Mendime
Driton Tali: Lidhja e Prizrenit dhe protestat më 1988
E marte, 16.12.2014, 07:23 PM
Lidhja e Prizrenit dhe protestat e nëntorit të 1988
Nga Driton Tali
Pothuajse në të gjitha vendet e dalura nga komunizmi shkolla an-all (annales) e shpjegimit të historisë dhe ajo postmoderne kanë marrë hovë. Kjo mbase është edhe si rezultat i “rebelimit” apo edhe “monotonisë” nga mënyra marksiste apo ajo kombëtare që dominonte në ato vende.
Andaj, edhe në trojet tona gjithandej shihet një fenomen i tillë, ku ngjarjet historike si bie fjala biografia e personaliteteve historike; ngjarjet politike dhe diplomatike; luftërat dhe kryengritjet nuk shpjegohen në “modën e vjetër” por ato tentohen të shpjegohen duke përfshirë ide nga psikologjia dhe shkencat shoqërore.
Pra, fenomenin historik tentojnë ta përkufizojnë si mentalitet të kohës të bazuar në aspektet shoqërore si bie fjala ato demografike, tregtare, bujqësore, teknologjike, komunikimit etj. Me fjalë tjera faktet historike i shndërrojnë në mendime intelektuale. Siç e shpjegon historiania amerikane, Deborah Lipstadt (autorja e bestselerit “Mohimi i Holokaustit”), “jemi në kohën ku historia shpjegohet në stilin ‘unë them kështu sepse ky është mendimi im dhe unë kam të drejtë ta shprehi mendimin tim, dhe ju nuk duhet të më mërzitni’”. E sa ai mendim është i drejtë e i saktë, ajo është tjetër gjë!
Sidomos te ne, faktet e thëna nga studiuesit e vjetër, është në modë të shpjegohen në mënyrën “an-all” apo “postmoderniste” (varësisht nga disponimi i tyre ditorë apo donatori i OJQ’së tyre). Veçanërisht ato që kanë të bëjnë me historinë tone kombëtare nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit të kaluar, qoftë ato që kanë të bëjnë me figurën e Skënderbeut apo Lidhjen e Prizrenit, Luftërave Ballkanike etj. Interesant pse nuk janë futur ende ta shpjegojnë në këtë mënyrë edhe historinë e fundit sidomos luftën e UÇK’ës?! Bie fjala të thonë se komandanti legjendar, Adem Jashari e flijoj vetën dhe familjen e tij, për shkak të nevojës së tij për tu futur në histori, se jo për një ide sublime! Sepse, sipas tyre njerëzit nuk kanë këso idesh, por thjeshtë veprojnë nga nevojat e tyre.
Ende nuk e kam të qartë se a po frikohen nga reagimi i “komandantëve” apo çka?! Ngase, çka kanë deklaruar ata deri tani, shihet qartë se nuk kanë fare konsideratë për rregullat (vlerat) qytetare, edhe pse thirren në to.
Në këtë frymë, kohë më pare më rastisi t’i lexoi disa ese për Lidhjen e Prizrenit, e që u bënë sebep për këtë reagim.
I lexova disa kumtesa ku panelistë të ndryshëm, duke përdorur shënime historike dhe studime të autorëve të huaj, me lehtësi vijnë në përfundim se Lidhja e Prizerenit ishte pan-osmane (pra jo pan-turke, edhepse flasim për vitin 1878?!), duke (keq)përdorur disa deklarata diplomatike të liderëve të asaj Lidhje, si bie fjala të Adbyl Frashërit apo Mehmet Ali Pashë Vrionit.
Është interesant pse këta studiues ato deklarata nuk i trajtojnë në nevoja “psikologjike dhe sociale të kohës”? Por i trajtojnë si fakte të “ngurta”?! E në anë tjetër atë etapë kohore e trajtojnë nga aspekti psikologjikë, shoqërorë, demografikë, teknologjikë etj. I kam parasysh disa “neo-osman” (disa nga OJQ-të që financohen nga donatorë turq) ama nuk e kam të qartë pse bëjnë kështu disa “kosmopolitan”?! Mbase për shkak të kompleksit provincial që e kanë!
Kjo i bie sikurse demonstratat e nëntorit të vitit 1988, në Kosovë (për organizimin e të cilave shumë veta tashti rrahin gjokse), mbas njëqind e sa viteve, dikush nga studiuesit e kohës t’i trajtojë ato si demonstrata pan-jugosllave (apo pan-sllave, merre si të duash)! Si demonstrata të cilat shqiptarët e Jugosllavisë i organizuan me qëllim për të ruajtur Jugosllavinë. Sepse kanë argumente sa të donë për ta mbrojtur atë mocion.
Për faktin se në ato protesta shqiptarët nuk brohorisnin parulla nacionaliste, por brohorisnin: Ne jemi të Titos, Tito është i yni; Tito - Partia; Tito, Kardeli – Kaqusha (Jashari) Azemi (Vllasi); Rrnoftë LKJ; Rrnoftë Jugosllavia Socialiste Vetëqeverisëse dhe e Painkuadruar; Rrnoftë Vëllazrim-Bashkimi, etj.
U protestua me fotografitë e Titos, flamujt e Jugosllavisë dhe kombeve e kombësive dhe flamurin e LKJ ( Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë). Bile disa medie sllovene dhe kroate raportonin se “në Kosovë po mbrohet Jugosllavia e Titos”.
Pra ka “fakte e fakte” për ta shpjeguar në atë mënyrë (ashtu siç po shpjegohet Lidhja e Prizerenit), edhe pse realiteti ishte krejt tjetër.
E vërteta
ishte se në protestat e nëntorit të vitit 1988, ne shqiptarët dolëm masovikisht
(ishin më masivet) për shkak të rrezikut që na kanosej nga racizmi dhe
hegjemonizmi serb. I zhvilluam në formën e njëjtë që i organizonte Millosheviqi
dhe klika e tij, të ashtuquajturat “mitingjet e solidaritetit me serbët e
Kosovës”. Në të cilat, nën parullat e vëllazërim bashkimit; ruajtjes së
Jugosllavisë së Titos; politikës së LKJ etj, kërkohej të krijohej
Ngjashëm
pra bëmë edhe ne shqiptarët!
Nuk ishte se e kishim hallin e Jugosllavisë, bile edhe emigracioni shqiptar (që ishte hapur anti Jugosllavi ) u solidarizua me ato protesta.