Mendime
Kastriot Myftaraj: Festivali i Librit si Festa e Vaditjes
E diele, 04.05.2014, 06:55 PM
Festivali i Librit përfundon si Festa e Vaditjes
Nga Kastriot Myftaraj
I ashtuquajturi Festivali i Librit dhe i Artit Pamor në Tiranë, i shpallur me bujë të madhe si një risi kulturore nga qeveria, ka përfunduar sot në mënyrën më qesharake të mundshme, pikërisht në kohën që do të vinte Kryeministri Edi Rama. Duke qenë se organizatorët donin të sfidonin Panairin tradicional të librit që mbahet në nëntor, vendosën që të ndryshojnë edhe vendin ku do të mbahej Festivali i Librit dhe e çuan në ndërtesën e Muzeumit Historik Kombëtar. Por meqënëse këtu nuk mund të përdorej veçse salla e katit të parë (holli), pjesa më e madhe e shtëpive botuese u vendosën në oborrin e brendshëm në tenda të improvizuara nga organizatorët. Shiu i befasishëm dhe i furishëm që në nisi në mesditë nuk u përballua dot nga tendat që rezultuan të ishin të pavlefshme. Dhe para se botuesit të kuptonin se çfarë po ndodhte i panë librat e tyre duke notuar në ujë. Madje pjesa më e madhe nuk i panë fare se në atë orë kishin shkuar të hanin drekë. Kështu që punonjëse që shërbenin te tendat u gjetën të vetme në këtë situatë emergjente dhe nuk dinin se çfarë të bënin.
Festivali i Librit dhe i Artit Pamor u shndërrua befasisht në diçka të ngjashme me Festën e Vaditjes që mbahej në kohën e regjimit komunist, kur me rastin e sjelljes në fshat të pompave për vaditje kuadrot e kooperativës me një krye komunistët, për të treguar gëzimin e madh për këtë dhuratë të Partisë dhe shokut Enver, bënin një dush me gjithë rrobe nën ujin që dilte nga pompat. Ndonëse të gjitha shtëpitë botuese kishin paguar nga 40 euro për m², ato vendosën në tenda të pavlefshme, dhe si pasojë pësuan dëme të mëdha, duke dalw nga Festivali me shumw libra të dëmtuar. Nuk dihet nëse Ministria e Kulturës që është përgjegjëse do të marrë përsipër dëmet. Në kohën që ndodhi katastrofa, Ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro-Furxhi gjendej në një kafe universitare përballë Muzeumit Historik. Ministrja u pa duke shkuar me shpejtësi në vendin ku mbahej Festivali i Librit, në mes të shiut, ndërsa organizatorja e Festivalit, e përzgjedhur nga Ministria e Kulturës, botuesja Arlinda Dudaj e ndiqte nga pas duke u munduar që ta mbronte nga shiu me çadrën e saj të hapur.
Në këtë kohë erdhi Kryeministri Rama. Edi Rama, për hir të së vërtetës, mbajti qëndrim prej shtetari të madh, që gjendet në një situatë të vështirë. Ai para se të hynte në vendin ku mbahej Festivali ndaloi disa sekonda dhe meditoi përballë posterit të madh elektronik me tw cilin organizatorët kanë mbuluar mozaikun që gjendet në pjesën ballore të ndërtesës së Muzeumit Historik. Në këtë poster paraqitet Ardian Klosi, ish-miku i Kryeministrit dhe ideuesi i këtij Festivali të Librit. Emrin e Ardian Klosit e mban çmimi për publicistikë që u nda në Festival. Nuk u bë e qartë se ç’ lidhje ka me publicistikën Ardian Klosi, i cili ka shkruar vetëm një libër publicistik me titull “Kundërcjapi”. Merita tjetër e Klosit është se ka qenë redaktor i librit të Edi Ramës “Kurban”.
Kryeministrit i doli para këshilltari i tij për diplomacinë kulturore Fate von Velaj, duke mbajtur në dorë dy kopje të lagura dhe të përbaltura të librit “Kurban” me autor Kryeministrin që Fatja i kishte shpëtuar me heroizëm duke rrezikuar ta zinin poshtë tendat që i mori tutje shiu i furishëm.
Asaj që ndodhi me Festivalin e Librit i shkon shprehja për Djallin që bëri kinse vdiq dhe kërkoi që t’ ia lenë litarin jashtë varrit. Ardian Klosi, njeriu i cili vetëm të këqija i ka sjellë kulturës shqiptare, dhe është shquar kryesisht si njeriu që urrente Heroin Nacional, Skënderbeun, e la pas idenë e tij të mbrapshtë të Festivalit të Librit në Prill.
I ashtuquajturi Festival i Librit ra në sy për mungesën e Shtëpisë botuese “Onufri”, e cila ka ekskluzivitetin e botimit të librave të Ismail Kadaresë. Refuzimi i Bujar Hudhrit, pronarit të kësaj shtëpie botuese, ka të bëjë me refuzimin e Kadaresë për të marrë pjesë në Festivalin e Librit. Ndonëse Kadareja gjendet në Shqipëri prej mëse dy javëve, ai e bojkotoi Festivalin e Librit, me sa duket për shkak të nderimeve të mëdha që i ka bërë Kryeministri Rama Rexhep Qosjes. Në fakt, Kryeministri Rama u pa duke dalë nga Festivali i Librit, duke mbajtur në dorë një libër pikërisht të Rexhep Qosjes.
Kryeministri Edi Rama u duk më tepër i argëtuar se sa i mërzitur nga kjo që ndodhi. Madje ai ka thënë se i vjen keq që nuk ishte gjallë Dani (kështu e quanin Ardian Klosin miqtë) që ta shikonte se me të vërtetë do të gëzohej. Zonjës Ministreshë të Kulturës, e cila i doli para Kryeministrit me pamje të shqetësuar, Rama i tha në mënyrë filozofike se kështu shkojnë të gjithë ato gjëra që bëhen në prill. Edhe varrimi i Enver Hoxhës dhe i Kristaqit që janë bërë në prill u përmbytën në shi, i tha Edi Rama Ministres së Kulturës.
Në të vërtetë kjo që ndodhi mund të quhet varrimi i tretë i famshëm në prill, se këtë herë u varros nën shi jo thjesht ideja e Ardian Klosit për Festivalin e Librit, por u varros nën shi vizioni i Rilindjes Socialiste për librin shqip. Nga Festivali mbeti posteri elektronik që ka mbuluar mozaikun ku për shkak se fytyra e Ardian Klosit lagej nga shiu, dukej se ai lotonte për fatin e idesë së tij.
I vetmi shqetësim që shprehu Edi Rama në vizitën e tij në Festivalin e Librit ishte se çfarë ndodhi me librat e Rexhep Qosjes.
-Është turp të kthehen librat e Profesor Xhepit në Prishtinë, ashtu siç erdhën, që në Festivalin e parë të Librit që bëmë ne,- tha Edi Rama në stilin e Enver Hoxhës, të direktivës. Dhe një deputet katolik socialist i diplomuar në Universitetin e Tetovës, i bleu librat e islamikut Rexhep Qosja pa pyetur nëse ishin dëmtuar apo jo nga shiu. Tekefundit nesër në mëngjes librat e Akademikut do të bëjnë banjë në bregdetin e Velipojës.