E shtune, 13.07.2024, 11:07 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Për librin e Fevziut apo mbretin?

E marte, 16.12.2014, 08:23 PM


NË PALLATIN E BRIGADAVE, PËR LIBRIN E FEVZIUT APO PËR MBRETIN?...

NGA NDUE DEDAJ

Nuk besoj të kem qenë vetëm unë disi i habitur nga promovimi sharmant në Pallatin e Brigadave i librit të gazetarit Blendi Fevziut kushtuar “Presidentit që u bë Mbret”, në kohën kur mbretërit e Europës po nxitonin të bëheshin presidentë. Njerëzit u dyndën atje si kurrëndonjëherë, mbase më shumë dhe se në pritjet e Presidentit për festën e Pavarësisë. Nuk mungoi askush, sidomos e kryesisht gjithë të mëdhenjtë e pushtetit dhe opozitës. Kishte aty deputetë që frekuentonin rregullisht Parlamentin, por dhe nga ata që e kanë bojkotuar atë prej gjashtë muajsh. Po ku është e keqja që të bëhet një promovim libri në rezidencën kryesore presidenciale/qeveritare të shtetit? Aq më tepër që libri i kushtohet Mbretit, të parit dhe të fundit Mbret të shqiptarëve? A nuk mjafton kaq që kjo gjë të shihet si normale dhe të mos diskutohet? Pak e lamë Natlmadhninë e Tij jashtë Pallatit të Brigadave, që të qortohemi dhe tani që u krijuan kushtet ta qasim? A nuk është kjo një mendësi moniste? Kështu si thoni, a nuk duket se Kongresi i Përmetit qenka ende në fuqi? Si nuk u mësuat me Mbretin xhanëm në këto njëzet e ca vjet? E të tjera si këto mund të vinin si reagim. Por le t’i marrim ca gjera me radhë. Dakord që Mbreti të kthehet në Pallat, simbolikisht (ani se shumëkush thotë se ai vetë ia ktheu shpinën Pallatit Mbretëror dhe Shqipërisë në ditët më të zeza të saj dhe një ditë të bukur aty zuri vend si “pasha” Partizani Meke), kur në të vërtetë ai tashmë i ishte kthyer kryeqytetit, në një shtatore në bulevardin që mban emrin e tij, kurse në Burrel ka spostuar nga rruga kryesore e shtyrë më në lulishte vetë Skënderbeun... Dakord, pra, që bëhet një promovim, po a thua kishte aty dhe nga ata që nuk kishin patur kohë me e lexue librin e Fevziut dhe atëherë prania e tyre në atë sallë nuk do të kishte kuptim, pasi në një promovim shkohet vetëm pasi të kesh lexuar librin! Ky është rregulli numër një dhe i vetëm i këtij lloj takimi. E nëse nuk ishte libri shkaku, por Mbreti, atëherë mundet që protokolli në atë seli do të kishte qenë krejtësisht tjetër. Promovime ka patur e do të ketë, por nuk dimë që shteti shqiptar t’i këtë akorduar ndonjë medalje Mbretit, logjikisht më të lartën, të paktën në njëqindvjetorin e shtetit shqiptar? E njëjta gjë mund të thuhet dhe për në Kosovë. Nëse është kështu, a thua ka qenë më me vend që në kryerezidencën qeveritare kryeqytetasit e elitës të mblidheshin bash për diçka të tillë? Mbreti ka dekoruar dhjetëra personalitete në kohën e tij dhe si të mos e meritojë një dekoratë si shtetbërës? Apo ende nuk ka ardhur koha që ai të dekorohet për punët që ka kryer, duke krijuar stabilitet aty ku ai kishte munguar?

Por duke qenë se kjo është punë e hierarkisë së lartë të vendit le të kthehemi te libri. Është e drejta e çdo autori ta leçisë librin e tij në të gjitha mënyrat e me të gjitha mjetet, ndonjëherë duke iu rënë pa pushim të gjitha burive, pavarësisht se disa e bëjnë këtë me zell e disa të tjerë e ndjekin fatin e veprës më në distancë, të bindur se reklama për një libër nuk është si për një palë këpucë të reja që blen në treg, pasi këpucët janë vetëm për një copër rrugë në jetën e njeriut. Puna është se ata që nuk kanë interesat e autorit lidhur me librin e tij, si rregull janë më të frenuar ndaj teprive, nuk i fryjnë autorët me kinse shifrat rekord të shitjeve “astronomike” të librave për kushtet shqiptare. Kësisoj nuk vënë në dispozicion të gjitha kanalet televizive dhe panairet e librit, as sallat pa çmim për disa e për disa të tjerë as me çmime të kripura. Duke mos patur në thelb asgjë me librin e Fevziut, përkundrazi gjejmë rastin ta përshëndesim për prurjen në kontekst të ri të disa prej figurave historike shqiptare, do të kishim dashur të njëjtën hapësirë promivimi mediatik e ceremonial, në mos dhe më shumë, dhe për dy libra të tjerë kushtuar figurës së Ahmet Zogut. I pari i shkruar njezet vite më parë nga një historian i njohur, Bernd Fishër, me titullin “Mbreti Zog dhe përpjekjet për stabilitet në Shqipëri”, sipas nesh një libër mjaft i vlefshëm. Gjykimi për të vjen dhe për shkak se ky libër ka patur kohë të lexohet dhe të ndikojë në formimin e lexuesit, që këtë figurë propaganda e djeshme vetëm ia kishte sikterrisur. Ky historian është mjaft i afërt për lexuesin shqiptar dhe ai vetë personalisht është pranë institucioneve tona akademike, madje si pjesë e grupit të historianëve për rishkrimin e historisë. Për më tepër, si një i huaj që merret me skrupolozitet me historinë tonë e meriton dyfish promovimin, por ndoshta do të bëjë Akademia e Shkencave (!?) dhe se ka patur kohë për diçka të tillë. I dyti libër kushtuar Ahmet Zogut është ai i historianit më të vjetër shqiptar dhe natyrisht ndër më të shquarit e vendit, Kristo Frashëri, libër që nuk përmendet askund, ndonëse botim i kohëve të fundit. Libri ishte dhe në panair dhe nuk mund të mos vihej re, të paktën nga mediat, ani se autori i tij nuk mund të ishte fizikisht aty të nënshkruante autografe! Madje na thanë se historiani në pleqëri të thellë pati reaguar në ditët e panairit të librit rreth kësaj “harrese”, që nuk mund të ishte pa dashje, si shumë gjera të tjera “pa dashje” në këtë botën e librit! Se nuk është e thënë të kesh qenë mbret, sekretar i parë i Partisë Komuniste, që të bëhen promovime pompoze, madje sipas nesh shumë herë më të nevojshme do të kishin qenë promovimet, bie fjala, për poetin e shquar Fatos Arapi, apo përkujtimoret artistike për Tefta Tashkon, Arshi Pipën, Frederik Rreshpjen etj. E nëse do të duhej vepra letrare e dikujt që t’i kishte të dyja, edhe kompomenten letrare dhe atë politike, ja tek kishim 70-vjetorin e Ibrahim Rugovës, edhe shkrimtar, edhe burrë shteti. Por a na ndihmojnë ata, të ikurit, qofshin dhe të mëdhenj, të shihemi mes nesh në Pallatin e Brigadave? Mjerisht jo, ata nuk kanë se ç’na japin për dukun tonë atje lart, ku janë sytë e të gjithëve, ku nuk mungon Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, kryetari i opozitës, ministrat, deputetët, shefat e mediave, ambasadorët etj. Nuk do të ngjallte çudi paraqitja e hijshme ashtusoj e tyre në raste kortezie, promovimesh, ditëlindjesh, dasmash “qeveritare”, nëse të njëjtët VIP-a, që shkëlqejnë atje në sallonet e epërme të shtetit, grindën si mos më keq në studiot televizive, foltoret politike, Parlament, duke i përmendur dosjet, korrupsionin, burgun njëri-tjetrit. Atëherë kujt i hyn në punë kjo paraqitja “aristokratike” e promovimeve rezidenciale? Vetëm Facebook-ut politik të atyre vetë, por jo shqiptarëve të thjeshtë, të cilët kanë të tjera halle, jo pak prej tyre, ta zëmë, me pagesën e librave shkollorë të fëmijëve.

Gjithsesi bota e librit është shumë më përtej se ajo që shpesh shihet në mediumet tona, të cilat më së shumti bëjnë zakonin e promovimit të bujshëm të atyre që janë afër politikës, a thua se kjo do të të jetë dhe nesër hierarkia e librit shqiptar. Një gjë mund të thuhet për publikun e gjerë, qoftë dhe me një sy të lirë, tjetër ishte panorama e librit në panairin e fundit këtë nëntor e gjithëhere dhe tjetër ajo e “tregut” mediatik. Ka libra të rëndësishëm për të cilët nuk është thënë mbase asnjë gjysmë fjale, dhe ngaqë autorët e tyre janë të vetëdijshëm për udhën e vështirë të librit në treg dhe jo vetëm. Ata e dinë se Aleksandër Dyma hyri në Panteonin francez pas dyqind vjetësh nga lindja, ndërkohë që kishin nxituar për aty shkrimtarë të gjysmës së dytë të shekullit XX që kishin qenë ministra. Mirë të tjerët, thua, po disa gazetarë të kulturës, të gazetave e televizioneve, që duke mos u shtyrë më larg se interesat e shefave të tyre për autorë të “preferuar”, padashje e shpallin veten “non grata” të kulturës! Se sa groteske është kjo mjafton të sjellim një rast. Kur na u desh njëherë të bënim promovimin e një libri politik të një autori, për momentin jashtë politikës, mëzi i mblodhem me mik nja tridhjetë veta nëpër qytet. Kurse, një vit më vonë, kur ai do të kandidonte për deputet dhe në promovim ishte lideri karizmatik i partisë, nuk kishe se ku të hidhje kokrrën e mollës.

Së fundi, a do të jetë Pallati i Brigadave tash e mbrapa i hapur dhe për promovime të tjera kulturore, historike, artistike? Ai qe nisur për pallat mbretëror dhe përfundoi i bigadave partizane, ku si të tillë do të të kishte hije që t’i priste me 29 nëntor dhe ata që i dhanë emrin, partizanët. Rasti ishte sidomos këtë vit, dhe nëse duhej ndonjë monografi për Luftën si “sebep”, me siguri që duhej të kishte ndonjë të tillë. E gjitha kjo për një ekuilibër vlerash historike, që të mos mbetemi përjetësisht: “Rroftë Mbreti”, “Poshtë Mbreti”...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora