E shtune, 18.01.2025, 11:26 AM (GMT)

Mendime

Vladimir Arsenijeviç: Ju tregoj raportet mes serbëve dhe shqiptarëve

E hene, 23.06.2008, 03:02 PM


Ju tregoj raportet mes serbëve dhe shqiptarëve

Nga Vladimir Arsenijeviç

Për të gjithë ish-jugosllavët, por veçanërisht për serbët, shqiptarët e Kosovës kanë qenë thjesht "zezakët tanë". Në ditët e sotme, sidoqoftë, ata llogariten si armiqtë e djallëzuar të Serbisë - një mit që pa mëshirë shfrytëzohet nga politikanët nacionalistë ndaj Kosovës, e cila është nën administrimin e OKB-së që nga viti 1999. Nëse dikush në Evropën Perëndimore pyet se si ka mundur të ndodhë e gjithë kjo, unë mund t‘ju tregoj atyre atë që kam parë dhe dëgjuar për këtë histori në vendin tim.

Vendi im, ish-Jugosllavia, ka qenë etnikisht dhe me kulturë të shumëllojshme. Mareshali Josip Broz Tito e quante këtë shumëllojshmëri "shporta e butë" e Jugosllavisë sonë. Në realitet, megjithatë, kurrë nuk ka qenë ashtu. Pas vdekjes së Titos, shumëllojshmëria e vendit u instrumentalizua tmerrësisht; vendi u bë me shoqëri të ndara, u nda etnikisht në nëngrupe dhe ekonomikisht në hierarki të rajoneve me gjendje të mirë dhe me gjendje të keqe. Si rrjedhim, Jugosllavia e post-Titos u bë vertikalja e mirënjohur e Evropës. Në majë të këtij vertikali, në veri, në kufirin me Austrinë, ishte republika më e përparuar ekonomike, Sllovenia. Pastaj më poshtë vinin Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia në qendër dhe Mali i Zi e Maqedonia në jug, që ishin zonat me ekonomi të varfër të ish-shtetit.

"Sa më në jug, aq më mjerueshëm" ("Sto juznije, to tuznije") ishte një fjalë popullore që përdorej për ta përshkruar shkallën shoqërore ku drejtohej racizmi specifik jugosllav. Kështu që, sllovenët treguan përbuzjen që ndjenin për njerëzit e pagdhendur të vendit, për përtacët ose dështakët e republikave të tjera, veçanërisht kroatët; kroatët për të kaluarën e tyre të lidhur me serbët, me qejf bënin shaka me maqedonasit dhe malazezët. Boshnjakët, në anën tjetër, si popull që banonte në qendër të Republikës së Jugosllavisë, ishin objekt talljeje nga të gjitha anët. Dhe, plotësisht në fund, vinin shqiptarët, të cilët jetonin në provincën jugore të Serbisë, në Kosovë. Gjuha e tyre nuk ishte gjuhë sllave. Ata ishin më të varfrit nga të gjithë ne të tjerët. Kultura e tyre ishte shumë e huaj. Në koleksionin e llojllojshëm të klasave të jugosllavëve, si grupi më jugor etnik, ata ishin dënuar ta luanin rolin e autsajderëve absolutë. Gjithçka që të gjithë ne të tjerët në ish-Jugosllavi kërkonim ta dinim rreth shqiptarëve, ishte përmbledhur nga një mish-mash i klisheve ofenduese.

Në përgjithësi, ata me tallje quheshin siptari, ose shiptari. Nëse nuk i kemi urryer ata haptas, kjo ka ndodhur vetëm sepse nuk i kemi konsideruar të denjë për urrejtjen tonë. Edhe në kohët më të mira, kurrë nuk ka pasur dialog midis "atyre" dhe "neve". Shqiptarët e Kosovës për ne ishin vetëm një grumbull i primitivëve. Me fjalë të tjera, ata ishin zezakët tanë. Sidoqoftë, ekzistenca e shqiptarëve të përbuzur mezi kishte prekur ndërgjegjen e jugosllavëve të epokës së Titos, kështu që racizmi kulturor i asaj kohe, nga perspektiva e sotme duket më tepër i padëmshëm, krahasuar me dhunën vdekjeprurëse ndaj "shqiptarëve" që u pasua me vdekjen e Titos dhe pas valës së parë të "rrëmujës" në Kosovë, në fund të shekullit të njëzetë.

Kjo fyerje, në mënyrë të posaçme, u bë më e madhe gjatë gjithë fazës së nacionalizmit në të gjitha republikat, gjatë tiranisë brutale të bërë nga Sllobodan Millosheviç. Gjatë viteve 1990, politikanët dhe mediat gjithashtu filluan përdorimin e termit nënçmues "shqiptari", një emërtim që i bëri ata objekt të paranojës sonë. Shpesh e më shpesh njerëzit filluan të flisnin për ata si njerëz, arsye e vetme e ekzistimit të të cilëve ishte asgjësimi i "neve, serbëve". Një nga legjendat që shëtiti në versionin e lajmeve të Millosheviçit, ishte një mit historik, që tregohej kështu: "Dikur, në Kosovë kishte shumë më pak shqiptarë se sa serbë. Por, me kalimin e viteve, ata erdhën në Kosovë përmes kufirit me Shqipërinë dhe u vendosën në vendin tonë, pikërisht para syve tanë".

Në këtë mënyrë, propaganda zyrtare gjatë epokës së Millosheviçit, e mbështetur pagabueshëm nga media, i shpalli "shqiptarët" armiqtë e djallëzuar të serbëve; në të vërtetë, pa këta armiq, ekzistenca e vetë serbëve do të ishte pothuaj e papërfytyrueshme. Tani "shiptarët" u transformuan në demonë të tmerrshëm e të rrezikshëm, kokëfortë dhe këmbëngulës në misionin e tyre për ta marrë territorin tonë historik, për ta marrë prej nesh Fushë-Kosovën, "djepin e kulturës sonë", për t‘i vjedhur mitet tona, për të na e grabitur atë që na takonte neve nga "e drejta historike".


***

Me vendosmëri për të arritur fitore me këta "shiptarë" njëherë e përgjithmonë, kryetari ynë Millosheviç e krijoi një plan fantastik. Në këtë perandori të errët të shpirtkëqijve, varfërisë, urrejtjes etnike dhe hiperinflacionit, ushtria dhe policia e ndihmuar nga masmedia, u lejuan t‘i diskriminojë dhe poshtërojë shqiptarët e Kosovës. Shqiptarët u përzunë ose u arrestuan arbitrarisht, prona e tyre u plaçkit, familjet dhe fshatrat e tyre u shkatërruan. I çliruar nga ndonjë përgjegjësi dhe i inkurajuar nga mbështetja e popullit, kryetari për shumë vite, me përpikëri e vuri në veprim planin e tij, duke e sjellë dhunën dhe shkatërrimin, së pari në Kosovë e pastaj në të gjithë territorin e Jugosllavisë.

Pas Marrëveshjes së Dejton-it, në dhjetor të vitit 1995, atje pati një armëpushim, por në vitin 1999, spiralja e dhunës më në fund e çoi Millosheviçin prapa, atje ku kishte filluar, në Kosovë. Dhe prapë gjithashtu Kosova ishte vendi që vulosi fatin e tij pas trembëdhjetë vjetëve të sundimit destruktiv. Kur NATO filloi të bombardojë keqbërësin kryesor, Serbinë dhe Malin e Zi, në fund të marsit të vitit 1999, ajo shkatërroi shumicën e infrastrukturës dhe shkaktoi qindra e mijëra viktima civile. Sidoqoftë, ajo çka pasoi ishte fundi i pushtetit shtetëror serb në Kosovë. Në të njëjtën kohë, rolet e kriminelit dhe viktimës edhe një herë ishin kthyer në këtë vend të pafat. Atje ndodhi një eksod i mijëra serbëve dhe romëve dhe një rrëmujë e hakmarrjes nga ana e fitimtarëve; dhe përsëri viktimat gati gjithnjë ishin veçanërisht civilët e pafajshëm.

Shpresa për çfarëdo normaliteti në mes të serbëve të thjeshtë dhe shqiptarëve, për të jetuar pranë njëri-tjetrit në të ardhmen e afërt, ishte zhdukur. Disa vjet më parë, mediat kanë raportuar për varret masive, kokat e vdekura të të cilëve ishin identifikuar nga ekspertët e forenzikës si shqiptarë të Kosovës. Një nga imazhet më tmerruese ishte ai i kamionit frigorifer, nga i cili gratë kosovare shqiptare, fëmijët dhe pleqtë ishin vendosur në liqenin Perucac, afër grykës së lumit Derventa. Në ekranet tona ne kemi parë kufomat e kalbura gjysmë të zhveshura duke u nxjerrë nga uji, kemi dëgjuar rrëfimin shokues të shoferit, të cilit i është thënë të transportojë të vdekurit jashtë Kosovës, në mënyrë që të mbulohej krimi.

Në atë kohë, televizioni shtetëror i Beogradit transmetoi një intervistë me një njeri, duke u larë i patrazuar në këtë liqen të bukur prej ujërave të gjelbër të të cilit kufomat sapo ishin nxjerrë. Kur gazetarët e pyetën atë se nëse kjo e shqetësonte atë, torollaku qëndroi aty duke tundur kokën e tij, ndërsa uji pikonte prej tij. Duke lëvizur kapakët e syrit padjallëzisht dhe duke u qeshur shkurtazi, ai shikoi në kamerë dhe tha pa e kthyer kokën: "Të jem i sinqertë, unë nuk besoj në tërë këtë" dhe u zhyt në mënyrë mospërfillëse prapë në ujë. "Tipi është i çmendur", mund të shkojë mendja. Por, faktikisht është e kundërta. Reagimi i tij është absolutisht i kuptueshëm.


***

Qytetarët serbë prapa vetes kanë një dekadë shpëlarje truri nga ana e politikanëve dhe mediave, një dekadë e mësimeve se si gënjeshtrat e vazhdueshme në fund mund t‘i bëjë njerëzit që t‘u besojnë gënjeshtrave të veta. Njeriu që lahej ishte thjesht duke i përdorur ato aftësi të fituara. Mohimi është një nga kualitetet e reja qendrore të serbëve. Kjo është aq e re, sa që ne madje nuk kemi fjalë të përshtatshme për të dhe ata që e kuptojnë se çka është duke ngjarë, thjesht përdorin fjalë angleze në vend të kësaj. Mohimi, ky mohim, ftohtësi në fytyrën e vuajtjes njerëzore, një paaftësi për të treguar ndjeshmërinë më bazike, tregon që ne si shoqëri jemi në tokën e askujt.

Nganjëherë kjo duket sikur ne nuk dëshirojmë të ikim nga vorbulla e së kaluarës. Çështja e statusit të Kosovës jo më pak e rëndësishme, marrëdhënia jonë e ardhshme me shqiptarët e Kosovës, janë çështjet më vendimtare mes shumë çështjesh të tjera dhe ato mund të përdoren si një masë e maturisë sonë politike. Arsyet pse ne nuk marrim një qasje më konstruktive ndaj tyre, janë më të thella. Shoqëria e sotme serbe është e lodhur prej politikës. Është e lodhur prej luftërave të humbura, e rraskapitur nga varfëria kronike dhe ndjenja se serbët duhet ta shohin veten ose si viktima ose si palë fajtore. Ajo i druhet ndryshimit dhe shmang përgjegjësinë. Me fjalë tjera, ngjarjet kanë siguruar se pikëpamjet tona për shqiptarët e Kosovës do të mbesin të pandryshuara për një kohë të gjatë.

Urrejtjes tradicionale thjesht iu shtua hidhërimi i nënvetëdijshëm i humbësit, i cili shfryhet në keqardhje për vete dhe mund të çiftëzohet me idenë mistike se gjithmonë kemi të drejtë. Në të vërtetë, humbja e pashmangshme e ish-krahinës jugore serbe, në qarqet e caktuara të shoqërisë sonë është e barabartë me apokalipsin. Jo shumë moti, qendra e Beogradit ishte mbushur me postera të dizajnuar për të na mashtruar: "Nuk ka Serbi pa Kosovën!". Por kushdo që e thotë këtë gënjen dhe shumë njerëz thellësisht e dinë këtë - përkundër të gjithave kjo po bëhet gjithnjë e më shumë evident statusi i Kosovës.

Në fakt, shumë qytetarë - posaçërisht ata të rinjtë - të zhgënjyer nga të gjitha anët, duket të kenë vendosur që mos t‘i besojnë asgjëje më, si ai torollaku që lahej në liqen. Por, çka mund të presë njeriu prej një gjenerate që është rritur mes luftës dhe shkatërrimit, të ushqyer me politikë të urrejtjes së hapur dhe që nuk mund të marrin viza për t‘u njohur me vendet dhe kulturat e tjera? Të rinjtë tanë kanë filluar të urrejnë përsëri, pa frenim, me një kënaqësi mendjelehtë. Studimet e nxënësve shkollorë mjaftojnë për t‘u rrëqethur - dhe ato konfirmojnë se më shumë 30 për qind e nxënësve në shkollat e mesme mendojnë që ata, "as nuk duhet të bëhen miq me shqiptarët dhe as t‘i vizitojnë ata". "Gati një e treta e të rinjve besojnë se kinezëve - një grup ky relativisht i madh i të huajve në vendin tonë duhet t‘u hiqet leja e qëndrimit në vendin tonë, madje edhe nëse ata i binden ligjit. Çdo i treti adoleshent djalë dhe çdo e dyta vajzë adoleshente, i shikojnë me përbuzje homoseksualët dhe njerëzit e infektuar me HIV. Ideja e suksesit tmerrues, me të cilin shoqëria bashkëkohore serbe ka deformuar idetë dhe emocionet e njerëzve të rinj, e bën njeriun të rrëqethet. Ndoshta zgjidhja është që të pritet stoikisht dhe të jesh i duruar. Ndoshta njeriu duhet vetëm të shpresojë se gjeneratat e reja do të rriten në rrethana më të shëndosha. Ndoshta e vetmja gjë e mbetur për ne është të besojmë se nipërit tanë do të jenë fëmijët tanë të vërtetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora