| E merkure, 07.05.2014, 07:44 PM |
SA SHUMË MIQ E SHOKË KE, O SHPENDI TOPOLLAJ!
Nga Kadri Tarelli, Durrës
Shpendin e kam njohur prej kohësh, qoftë si ushtarak, e më mirë akoma si shkrimtar e poet, që ligjëron në takime e paraqitje librash, ashtu edhe në veprimtari madhore të organizuara nga biblioteka e qytetit, apo nëpër biseda me nxënësit e shkollave. Në shumë të tilla takime kam qënë i ftuar, e në disa si organizator, pasi kam qënë drejtor i shkollës jopublike “Kasa”, këtu në plazh, në Durrës. Kështu kam patur fatin dhe kënaqësinë të ftoj plot shkrimtarë e artistë, mes tyre edhe Shpëndin. Për të qënë i qetë me veten, duhet thënë që Shpendi ka vendin e tij krahas shumë shkrimtarëve e poetëve të tjerë durrsak, si Matish Gjeluci, Shpëtim Myshketa, Vaso Papaj, Agim Bajrami, Merita Thartori (Kuç), Myzejen Konduri, Mimoza Erebara, Nikolla Spathari, Vladimir Muça, Daut Hoxha, studjuesve Hasan Ulqini e Halim Maloku, historianët e nderuar Sali e Hava Hidri, gazetari Bashkim Kadiu, etj, etj, që të gjithë me një seri veprash të botuara, të cilat i bëjnë nder dhe emër kulturës durrsake.
Për atë
që nuk e njeh Shpendi Topollaj, mbase do t`u duket çudi, ndoshta edhe s`më
besojnë, sepse edhe unë mbeta pa fjalë, me ato që më ka ndodhur disa herë me
këtë njeri fisnik, të qetë, mjeshtër i fjalës në bisedë e ca më shumë në të
shkruar. Nuk e kam fjalën për librat që ka shkruar e botuar që bëhen mbi dyzet
të tillë, ku përfshihen romane, libra me poezi, monografi, kritika letare,
tregime, etj, etj, sepse këto kërkojnë studim, e më pas shkrime të veçanta për
secilën gjini letrare. Disa herë kam shkuar ta takoj tek zyra e tij në afërsi
të portit detar, asnjëherë nuk e kam gjetur vetëm, por me shokë të ndryshëm.
Këto kalojnë në formë shakaje dhe s`paraqesin kuriozitet e aq më pak shqetësim. Ndërsa unë kur ve re një dukuri të tillë, po rekem të rrëfej anën njerëzore të Shpendit, që ka të bëjë me marrëdhëniet që krijon me miqtë, shokët e vjetër, por edhe me ata të porsanjohurit. Seç ka një magji në pamjen, shikimin, sjelljen dhe fjalën e tij, që të bën përvete e ta ndjesh veten mik i vjetër, e më pas të bëhesh e mbetesh mik. Ndoshta ai ka të drejtë, kur në bisedë përmend fjalën e moçme: “Që të kesh miq, duhet të jesh vetë mik”.
Ngrohtësia e zërit të çliron nga distanca që përqaset në porsanjohjet. Kultura e gjërë, pervetësimi i hollë i letërsisë dhe filozofisë antike, kujtesa shumë e mirë, pjesëmarrja në shumë veprimtari lokale dhe kombëtare, njohja me shumë personalitete me emër, përvoja jetësore me ulje-ngritjet, përplasjet, gëzimet dhe zhgënjimet, mjeshtëria e gjetjes së fjalës dhe qëndisja e saj, e bëjnë Shpendin të ndjehet i pëlqyeshëm dhe barabartë me të tjerët, por edhe t`i krijojë cilitdo mundësi të ndjehet mirë në shoqërinë e tij, kështu që, lirshëm mund të bisedohen e të dikutohen tema nga më të ndryshmet, filozofike, letare, artistike, politike, shoqërore, ushtarake, etj, etj.
Dikush
mund të thotë, se ka edhe plot të tjerë që janë me kulturë e njohje të madhe.
Është e drejtë. Kësaj thënie, s`i lëviz asnjë gërmë e presje.
Shpendi bën çmos të ndihmojë cilindo që paraqet një nevojë. Është i papërtuar dhe nuk kursehet për t`i bërë mirë të tjerëve, me aq mundësi që ka, jo vetëm letrarëve të rinj, po se po, por edhe atyre që kanë nevojë për këshilla juridike. Është i ndjëshëm dhe mërzitet kur shikon se gjërat nuk shkojën mirë, apo kur dëgjon habere jo të këndëshme për miqtë, shokët dhe të njohurit e shumtë, ndjesi që i shfaq më tërë gjindjen e tij, në fytyrë, në shikim dhe në zë dhe në gjetjen e fjalës.
Jo rrallë herë i bie celularit dhe më thotë: Jam në Tropojë sepse paraqes romanin tim “Unë kam qënë në Mat`hauzen”, kushtuar Ahmet Zenel Çekaj. Herën tjetër: Jam në Çorrush Mallakastër, sepse “daja”, miku ynë Hysen Haxhia paraqet librin e tij. Mos më prit sot, se me një grup shokësh jamë në Shëngjin, sepse Azgan Haklaj, po paraqet librin “Ashti i kombit”. Ka të ftuar edhe nga Kosova. Një ditë tjetër më përgjigjet: Jam në Tiranë në panairin e librit, sepse durrsaku ynë Aurel Kaçulini, paraqet veprat e përkthyesit durrsak Prokop Gjergo. Herën tjetër i bie shkurt: jam në Elbasan, Pogradec, Strugë, Ohër, në Vlorë, Korçë, e ku e di unë ku tjetër.
Kur është në Durrës më thotë: Hajde nga zyra, pasi po përfundoj një shkrim për mbretëreshën e këngës Vaçe Zela, ose për artistin e madh të skenës Reshat Arbana, etj, etj. Çdo ditë nga një shkrim të ri, aq sa nuk i numëroj dot të gjithë emrat e personaliteteve që më përmend. Unë i përgjigjem:
- Ç` të vij kot, asnjëherë s`të gjej të qetë. Le që s`bën dot muhabet me ty, se zyra është kurdoherë plot. Një herë takoj Tahsin Demirin, ish regjizorin e estradës së Lushnjës, sot botues i disa librave, i cili sot jeton në Itali. Herën tjetër takoj Met Gjergjin, personazhin e gjallë, të njohur me emrin Mete Gjorgu në librin tënd “Mashtruesi”, le pastaj miqtë e tu ish ushtarkë: përkthyesin Mehdi Ramohito, studjuesin dhe historianin ushtarak Novruz Zejnati, e të tjerë miq që s` kanë të mbaruar. – Ndaj i them duke qeshur: -Aha! Mos më prit kot. Tek zyra nuk vij, sepse të le pa punë dhe ajo copë rrugë nga zyra jote deri tek Bashkia, ta nxjerr nga hundët kënaqësinë. Edhe herën e fundit që i telefonova. M`u përgjigj menjëherë:
- Jam tek zyra. S`vonohem, do vij menjëherë.
- Pas një ore vjen. Kot më bën të pres në kafe, - thashë me vete.
Këtë herë nuk më doli fjale. Sapo u ul, pa lënë kohë për përshëndetjet e rastit, thotë duke qeshur:
- E shikon që e mbaj fjalën, erdha menjëherë. Sa i rregullt që jam! Kot më bini në qafë.
-Ç`ka bërë vaki sot!? – i thashë i kënaqur, që s`na la të presim gjatë.
-Më pruri “Nokja” me makinë. Erdhëm bashkë. - E ka fjalën për, Nevruz Zejnati, mikun tonë, i cili porsa ishte kthyer nga Italia dhe në atë çast ishte ndodhur aty.
Pas një copëhere të bisedës, kur Shpendi po tregonte për peripecitë e botimit të librit të tij të ri e voluminoz, e ndërpreva si me pa dashje:
- Sa miq e shokë ke, o Shpendi Topollaj?
Nokja qeshi. Ekuptoi që duhesh ndruar tema e bisedës. Shpendi sikur e kishte pritur pyetjen:
-
Kaq kishte dashur dhe filloi sikur recitonte:
- Meri Lalaj, Ismet Bellova, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Kostaq Xoxa, Mirush Kabashi, Arshi Pipa, Bedri Myftari…………. Nuk munda ta ndjek rradhën e emrave që citonte shpendi, pasi u bënë aq shumë, ndaj i them:
- Duke të dëgjuar kshtu, më lind ideja të bëj një shkrim. Edhe titullin e gjeta:
“Sa shumë miq e shokë ke, o Shpendi Topollaj!”. Dhe Shpendi i ngazëllyer nga biseda, që po bëhej hidh e prit, më përgjigjet flak-për flak:
- Nipi im Rubini, i cili tani po mbush gjashtë vjeç, një ditë u mërzit shumë nga ndalesat e mia të shumta gjatë rrugës “Tregëtare”. Dhe kur më në fund u çliruam nga miqtë e shokët dhe u drejtuam tek dyqani i akulloreve, më thotë:
- O gjysh! Na vdiqe me gjithë këta shokë! Pse nuk bën një libër dhe t`i vesh titullin: “Sa i dua këta shokët e mi?!”
Të gjithë sa ishim në tavolinë u shkulëm së qeshuri me këtë të vërtetë, që ne e shëndruam në shaka, por që mund të shërbejë fare bukur si titull i një shkrimi.
Unë i qendova besnik zgjedhjes së pare. E lashë titullin ashtu siç është, duke i lënë Shpendit të drejtën e një tregimi, ku të vendosë në krye titullin që zgjodhi nipi i tij Rubini: “Sa i dua këta shokët e mi !!”
Urime Shpendi! Krijimtari të mbarë! Me shumë miq e shokë, jeta bëhet më e bukur !!