E marte, 08.10.2024, 10:49 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: “Dëshmitari i mbrojtur”, Ahmet Shala

E hene, 05.05.2014, 06:54 PM


“Dëshmitari i mbrojtur”, Ahmet Shala

Nga Arbana Xharra

Kabina të improvizuara, dikush ulur në karrige e të tjerë mbështetur në mure, që pas shumë orësh pritje, një nga një fillonin të uleshin në tokë të rraskapitur. Shpeshherë i zinte nata duke pritur lajmin që kishte të bënte me shitjen e pronave të Kosovës. Viti 2002 - sapo kishte filluar procesi i shumëpërfolur i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, gazetarë, kryesisht të rinj, që kishim mësuar zanatin pas luftës, duke e trajtuar si një ndër ngjarjet kryesore, prisnim takimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) edhe hapjen e kutive me ofertat, ku shiteshin ndërmarrjet që dikur ishin ekzistenca jonë, me rreth 60 mijë të punësuar.

Kishte rast kur takimet zgjasnin deri në dhjetë orë, e ne ishim të detyruar të prisnim, derisa dikush prej zyrtarëve që kishin në dorë fatin e fabrikave dhe tokave shoqërore, të dilte jashtë për të na kumtuar lajmin sipërfaqësor. Pazaret arriheshin brenda objektit, larg mediave, me ç’rast përfaqësues të politikës, Sindikatës së Punëtorëve, UNMIK-ut, dhe AKM-së nënshkruanin vendime. Fytyrat nga politika, në vendimmarrjen e këtij bordi, ndryshonin varësisht kush vinte në pushtet. Në të shumtën e rasteve kemi pasur ministra që ende nuk e kishin hequr baltën nga kundrat, të cilët fërkonin duart fshehurazi, e që brenda natës shndërroheshin në “intelektualë me syze”.

Akuzat publike për ryshfet nuk mungonin, nuk flitej më për shuma të vogla, por për miliona. Megjithatë gjithçka fillonte e mbaronte me një spektakël medial, pa asnjë hetim tutje. Ashtu sikurse edhe vdekja enigmë e ish-udhëheqësit të bordit të kësaj Agjencie, Dino Asanaj, blerja e dyshimtë e pronave nga zyrtarë të lartë të politikës, akuzat direkt ndaj deputetëve sekserë gjatë shitjes së hotelit “Grand”, të cilët sot janë vizitorë të rregullt të miqve të tyre nëpër burgje, lufta e grupeve mafioze për të marrë në dorë asetet më të vlefshme si Fabrika e Duhanit, “Ballkani” i Suharekës, Fabrika e Tubave, “Sharrcemi”, “Llamkosi”, “Ferronikeli” e shumë skandale të tjera.

I gjithë ky proces përcillej me shitje-blerje të pronarëve anonimë të mijëra hektarë toke, prona, fabrika, dyqane, në krye me përfaqësuesin e “denjë”, ish-drejtori i AKM-së, Ahmet Shala. Dorën në zemër, ai ishte në avantazh për dallim nga ministrat e përfaqësuesit e sindikatave që belbëzonin pa ditur t’i lidhnin dy fjalë anglisht, kishte krijuar rrethin e tij, ndërkombëtar - vendor dhe me shumë autoritet i kishte të hapura dyert kudo. Me shumë mjeshtri arriti të afrojë rreth vetes edhe disa djem të rinj, që sapo kishin përfunduar studimet jashtë vendit, për t’i ndihmuar në “hapjen e kutive” të këtij procesi. E këta asistentë të Shalës, që hapnin e mbyllnin ofertat e fituesve potencialë, shumë shpejt u bënë përfaqësues të blerësve të dyshimtë të ndërmarrjeve më të rëndësishme në vend.

Madje sot disa prej këtyre janë bërë pronarë të shumë banesave, dhe biznesmenë ndërtimesh e pronash. Kurse Shala për punën e vet, mori edhe shpërblimin e “merituar” nga kreu i Qeverisë, postin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Japoni. Dosjet për shkeljet në procesin e privatizimit dhe akuzat direkt ndaj Shalës nuk penguan rrugëtimin e tij diplomatik. Tek e fundit, miqtë e tij në politikë tashmë zyrtarisht janë milionerë dhe pronarë të shumë hektarëve që dikur ishin toka dhe prona shoqërore. Si kontribuues i denigrimit të këtij procesi i cili ishte kryekëput në favor të grupit kriminal, pjesë e të cilit po dalin të jenë edhe emra nga të gjitha partitë politike, (për të mos harruar se përbërja e Qeverisë ka ndryshuar disa herë që nga viti 2002 kur ka filluar ky proces), Shala edhe më tej gëzon imunitetin e plotë të diplomatit.

Ashtu sikurse edhe disa emra të mëdhenj të partive kryesore në vend, të cilët si nëpër ëndërr morën statusin e “borgjezëve të pasluftës”. Ata mund të besojnë se faktet e zhdukura disa vjet më parë kur u dogjën si “me pahir” dokumentet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) kanë zhdukur të gjitha gjurmët e keqpërdorimeve e mashtrimeve të këtij procesi. Por, milionerët në sfond të këtij procesi janë arsye e mjaftueshme për të vazhduar me hetimet dhe arrestimet e kokave të rrjetit kriminal.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora