E hene, 29.04.2024, 06:42 AM (GMT+1)

Mendime

Emocionet e Thaçit: Pritje madhështore në Tiranë

E diele, 22.06.2008, 04:20 PM


Thaçi dhe Berisha
Kryeministri i Kosovës flet në "Top Channel" për vizitën që zhvilloi në Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë drejtorit të informacionit të "Top Channel", Sokol Balla, nuk e fsheh entuziazmin për pritjen që iu bë në Tiranë. Thaçi flet për marrëdhëniet e reja mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe sfidat e mëdha të shtetit të ri të pavarur...

Jeni në Shqipëri në këtë vizitë të parë shqiptare jo thjesht si Kryeministër i Kosovës, por si Kryeministër i Republikës së Kosovës, tashmë një realitet i ri në skenën ndërkombëtare. Në fund të kësaj vizite, cila është përshtypja juaj?

Përshtypja ime është jashtëzakonisht e mirë. E kam ëndërruar ta shoh Shqipërinë krejt ndryshe, në kuptimin më pozitiv të mundshëm, si Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Shqipëria është në një rrugë të mbarë, që të jetë shumë shpejt pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por edhe ndryshimeve të mëdha në kuptimin e zhvillimit ekonomik. Ajo po luan rolin e saj të rëndësishëm edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Vizita ime, e delegacionit të Kosovës, ishte një vizitë e qeverisë së pavarësisë së Kosovës në Tiranë me ftesën e Kryeministrit Berisha. Ne i jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që politika e Tiranës i ka dhënë Prishtinës. Sot, të dyja qeveritë tona, të dyja vendet tona janë duke punuar intensivisht për implementimin e kritereve demokratike, në mënyrë që të ecim të sigurt në rrugën për integrimin në familjen euroatlantike.

Kjo është vizita juaj e parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Pse është e rëndësishme që Tirana të jetë sërish kaq prezente në jetën politike dhe më gjerë të Kosovës, tashmë që ju jeni shteti i pavarur?

Mendoj se për aq sa është Tirana prezente në jetën politike dhe shoqërore qytetare në Prishtinë, po aq është Prishtina në Tiranë. Natyrisht që janë ndikime pozitive, reciproke në kuptimin më të mirë të mundshëm. Ky është një bashkëpunim i nivelit më të lartë shtetëror, i komunikimeve shumë të ngushta dhe njerëzore, vëllazërore, kombëtare e qytetëruese dhe sot Kosova e Shqipëria si dy shtete me identitete të pavarura janë duke bashkëpunuar si kurrë më parë dhe dua të theksoj se këto bashkëpunime në të gjitha nivelet shtetërore do të ndikojnë për mirë në të gjithë rajonin dhe është model i bashkëpunimit. Ne si shqiptarë jemi një komb, kemi një gjuhë, një kulturë dhe është mirë që komuniteti ndërkombëtar dhe Uashingtoni e Brukseli e përkrah këtë bashkëpunim të ngushtë, ndaj sot askush nuk i frikësohet këtij bashkëpunimi, përkundrazi është inkurajues dhe për komunitetin ndërkombëtar.

Më thoni të vërtetën, kur dëgjuat himnin e Kosovës dhe himnin e Shqipërisë si u ndjetë z. Thaçi?

Ne fituam luftën, por edhe shpallëm pavarësinë kuq e zi, pavarësinë e Kosovës, jemi rritur dhe kultivuar me simbolet tona kombëtare dhe do t‘i ruajmë si sytë e ballit e do t‘i kultivojmë në Kosovë dhe kudo ndodhen shqiptarët. Ndihem shumë krenar me shtetin e pavarur sovran dhe demokratik të Kosovës, me identitetin shtetëror, prandaj do ta ndërtojmë dhe kultivojmë identitetin shtetëror, demokracinë qytetare, por edhe do ta forcojmë edhe më tepër identitetin tonë kombëtar, si shqiptarë kudo që jetojmë.

Në Parlament folët për "Ali Demin", ku keni pasur shtëpinë tuaj të parë, folët për "Zogun e Zi", për "21 Dhjetorin", për Bllokun. Në Shqipëri besoj te të gjithë keni përcjellë një përshtypje mjaft të mirë, sikur e doni shumë Shqipërinë, por mos vallë në Prishtinë ua kanë interpretuar pak më ndryshe, sikur doni më shumë Tiranën se Prishtinën... A i druheni këtij reagimi në Prishtinë?

Gjithë jetën time ia kam kushtuar vendit tim, Kosovës, lirisë së popullit të Kosovës; gjithë jetën time e kam vënë në përpjekjet tona për liri të plotë dhe më vjen mirë që është kurorëzuar ajo përpjekje e jashtëzakonshme e imja dhe e popullit të Kosovës me shtet të pavarur sovran dhe demokratik. Ajo përpjekje është zhvilluar në Kosovë, por duke u nisur nga kushtet dhe rrethanat e jashtëzakonshme që kemi jetuar në Kosovë, më ka qëlluar të jetoj edhe në Tiranë, prandaj e njoh dhe më njeh Tirana mirë, e kam dashur dhe e dua Shqipërinë, e kanë dashur gjyshërit e mi dhe e do edhe djali im sot. Por, në të njëjtën kohë ndihem tepër krenar në shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës. Po aq sa ndihem krenar edhe me Shqipërinë dhe të dyja kryeqytetet tona mendoj se janë duke shkuar drejt një bashkëpunimi tepër të mirë. Por, edhe Tirana për mua ka emocionin e saj, po aq sa emocion të jashtëzakonshëm ka edhe Prishtina.

Aq sa mund të flitet, Prishtina është kryeqyteti i Kosovës që ju drejtoni dhe Tirana, kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve?

Unë kam emocion dhe e dua Tiranën, por kryeqyteti im është Prishtina.

Ju pashë në një marrëdhënie shumë të mirë dhe mjaft të afërt me Kryeministrin Berisha. U duk sikur vite të tëra qejfmbetjeje në heshtje ishin lënë pas dhe ishte ndërtuar realisht jo thjesht një raport homologësh, por një raport i vërtetë midis kryeministrave shqiptarë?

Kam pasur nderin, krenarinë dhe mundësinë të bashkëpunoj me të gjithë presidentët dhe kryeministrat që nga viti ‘90 e këtej. Me të gjithë kam ndërtuar raporte të shkëlqyera bashkëpunimi, por edhe raporte private dhe dua të falënderoj të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë, që kanë dhënë kontributet e tyre në periudha të ndryshme për Kosovën. Në kuadër të kësaj, edhe me Kryeministrin Berisha kam zhvilluar raporte normale, bashkëpunimi dhe tashmë raporte tepër të ngushta ndërshtetërore, ndërkryeministrore, por edhe miqësore. Gjithashtu kam raporte edhe me liderë të tjerë të Shqipërisë, raporte edhe private, edhe zyrtare, edhe me partinë në pushtet dhe me opozitën. Me Berishën jam takuar kur kemi qenë të dy në opozitë dhe kemi prezantuar ato vlera që prezantojmë edhe sot, ai si Kryeministër i Shqipërisë dhe unë i Kosovës.

A ka projekte konkrete të përbashkëta midis dy qeverive?

Projekte konkrete të përbashkëta ka, që do të fillojnë së shpejti në infrastrukturën rrugore, pastaj do të ketë projekte konkrete edhe për portet. Komisionet ndërshtetërore do të bisedojnë edhe për turizmin dhe arsimin. Kështu që mendoj se gjërat do të lëvizin më shpejt dhe do të jetë një bashkëpunim që do të reflektojë në të mirë të të dyja vendeve.

Kryeministrit Berisha ju drejtuat me fjalët se historia do t‘u jetë mirënjohës, ndërkohë që kryetarit të opozitës, z. Rama, ju drejtuat me frazën se ju do të jeni lideri i së ardhmes. A mos mendoni se në këtë mënyrë keni shprehur një preferencë tuajën politike personale dhe, nga ana tjetër, a keni frikë se kjo mos ju interpretohet edhe si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë?

Në Shqipëri nuk jam për t‘i dhënë favore as këtij, e as atij lideri, por jam që të prezantoj shtetin e Kosovës, institucionet dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Nuk mund të mos jemi dhe do të ishim tepër naivë që të mos i ishim mirënjohës si komb Kryeministrit Berisha për këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme për përfundimin e rrugës Durrës-Kukës-Morin dhe ne si qeveri e Kosovës do të vazhdojmë pjesën nga Vërmica në Merdare, por në të njëjtën kohë duhet mbështetur puna e jashtëzakonshme për ndryshimin e Tiranës që ka bërë Edi Rama dhe i besoj këtij vullneti, këtij përkushtimi dhe bashkëpunimi të dy liderëve kryesorë, natyrisht dhe të z. Meta e të tjerëve, të cilët të gjithë po punojnë për të mirën e Shqipërisë. Ky është edhe mesazhi im përshëndetës edhe për punën e tyre të mirë. Më gëzon fakti edhe për bashkëpunimin e tyre të ngushtë.

Si e shikoni të ardhmen e kufirit Shqipëri-Kosovë?

Të dyja vendet punojnë për hapje, për demokratizim të kufijve dhe duam të jetojmë në një realitet të ri, në realitetin evropian, në realitetin e rajonit pa kufi, në kuptimin e pengesave aktuale që janë, por edhe në kuptimin e standardeve perëndimore.

Jeni në një moment të rëndësishëm të qeverisjes suaj, tashmë Kosova ka flamurin, Kushtetutën, himnin. Qeveria juaj ka më shumë kompetenca dhe përgjegjësi, megjithatë duket se situata nuk është fort e favorshme në raport me Serbinë, me njohjen ndërkombëtare dhe padyshim me shtrirjen e qeverisjes, pra të kabinetit tuaj në të gjithë territorin e Kosovës. Pra, si mendoni se do të jetë perspektiva në këtë drejtim?

Kosova është njohur prej 43 shtetesh dhe do të njihet prej shumicës së shteteve të botës mjaft shpejt e më pas do të jetë pjesë e OKB-së. Është njohur prej 7 vendeve të G-8-ës dhe prej shumicës së vendeve të BE-së dhe të NATO-s, ndërsa do të njihet dhe nga Maqedonia e Mali i Zi. Së shpejti do të ndërtojmë raporte të vullnetit të mirë të bashkëpunimit ndërshtetëror edhe me Serbinë, por kjo varet edhe nga vullneti i Beogradit. Prishtina është e gatshme, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e dy vendeve tona, që të ndërtojmë raporte të mira edhe me Serbinë. Kjo është në interes të paqes dhe stabilitetit mes dy vendeve.

Ditën e ashtuquajtur "Dinog Dani"-it, serbët e Kosovës kanë deklaruar se do të ngrenë Kuvendin e tyre paralel. Si do të reagojë qeveria e Kosovës, a do të ketë reagim nga ju dhe a keni marrë nga NATO sigurinë se kufijtë veriorë do të mbyllen dhe Kosova në fund të fundit do të ketë një çati në veri të saj?

Në Kosovë nuk do të këtë struktura paralele, enklava dhe struktura destabilizuese. Në Kosovë do të funksionojnë institucionet shtetërore të Republikës sonë, sidomos pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të Kosovës. Ne, hap pas hapi do ta shtrijmë autoritetin edhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Kemi mbështetjen civile ndërkombëtare në rolin këshillues, por edhe prezencën e NATO-s.

Opozita, e përfaqësuar nga Ramush Haradinaj, ju ka kritikuar ashpër në këtë drejtim, se ju nuk keni një plan për zgjidhjen e situatës në Mitrovicë?

Mendoj se këto gjëra nuk përkojnë fare me realitetin shumë pozitiv dhe të përshëndetur edhe prej zyrtarëve të komunitetit ndërkombëtar. Unë jam Kryeministër i Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës. Këto akuza janë tepër të ulëta dhe nuk merrem me gjëra të tilla.

Në fund doja t‘ju bëja një pyetje në lidhje me atë që ndodhi në shtëpinë tuaj. Mesa jemi informuar, ju keni ndërruar shtëpi. Sa realisht ndikoi ajo ngjarje në familjen tuaj, por më shumë në punën tuaj si Kryeministër i Kosovës?

S‘do t‘ia dëshiroja askujt që t‘i ndodhte diçka e tillë, jo vetëm liderëve, por edhe qytetarëve. Prandaj, ndjeshmëria është si prind e si bashkëshort. Por axhendën time nuk mund ta ndërrojë askush. Ajo është e qartë, e prerë. Vendosmëria është ajo që ka qenë edhe më herët. Do të vazhdoj punën, që është implementimi i axhendës sonë shtetërore, prioritet kryesor. Dua t‘i besoj plotësisht drejtësisë dhe nuk dua të ndërhyjë politika në këtë aspekt.

Në fund një mesazh për shqiptarët e Shqipërisë nga ana e Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës?

Mesazhi im është mirënjohja dhe respekti për shtetin shqiptar, për politikën shqiptare, për popullin shqiptar, që i ka dhënë mbështetje ndërtimit të Kosovës sovrane dhe demokratike. Dhe mirë u takofshim si dy shtete të pavarura në familjen euroatlantike, në NATO dhe BE.

Ne fituam luftën, por edhe shpallëm pavarësinë, kuq e zi, pavarësinë e Kosovës, jemi rritur dhe kultivuar me simbolet tona kombëtare dhe do t‘i ruajmë si sytë e ballit dhe do t‘i kultivojmë në Kosovë e kudo ku ndodhen shqiptarët. Por ndihem shumë krenar me shtetin e pavarur sovran dhe demokratik të Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora