E diele, 28.04.2024, 05:37 AM (GMT+1)

Mendime

Vitore Leka Stefa, ''Nënë Tereza e Triestes''

E marte, 24.06.2008, 05:56 PM


Nen kryetari i Lidhjes Shqiptare ne Bote, Nazmi Jakurti duke i dorzuar , Nene Vitores mirnjohjen
PORTRET/ VITORE STEFA LEKA, ”NËNË TEREZA E TRIESTES”

Nen kryetari i Lidhjes Shqiptare ne Bote, Nazmi Jakurti duke i dorzuar , Nene Vitores mirnjohjen.

Shpëtoi djalin e njeriut që urdhëroi vrasjen e të atit

“Sot, ne shqiptarët duhet të jemi të bashkuar, t’i harrojmë hakmarrjet dhe përçarjet, nuk duhet të rrimë me kokën prapa”.

Nga: Xhovani SHYTI

Vitore Leka Stefa është një nga figurat më të rëndësishme të emigracionit që jetën e saj e ka lidhur ngushtë me bamirësinë. Poetja dhe shkrimtarja, vajza e një prej familjeve më të njohura shqiptare, e persekutuar në kohën e diktaturës, pas pushkatimit të të atit, me akuzën “agjent i amerikanëve”, prej kohësh cilësohet si “Nënë Tereza e Tristes”. Roli i saj human tashmë i ka kapërcyer kufijtë e bamirësisë, duke e kthyer në organizatore të gjithë diasporës shqiptare. Vitore Stefa Lka është një nga personalitetet e Lidhjes Shqiptare në botë, por edhe e autoriteteve italiane. Përveçse poete dhe shkrimtare "Nëna e shqiptarëve" , një tjetër simbolikë kjo me të cilën e quajnë bashkëatdhetarë t emigrantë, Vitore Stefa  Leka, ka edhe një të veçantë, dhe kjo lidhet me biografinë prindërore. Babai i saj, Kostaq Stefa, është shpallur pas vdekjes “Martir i Demokracisë”,  nëna, Eleni, “Mësuese e Popullit”, ndërsa vetë ajo, nga ish Presidenti Alfred  Moisiu, është dekoruar me Medaljen e Artë të Mirënjohjes, për punën e saj humane dhe veprimtari patriotike, në këto 17- vjet emigracion. Poetja e dhjetëra librave me poezi e tregime, në këtë intervistë ka treguar shumë detaje të jetës së saj në Shqipëri dhe në emigracion.

-Pse dhe kur keni ikur në emigracion?
 
Të them që më rrëmbeu dhe mua vala, nuk e them dot. Po të mos kisha djalin  e vogël  të sëmurë rëndë, ndoshta nuk do isha larguar kurrë nga vendi im i shtrenjtë. Jam nisur më 26 shtator 1990 me tragetin e inteligjencës. Ishte mjeti i fundit që largohej nga Durrësi, pasi ishte marrë vesh që katër  të tjerët kishin shkarkuar në bregun italian shqiptarë që kërkonin azil politik. Atë gjë vendosën dhe bashkëudhëtarët e mi. Ndërkohë që isha e dyzuar. Më priste një rrugë e gjatë dhe e panjohur. Udhëtimi më dukej si një nisje drejt hapësirave ndërplanetare, në kërkim të së panjohurës. A do ishin të vërteta ato që kishim dëgjuar? A do ta realizoja qëllimin e nisjes ? Kisha një merak të mistershëm që vetëm një nënë di ta vuaj por jo ta përshkruaj. Janë ndjenja kaq brendësore sa e gjej të vështirë t’i përcjellë tek të tjerët.

-Kur e keni ndjerë veten  keq në emigracion?

Në fillim. Ishin kohë të acarta. Kohë kur kurajoja duhej ndezur në çdo qelizë të trupit. Nuk thonë kot fillimi është i vështirë. Na trajtonin si inferiorë kur na sillnin bukën në tabaka dhe ne  duhej të prisnim rradhën e pafundme. Në radhë dikush na thërriste shqiptar, me një  shprehje të atillë fytyre sikur shqiptonte fjalën lebroz. O zot ç’situata!   Me kalimin e kohës gjithë “emërtimet fyese” dhe situatat e vështira i  kapërcyem me vështirësi, duke treguar me sjelljen tonë se vinim nga zemra e Europës pamvarësisht se mbartnim probleme të rënda ekonomike dhe halli na kish çuar në derën e tyre. Sot shumica e shqiptarëve ndjehen krenarë që i kanë treguar botës pjesë nga kultura jonë e lashtë, nga aktivitetet tona të bukura  me shoqatat kulturore shqiptaro- italiane të formuara vite më parë. Me punë, mund, djersë,   ne kemi vënë në vendin që na takon: dinjitetin, identitetin dhe imazhin e krenarisë shqiptare.

-Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare?

E kam amanet nga paraardhësit e mi që mos i afrohem "politikës ". Kështu që rezervohem thjesht në dhënien e një mendimi. Për mua politika duhet të jetë arti për të arritur mirëqënien e një populli.    Kush bën këtë, ka bërë politikë. Politika shqiptare për vetë faktin se ka probleme të shumta në atdhe, drita, ujë, kontrabandë, falsifikime, është duke përshkuar akoma traun e ekuilibrit.

-A e ndjeni racizmin në vendin ku punoni dhe jetoni?

E shpjegova dhe më lart në fillim ... Tani jo!  Bile jam anëtare e Këshillit të emigracionit në Komunën e Triestes, ku jetoj. Besoj se shumë emigrantë shqiptarë e kanë kaluar fazën e diskriminimit   sepse sot ato  me sjelljen dhe punën e tyre  gëzojnë simpatinë dhe barazimin me vendasit.

-Pse i ndihmoni të tjerët. Çdo të thotë bamirësia për ju?

Që të ndihmosh nuk do të thotë bamirësi, por një lloj detyrimi që ke ndaj një personi në nevojë. Dhe kjo varet nga nevojat që kanë personat dhe nga mundësitë që na krijohen për ta ndihmuar. Këtu në emigracion mua më është dhënë mundësia që t’i jem pranë çdo nevojtari emigrant që jo vetëm kanë kombësinë shqiptare por që janë shtetarë të Bosnjës, Hercegovinës, Sllovenisë, Kroacisë apo Rumanisë. Qyteti i Triestes ku banjo unë është një qytet I populluar nga të gjitha etnitë, për vetë strategjinë që ka ky qytet bregdetar, ku ankorohen tragete nga e gjithë bota. Është një nga qytetet që mikpriti eksodet e ndryshme që kanë ndodhur duke nisur nga viti 1990. Duke qenë dhe vetë emigrante, unë jam më e ndjeshme ndaj tyre. Ndihma ndaj atyre qëkanë nevojë për të,kjo ka qenë e përditshmja ime që nga viti 1990-94 ku në Itali vinin shumë emigrant nga Shqipëria dhe më vonë nga luftrat e Bosnjës, Sllovenisë, Kosovës apo Maqedonisë, ku flukset e refugjatëve u bënë më të shpeshta dhe unë isha çdo ditë pranë tyre. Dua të them se në këtë punë nuk kam qenë kurrë e vetme. Më kanë ndihmuar shumë miqtë e mi Masrur Imami dhe Xhokonda Amadej.

-Kujtoni ndonjë detaj të rëndësishëm ose ndonjë histori nga gjithë kjo përkujdesje ndaj emigrantëve?

Kam shumë kujtime të dhimbshme por dhe të bukura nga takimet dhe nevojat e emigrantëve. Do veçoja dy. Të gjithëve u kujtohet viti 97 kur helikopteri Italian mori në stadium një familje shqiptare me dy fëmijët e saj, njëra prej të cilëve ishte shumë e sëmurë. Vajza u shtrua në spitalin e Barit. E ëma gjeti numrin e telefonit tim, më merr urgjentisht dhe më tregon rastin e fëmijës së saj. Spitali I Triestes “Burlo”, mbahet si nëj nga spitalet më të mira në Evropë për sëmundjen që kishte Ina. Bëra çmos me prefekturën dhe nuk ja harroj kurrë dhe zonjës Alma Biskarro, që më shoqëroi në spital e kudo deri sa sollëm familjen shqiptare në Trieste dhe Inën e shtruam mënjeherë në spitalin e “Burlos”. Familjarët e tjerë për 20 ditë ndenjën në shtëpinë time, deri sa i sistemoi Karitasi. Gjithashtu nuk do të harroj kurrë rastin e nëj djali të ri që po e kthenin në Shqipëri dhe ai bërtiste se s’donte të kthehej. Në një moment I shpëtoi policëve nga dora dhe u afrua afër nesh, aty tek sheshi I tragetit, dhe njëri prej policëve i ra me shkop gome dhe ai bërtiti:”Oh nëna ime!”. Aq shumë u trondita sa për një çast mendova se aty mund të ishte djali im dhe u futa dhe unë në mes. Hëngra dhe unë një shkop gome, që më dhemb akoma kurrizi kur e kujtoj. Djali veç të tjerave ishte me temperaturë, dhe mbas ndërhyrjeve tona e lanë të merrte vehten nga temperature dhe gripi dhe uën e mroa në shtëpi. Ditën që ai do të ikte me target ishim ulur në tavolinë për të ngrënë drekën. Kisha mysafir zotin e nderuar Kristaq Lako, atë kohë redaktor i gazetës “Pasqyra” si dhe një gazetar tjetër nga televizioni shqiptar që nuk ia kujtoj dot emrin tani. Më kujtohet që zoti Kristaq e pyeti djalin nga ishte dhe kur ai tha nga Tirana dhe nisi të thoshte emrin e të atit mu errësuan sytë. Ishte djali i atij njeriu që kishte dhënë urdhrin e pushkatimit të tim eti…Ndjeva që po më dridhej garzhdja në dorë sepse ishte moment kur po ndaja gjellën. Por e mblodha vehten dhe thashë me vete:”E ç’faj ka ky për fatkeqësinë time, për faktin që unë u rrita pa babë, në mjerim të plotë…?Mund të kisha lindur unë në vend të tij, ose anasjelltas. Pastaj mu kujtua fakti që ne shqiptarët sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar, t’i harrojmë hakmarrjet dhe përçarjet, pasi nuk duhet të rrimë me kokën prapa. Mbas një jave më merr i ati i djalit, i cili me gjysëm zëri më tha:”Ti me bukë e unë me gurë”. Por ajo ishte një leksion dhe një mësim dhe për atë djalë, por, mendoj dhe për të tjerët, që të tregojmë se duhet të dimë të falim për të rregulluar diçka të shkatërruar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora