E marte, 15.10.2024, 07:49 PM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Lushaj: LSDM - leksion i keq ballkanik

E premte, 02.05.2014, 07:39 PM


LSDM – LEKSION I KEQ BALLKANIK

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) si astenjiherë tjetër qyshse nga 21 prilli 1991 i (ri)themelimit apo riformatimit të saj, po e keqpërjeton dhe njëherash po e reflekton ashpërsisht krizën ma të thellë të identitetit të vet politik, demokratik e nacional, tue u rropatë e rrokaçë ta kthejnë në krizë të sistemit elektoral e postzgjedhor, në krizë të pushtetit të ri e të shtetit të derisotëm FYROM, tue u përlye e hakërrye me e vrellë e përcjellë edhe si problematikë euro-atlantike, shqiptare, pansllave, helenike, bullgare, turke, etj.

 Kjo parti, ndoshta në “depresion politik”, “reaminacion demokratik” e “delir nacional e elektoral”, me qëndrime e veprime të këtilla pubike e vendimore si kthimi i mandatit të deputetit, etj. etj. po i ikën në ekstrem boshtit të vet si parti e qendrës së majtë; po iu rikthehet si shpeshherë fellutave të origjinës e trashëgimisë së saj si pasardhëse e Lidhjes të Komunistëve të Jugosllavisë në Maqedoni (LKM); po e largon në kohë Maqedoninë nga integrimet euro-atlantike e ndëretnike; po e çon ma së forti vetveten e ma së pakti Ish republikën Jugosllave të Maqedonisë në rrugën e pasigurisë; etj.

Këto rrjedhoja e pasoja kanë ndikime jo vetëm në shtete kah i rrjedhin lumenjtë kësaj Maqedonia të Re me mbi tre dekada shtet i pavarur e sovran, shtet multietnik prej zorit e demokratik për hatër...Prandaj, përkundrejt kësaj e të tjerave, po trokon e troket koha kur LSDM duhet të vetpërcaktohet qartas në ecuritë, mangësitë e lartësitë e veta, veçmas në kit’ farë udhëkryqi apo kryqëzate politike, se cila është fytyra e vërtetë politike e saj?! I përket të djeshmes komuniste si LKM apo ende mbetet e “përzier” politikisht si në rithemeli të saj me emrin e dyshtë e të (pa)dyshimtë: LKM-PTD (Parti e Transformimit Demokratik)?! A do të vazhdojë të qëndrojë e militojë në skenën politike si një parti e vërtetë social-demokrate?! Po, me sa duket, kjo parti, e dyta dhe në disa vite edhe e para në Maqedoni, ka nevojë me nguti për “difuzion demokratik” në përvujtitë e saj elektorale, ideologjike, politike, demokratike e nacionale?! Mbi të gjitha, LSDM, prej kohësh e prej 27 prillit 2014 po jep një leksion të keq ballkanik.

2.

LSDM ka plot 8 vjet që ndoshta pret nga votuesit e saj në Maqedoni e jaranitë e veta politike në kojshi e përbotni që t’ia çojnë fitoren tek selia e saj në Shkup, në rrugën “Pavel Shatev”, nr. 8.

 Këta të LSDM kur nuk iu vjen “torta e fitores” nga pazari, nisin e nxjerrin si ngahera nga sunduqet e veta “skenare politike” si ky i kthimit të mandateve të deputetit, etj. sikurse haparoj dikur simotra e saj politike, Parta Socialiste e Shqipërisë.

Natyrisht në tri raste vargavijë nuk po i bie tupanit të shifrave me ndie veç timpani politik i LSDM me koalicionin e saj elektoral, pasi “dromca” elektorale po tregojnë ashiqare se LSDM është e “dromitur”. Ajo, kësisoj, nuk po jep aq kokrra por po nxjerr disi dokrra.

Rasti i parë: Kandidati për president i LSDM, Steve Pendarovski, sipas KSHZ të Maqedonisë, ka marrë rreth 200 mijë vota ma shumë se partia e tij me koalicion. Kandidati i VMRO-DPMNE, Gjorgje Ivanov, rifitues i një mandati tjetër si President i Maqedonisë ka rreth 100 mijë vota ma shumë se partia e tij në koalicion. Diferenca mes këtyre dy partive e koalicioneve të tyre, në mes Gurevskit të Pozitës e Zaevit të Opozitës, duket qartë: është mbi dy herë ma e madhe.

Rasti i dytë: LSDM në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit 2014 mori 200 mijë vota ma pak se partia fituese e Gruevskit?!  Përndryshe, po të krahasojmë del se LSDM ka marrë kësaj here gati dy herë ma pak vota se VMRO-DPMNE.

Rasti i tretë: LSDM në dy palë zgjedhje të parakoshme, nga ato të 5 qershorit 2011 tek këto të 27 prillit 2014 ka një rënie të ndjeshme të elektoratit të saj me rreth 85 mijë vota e, sipas mekanizmit elektoral, do të thotë 8 deputetë ma pak.

Natyrisht për kryeministrin maqedonas Gruevski do të thoja se është mbrapshti e shekullit, diktatori i ri i Ballkanit, diskriminues mafioz i të drejtave e lirive të shqiptarëve etnik në trevat e veta në këtë shtet, etj. po shembujt e diferencave të tilla të  LSDM me VMRO-DPMNE në elektoriada si për presidentin dhe për deputetët flasin se ky “baba i manipulimeve elektorale” nuk i mundëson Zaevit të hiqet “nana” e të Drejtës e të Vërtetës.

3.

LSDM duhet të mësohet për ta zbritë Gruevskin prej shpinës së saj politike. Po kjo s’ka fuqinë e duhur politike partiake, nuk po i mjaftojnë kilogramët e shëndetit politik e nuk po i dalin kaloritë e fushatës elektorale për me e mund Gruevskin. Përkundrazi, po ndodh keq e ma keq, po i japin kilogram e kalori Gruevskit për me ndejt gatë e rehat në pushtet edhe për katër vjet.

Fakti i parë: Në zgjedhjet lokale, në dy rrathët e saj elektoral, më 24 mars e 7 prill 2013, LSDM në koalicion me 13 parti të tjera si Partinë e Re Social-Demokrate, Partinë për Ardhmëri Europiane, Partinë Liberale, Partinë Përparimtare Serbe, Partinë për Emancipimin e Plotë të Romëve, Alternativën e Re, Lidhjen e Forcave të Majta të Titos, Partinë për Lëvizjen e Turqëve, Lidhjen Demokratike të Serbëve, Lidhjen Demokratike të Vllehëve, Partinë e Demokratëve të Lirë, Partinë e Pensionistëve e Ligën e Sanxhakut fitoi vetëm në 4 komuna. Ndërkohë, rivali kryesor politik, partia tjetër maqedonase VMRO-DPMNE në koalicion, fitoi 56 komuna.

Përndryshe, në zgjedhjet lokale të para një viti VMRO-DPMNE fitoi 14 herë ma shumë komuna se sa LSDM. Edhe partia shqiptare BDI e Ali Ahmetit fitoi 3.5 herë ma shumë komuna se sa LSDM, ndërsa partia tjetër shqiptare, PDSH e Menduh Thaçit sa gjysma e LSDM.

Në koft se LSDM krahasohet me vetëveten do të shohin ma qartë humnerën e saj elektorale. Në ta parat zgjedhje lokale në Maqedoni në vitin 1996 LSDM fitoi 51 komuna, ndërsa në Elektoriadën Lokale – 2013 mbeti me vetëm 4 gjithsej. Pra, mbi 12 herë ma pak.

Fakti i dytë: LSDM në koalicion elektoral në zgjedhjet parlamentare më 1994 mbrrini kulmin e vet me 85 deputetë, ndërsa në Elektoriadën 2014 fitoi vetëm 34 deputetë. Përndryshe: 51 deputetë ma pak. Apo tjetra: në zgjedhjet e 15 shtatorit  2002, një vit pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, arriti të fitojnë 60 deputetë. Ndërsa sivjet gati dy herë ma pak. Këto janë humnera elektorale të LSDM, e cila flakadon sot sikur do të bajnë “namin” për të marrë pushtetin politik në Maqedoni.

Pothuaj njësoj si LSDM ka pësue rënie elektorale edhe Partia Shqiptare e Prosperitetit Demokratik në Maqedoni (PPD), e cila në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 1990 e vetme kishte 17 deputetë, ndërsa në zgjedhjet e sivjetme të prillit 2014 nuk ia siguroi mandatin as të vetmit kandidat të saj, Muhamed Halili, në njësinë zgjedhore nr. 6 të Tetovës.

Aktualisht LSDM është partia e dytë në Maqedoni, sepse ka krijuar koalicion partiak elektoral me 8 parti, të cilat i ka edhe si ombrellë me i fshehë disa të meta e fajësi të vetat ndër vite, si përplasjet e plasaritjet politike, oktapodimi i partisë nga politikanë që rrijnë gjatë e me rikthime në krye të saj, kryetarët përkohor të saj, etj. Politikani Branko Cërvenkovski, dy herë kryeministër e një herë president i Maqedonisë, që në moshën 28 vjeçare u zgjodh kryetar partie i LSDM në vitin 1991 qëndroi në vitin 2004 e rikthehet prapë më 2009 derisa tërhiqet në vitin 2013 pas zgjedhjeve lokale. Tani, kryetar partie i LSDM prej më se një viti është Zoran Zaev. Ai ka pasë një mandat nga Kongresi i LSDM si ushtrues i detyrës të kryetarit  të saj pas dorëheqjes të Radmilla Shekerinskës për humbjen në zgjedhjet e vitit 2006 dhe deri në ardhjen e ish presidentit Branko Cërvenkovski më 2009. Tashti, si po vijnë punërat, në maj 2014, mundet që edhe Zaevi të largohet nga drejtimi i LSDM, sepse edhe loja politike me kthimin e mandateve nga LSDM do të jetë e pafat sikurse edhe dy mandatet e tij si kryetar partie. Në të dy rastet, nga kryetarët politik jetëgjatë e nga ata jetëshkurtër po damtohet LSDM, e cila po jep një leksion të keq ballkanik.

4.

Askush nuk po ia mohon kontributet e atributet LSDM e koalicioneve të saj ndër elektoriada, pavarësisht disa politikave e qëndrimeve të saj antishqiptare. Mirëpo, kjo parti, LSDM, prej vitit 2006 ende nuk është mësuar me të qëndruarit në Opozitë, pasi ende po i merr punët disi hapët përtej mundësive të veta e sheh lart përtej hapave të saj. Në historikun e vet të pas ’90-tës ka raste elektorale që kjo parti maqedonase, LSDM, mund të krahasimohet me partitë shqiptare në Maqedoni.

Krahasimi i parë: Në zgjedhjet parlamentare të 1 qershorit 2008 partia maqedonase LSDM e kryetares Radmilla Shekerinska (ish kryeministre e Maqedonisë) mori 18 deputetë po aq sa edhe partia shqiptare BDI e Ali Ahmetit (ish Komandant Suprem e Përfaqësues Politik i UÇK në Maqedoni), e cila asokohe fitoi 18 deputët dhe sivjet, më 2014, edhe një ma shumë:  19 deputetë.

Krahasimi i dytë: Prapë, edhe në koft se i shohim si koalicione del se koalicioni i madh i partisë maqedonase LSDM,  i titulluar “Dielli – Koalicioni për Europë”, mori 27 deputetë gjithsej, ndërsa dy partitë shqiptare (ndonëse secila për llogari të vet, secila kokë më vete) fituan gjithsej 29 deputetë, nga të cilët 18 deputetë BDI dhe 11 deputetë PDSH e Menduh Thaçit (bashkëpunëtor e vazhdimtar kauze politike i Arbën Xhaferit).

Edhe ma herët, sikurse në vitin 1994, LSDM ka marrë 27 mandate deputeti, bile ma pak se kanë marrë dy partitë politike shqiptare  BDI e PDSH në vitin 2008.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të parakohshme të 27 prillit 2014 pamë të konkuronin katër parti politike shqiptare të ndara ndërveti si BDI, PDSH, RDK e PPD përballë 47 partive (në pesë kualicione e disa parti më vete) maqedonase e të etnive e komuniteteve të tjera. Nëse partitë shqiptare do të bashkoheshin si, fjala vjen, BDI me RDK e Rauf Osmanit, ky grupim politik shqiptar do të kishte medoemos 21 deputetë gjithsej e shqiptarët etnik mund të fitonin deri në 2 ose 3 “deputetë të Diasporës”. Nëse PDSH do të bashkohej me PPD e Abdyladi Vejselit dhe do të kishte një tjetër klimë politike partiake në Strugë, sigurisht do të kishte edhe deputetin e 8-të apo të 9-të. Kështu, përtej teorikës e brenda praktikës mund të kishim 30-33 deputetë. Nëse këto dy parti kryesore shqiptare apo dy koalicione të pritshme shqiptare do të vepronin sikurse dy partitë kryesore maqedonase VMRO-DPMNE e LSDM, si edhe GROM, etj. që i futin në koalicion disa komunitete në Maqedoni si turqit, vllehët, boshnjakët, serbët, romët, etj. dhe nëse do ta shtrinin edhe gjeografinë e tyre partiake-politike deri në shtatë nga rajonet e Maqedonisë, atëherë shqiptarët etnikë do të ishin të dytët për nga numri i deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë, shtu sikurse janë të dytët edhe nga popullsia në këtë shtet problematik ballkanik.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora