E premte, 02.05.2025, 10:04 AM (GMT+1)

Mendime

Kadri Tarelli: Sa shumë miq ke o Shpendi Topollaj

E merkure, 07.05.2014, 07:44 PM


SA SHUMË MIQ E SHOKË KE, O SHPENDI TOPOLLAJ!

Nga Kadri Tarelli, Durrës

Shpendin e kam njohur prej kohësh, qoftë si ushtarak, e më mirë akoma si shkrimtar e poet, që ligjëron në takime e paraqitje librash, ashtu edhe në veprimtari madhore të organizuara nga biblioteka e qytetit, apo nëpër biseda me nxënësit e shkollave. Në shumë të tilla takime kam qënë i ftuar, e në disa si organizator, pasi kam qënë drejtor i shkollës jopublike “Kasa”, këtu në plazh, në Durrës. Kështu kam patur fatin dhe kënaqësinë të ftoj plot shkrimtarë e artistë, mes tyre edhe Shpëndin. Për të qënë i qetë me veten, duhet thënë që Shpendi ka vendin e tij krahas shumë shkrimtarëve e poetëve të tjerë durrsak, si Matish Gjeluci, Shpëtim Myshketa, Vaso Papaj, Agim Bajrami, Merita Thartori (Kuç), Myzejen Konduri, Mimoza Erebara, Nikolla Spathari, Vladimir Muça, Daut Hoxha, studjuesve Hasan Ulqini e Halim Maloku, historianët e nderuar Sali e Hava Hidri, gazetari Bashkim Kadiu, etj, etj, që të gjithë me një seri veprash të botuara, të cilat i bëjnë nder dhe emër kulturës durrsake.

Për atë që nuk e njeh Shpendi Topollaj, mbase do t`u duket çudi, ndoshta edhe s`më besojnë, sepse edhe unë mbeta pa fjalë, me ato që më ka ndodhur disa herë me këtë njeri fisnik, të qetë, mjeshtër i fjalës në bisedë e ca më shumë në të shkruar. Nuk e kam fjalën për librat që ka shkruar e botuar që bëhen mbi dyzet të tillë, ku përfshihen romane, libra me poezi, monografi, kritika letare, tregime, etj, etj, sepse këto kërkojnë studim, e më pas shkrime të veçanta për secilën gjini letrare. Disa herë kam shkuar ta takoj tek zyra e tij në afërsi të portit detar, asnjëherë nuk e kam gjetur vetëm, por me shokë të ndryshëm. Po këjo s`është asgjë me ç`ndodh më pas, kur dalim dhe ecim përgjatë bulevardit “Rruga tregëtare”, drejt qendërs së qytetit. Ec e ndal, tako një mik, një shok, shkëmbe përshëndetje e mendime. Sa mirë do të thotë dikush. Ashtu është vërtet, po hajde e provoje një herë. Ato 500 metra rrugë bëhen kilometra, pasi zgjasin rreth një orë kohë, në mos më shumë. Dhe ky refren përsëritet vazhdimisht. Pyesni edhe të tjerët po nuk më besuat.

Këto kalojnë në formë shakaje dhe s`paraqesin kuriozitet e aq më pak shqetësim. Ndërsa unë kur ve re një dukuri të tillë, po rekem të rrëfej anën njerëzore të Shpendit, që ka të bëjë me marrëdhëniet që krijon me miqtë, shokët e vjetër, por edhe me ata të porsanjohurit. Seç ka një magji në pamjen, shikimin, sjelljen dhe fjalën e tij, që të bën përvete e ta ndjesh veten mik i vjetër, e më pas të bëhesh e mbetesh mik. Ndoshta ai ka të drejtë, kur në bisedë përmend fjalën e moçme: “Që të kesh miq, duhet të jesh vetë mik”.

Ngrohtësia e zërit të çliron nga distanca që përqaset në porsanjohjet. Kultura e gjërë, pervetësimi i hollë i letërsisë dhe filozofisë antike, kujtesa shumë e mirë, pjesëmarrja në shumë veprimtari lokale dhe kombëtare, njohja me shumë personalitete me emër, përvoja jetësore me ulje-ngritjet, përplasjet, gëzimet dhe zhgënjimet, mjeshtëria e gjetjes së fjalës dhe qëndisja e saj, e bëjnë Shpendin të ndjehet i pëlqyeshëm dhe barabartë me të tjerët, por edhe t`i krijojë cilitdo mundësi të ndjehet mirë në shoqërinë e tij, kështu që, lirshëm mund të bisedohen e të dikutohen tema nga më të ndryshmet, filozofike, letare, artistike, politike, shoqërore, ushtarake, etj, etj.

Dikush mund të thotë, se ka edhe plot të tjerë që janë me kulturë e njohje të madhe. Është e drejtë. Kësaj thënie, s`i lëviz asnjë gërmë e presje. Po ç`t`i bësh që këta lloj “race”, s`ta vëshëllejnë fare muhabetin, të qëndrojnë të ftohtë, e s`të përfillin, aq sa thua me vete: Ç`desha që u takova me këtë njeri. Pikërisht këtu qëndron dallimi, qytetaria, mirësia dhe njerzillëku i Shpendit. Ai të dëgjon me vëmendje, nuk të ndërpret, pavarësisht se mund të mos jetë në një mendje me ty, të le të shfaqësh bindjet e tua. Nuk merr rolin e atij që mendon se ka monopolin e të vërtetës, duke u munduar të të mbushë mendjen edhe duke ngritur zërin, siç ndodh me disa, përkundrazi me shumë takt parashtron pikpamjet e tij. Kështu thjesht rrihen mendimet, sqarohen edhe keqkuptimet, apo qejfmbetjet, që jo rrallëherë na bëjnë të prishet qoftë biseda, e më pas edhe shoqëria.

Shpendi bën çmos të ndihmojë cilindo që paraqet një nevojë. Është i papërtuar dhe nuk kursehet për t`i bërë mirë të tjerëve, me aq mundësi që ka, jo vetëm letrarëve të rinj, po se po, por edhe atyre që kanë nevojë për këshilla juridike. Është i ndjëshëm dhe mërzitet kur shikon se gjërat nuk shkojën mirë, apo kur dëgjon habere jo të këndëshme për miqtë, shokët dhe të njohurit e shumtë, ndjesi që i shfaq më tërë gjindjen e tij, në fytyrë, në shikim dhe në zë dhe në gjetjen e fjalës.

Jo rrallë herë i bie celularit dhe më thotë: Jam në Tropojë sepse paraqes romanin tim “Unë kam qënë në Mat`hauzen”, kushtuar Ahmet Zenel Çekaj. Herën tjetër: Jam në Çorrush Mallakastër, sepse “daja”, miku ynë Hysen Haxhia paraqet librin e tij. Mos më prit sot, se me një grup shokësh jamë në Shëngjin, sepse Azgan Haklaj, po paraqet librin “Ashti i kombit”. Ka të ftuar edhe nga Kosova. Një ditë tjetër më përgjigjet: Jam në Tiranë në panairin e librit, sepse durrsaku ynë Aurel Kaçulini, paraqet veprat e përkthyesit durrsak Prokop Gjergo. Herën tjetër i bie shkurt: jam në Elbasan, Pogradec, Strugë, Ohër, në Vlorë, Korçë, e ku e di unë ku tjetër.

Kur është në Durrës më thotë: Hajde nga zyra, pasi po përfundoj një shkrim për mbretëreshën e këngës Vaçe Zela, ose për artistin e madh të skenës Reshat Arbana, etj, etj. Çdo ditë nga një shkrim të ri, aq sa nuk i numëroj dot të gjithë emrat e personaliteteve që më përmend. Unë i përgjigjem:

- Ç` të vij kot, asnjëherë s`të gjej të qetë. Le që s`bën dot muhabet me ty, se zyra është kurdoherë plot. Një herë takoj Tahsin Demirin, ish regjizorin e estradës së Lushnjës, sot botues i disa librave, i cili sot jeton në Itali. Herën tjetër takoj Met Gjergjin, personazhin e gjallë, të njohur me emrin Mete Gjorgu në librin tënd “Mashtruesi”, le pastaj miqtë e tu ish ushtarkë: përkthyesin Mehdi Ramohito, studjuesin dhe historianin ushtarak Novruz Zejnati, e të tjerë miq që s` kanë të mbaruar. – Ndaj i them duke qeshur: -Aha! Mos më prit kot. Tek zyra nuk vij, sepse të le pa punë dhe ajo copë rrugë nga zyra jote deri tek Bashkia, ta nxjerr nga hundët kënaqësinë. Edhe herën e fundit që i telefonova. M`u përgjigj menjëherë:

- Jam tek zyra. S`vonohem, do vij menjëherë.

- Pas një ore vjen. Kot më bën të pres në kafe, - thashë me vete.

Këtë herë nuk më doli fjale. Sapo u ul, pa lënë kohë për përshëndetjet e rastit, thotë duke qeshur:

- E shikon që e mbaj fjalën, erdha menjëherë. Sa i rregullt që jam! Kot më bini në qafë.

-Ç`ka bërë vaki sot!? – i thashë i kënaqur, që s`na la të presim gjatë.

-Më pruri “Nokja” me makinë. Erdhëm bashkë. - E ka fjalën për, Nevruz Zejnati, mikun  tonë, i cili porsa ishte kthyer nga Italia dhe në atë çast ishte ndodhur aty.

Pas një copëhere të bisedës, kur Shpendi po tregonte për peripecitë e botimit të librit të tij të ri e voluminoz, e ndërpreva si me pa dashje:

-           Sa miq e shokë ke, o Shpendi Topollaj?

Nokja qeshi. Ekuptoi që duhesh ndruar tema e bisedës. Shpendi sikur e kishte pritur pyetjen:

-           Po qe  zoti t`i mbash mend, ose shkruaji nëse s`përton!

Kaq kishte dashur dhe filloi sikur recitonte:

- Meri Lalaj, Ismet Bellova, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Kostaq Xoxa, Mirush Kabashi, Arshi Pipa, Bedri Myftari…………. Nuk munda ta ndjek rradhën e emrave që citonte shpendi, pasi u bënë aq shumë, ndaj i them:

- Duke të dëgjuar kshtu, më lind ideja të bëj një shkrim. Edhe titullin e gjeta:

“Sa shumë miq e shokë ke, o Shpendi Topollaj!”. Dhe Shpendi i ngazëllyer nga biseda, që po bëhej hidh e prit, më përgjigjet flak-për flak:

- Nipi im Rubini, i cili tani po mbush gjashtë vjeç, një ditë u mërzit shumë nga ndalesat e mia të shumta gjatë rrugës “Tregëtare”. Dhe kur më në fund u çliruam nga miqtë e shokët dhe u drejtuam tek dyqani i akulloreve, më thotë:

- O gjysh! Na vdiqe me gjithë këta shokë! Pse nuk bën një libër dhe t`i vesh titullin: “Sa i dua këta shokët e mi?!”

Të gjithë sa ishim në tavolinë u shkulëm së qeshuri me këtë të vërtetë, që ne e shëndruam në shaka, por që mund të shërbejë fare bukur si titull i një shkrimi.

Unë i qendova besnik zgjedhjes së pare. E lashë titullin ashtu siç është, duke i lënë Shpendit të drejtën e një tregimi, ku të vendosë në krye titullin që zgjodhi nipi i tij Rubini:  “Sa i dua këta shokët e mi !!”

Urime Shpendi! Krijimtari të mbarë! Me shumë miq e shokë, jeta bëhet më e bukur !!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx