Mendime
Engjëll Koliqi: Me melodinë e re
E merkure, 25.06.2008, 06:07 PM
Me melodinë e re
Engjëll Koliqi
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Simbas marrëveshjes paraprake, gjithçka ishte vendosur n'atë të bekuarën ditë, në fronin e mrekullisë. Tashmë nuk kemi ç'të diskutojmë, as të lodhemi shumë. Jemi këtu vetëm për t'i vënë vijëzimet dhe pikat përfundimtare e vendimtare të programit tonë historik, për ndërrimin e botës me dashuri.
Të gjithë në veprim
Natyra e programit tonë, edhe në brendinë dhe përmbajtjen e tij, kërkon një veprim të përbashkët me një qëllim të përbashkët – me interes të përbashkët, për të mirën e përbashkët. Prandaj, ne me këtë formulë të përbashkësisë të fillojmë me vijëzimet dhe pikat e para vendimtare në programin tonë. Tashmë dihet dhe nuk mund të jetë ndryshe – si pikë e parë e vendimtare, në të parin vijëzim të ndërrimit të botës me dashuri, natyrisht vjen ftesa për një veprim të përbashkët në këtë mision të shenjtë – si në akte, poashtu edhe në kremtime. Atëherë, e vëjmë pikën e parë në programin tonë historik dhe i ftojmë të na bashkohen të gjithë, pa humbur kohë. Duhet të na bashkohen dhe të veprojmë bashkë, sepse të gjitha veprimet e programit tonë do të jenë në shërbim të të mirave të përbashkëta. Në programin tonë të gjithë intereset janë të përbashkëta, sepse vetëm kështu mund jemi gjithnjë jashtë dhe larg rreziqeve dhe incidenteve që ndodhin udhëkryqeve t'intereseve. Pra, pa e zgjatur shumë me pikën e parë, le të jetë mirë e theksuar ftesa e përgjithshme – për të gjithë, që me bashkëveprim t'i përmbushim të gjitha aktet e dashurisë dhe me bashkëkremtim të gëzojmë e të lumturojmë të gjithë, përgjatë epokës së amshuar të mrekullisë së dashurisë.
Me përgjegjësi e detyra konkrete
Tashmë, mbas shumë fjalëve e diskutimeve, përfundimisht kemi programin tonë teorik të ndërrimit të botës me dashuri, prandaj që të gjithë – me besim të plotë duhet drejtuar sytë kah mrekullia dhe së bashku të vëhemi në shërbim – në aktet e përbashkëta të dashurisë. Pa vonuar pra, duhet t'i marrim detyrat konkrete, me përgjegjësinë më të madhe, sepse tashmë është koha që t'i bëjmë hapat e parë konkretë, në këtë të bekuarin mision. Kam besim të plotë në këtë mision të shenjtë, sepse me fuqinë e mrekullisë tashmë kemi të garantuar Bekimin e Zotit. Prandaj, eni të gjithë dhe pa hezituar merrni detyrat e përbashkëta dhe individuale. Merrni dhe kryeni detyrat, me më të madhen përgjegjësi, sepse vetëm kështu përmbushet misioni ynë i bekuar, sepse vetëm kështu e ndërrojmë këtë botë me dashuri. Le t'i realizojmë të gjitha detyrat me një koordinim të përbashkët, sepse vetëm kështu i kemi sukseset të garantuara. Me akte konkrete dashurie le t'i përmbushim detyrat dhe obligimet tona, në misionin tonë të mrekullisë. Duke mos njohur kurrë urrejtje, le ta duam së pari njëri-tjetrin e pastaj të gjithë njerëzit e kësaj bote, sepse kjo është formula e sukseseve të përbashkëta në ndërrimin e botës me dashuri. Të mos ndalemi derisa t'i realizojmë të gjitha detyrat konkretisht – ato individuale dhe të përbashkëta, në misionin tonë të mrekullisë dhe kjo festë, le të jetë sa më e zëshme me të këndshmen zhurmë, me melodinë e re të dashurisë.
Fitorja jonë është e pashmangëshme
Përgjatë gjithë epokës së mrekullisë, të ndërrimit të botës me dashuri, sigurisht që do të hasim në shumë vështirësi dhe pengesa. Pengesa e rreziqe, sidomos do të kemi udhëkryqeve t'intereseve, ku do të ketë përplasje të mëdha, deri në incidente. Prandaj, duhet të jemi vendosmërisht të përkushtuar në misionin tonë të dashurisë, sepse i kemi hyrë një veprimtarie vërtetë të shenjtë – të ndërrimit të botës me dashuri. Në anën tonë kemi të gjitha bekimet e Zotit, deri te fuqia e pakontestueshme e mrekullisë. Në anën tonë kemi besimin dhe besën vendimtare. Në anën tonë kemi të gjitha resurset njerëzore, që dijnë ta vlerësojnë dashurinë e mirëfilltë. Duke pasur parasysh të gjitha këto, si dhe angazhimin tonë maksimal, në përmbushjen e detyrave tona me përgjegjësinë më të madhe, atëherë – me krenari konfirmojmë se fitorja jonë është e pashmangëshme. Kjo fitore i nevojitet botës sonë, sepse ka ardhur koha që ta ndërrojmë me dashuri.
Një festë me melodi dashurie
Për fatin tonë, që tashmë sheshon me fuqi mrekullie, me shekullin e dashurisë po hapet epoka e re, që nuk njeh urrejtje dhe që do të jetë në shërbim të intereseve të përbashkëta të njerëzve dhe të njerëzimit mbarë. Fatmirësisht, të prekur nga dora e mrekullisë, ne do të jemi protagonistët e parë në fronin e dashurisë, për të filluar ndërrimet historike të kësaj bote. Prandaj, bindshëm mund ta ftojmë njerëzimin, që ta fillojë një festë të madhe. Do e bëjmë një festë me një zhurmë shumë të këndshme – zhurmë që do të jehojë anekënd botës dhe në mbarë gjithësinë, me një melodi të re – me melodinë e dashurisë. Me melodi dashurie do të këndojmë të gjithë. Me melodi dashurie, të gjithë do të vallëzojmë në vallen e madhe festive. Nuk njohim më vështirësi as pengesa. Gjithçka është e gatshme për të filluar kremten. Festa jonë e madhe, e hapjes së epokës së ndryshimeve, po e pasuron historinë e kësaj bote me melodinë e re të dashurisë. Kjo festë, me melodinë e re të dashurisë, po ia hapë dyert e fatit njerëzimit, drejt logut të mrekullive. Prandaj eni të gjithë. Mos ngurroni as mos hezitoni. Eni e hyni në vallen historike, që po luhet dhe do të luhet gjithmonë, nën tingujt e melodisë së re të dashurisë. Mos mungoni, sepse kremtja na do të gjithëve. Edhe historia e dashuria na duan të gjithëve, prandaj nuk bën të mungojmë. Të këndojmë bashkë e të vallëzojmë me melodinë e re të dashurisë. Gëzuar!