E diele, 28.04.2024, 02:54 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Papa Françesku flet për vizitën në Shqipëri

E merkure, 24.09.2014, 07:34 PM


Audienca e Papës Françesku i kushtohet Udhëtimit Apostolik në Shqipëri: ta përshëndesim këtë popull të guximshëm, punëtor, që në paqe, kërkon bashkimin

Papa Françesku ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, shtegtimit të tij apostolik në Shqipëri, të dielën më 21 shtator. Pa hyrë në komente, ia japim fjalën Atit të Shenjtë, duke ju njohur me përmbajtjen e plotë të katekizmit të tij të sotëm:

Të dashur vëllezër e motra,

sot dua t’ju flas për Udhëtimin Apostolik, që bëra në Shqipëri, të dielën e kaluar. E bëj këtë, së pari, si akt falenderimi për Zotin, i cili ma mundësoi këtë Vizitë për të treguar, edhe fizikisht e në mënyrë të prekshme, afërsinë time e të gjithë Kishës me këtë popull. Dëshiroj pastaj, të përtërij mirënjohjen time vëllazërore për Ipeshkvijtë shqiptarë, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, që punojnë me kaq impenjim. Mendimi im plot mirënjohje shkon edhe tek autoritetet, që më pritën me kaq shumë dashamirësi, si edhe tek të gjithë ata, që punuan për realizimin e vizitës.

Kjo vizitë lindi nga dëshira për të shkuar në një vend, që, pasi u shtyp për një kohë të gjatë nga një regjim ateist e çnjerëzor, po përjeton përvojën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve. M’u duk shumë e rëndësishme ta inkurajoj në këtë udhë, që ta vazhdojë me këmbëngulje e të thellohet në të gjitha aspektet, për të mirën e përbashkët. Për këtë, në qendër të udhëtimit, qe një takim ndërfetar, në të cilin pata mundësinë të shoh me kënaqësi të thellë se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm është e dëshirueshme, por është konkretisht e mundur dhe e zbatueshme në praktikë. Ata e praktikojnë! Është fjala për një dialog të vërtetë e të frytshëm, larg relativizmit, duke pasur parasysh identitetin e secilit. Në fakt, ajo që i bashkon shprehjet e ndryshme të fesë, është udha e jetës, vullneti për t’i bërë mirë të afërmit, pa e mohuar e pa e nënvleftësuar identitetin e secilit.

Takimi me meshtarët, me të shuguruarit, me seminaristët e me lëvizjet laike qe rasti për të kujtuar me mirënjohje, me çaste përmallimi të madh, martirët e shumtë të fesë. Falë pranisë së disa të moshuarve, që i kanë jetuar në trupin e tyre persekutimet e tmerrshme, rijehoi feja e sa e sa dëshmitarëve heroikë të së kaluarës, të cilët e ndoqën Krishtin deri në pasojat më ekstreme. E pikërisht nga bashkimi intim me Jezusin, nga marrëdhëniet e dashurisë me Të, për këta martirë – si për çdo martir – lindi forca për të përballuar ngjarjet e dhimbshme, që i çuan drejt martirizimit. Edhe sot, ashtu si dje, forca e Kishës nuk qëndron aq në aftësitë organizuese ose në struktura, të cilat, gjithsesi, janë të nevojshme, por Kisha nuk e gjen forcën e vet aty. Forca jonë është dashuria e Krishtit! Një forcë, që na mban në çastet e vështira e që frymëzon veprimin e sotëm apostolik për të dhuruar mirësi e falje, duke dëshmuar kështu mëshirën e Zotit.

Duke përshkuar udhët kryesore të Tiranës, që nga aeroporti çojnë në sheshin qendror, munda të shoh portretet e dyzet meshtarëve të vrarë gjatë diktaturës komuniste, për të cilët është nisur çështja e lumnimit. Këta u shtohen qindra njerëzve të fesë, të krishterë e myslimanë, vrarë, torturuar e internuar vetëm sepse besonin në Zotin. Qenë vite të errta, gjatë të cilave u bë rrafsh me tokën liria fetare e ishte e ndaluar të besoje në Zotin; mijëra kisha e xhami u shkatërruan, u shndërruan në magazina e kinema, që përhapnin ideologjinë marksiste; librat fetarë u dogjën e prindërve nuk iu lejua t’u vinin fëmijëve emrat fetarë të paraardhësve. Kujtimi i këtyre ngjarjeve dramatike është thelbësor për të ardhmen e një populli. Kujtimi i martirëve, që rezistuan me fe, është garanci për fatet e Shqipërisë, sepse gjaku i tyre nuk është derdhur kot, por është farë, që do të sjellë fryte paqeje dhe bashkëpunimi vëllazëror. Vërtet, sot, Shqipëria është shembull, jo vetëm për rilindjen e Kishës, por edhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve. Prandaj, martirët nuk janë të mundur, por fitimtarë: në dëshminë e tyre heroike shndrit sërish gjithpushteti i Zotit, që gjithnjë e ngushëllon popullin e vet, duke hapur udhë të reja e horizonte shprese. Këtë mesazh shprese, bazuar mbi fenë në Krishtin e mbi kujtimin e së kaluarës, ia besova krejt popullsisë shqiptare, të cilën e pashë entuziaste dhe të gëzuar në vendet e takimeve e në kremtime, ashtu si edhe në rrugët e Tiranës. I inkurajova të gjithë të marrin energji gjithnjë të reja nga Hyji i ringjallur, për të qenë tharmi ungjillor në shoqëri e për t’u angazhuar, siç po ndodh tashmë, në veprimtari bamirëse e edukative.

Falenderoj edhe një herë Zotin, sepse, me këtë Udhëtim, më dha mundësinë të takohem me një popull të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes. Vëllezërve e motrave të Shqipërisë u përsëris ftesën për të pasur guximin e së mirës, për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen në vendin e tyre e në Evropë. Ia besoj frytet e vizitës sime Zojës së Këshillit të Mirë, e cila nderohet në Shenjtëroren me të njëjtin emër në Shkodër, që Ajo të vazhdojë ta udhëheqë këtë popull-martir në udhën e tij. Përvoja e vështirë e së kaluarës thelloftë gjithnjë e më shumë hapjen ndaj vëllezërve, sidomos ndaj më të brishtëve, dhe e bëftë gjithnjë e më shumë protagonist të atij dinamizmi të bamirësisë, kaq të nevojshëm në kontekstin e sotëm shoqëroro-kulturor. Do të doja që të gjithë ne ta përshëndesim këtë popull të guximshëm, punëtor, që në paqe, kërkon bashkimin.

 

Teksti vjen nga faqja e internetit http://sq.radiovaticana.va/news/2014/09/24/audienca_e_pap%C3%ABs_fran%C3%A7esku_i_kushtohet_udh%C3%ABtimit_apostolik_n%C3%AB/alb-827117

Radio Vatikani



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora