Mendime
Ismail Syla: Permbyllja shekullore
E enjte, 26.06.2008, 01:04 PM
Permbyllja shekullore
Nga Ismail Syla
1.
Secili shqiptar i Kosovës natyrisht që ka tregimin e vet për Shqipërinë. Për brezin tim, si student, të shkosh në Shqipëri ka qenë e pamundur. Dhe kjo nuk u bë dot para vitit 1981. Kishte vetëm një mënyrë për ne që ishim të shkrumbosur për ta shkelur tokën shqiptare. Shkonim vetëm në ndonjë ëndërr. Nuk kishte ëndërr më të bukur se imazhi që të shfaqej në gjumë dhe "e dije" se je në tokën shqiptare, diku pranë kufirit.
Kurrë nuk do ta harroj hyrjen e parë në Shqipëri, në nëntor të 1992. Si për fat të keq, ishte natyra vjeshtore, lugina e Shkumbinit dhe fabrikat e ndryshkura ato që ma prishnin imazhin për Shqipërinë. Nuk isha i deziluzionuar, por "urbanizmi" i Përrenjasit dhe gjendja e fshatrave m‘i mbytnin pamjet e Tiranës, asaj shpirtërore, Tiranës së Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Ilirian Zhupës, të cilët i takova.
Pas kthimit, kur ua shpjegoja me realizëm gjendjen e Shqipërisë njerëzve të rrethit tim, varfërinë e dukshme si gjendje materiale, dhe pasurinë shpirtërore (në apartamentin e një pediatreje të moshuar kishte figura skulpturale dhe piktura që tregonin kulturën mitologjike dhe shijen e mprehtë artistike), ndonjë rezervë të mundshme të rrëfimit tim, do ta hiqnin shumë shpejt, sapo do ta vizitonin Shqipërinë. Dhe do të më jepnin të drejtë.
Zhvillimet pas viteve nëntëdhjetë, koha e luftës, 1998-1999 dhe vitet e tranzicionit kanë vulë të veçantë të zhvillimeve në Shqipëri dhe të raporteve të ndërsjella Kosovë-Shqipëri. Raporte social-politike, kulturo—psikologjike. Por hyrja e tretë në Shqipëri, më 19 dhe 20 qershor 2008 kësaj radhe kishte të veçantën. Kësaj radhe shteti shkonte te shteti.
2.
Vizita e Kryeministrit Thaçi në Tiranë që në ftesë kishte mbarësinë dhe vulën e rëndësishme: Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ftonte për vizitë historike. Ishte gjithçka vërtet historike, sepse koha kishte sublimuar përpjekjen shekullore - mëvetësinë e Kosovës. Sa mund, djersë, gjak, vuajtje, durim, sakrificë ishte bërë për t‘u përpunuar historia jonë e brendshme me diplomacinë botërore për ta sjellë këtë moment!
Ishte historike se po vazhdonte të ndodhurit e gjërave për herë të parë, kusht i gjërave të mëdha dhe të papërsëritshme. Kosova vitin 2008 e ka vit të përmbylljeve shekullore. Për herë të parë u shpall dhe njoh ndërkombëtarisht Kosova si shtet. U bë me Kushtetutë. Me flamur. Me himn. Ishte vizita e parë e Kryeministrit të qeverisë që shpalli pavarësinë në tokën e ëndrrave dhe idealeve tona, në Republikën e Shqipërisë. Ishte hera e parë kur dy kryeministrat shqiptarë dëgjuan pranë e pranë intonimin e himneve shtetërore. Ishte hera e parë kur rrinin pranë e pranë dy flamuj. Por mrekullia e mrekullive ishte e arritura psikologjike, kulturore dhe politike, kur flamuri shqiptar e pranoi aq ngrohtësisht dhe natyrshëm flamurin e Kosovës, kur himni shqiptar e pranoi aq lehtësisht dhe ngrohtësisht himnin e shtetit të ri të Kosovës. Tirana ishte e stolisur kudo me flamurin e Kosovës. Aprovimi kishte ndodhur së brendshmi. Nuk kishte gjurmë të dhimbjes, por vetëm emocione krenarie. Simbolikën e pranimit të himnit, flamurit dhe dashamirësinë e pritjes së delegacionit të Kosovës gjatë tërë kohës e tregonin sytë e rrëmbushur me lot të Kryeministrit emblematik të Shqipërisë, Sali Berisha.
Në Kuvendin e Shqipërisë, tempull i mendimit dhe veprimit demokratik të shqiptarëve, u pranua me aq elokuencë e thëna e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i pari Kryeministër që iu drejtua këtij Parlamenti, se jemi dy shtete me identitete të veçanta, por jemi një si komb, si gjuhë, si kulturë. Jemi dy shtete me një qëllim (Bruksel, NATO). Kosova dhe Shqipëria po e fitojnë të tashmen, ardhmërinë.
3.
Dekorimi i Kryeministrit të Kosovës me dekoratën për trimëri "Urdhri Gjergj Kastrioti - Skënderbeu" nga Presidenti Bamir Topi ishte konfirmimi më i mirë se projekti më i rëndësishëm politiko-ushtarak i shqiptarëve ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, themeluesit dhe drejtuesit e së cilës arritën ta kurorëzojnë pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Një ngjarje e veçantë ishte Vlora. Vlora e Ismail Qemalit, e 1912 e pranoi Kosovën e 17 shkurtit 2008. Pas 96 vjet shkëputjeje, katër muaj pas shpalljes së pavarësisë, Vlora e priste Kosovën e stolisur me flamurin e kaltër me hartën e verdhë në mes. Vlora e pranoi me natyrshmëri identitetin shtetëror të Kosovës, e tundte flamurin, e këndonte himnin me respekt dhe emocion.
Vlora e 20 qershorit, duke shpallur Kryeministrin Thaçi "Qytetar Nderi" e bëri të derdhte lot emocionesh tërë sallën e teatrit "Petro Marko" me këngën polifonike "Në Vlorë të Flamurit sot ka rënë ylberi". Ajo këngë ishte hapësira shpirtërore e zemërgjerësisë shqiptare, e gëzimit për fitoren e Kosovës, që është fitore për Shqipërinë. Ishte kënga himn për burrat e fortë të kullës së Adem Jasharit, kujtesë për plakun mjekërbardhë, Ismail Qemali, për Isa Boletinin, Mujë Krasniqin dhe shumë e shumë burra e patriotë që Kosovën e bënë Kosovë dhe na bëjnë të mburremi me historinë shqiptare.