E merkure, 11.12.2024, 10:16 AM (GMT)

Mendime

Intervistë ekskluzive për kombëtaren "Bota sot" me shkrimtarin e mirënjohur Gjekë Marinaj

E enjte, 26.06.2008, 10:08 PM


Gjekë Marinaj
(Botuar në dy numra, 14 dhe 16 Qershor, 2008)

 

I GJITHË POPULLI I KOSOVËS ËSHTË POET NË SHPIRTIN E VET, E GJITHË KOSOVA ËSHTË POEZI NË SHPIRTIN TIM

 

Intervistoi: Mikel Gojani

 

Me rastin e botimit nga SHB "Faik Konica" në Prishtinë, të përmbledhjes poetike të titulluar "Lutje në ditën e tetë të javës", të shkrimtarit të mirënjohur shqiptaro-amerikan, Gjekë Marinaj, këto ditë, për të marrur pjesë në promovimin e këtij libri, nga Amerika, përkatësisht nga Dallasi i këtij vendi, në këtë festë të këtij libri kishte ardhur edhe vetë autori. Me shkrimtarin Marinaj, shfrytëzuam rastin dhe për të përditshmen kombëtare "Bota sot", zhvilluam këtë intervistë.                      

 

"Bota sot": Zoti Marinaj, Ju sot jeni nga shkrimtarët më të afirmuar shqiptarë, që keni kaluar kufijtë kombëtar dhe evropianë. Për të qenë edhe më afër lexuesit tonë, konsiderojmë se është mirë që të na jepni identitetin tuaj, pse jo edhe në raport me afirmimin e fituar.

 

Gjekë Marinaj: Afirmimi më ka thënë si pjesën faktike ashtu dhe atë fiktive të rolit tim si autor i kohës. Por ky afirmim më përkufizon si krijues. Ndaj e pranoj dhe përpiqem ti besoj edhe kur e di se dashamirësia jashtë letrare e kritikëve mund të ketë një përqindje të vogël apo të madhe në ndikim të reputacionit që kam fituar. Gjithashtu, si njeri dhe si krijues, jam i ndërgjegjshëm se kufijtë e realitetit në jetë fitojnë zhvendosje të vazhdueshme, ashtu siç ndryshojnë bindjet tona personale se kush dhe çfarë jemi në skemën e madhe të këtij universi. Me fjalë të tjera, megjithëse afirmimet nëpërmes shkrimeve kritike nganjëherë kanë për mision argëtimin më tepër se ndihmesën konkrete të lexuesit për zgjedhjen e librave më cilësorë treg, kritika e mirëfilltë letrare shumë shpesh parasheh se çfarë mund të arrijmë, ose parashtron se çfarë pritet prej nesh në librat e ardhshëm. Mendimet e tyre në rolin e specialistëve janë të aplikueshme në të vërtetat morale dhe na kujtojnë potencialet e mëdha jetësore që secili prej nesh ka përpara. Unë jam i mendimit se identiteti im autorial është shumë i ngjashëm me identitetin prindërve të mi: ata edhe unë jemi të gatshëm ta shtrydhim veten deri në maksimum për të respektuar dhe nderuar të tjerët. Ajo që ata i japin mikut, dhe ajo që unë i jap lexuesit, mund ose mund të mos jetë pritja më esenciale në përvojat e miqve respektiv, por ajo është, padyshim, esenca më e pastër dhe përpjekja më e sinqertë e mundësive më të skajshme të shpirtit tonë.

 

"Bota sot": Ju i takoni brezit të shkrimtarëve shqiptarë në Shqipëri nga të cilët mund të thuhet se krijuan vlerat më të mira në letërsinë tonë. Gjatë viteve nëntëdhjetë dhe nëntëdhjetenjë ndodhi ajo ndeshja tashmë e njohur me ideologjinë ekstreme në Shqipëri, edhe pse kishte gërhitjet e fundit. Ç’mund të thoni për atë ndeshje dhe pasojat e saj?

 

Gjekë Marinaj: Ajo kohë ka vërtetuar se arti dhe diktatura janë dy fenomene të ndryshme me njëra tjetrën—dy forca që ecim me kahe të kundërta—e para përpara dhe e dyta mbrapa. Siç e dimë edhe nga ligjet e fizikës, kur dy anët e materieve tërhiqen me një forcë të mjaftueshme, më parë kemi tendosjen pastaj “këputjen” dhe shkëputjen e tyre. Për gati 50 vjet, distanca midis shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, aktorëve dhe lëvruesve të të gjitha formave të tjera të artit iu nënshtrua një tendosje të dukshme me diktatorët dhe instrumentet e tyre, derisa arriti momenti i këputjes dhe i shkëputjes së plotë, gjë që ndodhi menjëherë pas vitit 1990. Një lëvizje e tillë po përgatitet të ndodh në Kinë, Vietnam dhe në Kubë. Ndryshimi i vetëm është se komunistët e këtyre vendeve po lëshojnë “pe” me shumë kujdes, duke lejuar, kush më pak e kush më shumë, të zhvillohet ekonomia e tregut privat, të ushtrohet lirshëm besimi fetar, të tolerojnë kritikat ndaj sistemit etj. Populli shqiptar, që gjithmonë e anoi vetëm me artistët në shpresë dhe luftë për ndryshim, për fat të keq përjetoi një tmerr diktatorial që akoma u shfaqet si një ëndërr e keqe nate. Si pasojë, për ne ka qenë një konflikt që u fitua nëpërmes një tmerri të drejtpërdrejtë edhe të tejdukshëm, pavarësisht nga optika më të cilën historianët do e shikojnë atë. Si njërëz të asaj kohe, do na duhet një kohë e konsiderueshme ta fitojnë edhe një herë identitetin e përgjithshëm që humbëm, nën diktatin e komunizmit, si tentativë për të mbijetuar.

 

"Bota sot": Ngaqë, siç e thatë, rrethanat nëpër të cilat ka kaluar deri tash shkrimtari ynë në Shqipëri, tashmë janë të njohura, si i keni përjetuar Ju ato realitete, si krijues dhe intelektual?

 

Dashamir Çokaj dhe Gjekë Marinaj Te varri i Rugovës
Gjekë Marinaj: Realitetin shqiptar në fazën embrionale të formimit tim si poet mund ta përkufizoja si një mekanizëm të përbërë prej një sërë pistonash nën një trysini të lartë që funksiononin në kushte anormale termodinamike. Që ky mekanizëm të siguronte ekzistencën, me një çmenduri politike të skajshme, shtypte poshtë shumicën e njerëzve, që gjakun dhe djersën e shtrydhur prej tyre ta kthente në energji në shërbim të pjesës tjetër që nxirrte në krye. Tani, gjatë procesit së krijimit, e kuptoj se si e kam akumuluar realitetin e së kaluarës në qenien time. Pas kaq vitesh ato bëhen pjesë e formimit tim poetik dhe më shtyjnë drejt hapësirave më të reja dhe më të qëndrueshme të gjykimit. Kjo ka ndikuar për mirë në rritjen time, sepse ua ndryshoj përvojave imazhet e së kaluarës dhe i aplikoj mësimet e nxjerra në të tanishmen. Ato fenomene të tmerrshme vuajtjesh që shumicës së njerëzve mund t’u jenë dhenë si të paqarta deri në fund, ndoshta edhe si ankthe të humbura midis horronit të pasigurisë për jetën dhe mpirjes për ta luftuar ose mënjanuar atë,  më bëhen vetiu transparente para fletës së bardhë kur shkruaj. Pikërisht këtu mund ta kërkojmë sekretin se si krijuesit e viteve 90 arritën të mbijetojnë, arritën ta shpalosin jetën e tyre—ditë nga një ditë—tamam si faqet e ditarëve që i mbanin të fshehur si nga “sytë e kuq” ashtu (në disa raste) edhe nga njëri-tjetri. Megjithëse në atë kohë i nënshtrohesha një botëkuptimi personal që vuante një insuficience të theksuar durimi për të shpërthyer me diçka më të fuqishme se aq, doja të ndodhte diçka praktike për ndryshimin e situatës së rëndë që kishte gllabëruar vendin. Miqtë e mi më thonë se me poezinë Kuajt e kam bërë pjesën time në këtë drejtim. Bile me atë poezi, mendojnë ata, unë e kam arritur plotësisht misionin tim poetik si kundërshtar i regjimit. Por e vërteta është se unë kam qenë vetëm një molekulë, e gatshme për revoltë, brenda atij organizmi antikomunist që u krijua prej atyre poetëve dhe shkrimtarëve (si Nasi Lera, Bardhyl Londo, Zija Çela, Rudolf Marku, Ndoc Gjetja, Skënder Buçpapaj etj.) që morën guximin ta botojnë poezinë Kuajt në gazetën Drita.

 

"Bota sot": Si e shikoni raportin e poezisë që u shkrua në dekadën e fundit me poezinë  shqipe që u shkrua gjatë viteve të diktaturës? Po me atë të traditës poetike më të hershme?

 

Gjekë Marinaj: Pse ta fsheh, kjo pyetje më vë disi në vështirësi në marrëdhënie me vetveten. Një koment inteligjent dhe plotësisht i saktë rreth kësaj pyetje do të gjendej përtej mundësive të mija intelektuale që kam dhe përtej përgjegjësisë personale më të cilën e gjykoj letërsinë. Çdo tentativë e imja për të krahasuar cilësinë e një periudhe letrare me një periudhë tjetër do të linte për të dëshiruar. Dilema më shfaqet si një deltë problemesh me degëzime të ndryshme. Faktorë të shumtë objektivë e subjektivë kanë ndikuar në tjetërsimin apo humbjen e identitetit autorial të poetëve me origjinë shqiptare. Ndonëse akoma nuk ekzistojnë fakte të gjetura të shkruara në letër, askush nuk mund ta kundërshtojnë plotësisht faktin se madje edhe në letërsinë më të vjetër greke—të mitologjisë e me vonë të tragjedisë, e cila u dominua nga Homeri dhe bashkëkohësit e tij—nuk ka pasë ndonjë autor me origjinë shqiptare. Ky nuk është një mendim simptomatik i shfaqur si rezultat i etheve të nacionalizmit, por një argument i bazuar në historinë e mëvonshme të letërsisë shqipe. Ketë mund ta mbështesim me faktin se për shembull Kostandin Berati, i cili ka lindur vetëm 263 vjet më parë, ka shkruar shqip por duke përdorur alfabetin grek. Po ashtu Mesihi i Prishtinës, një nga poetët me të hershëm të kohës otomane, vjershëroi në turqisht. Në turqisht shkruante dhe poeti tjetër me origjinë shqiptare i shekullit XVI, Yahya bey Dukagjini. Të njëjtit fat iu ushtruan edhe një numër i madh autorësh arbëresh që shkruan në italisht. Nëse gjëra të tilla kanë ndodhur vetëm pak qindra vjet më parë, kush mund të thotë se të njëjtat gjëra nuk kanë ndodhur që në origjinën e letërsisë evropiane! Një arsye tjetër që nuk mund të bej krahasime midis gjeneratave letrare është edhe sekuenca e çështjeve teknike në letërsi. Tashmë e dimë se edhe shumë më vonë, në  letërsinë e mesjetës, çdo kopje libri prodhohej me dorë dhe shkruhej me penë. Një fenomen i tillë i rriste në mënyrë të ndjeshme mundësitë e probabilitetit të devijimit nga synimet autoriale në tekstin origjinal. Aq më tepër kur sistemi i korrigjimeve të gabimeve, mënyra e arsyetimit të redaktove për shkurtimin e ideve si dhe shtimi i shënimeve shpjeguese rreth tjetërsimeve tekstuale, kanë qenë me deficiencë në qartësi dhe saktësi. Kurse për gjeneratat e mëvonshme duhet konsideruar niveli i dobët i letërsisë së përkthyer në shqip nga gjuhët respektove ku jetonin autorët me origjinë shqiptare. Aq më tepër kur dihet se problemet tekstuale janë gjithmonë degëzime të problemeve linguistike dhe letrare. Pastaj gjatë viteve të diktaturës, si në Kosovë si në Shqipëri, poetët u kufizuan jo vetëm të shprehin mendimet e tyre, por edhe ndjenjat poetike. Kufizimet kanë efekte anësore që veprojnë në kahe të kundërta me cilësinë e përgjithshme të letërsisë së një krijuesi. Të gjitha janë elemente treguese se pse është e pamundur ta njohim letërsinë shqipe të të gjitha kohërave sa e si duhet. Dhe kur njeriu nuk e njeh plotësisht një letërsi, krahasimi bëhet i palogjikshëm. Gjithsesi, se u zgjata, unë mund të them se periudhat letrare midis kohëve, ashtu si poetet apo shkrimtarët e një kohe të caktuar, mund të vlerësohen pa qenë nevoja të renditën apo të klasifikohen. Krijuesit janë si yjet, secili ka bukurinë dhe jep dritën e vet në të njëjtin qiell, në atë të humanizmit.

 

"Bota sot": Si e shikoni poezinë e sotme shqipe në raport me poezinë evropiane dhe atë botërore?

 

Ramadan Musliu, Gjeke Marinaj dhe Mujo Bucpapaj
Gjekë Marinaj: Plotësisht konkurrente. Poezia është një art që nuk e përfill gjeografinë. Shqetësimet e një poeti të vërtet janë shqetësimet e të gjithë poetëve të vërtet. Komponentët në lotët e një nënë që qanë për të birin e vrarë në luftën e Irakut janë plotësisht të njëjta me ato të një nëne kosovare që qanë për birin e saj, fotografia e të cilit akoma mund të gjendet me ato të kosovarëve të pagjetur, faqosur në muret që shoqërojnë bulevardet e Prishtinës. Lotët e të gjithë njerëzve pikojnë në shpirtin e të gjithë poetëve dhe që andej kthehen në poezi për të gjithë njerëzimin. Poezia është arti i vuajtjeve dhe i dashurive njerëzore. Talenti apo kultura shkollore vetëm mund t’i zbukurojnë në dukje ato, por për lotët dhe dhembjet e vërteta njerëzore zbukurimet shërbejnë vetëm si ambalazhe, asgjë më tepër.

 

"Bota sot": Njëra nga problemet themelore që ka letërsia shqipe është se akoma i mungon njohja brenda vetvetes. Procesi i letërsisë sonë kryesisht zhvillohet brenda bërthamës së hapësirave të kufijve shtetëror, andaj nevoja e integrimit të letërsisë brendashqiptare është e domosdoshme. Pra, z. Marinaj, çka do të thotë komunikimi gjithëshqiptar për një krijues dhe sa ka rëndësi kjo në ngritjen e cilësisë së letërsisë sonë, e cila, për shkaqe tashmë të njohura, gati për gjysmë shekulli në esencë mbeti e ndarë?

 

Gjekë Marinaj: Shqetësimi juaj është indikativ i një problemi serioz. Por ai është edhe më serioz në raportin e letërsisë shqipe me atë të huaj. Nocioni i vlerave letrare që japin autorët tanë nganjëherë nuk përputhet me vetëdijen e lexuesit për t’i shijuar në maksimum ato. Sot jetojmë në një kohë kur inteligjenca individuale e dashamirësve të letërsisë shqipe ka pësuar një etje të ngjashme me ato të koncepteve dehëse për “civilizim” të shpejtë, që patën pësuar dikur evropianët në kërkim të letërsisë së mesjetës. E mira është se shtegtimi drejtë ekstremes, drejt artificiales, drejt të kundërtës së thellësisë së vetvetes nuk është një fenomen as i ri as shqiptar. Shenja të tilla padurimi kanë shfaqur grekët gjatë e periudhës arkaike, duke lënë më një anë Heziodin e Homerin, për t’u kthyer tek Semonides, Tyrtaeus, e më vonë te Sapo e Alkaeus. Lexuesi persian në kohën e Rumiut të madh është drejtuar tek autorë të huaj, më të vegjël se ai, në kohën e tij. Madje edhe gjatë renesancës as Shekspiri as Servantesi nuk e gëzuan peshën e tyre të vërtet autoriale midis bashkëkohësve të tyre. Në realitetin tonë vetëm gjenialiteti i Kadaresë gjendet i shtruar në ekzistencën e mirënjohjes së plotë kolektive. Por ne kemi plot shkrimtarë e poetë shqiptarë brilant, që librat e tyre mënjanohen nëpër librari, kur përkrah tyre gjendet një shkrimtar i huaj i përkthyer në shqip, pavarësisht se ai është krejtësisht i panjohur, pavarësisht se komponentët e përgjithshëm që përbëjnë letërsinë e tij mund të jenë fare mirë inferior përball atyre të autorëve shqiptarë. Konkluzioni që mund të nxirret nga ky shqetësim duhet patjetër të alarmojë sistemin arsimor dhe qarqet akademike shqiptare. Fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të qartësohen se vlerat më të mëdha etike e tematikat më të përshtatshme për kulturën tonë gjenden në letërsinë e autorëve tanë. Për sa u përket vlerave estetike, ata duhet të qartësohen se ato nuk kanë gjeografi: nganjëherë i gjen më të mëdha në letërsinë tonë e nganjëherë në atë të huaj. Pikërisht për interesin që ka njeriu për të bukurën, aventurën, kuriozitetin, lexuesi ynë nuk duhet të heq dorë kurrë as nga letërsia shqipe aq nga letërsia e huaj. Por letërsia shqipe, mbarëshqiptare duhet patjetër të dominojë bibliotekat personale dhe orët argëtuese të shqiptarëve.

 

"Bota sot": Nën ç’emër kohor mendon se do të arkivohet apo katalogohet letërsia e sotme shqipe dhe botërore, thuaj pas 50 apo 100 vjetësh?

 

Gjekë Marinaj: Letërsia e sotme botërore, që tashmë është në prag të shkëputjes së plotë me modernizmin dhe në largim gradual nga post-modernizmi, ka kohë që ka filluar të nxjerrë “fiskla” dhe të shprehë “pakënaqësinë” e saj ndaj identifikimit si letërsi e njëjtë me letërsinë e dy-tri dekadave të mëparshme. Por kjo pritej. Profesorët e letërsisë së kolegjeve dhe universiteteve më të famshme të botës kanë ofruar me shkrim tek bordi i MLA propozimet e tyre se cili do të ishte emërimi më i përshtatshëm dhe drejtimi më efikas për periudhën më të re letrare, duke filluar nga e sotmja. Para një muaji mora vesh se ishin zgjedhur katër propozimet finale nga ku do të dalin ai fitues, që do të shpallet në konferencën e Marsit, 2009 në Boston. Katër finalistët janë Universalizmi, Protonizmi, Neologjizmi, dhe Neobudizmi. Në dy fjalë (përkufizimet e mia këto) Universalizmi, sugjeron që koordinatat e realitetit dhe të fantazisë të kenë një lirshmëri veprimi prej 180 gradësh, pa u futur as në skajet e formave të së kaluarës as në ato të së ardhmes. Protonizmi, ka dalë me idenë se gjithçka letrare duhet të trajtohet si një esencë me ngarkesë pozitive, duke i lënë në heshtje ato letërsi që nuk meritojnë vlerësim pozitiv. Neologjizmi, i cila unë personalisht shpresoj të fitojnë, lufton për një letërsi që, pa lënë pas dorë të tanishmen, ecën një hap para kohës si në formë ashtu edhe në përbërje, duke sjellë një letërsi të filtruar nga formati tradicional. Dhe Neobudizmi (propozuar nga universitetet e Azisë) si rryma më e re letrare në fuqi, do të siguronte injektimin e një mendimi kritikal, por të rinovuar në letërsi, ku mendimet në fundin e tyre t’u japin një farë zgjidhje problemeve që shtrojnë dhe jo të figurojnë si të akullta. Të shohim se cila ide do fitojnë, por njëra prej tyre mendoj se është e pashmangshme.

 

"Bota sot": Lëvroni poezinë moderne në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Qasja e objektit artistik, si dhe mënyra e të shprehurit, janë sa të veçanta aq edhe të pasura. Poezinë e ndërtoni duke ndërlidhur shtresa të ndryshme të dukurive ose të botës së motivit, apo tematikës, kryesisht përballë vetvetes, përballë  tjetrit ose mjedisit përkatës. Ç’do të thotë kjo për një krijues dhe për veprën e tij?

 

Gjeke Marinaj dhe Arben Cokaj
Gjekë Marinaj: Do të thotë përgjegjësi autoriale në kuptimin më real të fjalës. Poezia nga natyra është një gjini letrare sfiduese, sidomos për lexuesit që nuk e konsiderojnë këtë formë arti si një nga njohuritë e theksuara të logjikes së tyre formale. Me këtë në mendje mundohem të krijoj për të gjithë ata që kanë nevojë për poezi. Dhe nevojë për poezi kanë të gjithë ata që kanë nevojë për oksigjen, pavarësisht se shpesh njerëzit e marrin poezinë nga forma jo direkt letrare, si nga dashuria, natyra, bukuria, e vërteta etj. Ndaj kujdesi për estetikën është gjithmonë në qendër të vëmendjes sime. Estetika në formën e saj më të mirë ka një fuqi të vërtet stimuluese, ajo sikur m’i shton hapësira të mëtejshme imagjinatës, ma zgjon në tej kuriozitetin dhe përgjithësisht ma shton dëshirën për të shkruar. Por kam vënë re se në poezinë time estetika, e vetme, nuk mund ti identifikojë dhe ti evoluojë imazhet jetësore në platformën që meritojnë. Ajo ka nevojë për emocionet dhe ndjenjat e mia që t’ia aktivizojnë plotësisht poezisë kapacitetin artistik.

 

"Bota sot": Sipas rezymesë tuaj, ju jeni i përfshirë në një sërë aktivitetesh të ndryshme që nga mësimdhënia e deri tek detyrat e tjera shoqërore që kryeni. Cilave aktivitete u hyn më shumë në “hak” koha që i kushtoni krijimtarisë?

 

Gjekë Marinaj: Punën më të madhe e bëj gjatë gjendjes time më të qetë të ditës apo javës. Shqetësimet më bëjnë të mendohem apo të hedh shënime në bllok, por poezinë time më të arrirë rrallëherë e krijoj kur zhurmët e brendshme apo të jashtme ma dominojnë gjendjen shpirtërore. Në rastin tim, dashuria për njerëzit dhe për gjërat që vlerësoj më shumë në jetë ma mundësojnë gjetjen e energjive të fshehta në vetvete, ma zvogëlojnë nevojën fizike dhe mendore që kam për gjumin e natës, duke ma bërë të realizueshme që në listën e projekteve të përditshme të fus si leximin ashtu edhe krijimtarinë. Nga natyra unë mendoj shumë dhe të menduarit sikur ma shton dëshirën për ta sakrifikuar rehatinë trupore në të mirë të letërsisë. Të menduarit shpesh më kalon në një meditim natyral, gjë që me të dalë prej tij, ndjej të më rritet intensiteti, të më aktivizohen emocionet dhe të më zgjerohen perceptimet për jetën, pavarësisht nga lodhja mendore apo fizike që mund të ndjej.

 

"Bota sot": Çfarë mund të na thoni më gjerësisht rreth librit tuaj të fundit me poezi të titulluar “Lutje në ditën e tetë të javës”, të botuar nga  Shtëpia Botuese “Faik Konica” që sapo u promovua këtu në Prishtinë?

 

Gjekë Marinaj: Poezia nuk mund të gjykohet kurrë objektivisht nga autori i saj. Poezia ime flet më parë me mua, pastaj me ata për të cilët e krijon atë. Unë shkruaj me mendimin se ndjenjat e së tanishmes së bashku me ato konceptuale sugjerojnë që shfaqja e dramacitetit njerëzor është në të njëjtën kohë e shoqëruar me përmirësime në disa aspekte të funksioneve monumentale të gjendjes psikologjike të njeriut. Për këtë e kam ndjerë si të domosdoshme që t’i lejoj dhe t’u besoj zërave jetësor që më vinë nga pavetëdija dhe vetëdija në varg. Ata zëra kanë komunikuar me mua nëpërmes ëndrrave, nëpërmes instinktit. Ata më kanë shtyrë të përdor të gjitha fuqitë e mendimit dhe të arsyes, të gjitha njohuritë, të gjithë fuqinë dhe delikatesën e ndjenjave, të gjithë mençurinë praktike dhe finesën e intuitës që kam, për të krijuar këtë libër. Unë e vlerësoj poezinë si gjënë më të çmuar që mund të më dhurojë dikush dhe mund ti dhuroj dikujt, sepse ajo më lejon të flas me një fuqi që nuk është e parashikuar në kodet e kulturës së kohës. Poezi më ofron mundësinë që të marr pjesë në përvojat specifike të njerëzve, duke më lejuar të gëzoj dhe vuaj me ta paralelet e këtij procesi. Pikërisht për këtë gjithmonë ruhem që në poezinë time të mos ketë më shumë poetizim se sa është nevoja. Nëse poezia shkëputet, më larg se sa duhet, drejt mbretërisë së ritmit, formës, filozofisë e makijazhit sipërfaqësor dhe nuk e vënë re anën tjetër të ekzistencës—historinë në të cilën jetojmë, me ndriçimet edhe errësirat e saj—atëherë jeta rrjedh jashtë poezisë dhe kthehet në një ikje, në një bjerrje. Lutje në ditën e tetë të javës është maksimumi im poetik, ndaj më gëzon pa masë fakti që kritika letrare e ka njohur dhe pranuar atë si të tillë.

 

"Bota sot": Besoj se u ndave shumë i kënaqur me mënyrën se si shkoi promovimi i librit tënd. Por si pyetje mbyllëse, do të dëshiroja të dija se me ç’përshtypje do largohesh nga Kosova?  

 

Gjekë Marinaj: Gjykuar nga një këndvështrim i veçantë, me nisjen time për në Kosovë pata përjetuar atë ndjenje që duhet të kenë përjetuar astronomët në ndërmarrjen e udhëtimit të parë për në hapësirë dhe kohë. Pra nuk dija ç’do të ndodhte. Një sërë linjash evidence shpirtërore më sugjeronin se poezitë që kam shkruar për Kosovën që në hapat e para si poet e deri më sot, kanë diçka më shumë në vetvete se sa vetëm shfaqjen e thelbit të proceseve të realitetit. Jo vetëm që nuk kisha qenë kurrë me parë në Kosovë, por as nuk isha parë fytyrë për fytyrë me asnjë prej kosovarëve që takova këtu. Evidenca e shpirtit nuk më la të dëshpëruar. Ajo u kthye në provë se ajo që kisha ndjerë për Kosovën prej vitesh ka pasë dhe ka në vetvete diçka të shenjtë, diçka aq çuditshme dhe të vërtetë sa çka lidhja shpirtërore e nënës me djalin. Por e dija se si poet dhe njeri do të identifikohesha me shumë elemente domethënëse në kulturën e pasur dhe të lashtë të këtij vendi, të cilin në një nga poezitë e mia të hershme e quaj ”gjysma ime”. Promovimi i librit tim ishte një prej domethënieve, një surprizë që me gëzimin që më solli, nga natyra e saj më bëri të përjetoj edhe një herë fëmijërinë, nga rëndësi më bëri të përjetoj edhe një herë gëzimin që kam ndjerë në ditën e pavarësisë së Kosovës. Gjatë promovimit, nga podiumi ku më kishin vënë, herë pas here i hidhja një sy sallës kryesore të Bibliotekës Kombëtare Universitare të Prishtinës, e cila ishte gati e mbushur me njerëz që i shihja për herë të parë. Midis tyre ishin poetë e shkrimtarë, diplomatë e inxhinierë, profesorë e studentë, kritikë letrarë e lexues të thjeshtë, gazetarë e botues, miq e shokë të ardhur nga Tirana e Gjermania, të cilët të gjithë së bashku më bënin të mërmëris nëpër dhëmbë: Faleminderit Kosovë! Faleminderit jo vetëm që me nderove mua si njeri, por që nderove pjesën tënde të poezisë sime. Nuk e kisha ëndërruar as në ëndrrën më të guximshme se gjatë ditës së nesërme të më ndalin njerëzit në rrugë, duke më thënë “të pamë të televizor” apo “të pamë në gazetat e sotme, urime për Librin!” Një gjë e tillë rrallëherë më ka takuar të ndodh, qoftë edhe në Tiranë. Pastaj, gjatë gjithë ditës, njerëzit vinin e me ofronin një kafe dhe të ulesha me ta në njërin prej ambienteve të hotel Grand-it. Ata shprehnin keqardhjen e tyre që kishin qenë të painformuar për promovimin e librit. Më ka emocionuar pa masë edhe niveli shumë profesional i fjalimeve të kritikëve rreth librit tim. Ashtu edhe takimi me një numër të madh poetësh e shkrimtarësh, të njohur e të panjohur më parë prej meje, që vinin e takoheshin dhe më dhuronin librat e tyre, dashamirësinë e tyre. Aq sa gjatë gjithë ditës nga mëngjesi në darkë, ndjehesha i shpërndarë në një qind drejtime, ndjehesha i zhytur në një dashuri njerëzore më të thelle se sa ç’mund të “notoja” i qetë brenda saj. Vetëm natën vonë në darkë, jastëku i bardhë më kthehej në një prehër që më kujtonte mbështetjen e kokës në prehrin e nënës kur isha i vogël. Pra pa e kuptuar u ndjeva një bir i vogël i Kosovës, me kokën mbështetur në prehër të saj, tamam ashtu siç isha ndjerë kur pata shkruar poezinë (një nga poezitë më të dashura për mua) me titull “Me kokën mbështetur në prehër të Kosovës” që është e botuar në këtë libër. Aty, vonë pas mesnate, i vetëm në hotel, e kuptoja se e gjithë kjo dashuri dhe respekt që po më jepej nuk kishte të bëjë edhe aq, me vlerat e mia si poet apo me vlerat e poezisë sime, sepse Kosova ka poet më të mirë se unë e poezi më të bukura se të miat, por kishte të bëjë më tepër me faktin se i gjithë populli i Kosovës është poet në shpirtin e vet, dhe se e gjithë Kosova është poezi në shpirtin tim.                     

 

Gjekë Marinaj: Faleminderit!

 

Bota sot: Qofshi me nder!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora