet 1970-80-90-dhjetë (edhe pse kategori historike pothuajse e ndërstudjuar në aspektin shkencor) nga njëra anë, karakterizohet nga kontributi i madh (direkt dhe indirekt, pothuajse vendimtar) në procesin e çlirimit të shqiptarve të robëruar jashtë shtetit amë Shqipërisë, dhe nga ana tjetër, karakterizohet nga sfidat e mëdha si rezultat i rrethanave të vështira të kohës (kontekstit politik kombëtar dhe ndërkombëtar) kur është zhvilluar kjo veprimtari. Madje këto rrethana të vështira në korelacion me dyshimet, akuzat, shpërfilljet, mosmirënjohjet, cenimet e krenarive, ambicjet etj., kanë ndikuar fatkeqësisht, edhe në rritjen e paragjykimeve dhe keqkuptimeve të ndërsjella në mes veprimtarëve të spikatur në ish-emigracionin politik shqiptar. Megjithkëtë, elita politike e ish-emigracionit politik shqiptar (përkundër rethanave të vështira për veprim) ka qenë më e vullnetshme për bashkëpunim në situatat më kritike dhe më e përmbajtur nga përdorimi i gjuhës denigruese, krahasuar me elitat politike në Shqipëri dhe Kosovë (përkundër rethanave më të lehta për veprim) gjatë tranzicioneve demokratike.
Disa nga veprimtarët e spikatur (nga të gjallët) që kanë pasur në kontiniutet (gjatë viteve 1970-80-90-dhjetë) ndikim të madh në ish-emigracionin politik shqiptar, janë: Ibrahim Kelmendi, Xhafer Shatri, Xhavit Haliti, udhëheqja e formalizuar e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPKsë në krye me Fazli Veliun, Bedri Islamin etj., dhe strukturat lobiste dhe të diplomacisë jo-formale të ish-emigracionit politik shqiptar, të themeluara (para shembjes së murit të Berlinit) në vitet 1980-dhjetë: Komiteti për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në Belgjikë (i udhëhequr nga Enver Hadri, Gani Azemi, Reshat Sahitaj etj). Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, si veprimtari e ndërlidhur me LPKën (i udhëhequr nga Berit Backer, Nufri Leka etj). Shoqata Migjeni, në Slloveni (e udhëhequr nga Sali Kabashi etj). Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (e udhëhequr nga Joseph Dioguardi etj) dhe struktura të tjera të ish-emigracionit politik shqiptar. Gjatë një periudhe të caktuar, ndikim të madh në ish-emigracionin politik shqiptar, kanë pasur edhe Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica, Xhafer Durmishi, poashtu edhe udhëheqësi i Besëlidhjes Demokratike Shqiptare, Emin Fazliu etj. Pas themelimit të degëve të LDKës në diasporë dhe qeveris në egzil, Bujar Bukoshi, Hafiz Gagica etj., kanë pasur gjithashtu ndikim të madh në ish-emigracionin politik shqiptar. Shumica e të lartëpërmendurve, kanë qenë veprimtarë (në kohë dhe hapësirë) të organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës – LPKsë, organizatë që determinoi UÇKën.
Meqë potencova edhe disa nga emrat e veprimtarëve (nga të gjallët) që në kohë dhe hapësirë kanë pasur ndikime të veçanta në kuadër të lidershipit të ish-emigracionit politik shqiptar, e precizoj për lexuesit se i referohem parësisht termit ndikim dhe jo domosdosmërisht termit meritë, dhe shpresoj se në të ardhmen, studjuesit do të analizojnë/shkruajnë historinë e ish-emigracionit politik shqiptar, në menyrën më objektive të mundshme. Kjo e kufizon edhe mundësinë time që të përmendi me emra edhe veprimtarë të tjerë të cilët kanë pasur poashtu ndikim të madh në ish-emigracionin politik shqiptar, e që do duhej të përmenden sikur të ishte ky një studim i mirëfilltë (dhe jo vetëm një rezyme e shkurtër) mbi veprimtarinë e ish-emigracionit politik shqiptar. Disa nga veprimtarët e lartëpërmendur, nëpërmes librave (intervistave, bashkëbisedimeve etj) i kanë dhënë mundësi lexuesve (deri në një masë) të njihen më gjerësisht dhe më konkretisht me veprimtaritë e tyre. Shpresoj se edhe veprimtarët tjerë të lartëpërmendur (duke përfshirë edhe shumë veprimtarë të tjerë të ish-emigracionit politik shqiptar) në të ardhmen do ti japin mundësi lexuesve që në një mënyrë ose tjetër të informohen më gjerësisht dhe më konkretisht me veprimtaritë e tyre.
Veprimtarët e spikatur (nga të gjallët) që kanë pasur në kontiniutet (gjatë viteve 1970-80-90-dhjetë) ndikim të madh në ish-emigracionin politik shqiptar: Ibrahim Kelmendi, Xhafer Shatri, Xhavit Haliti etj., vlerësohen shumë, jo domosdosmërisht për arsyen se konsiderohen të pagabueshëm, por veçanërisht për arsyen se përkundër sfidave të mëdha dhe të ndryshme që janë ballafaquar gjatë veprimtarive të tyre, kanë arritur të kenë ndikime të mëdha në veprimtarinë e bujshme të ish-emigracionit politik shqiptar. Xhavit Haliti, përkundër sfidave, ka pasur ndikim të madh në ish-emigracionin politik shqiptar, përkatësisht në kuadër të LPKsë për organizimin e UÇKsë. Ibrahim Kelmendi, përkundër sfidave, duke mbetur i lidhur me LPKën që nga fillet e saj, ka pasur ndikim të madh në ish-emigracionin politik shqiptar. Poashtu, bashkëfamiljari i tij, Muhamet Kelmendi, duke e marr parasyshë se gjatë një periudhe të gjatë ka qenë pothuajse i vetmi akademik në udhëheqjen e LPKsë në emigracion. Vëllai i tij, Qerim Kelmendi, ka qenë një nga ushtarët dhe organizatorët e orëve të para të UÇKsë, dhe i plagosuri i parë nga radhët e UÇKsë.
Xhafer
Shatri me prapavijen e tij (si protagonist i spikatur i lëvizjes revolucionare
në Kosovë) përkundër sfidave, ka pasur ndikim të madh në ish-emigracionin
politik shqiptar, në drejtimin dhe konsolidimin e LPKsë (LRSHJsë) gjatë një
periudhe të vështirë në fillimvitet 1980-dhjetë. Gjithashtu, ka pasur ndikim të
madh në angazhimin lobist dhe të diplomacisë jo-formale (para shembjes së murit
të Berlinit) në cilësin e drejtuesit të Komitetit të Kosovës për Informimin e
Opinionit Botëror etj.
RRËFIM PËR KRYENGRITJEN NË BURGUN E SPUZHIT NË MALË TË ZI, NË VITIN 1977
Në verën e vitit 1976 (sapo kisha mbushur 21 vjet) më kanë burgosur në Kotor (Malë të Zi), për tregti me duhan. Shkaku parësor i arrestimit ka qenë aksidenti në trafik. Me makinë në semaforë e lendova lehtë në këmbë një të dehur duke e kaluar rrugën. Për personin e lenduar mëpastaj mësova se kishte qenë veteran i dekoruar i Luftës së Dytë Botërore. Një javë pas arrestimit u zbulua nga policia duhani, që ishte i fshehur në makinë. Në këtë periudhë tregtia me duhan ka qenë në kundërshtim të madh me monopolin shtetëror mbi duhanin. Unë me shokë transportoja duhan nga Mostari (Bosnë – Hercegovina) në drejtim të Kotorit (Malë të Zi) për në Pejë (Kosovë).
Pas
hetuesisë torturuese që zgjati 8 muaj, kam dalë në gjyq në Podgoricë (atëherë
quhej
Në burgun e Spuzhit, i kam takuar disa shqiptar, emrat e të cilëve më kanë mbetur përgjithmonë në kujtesë: Isa Kastratin, Xhafer Shatrin, Mustafë Hamitin (ka qenë mësues me profesion), Murat Bislimin, Nezir Qosen, Hamëz Nezirin….
Ditën e parë në burgun e Spuzhit, në dhomën e ndejes për të burgosurit (të ashtuquajtur dnevni boravak) i kam takuar fillimisht dy nga të burgosurit shqiptarë, Isa Kastratin dhe Mustafë Hamitin (mësuesin), nuk më kujtohet saktësisht cili, por më kujtohet se njëri prej tyre më ka ftuar të ulem tek ta në një tavolinë të posaçme ku luanin shah. Fillimisht më thanë: nuk po na vjen hiç mirë që po takohemi këtu, por meqense u takuam këtu e kemi me borxh me t’i dhënë ca këshilla se je i ri, dhe më thanë se gjithsesi do të takohemi edhe nesër kur dalim përjashtë dy orë në shetitore.
Të nesërmen i takuam në shetitore duke ndejt se bashku: Isa Kastratin, Xhafer Shatrin, Mustafën, Muratin etj. Aty na u ka drejtu me këshilla Xhafer Shatri, veçanërisht ju ka drejtu Enver Demhasajt (Veles), i cili ishte i bashkëburgosur me mua. Enveri ishte shumë i ri në moshë dhe Xhaferi e shiqonte me dhimbje, sepse sipas rregullave për të burgosurit, Enverin nuk duhej sjellur aty në atë burg që ta mbajë denimin, ndërsa për mua Xhaferi shfaqi simpati, sepse e vinte re se kujdesesha për Enverin si për një vëlla të vogël. Më kujtohet se Xhaferi në atë takim pos tjerash na tha: ja u kemi me borxh me ju njoftu se me disa persona këtu mos me u shoqëru, dhe na njoftoj se jemi në një burg shumë të keq, ku zakonisht të burgosurve në burgjet tjera, ju thuhet (ju tërhiqet vërejtja) ”rrini mirë se ju çojmë në Spuzhë”, në kuptimin se është burg shumë i keq, dhe vazhdoi duke na thënë se gardianët e burgut vijnë në punë shpeshëherë të dehur, dhe se sipas rregullave nuk kanë të drejtë me përdorë dhunën por i përdorin të gjitha format e dhunës; shkopin, grushtin etj. Xhaferi njëkohësisht na inkurajonte që të qëndrojmë të fortë në burg dhe të mos mërzitemi shumë. Gjatë këtij takimi dhe pas këtij takimi, Xhaferi me shokë treguan afërsi ndaj nesh, dhe sa herë që dilnim në shetitore (ata zakonisht, ato dy orë në shetitore, i shfrytëzonin të rrinin së bashku dhe bisedonin), ne uleshim afër tyre, dhe për moshën tonë që ishim më të ri, dhe duke e marr parasyshë mirësjelljen e tyre ndaj nesh, ne krijuam respekt të madh për ta. Përndryshe përveç ndejave merreshim pak a shumë edhe me aktivitete të tjera, përveç lojës së rregullt me shah, aty bënim edhe aktivitete fizike aq sa na lejohej, më kujtohet se Xhaferi luante futboll mirë, ishte shumë i shpejtë.
Kur hynim në menzë me ngrënë bukë, dhe pas ngrënies (tri her në ditë) duhej të gaditeshim të gjithë në këmbë si ushtria në rend. Më kujtohet një gardian i ashtuquajturi ”Malisha” vinte dhe i tekej duke thënë pse e ke ngritë koken lartë dhe na godiste nga lartë në kokë, ose na godiste papritmas me majë të shkopit në bark, kinse në kuptimin shtyju më tej dhe rri drejt në rend i gaditur, me kujtohet mirë kur e kam parë për herë të parë këtë formë të goditjes nga ky gardian ndaj Xhafer Shatrit.
Pas
ngrënies në mëngjes, kush ishte për punë shkonte në punë, të tjerëve na futnin
në dhomën e ndejes për të burgosurit. Të burgosurit që nuk punonin rrinin në
dhomën e ndejes deri në ora 14:00, kur mbërrinin të burgosurit tjerë që
punonin, pastaj ne, të burgosurit që nuk punonim dilnim përjashta në shetitore
dhe rrinim nga ora
Provokimi dhe torturimi nga gardianët, sidomos nga disa prej tyre, ndodhte pothuajse çdo ditë. Në mëngjez kur na zgjonin gardianët, i hapnin dyert ngadal me qelës që mos t’i dëgjojmë dhe pastaj kur binte zilja për tu zgjuar nga gjumi, hynin papritmas njëkohësishtë me cingërimen e ziles, dhe ne kërcejshim të tmerruar dhe të përgjumur nga krevatet, kend e nxenin në krevat e godisnin me shkop. Na rrahnin edhe në këtë menyrë, sepse disa gardianë sadistë e dinin se nuk mund të çoheshim shpejt nga krevatet kur hynin njëkohësishtë me cingërimen e ziles. Sipas rregullave duhej të cingëronte zilja dhe të na jipej dhjetë minuta kohë të zgjohemi, me i regullu krevatet, për të larë sytë, por rregullat nuk i respektonin, pikërisht ata që paguheshin për t’i respektuar.
Shikuar nga çdo aspekt, ky burg ishte shumë i keq, çdo ditë ishte e veshtirë si në aspektin fizik poashtu edhe në aspektin psiqik, por një ditë mbetet veçanërisht e paharruar (dita e kryengritjes) sepse ishte një ditë e veçantë si në aspektin tronditës poashtu edhe në aspektin heroik.
Nëse nuk gabohem (sa me kujtohet), tri apo katër ditë para se të ndodhë kryengritja në burgun e Spuzhit, ka ndodhur një kryengritje në burgun e Nishit, aty janë vrarë/lënduar tre/katër shqiptar nga gardianët. Ky lajm erdhi tek ne në burgun e Spuzhit dhe na mërziti shumë.
Në ditën e kryengritjes në burgun e Spuzhit, me 9 korrik 1977, jemi çuar në mëngjez dhe kemi ngrënë si zakonisht. Sapo kemi ngrënë dhe duke dalë nga menza, zakonisht kur delnim nga menza u shpërndanim pak duke ecur para ndërtesave. Në ndërkohë, Hamëz Nezirin, në menzë, e kishte therrur anash në bel një i burgosur malazez që quhej Novoviq. Hamzës gjaku i rrjedhte nëpërmes pantollave dhe veç i kishte gufuar mbi këpucë…
Më kujtohet se dikush e ka pyetur Isa Kastratin, çka u bë Isë ? Isa u përgjigjë shkurt dhe nuk deshti të komentojë shumë, vetëm tregoj kush e ka sulmuar Hamzën, dhe në njëfarë mënyre priste të takohet me atë person. Xhaferi, Murati etj, i thonin Isës: Qetësohu, në kuptimin se e rregullojmë këtë punë dhe tani të vazhdojmë të shkojmë t’ia lidhim plagën.
Isa ka qenë një person sa stoik aq edhe kokëfortë dhe në atë gjakënxehtësi nuk akseptoi të bëjë siç i thonin Xhaferi dhe Murati, dhe në ndërkohë gardianët morën vesh për rastin se është therrur me thikë dikush nga të burgosurit. Menjëherë kanë ardhur dy gardianë në drejtim të Ises, me marr Isen. Isa ju tha në gjuhën serbokroate mos mu afroni, gardianët tentuan të afrohen, Isa ju tha prap rrept, mos mu afroni dhe më rrini në distancë tri metra. Ne të gjithë ishim aty, Isa ishte pak para nesh, dhe ata dy gardianët u kthyen nga erdhen.
Pas pak kanë ardhur katër gardian tjerë, të ushtruar me manga të përvjelura dhe me helmeta në kokë. Në ndërkohë sa kanë qenë duke ardhur në hapa të njëjtë katër gardianët drejt Isës, Xhaferi dhe Murati e thirnin Isen, Isë, Isë, Isë….., dhe i kanë ndrruar do fjalë në mes vete që nuk më kujtohen saktësisht, nuk e di a i kanë thënë Isës dorëzohu apo mos u dorëzo. Kur janë afru gardianët te Isa, i kanë dhënë urdhër Isës të shtrihet në tokë. Isa nuk e zbatojë urdhërin e tyre, dhe gardianët e morën pozicionin për me e kapë Isen në trup. Në këtë moment ka kcyer Murati, dhe para se ta kapin gardianët Isen, Murati i ka përplasur përnjëher dy gardianët për toke (Murati ka pasur një fizik shumë të fuqishëm). Pasiqë kanë rënë gardianët, një gardian tjetër, jo prej atyre katër gardianve që erdhen, por një tjetër i cili sa më kujtohet ka qenë i verbër (i thoshin Shqepa, sepse quhej Shqepanoviq) në një sy dhe ka qenë gardiani më i rezikshëm, e ka nxjerr patllaken ndër këmishë dhe ka gjuajtur në drejtim të Ises dhe Muratit dhe i plagosi që të dy në këmbë. Xhaferi në ndërkohë ka bërtit: thikat…. (nuk e di ka dulen aq shpejtë ato thika), gjithashtu në ndërkohë, roja jashtë nga karakolli shtini me armë për të alarmuar se gjendja është emergjente. Të gjithë gardianët u kthyen prapa dhe ne mbetem aty.
Brenda një kohe të shkurtër, kanë ardhur katër a pesë përsona nga administrata e burgut, ata nuk i njihja se kush ishin, kanë provuar me folë nga distanca me Xhaferin, me qëllimin për t’na ndarë, me na thy si grup që qëndronim së bashku, duke na thënë se kush nga ju nuk është i përzier në këtë rrëmujë të largoheni nga grupi. Derisa ata flisnin me Xhaferin erdhen afro njëzet gardian të rreshtuar pas tyre, të njësisë speciale. Biseda ka zgjatur përafërsisht njëzet minuta. Isa dhe Xhaferi refuzuan me u dorëzu, dhe të gjithë mbetem aty së bashku. Pos tjerash, gjatë bisedës na kërcënuan se ata që do të vazhdojnë të qëndrojnë aty në grup, kanë me u vra, megjithkëtë ne mbetem aty së bashku.
Fillimisht kanë filluar të na gjuajnë gaz lotsjellës dhe na humben orientimin, u bë tym, nuk e shifnim mirë njëritjetrin. Më kujtohet se disa të trullosur nga tymi kemi hy në një nga dhomat e burgut qe ishin për rrethë nesh ku qëndronim si grup në pistë, më kujtohet se i trullosur kamë hy në një dhomë me Mustafen (mësuesin) dhe me disa burgosur të tjerë, dhe menduam se me kaq do të përfundon rrëmuja, por shpejtë na e kanë mbyllë gardianët derën e dhomës.
Jashtë dhomave të burgut në mes të pistes, kanë mbetë duke qëndruar Xhaferi, Isa, dhe Hamza, një kroat patriot (më kujtohet se mbiemrin e ka pasur Popoviq), edhe ndonjë tjetër nga të burgosurit që nuk më kujtohen emrat, dhe ka fillu përleshja fizike me njësinë speciale. Muratin, posa u plagos, disa të burgosur e dërguan në ambulancë. Fillimisht kanë shkuar në drejtim të Xhaferit dhe Xhaferi i ka sjellë të parit, të dytit, të tretit, gjithashtu edhe Isa, ani se i plagosur, ka sjellë sa ka mundur, dhe poashtu kroati, Popoviqi, ka sjellë shumë, ka qenë fizikisht i fortë dhe i shkathtë, ka bërë rezistencë shumë, shpinë për shpinë me Xhaferin, Isen dhe Hamzën.
Ne të mbyllur në dhomë, në pamundësi t’ju ndihmojmë, vetëm bërtitnim (veçanërisht Mustafa) duke ju thënë Xhaferit dhe shokëve (gjatë përleshjes fizike) kujdes shpinda etj., në mendjen tonë u mundonim t’ju ndihmojmë disi edhe pse nga gjithë ajo rrëmujë ishte e veshtirë t’na dëgjonin. Me neve u solidarizuan edhe disa nga të burgosurit boshnjakë nga dhomat e burgut (veçanërisht Sulo Muriq, nga Rozhaja, i cili ishte në dhomë me ne). Ndërsa të burgosurit serbomalazez, nga dhomat e burgut solidarizoheshin verbalisht me policët e njësisë speciale.
Përplasja fizike vazhdoi, dhe në njëfarë mënyre Xhaferi me shokë ishte duke e fituar këtë betejë kundër të gjithë atyre policëve të njësisë speciale, sepse policët pas turrit të parë që bënë, filluan të frikohen të afrohen prapë me turr, sepse thikat u sjellshin shumë shpejtë, dhe disa policë u lënduan (disa më lehtë disa më rëndë) dhe gradualisht policët filluan ta bëjnë tërheqjen. Me fjalë të tjera beteja e parë u fitua, dhe policët e njësisë speciale, disa prej tyre të plagosur, u tërhoqën.
Xhaferi me shokë e shfrytëzojë tërheqjen e policëve, fillimisht duke i ndihmuar shokët e plagosur ti futë në dhomën e burgut, dhe e barikaduan dhomën, sikur ta dinin se ka për të ardhur përforcimi edhe më i ashpër i njësisë tjetër speciale. Në dhomën e barikaduar sa me kujtohet ka pasur edhe të burgosur të tjerë, sepse ishte shumë tym dhe të burgosurit kishin vështirësi për tu orientuar në dhoma. Ndërkohë të të gjithë të burgosurit që ishin ngujuar aty, shumica malazez, u futën në një fjetore aty afër dhe Xhaferi, si duket për t’u evituar konflikti në mes të burgosurve shqiptarë e malazez, ua ka mbyllur derën nga prapa. Aty brenda të barikaduar mbeten vetem Isa e Hamza, që të dy të plagosur dhe Xhaferi. Ne, të tjerët tani mbetem në dhoma të mbyllura, por meqë ndërtesat ishin ballë për ballë ne e shihnim qartë se çka po ndodhte por pa mundur të bëjmë çkadoqoftë sepse, siç e thash më sipër, na mbyllën derën.
Pas barikadimit, për afro pesëmbëdhjetë apo njëzet minuta, kanë ardhur forcat tjera të njësisë speciale me helikopter prej Podgorice në Spuzh, tashmë të armatosur me armë të rënda, automatikë etj. Kur ka mbrri njësia speciale nga Podgorica e kanë gjetur dhomën e burgut të barikaduar, dhe janë përpjekur të bëjnë negociata. Komunikimin me ta e ka bërë Xhaferi nëpërmes grilave në gjuhën serbokroate. Policia i thoshte Xhaferit, do t’ju plotësojmë kushtet çka kërkoni por së pari të lirohen nga dhoma e barikaduar të burgosurit e plagosur (pothuajse të gjithë ishin të plagosur pak a shumë, duke e përfshirë edhe Xhaferin) por Xhaferi nuk pranonte të dorëzohej pa u plotësuar disa kushte. Xhaferi ju thoshte se të gjithë do të vdesim këtu po qe se nuk vjen helikopteri nga Prishtina me zbritë këtu para neve në pistë, dhe në helikpoter të vijnë udhëheqësit e Kosovës (sa me kujtohet, mos gabofsha, e përmendke Mahmut Bakallin dhe Ymer Pulen). Xhaferi kërkonte pos tjerash që të dërgohen në burgje të Kosovës të burgosurit shqiptar. Përfaqësuesit e njësisë speciale u përpoqën ta bindin Xhaferin por nuk e bindnin dot.
Mëpastaj rezistenca morri përmasa edhe më të mëdha, duke çuar mesazh edhe tek udhëheqja shtetërore. Ka ardhur me helikopter Kata Kontiq (ministër i drejtësisë). Ajo ka komunikuar me Xhaferin, duke i thënë pos tjerash se të gjitha kërkesat do t’ju plotësojmë por fillimisht të dalin jashtë të plagosurit qe t’ju jipet ndihma. Xhaferi e fliste mjaftë mirë gjuhën serbokroate, argumentonte edhe në baza ligjore, duke cituar ligje dhe nene, që, sidomos kur ishin në pyetje shqiptarët, nuk i respektonte. Dhe nuk pranonte në asnjë mënyrë të dorëzohen pa plotësimin e kushteve që ua kishte paraqitur. Në ndërkohë, përderisa komunikonin Kata Kontiq dhe Xhafer Shatri, policia provonte për anash ta hapë derën e dhomës së barikaduar, por nuk mundnin dot ta hapnin sepse krevatet dhe nje tavoline e madhe ishin zatetur për muri dhe nuk kishte mundësi të hapej dera.
Dialogu në mes Kata Kontiqit dhe Xhafer Shatrit nuk dha rezultate, dhe njësia speciale vazhdoi prapë të bëjë diçka me forcë, fillimisht e kanë përdorur gazin lotsjellës. Ne kishim mundësi ta shofim krejt situatën, sepse siç e ceka më lartë, ishim të mbyllur në dhomën e burgut që ishte ballëpërballë me dhomen e burgut që ishte e barikaduar. Me fjalë të tjera, njësia e policisë speciale ishte në mes dhomës tonë dhe dhomës ku bëhej rezistenca (distanca në mes dhomës sonë dhe dhomës ku ishte Xhaferi me shokë ishte përafërsisht 10 apo 12 metra).
Policët e njësisë speciale e gjuanin gazin lotsjellës nëpërmes grilave në dhomen e barikaduar. Xhaferi ua kthente disa nga lotsjellësit pa krisur, bile bile ja ka kthy njërit nga njësia speciale i cili ka kukat në gjuhën serbokroate kukuuuuu sytë, sepse i krisi gazi lotsjellës pranë fytyre.
Rezistenca e Xhaferit vazhdoi (them e Xhaferit, sepse Isa dhe Hamza ishin të plagosur keq dhe për shkak të gjakderdhjes tashmë nuk mund të rrinin as në këmbë), dhe policët filluan me strategjinë tjetër për ta mashtruar Xhaferin. Filluan t’ja gjuajnë në dhomë nga një gaz lotsjellës të mbushur dhe nga një pa mbushje, megjithkëtë, Xhaferi ua kthente gazin lotsjellës dhe mundohej t’i ndihmonte shokët kundër tymit, duke ç’kyer qarshafa dhe duke ua lidhur sytë (nuk mund të shifnim mirë se a ua lidhte shokëve plaget apo sytë kundër gazit lotsjellës). Xhaferi ishte tërë kohën në lëvizje, ende sot çuditem se si ka mundur ti rezistojë tër atij tymi të gazit lotsjellës, sepse ky gaz lotsjellës ta humbiste shumë lehtë orientimin, por Xhaferi përkundër kësaj ishte shumë i koncentruar.
Beteja ka vazhduar, policët e njësisë speciale duke gjuajtur gazin lotsjellës në dhomë, ndërsa Xhaferi duke ua kthyer gazin lotsjellës. Në një moment, nuk e di saktësisht çka ka ndodhur por është hapur pak dera e dhomës së barikaduar, nuk e di saktësishtë se a është hapur pak dera për shkak se dikush që ka qenë i mbyllur në dhomë me Xhaferin e ka luajtur pak krevatin, apo është hapur nga policia që përdorte leva metalike, por e di se kur është hapur pak dera, policët e njësisë speciale në atë moment duke e përdorur maksimalisht forcën ia arritën ta hapin krejtësisht derën.
Pasiqë
është hapur dera e dhomës së barikaduar, është dhënë urdhëri se kush ka hy
rastësisht brenda në dhomën e barikaduar, të
Dikur ka mbetur Xhaferi vet në dhomë, rrinte i koncetruar me dy thika në duar dhe i rethuar nga policët e njësisë speciale, ndër ta kishte sportista të karatesë, të cilët përpiqeshin ta kapnin Xhaferin, dhe në një moment Xhaferi e ka goditë me thikë njërin nga policët, në fytyrë apo gjoks (në pjesën e naltë të trupit), dhe e kemi ndi bërtimen e policit. Dukej se Xhaferi e kishte vendos me pagu veten dhe nuk mund t’ja humbnin dot koncentrimin.
Disa policë tentonin me trika të karatesë ta goditin me këmbë por Xhaferi ja u mbronte goditjet me thika duke i lenduar, sepse gjatë mbrojtjes i godiste me dy thika në të sjellur, duke u sjellur shpejtë (shume i shkathtë), dhe policët filluan të frikohen që të hapen me këmbë për ta goditur me këmbë, dhe e bënë prapë tërheqjen.
Mëpastaj e kanë sjellë nje hu të gjatë përafërsisht dy metra, policët e çuan hunin dora dorës, deri tek një policë shtatëgjatë i njësisë speciale. Policët e njësisë speciale e kanë rrethu prapë Xhaferin dhe kanë filluar ta hutojnë duke u matur ta godasin dhe ta kapin në trup.
Beteja ka vazhduar dhe në një moment e kanë zënë Xhaferin në një pozicion dhe e kanë goditë me hu në kokë. Ne në dhomën tonë e kemi ndi kërsimen e goditjes me hu në kokën e Xhaferit, dhe për pak qaste u bë një qetësi e trishtë.
Nga
goditja me hu, Xhaferi ka rënë në dysheme pa vetëdije, pastaj të përgjakur e
kanë kapur dy policë për këmbë dhe dy policë për duar, dhe kur kanë kaluar
nëpër shkalla për ta zbritë te hyrja kryesore e burgut, këta që ja mbanin
këmbët shkonin të parët poshtë shkallave dhe koka e Xhaferit i teshke shkallët
me kërsima trishtuese. Në këtë moment ka bërtit i trishtuar Mustafa: ”O Xhafer vëlla, vdiqe vëlla, Xhafer
vëlla……”, dhe policia na i ka kthyer tytat e automatikëve, dhe i bërtitnin
Mustafës: ”mbylle gojën se të vrasim…..” , por megjithkëtë, Mustafa i shante
policët, e ç’keu këmishen dhe ju thoshte në gjuhën serbokroate: ”qitni plumba
he kshtu e kshtu ja u bëfsha”.
Xhaferin e kanë lënë para derës kryesore të burgut ku e shifnim mjaft mirë. E kanë lënë të shtrirë aty për afro dhjetë minuta, të përgjakur, pa vetëdije, dhe nuk e dinim a ishte ende gjallë apo i vdekur. Pas përafërsisht dhjetë minutave është hapur hyrja kryesore e burgut dhe e nxorën Xhaferin jashtë.
Mëpastaj kanë ardhur policë me maska dhe na kanë çuar në dhomën e ndejes së të burgosurve. Na kanë dhënë urdhër me ra të gjithë në dy gjunjë (të gjithë të burgosurit që ishim shqiptarë, dhe poashtu disa boshnjakë), dhe gardiani me i rezikshëm që ka qenë për tortura, rrinte te dera dhe na thoshte ti, ti, ti, me urdhërin të çohemi në këmbë, dhe duhej të kalonim për dere, dhe policët nga të gjitha anët na godisnin me shkopinjë, grushta, shqelma, dhe na mbyllën nëpër qelija.
Pas
kryengritjes na kanë rrahur gjatë një periudhe: para se me ngrënë mengjez, para
se me ngrënë drekë dhe para se me ngrënë darkë. Veçanërisht na kanë torturuar
kujt na u ka pas shtjerrur zëri nga bërtimat e pakontrolluara duke i përkrahur
kryengritësit, sepse e dinin se ne kemi qenë nga dhoma e mbyllur duke bërtitur
për ti përkrahur kryengritësit.
Më kujtohet se ka pasur raste që gardianët edhe në menzë të na godasin me shkop duke thënë a nuk po ju hahet buka a ?. Sepse nga dajaku, kishte raste mos me mujt me i ngritë duart për të ngrënë bukë. Kishte edhe raste që nuk mundnim as bukë me ngrënë, sepse i ndinim të bashkëburgosurit duke bërtitur nga dajaku në qelijat që ishin qelija vetëm për tortura, dhe tingëllonte zëri i tmershëm nga ato qelija.
Veçanërisht i kanë torturuar Mustafen dhe Muratin. Muratin e plagosur në këmbë, për tri ditë radhazi, janë ndërruar gardianët duke e torturuar sistematikisht, dhe as zeri nuk ju ka ndi, veç i ndegjonim goditjet. Nga gazi lotsjellës ka ardhur era reth një muaj në burg, pastaj i kanë ndërruar ca gjama dhe dyer, ndërsa torturat kundër ne të burgosurve shqiptarë vazhdonin.
Për Xhaferin u hapë fjala në burg se ka vdekë. Për ne nuk ishte e çuditshme se ka vdekë pas gjithë asaj që ndodhi, mëpastaj u hapë fjala se Xhaferi nuk ka vdekë por e kanë dërgu në një burg tjetër dhe ka mbetë me të meta psiqike. Përndryshe, nuk kishim informacion të saktë dhe nuk dinim se a ishte kjo vetëm propagandë. Me këtë propagandë kam dalë nga burgu, dhe nuk e dija sigurt se çka ka ndodhur me Xhafer Shatrin.
Pas daljes nga burgu, shkaku i kushteve ekonomike kam vazhduar prapë të merem me tregti (me duhan, pastaj edhe me kafe, garderobë etj.), dhe kam ra prap burgjeve dhe kam pa skena të ndryshme, të tmershme, ku kam qenë edhe i involvuar shumë herë, por sikurse skenat heroike të kryengritjes në burgun e Spuzhit nuk i kam parë më kurrë. Me fjalë të tjera jam pedat në jetë me sfida të ndryshme (në burg dhe liri), shumë skena në raste të ndryshme i kam harruar se kam probleme me koncentrim dhe kujtesë, por skenat në burgun e Spuzhit nuk i harroj kurrë, dhe me duket sikurse me pas ndodhur dje kjo ngjarje.
Eshtë e pamundshme për mua të di ti shprehë të gjitha detajet, emocionet etj., në këtë rrëfim. Sikur të isha shkrimtar do e kisha shkruar kaherë një libër në lidhje me këtë përjetim dhe këtë ngjarje në burgun e Spuzhit.
Kam pasur raste zhgënjimi dhe konflikti por fatmirësisht me shumë kam pasur raste admirimi, kur binte fjala për këtë ngjarje duke e biseduar me shqiptarët, kudo që me ka qitur fati. Me kujtohet dikund në vitin 1984 në Itali, ku shkoja për tregti, me ka rastisur të takohem me shqiptar dhe binte muhabeti edhe për burgje, edhe për ndodhitë në burgje, dhe muhabet pas muhabeti në një rast ra fjala për Xhafer Shatrin, dhe une duke fol me respekt dhe admirim për të, u çua njëri dhe me tha hiqu atij shpiuni si ka marr njerëz ne qafë duke i futur në burgje. U pata ndier shumë keq dhe fillova t’i argumentojë atij personi (që pothuajse e takova rastësisht) për heroizmin e Xhafer Shatrit, por ai në mënyrë tendencioze ma përsëriti disa her duke thënë hiqu atij shpiuni, udbashi etj., dhe më bëri të dalë nga kontrolli dhe ta dëmtoj fizikisht.
Në vazhdimësi pa kurrfar interesi dhe kompleksi kam folë për këtë ngjarje (në tubime, në të pame, në demonstrata, kudo që kam qenë), sepse kjo ngjarje e meriton respektin. Ka pasur njerëz që më kanë dëgju me vemendje, por ka pasur raste me reagu njerzit me negativitet, por fatmirësisht me shumë ka pasur raste që njerzit të tregojnë vëmendje dhe admirim. Në Skandinavi, kur u takoja dhe takohem me bashkëkombas, dhe kur bjen fjala për këtë ngjarje, e dinë si sa herë kam folë dhe foli për këtë ngjarje flas me emocione dhe nuk me ngacmojnë/provokojnë.
Nuk kam tentuar dhe as nuk tentoj ti bëhem avokat Xhafer Shatrit dhe asnjë veprimtari tjetër shqiptar për veprimtaritë e tyre patriotike në Kosovë dhe në emigracionin politik shqiptar, sepse nuk e kam kompetencën e duhur dhe as njohuritë e duhura për të dhënë vlerësime, por për kryengritjen e Spuzhit i kamë faktet dhe njohuritë e duhura, dhe kam qenë dhe jam i pakompromis për vërtetësinë e kësaj ngjarjeje heroike.
Kur kam shkuar në Zvicër, nuk me kujtohet saktësisht a ka qenë viti 1984 apo 1985 (ishim duke shkuar për Belgjikë me Enver Demhasajn) kemi provuar, të shtyrë nga dhimbja (duke e marr parasysh se çka ka përjetuar në burg) nga dëshira, nga admirimi dhe nga respekti, të takohemi me Xhafer Shatrin. Më kujtohet i pyetem disa shqiptar në një shoqatë se ku mund të takohemi me Xhafer Shatrin, ata ja nisën me pyetje të shumta kush jeni ju etj, etj. Ne u irrituam nga pyetjet e shumta që na bënë, ju tham disa herë se kemi qenë me Xhafer Shatrin në burg në Spuzh, në Malë të Zi, dhe kemi dëshirë me u taku me te, ata dikur gjatë bisede na u përgjigjen se Xhaferi është i zënë etj. Na ka pas mbetë boll merak që nuk mujtem me taku Xhaferin, për ne në atë kohë ishte e pakuptueshme pse nuk mund ta takonim, por me kohën kemi reflektuar se ka qenë rrezik për Xhaferin të takohet me gjithkend kush e kërkon.
Më vonë kur kam dëgjuar për atentatin ndaj Xhafer Shatrit, nuk mu ka dukë çudi e madhe, sepse regjimi serbosllav duke e ditur se çka është në gjendje të bën Xhafer Shatri në burg, ja ka pasë boll dronë se çka mund të bëjë në liri (duke qenë njeri edhe trim edhe i aksionit edhe inteligjent). Gjithashtu më vonë, kam dëgju për Isa Kastratin se ka vdekë në mënyrë heroike në kuadër të luftës heroike të UÇKës, dhe kjo aspak nuk më ka befasu, sepse Isa ka qenë stoik dhe i patrembur në misionin e tij.
LAVDI E PERJETSHME HEROIT TE KOMBIT,
RESPEKT PËR UDHËHEQËSIN HEROIK TË KRYENGRITJES NË BURGUN E SPUZHIT, XHAFER SHATRIN.
RESPEKT PËR TË GJITHË BASHKËBURGOSURIT E MI, QË KEMI PËRJETUAR QASTE TË PAHARRUESHME: DHIMBJE, TRISHTIM, POR VEÇANËRISHT HEROIZËM, GJATË KRYENGRITJES NË BURGUN FAMËKEQ TË SPUZHIT.
PS:
Unë,
Ramiz Leka, me banim në
*Autori eshte politolog