E merkure, 11.12.2024, 07:27 PM (GMT)

Mendime

Gjuha shqipe, si element thelbësor i identitetit tonë kombëtar

E shtune, 28.06.2008, 02:22 PM


Nga Kostaq Xoxa
     
Intervista e fundit e Kadaresë në “Dojçe Vele”, me titullin: “Shqipërinë nuk e nderon vonesa në dënimin e krimeve të komunizmit”.

“Pra, përse (na thuhet se) ndryshoi ky identitet për këta 70 vjet? Përse, ku janë arsyet, ku është ndryshimi? E folmja? E folmja në Kosovë është absolutisht më e afërt disa herë me gjuhën që flitet në përgjithësi në Shqipëri, sesa në shumë pjesë të saj, në zona të Shqipërisë që kanë dialekte shumë të larguara nga pjesa e përgjithshme shqiptare. Gjuha ime, kur flas me kosovarët apo kur lexoj shtypin kosovar, është shumë më e afërt sesa ajo e disa gazetave në Shqipëri, si në Gjirokastër, në Shkodër, në Kukës apo në Elbasan. Pra, është tepër natyrale kjo”.
Qysh në acarimet me Maqedoninë, veç të tjerash, për denigrimin e gjuhës shqipe në një vend ku shqiptarët përbëjnë një përqindje shumë të madhe të popullsisë, Kadareja më kujtohet se ka bërë një shkrim gjuhësor, me theksin te karakteri kombëtar i gjuhës sonë. Marrëveshja e Ohrit e ndryshoi gjendjen për mirë. Por problematika gjuhësore, për një komb të lashtë si yni, të keqtrajtuar në një pjesë të madhe të tij edhe pas proceseve demokratike të nëntëdhjetës, mori përmasa të veçanta në respektim të standardit, me një vëmendje të veçantë të bashkëkombësve tanë të Kosovës. Shkrimtari ynë, edhe para marrëveshjes së Ohrit, është shprehur për njësinë e gjuhës sonë, pavarësisht se ka qenë për strukturimin e saj të mëtejshëm, duke qenë, madje, edhe kritik ndaj dy pikave kyçe, që janë të njohura, tashmë: Bazës së diktuar dhe mënjanimit të një numri të madh fjalësh shqipe të Shqipërisë së Mesme e asaj të Veriut nga fjalorët tanë të kohës. Kadareja është nga të parët që e zgjeroi numrin e fjalëve në veprat e tij, duke vlerësuar ato që kishin mbetur të shpërfillura, në njëfarë mënyre. Pra, e kishte pasuruar fjalorin e tij të të shkruarit, para se të shqyrtohej si domosdoshmëri gjuhësore ajo që përmendëm me fjalën ristrukturim.
Le të kujtojmë se u bënë edhe marrëveshje të veçanta Shqipëri-Kosovë, në rang akademish, për një veprimtari të përbashkët, në një Konferencë Gjuhësore përkujtimore. Por duket se ecuria qé e flashkët, për shkak të disa mendimeve për zhbërjen e gjuhës sonë, si pasojë e asaj që përmendëm : vendosje nën diktat të gjuhës me bazë toskërishten. Mëtohej që të nisej nga e para veprimtaria për njësimin gjuhësor, gjë që është praktikisht e pamundur, së pari për arsye se nuk na lejohet luksi që të shpenzojmë dhjetëvjeçarë të shumtë për njësimin sipas evoluimit natyror të afrimit të të dy të folmeve kryesore. Është interesante përgjigjja e Kadaresë se mos Kosova, për shkak të një qëndrimi 70-vjeçar nën sundimin jugosllav, paska krijuar një identitet tjetër! Jo-ja e Kadaresë është e prerë. Për ata që s’kanë pasur rastin ta lexojnë intervistën e “Dojçe Veles”, që u botua më 25.06.2008 në “55”, po e riprodhojmë pjesërisht që të shohim sesi argumentohet mjeshtërisht ajo Jo-ja e prerë që sapo u përmend:
Nga intervista e Kadaresë/Pyetje: -Zoti Kadare, kohë më parë ju keni zhvilluar një debat të gjatë për identitetin e shqiptarëve. A ka ndryshuar në parim identiteti i shqiptarëve pas krijimit të Shtetit të ri të Kosovës, pra pas gjendjes së tanishme të shqiptarëve si komb me dy Shtete? Përgjigje: - Besoj që shumica e shqiptarëve është dakord që identiteti shqiptar është homogjen, është i njëjtë, është pjesë e identitetit europian. Nuk mund të ketë identitet shqiptar të përgjysmuar, as identitet shqiptar të gjymtuar, ose të modifikuar për shkak të një robërie të gjatë. Ne kemi njohur, si të thuash, një robëri klasike të jashtme, që ka qenë robëria otomane dhe një robëri të brendshme, që ka qenë me dy fytyra: robëria komuniste shqiptare në Shqipëri dhe robëria komuniste serbe, bashkë me mbretërinë jugosllave, në Kosovë. Do të shosha se ekziston një teori e keqe që mëton nga këto aksidente të renda historike (njëra pesë shekuj e tjetra më shumë se gjysmë shekulli), se identiteti shqiptar është modifikuar, është ndryshuar. Të thuash një gjë të tillë për një popull, do të thotë t’i bësh fyerjen më të madhe. Një popull, të cilit i ndryshohet identiteti prej robërisë, është mjeran, është thellësisht fatkeq në dinjitetin e tij. Përse popujt e tjerët të Ballkanit nuk e ndryshuan identitetin dhe përse i paska rënë popullit shqiptar kjo fatkeqësi dhe ky cenim i rëndë? Pra, nuk është e vërtetë se populli shqiptar e ka ndryshuar identitetin. Identiteti shqiptar, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që kanë pasur të gjitha vendet e Ballkanit nga robëria e gjatë otomane, ka mbetur siç ishte, i pamodifikuar. Kështu të gjitha ato përrallat për identitetin e modifikuar, mbeten vetëm përralla; dhe jo vetëm kaq, por ato janë edhe të dëmshme. Pyetje: -Por tani flitet për një problem tjetër, që ka dalë pas krijimit të Shtetit të ri shqiptar: A ka Kosova identitet tjetër, apo ka identitetin klasik shqiptar? Përgjigje: - Për këtë gjë bëhen shumë përpjekje; ka shumë doktrina dhe lloj-lloj teoricienësh orvaten për të vërtetuar se Kosova ka identitet tjetër. Ky është versioni që thashë më parë, se robëria mund t’ia ndryshojë identitetin një populli. Në qoftë se ne pranojmë që Kosova, për shkak të një qëndrimi 70-vjeçar nën sundimin jugosllav, paska krijuar një identitet tjetër, ky do të ishte – siç thashë më sipër, - një mjerim i madh për popullin. Përse e paska ndërruar? Më parë Kosova ka qenë e bashkuar me Shqipërinë. Ka qenë në vazhdimin e hapësirës shqiptare. Nuk ka pasur kufij gjatë pesë shekujve për të cilët fola. Gjatë perandorisë otomane ka qenë e njëjta zonë, zonë të cilën administrata turke e quante me emra të ndryshëm; por ka qenë kjo zonë që është sot. Pra, përse ndryshoi ky identitet për këta 70 vjet? Përse, ku janë arsyet, ku është ndryshimi? E folmja? E folmja në Kosovë është absolutisht më e afërt disa herë me gjuhën që flitet në përgjithësi në Shqipëri, sesa në shumë pjesë, në zona të Shqipërisë që kanë dialekte shumë të larguara nga pjesa e përgjithshme shqiptare. Gjuha ime, kur flas me kosovarët apo kur lexoj shtypin kosovar, është shumë më e afërt sesa ajo e disa gazetave në Shqipëri, si në Gjirokastër, në Shkodër, në Kukës apo në Elbasan. Pra, është tepër natyrale kjo. E, megjithatë, do të shtoja se nuk është vetëm gjuha që përcakton identitetin, edhe pse është ndër faktorët themelorë.
Për Shqipërinë, të cilën nuk e nderon vonesa në dënimin e krimeve të komunizmit, që e shohim në okielon e këtij shkrimi, do të shkruajmë në një artikull të veçantë.
Të jemi të kujdesshëm për gjuhën/Për tani le të vazhdojmë me gjuhën, duke nxjerrë përfundimin nga mendimet e mësipërme se duhet të jemi më të përgjegjshëm për respektimin e saj. Sot kanë mbetur sirtareve vepra me vlerë, për mungesë paresh nga autorët. Por kanë dalë edhe vepra që s’ia vlente të botoheshin, për shkak të dobësive të jashtëzakonshme skriptomanësh që shkruajnë në mënyrë të përçartur, me fraza pa kuptim, në emër të asaj që quhet “modernizëm”, duke mos pasur idenë e kësaj mënyre të të shkruarit.
Në numrin e së dielës do të botohet në gazetën tonë një intervistë e Milan Kundërës, në të cilën shkrimtari i madh tregon disa elemente-bazë të romanit modern, që s’kanë të bëjnë fare me njohuritë e pseudomodernistëve tanë, që shkruajnë duke kujtuar se përbëjnë plejadën e një rryme letrare të caktuar! Sigurisht, përderisa shohim “risi” të tilla të botuara në organet e shtypit si këto: 7-lartë, 7-zënë, 7-rrokësh, për shtatlartë, shtatzënë, shtatërrokësh. A jemi në një kurs stenografie, për të marrë me shkurtime leksionet e diktuara? Kam parë shkrime “letrare”, pa shenja pikësimi. Qenkan të tepërta! Por çdo frazë duhet lexuar katër herë, që të marrësh një të katërtën e kuptimit, nëse mundesh ta bësh edhe këtë! Një mendje të thotë se për kë shkruajnë këta njerëz, veçanërisht të rinj e të reja që duan të bëhen “të dukshëm” të dalluar, origjinalë. . .Kush është aq i ngeshëm që të lexojë gjëra që as autori vetë nuk e di ç’kërkon të thotë, po kaloi njëfarë kohe! Por mendja tjetër të thotë se këto marrina kanë mitomanët e tyre imitues. Madje janë në garë kush t’ia kalojë njëri-tjetrit.
E kam thënë, por më vjen ta përsëris, atë muhabetin që kam bërë me një gazetar të ri i cili, në një reportazh të thjeshtë, shkruante protestantë për protestues! Kur i thashë se fjala e parë ka kuptim tjetër nga e dyta, m’u kundërvu: - Kështu kujtoni , se shkrimi është ai i njëzet viteve më parë! Nuk ju mbushet mendja se jemi në kohën e modernizmit! – Po ti ke përdorur një fjalë që e ka fillin qindra vjet më parë, në fillim të sh. XVI, në kohën e Reformës së Martin Luterit , - i thashë. Iku si turivarur.
Më dhanë një libër që “binte erë”! Që në faqe të parë: buzët e lyera me vjeshtë. Shpirtin autorja e kishte lyer me shi. “U lamë në sytë e njëri-tjetrit dhe heshtjen e thamë me puthje”. Mos të harrojmë se ajo folja (u thamë) është e dykuptimshme. Anì. Sa më e pakuptueshme, aq më mirë! Në atë intervistën e Milan Kunderës, do të gjeni edhe këtë shprehje: “Shkrimi duhet të ketë qartësi arkitektonike, përndryshe bëhet i errët. Kur mbarojmë së lexuari një tekst, të jemi në gjendje të kujtojmë fillimin e tij”.
Një cen tjetër i shkrimeve të këtij kallëpi është edhe mania e sëmurë për fjalën e huaj. Paçka se ajo mund të jetë e zëvendësueshme. Dikush përdorte tërë lezet fjalën Autoriale. Eja e merre vesh nëse është në kuptimin “e autorit”, apo në kuptimin “e autoritetshme”!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora