Mendime
Rexhep Kasumaj: ''Vendi i dytë i humbësit''
E marte, 06.05.2014, 07:55 PM
“VENDI I DYTË I HUMBËSIT”
(Një fitore e vetëvuajtjes heroike)
Nga Rexhep Kasumaj
1.
“Mbaje mend mirë biri im, vendi i dytë i përket humbësit”, i thoshte në fillimvitet 60-të i ati Xhosef, pasunar e diplomat i shquar, Xhonit të ri, që i kishte hyrë betejës e gatitej të fronsohej në Shtëpinë e bardhë! Dhe punët do rridhnin ashtu që (diku me votën rregullare e diku të trafikuar nga Monro e Sinatra nëpër kazinot e tymta) ai t’ia dhuronte kundërshtarit politik vendin e të dytit, e pra të humbësit deshpërimtar.
Saherë reflektoj për sprovimin elektoral të vullnetit politik në Maqedoni, më pëlqen ta rievokoj, si një çelës të artë, këtë mendim të vyer të emigrantit irlandez. Urtia e plakut të Kenedëve, s’do të dëshmohej e njëmendtë vetëm në Amerikën e largët. Më dramatikisht se atje, ajo do t’nxënte jetë në Ballkan, ku vendi i humbësit nuk është vetëm politik e personal, por, mbi të gjitha, jetik e kolektiv. Atje, e shumta, do të shuhej një karrierë, kurse këndej në arenën e ashpër të mbijetetesës historike, prishen përjetë fatet e vogla në stuhinë e kohëve të mëdha. Madje, ndërsa nëvojat komunitare në shoqëritë e lira, kanë një dimension e interpretim tjetërsoj, kryesisht rivandikues e individual – në hemisferën e mugët përplot “hazjajinër” të idolatruar e shpupuritës, çdo përplasje cënon djegshëm vetë ekzistencën e tij: gjëndjen dhe ardhmërinë e tejandejme!
2.
A do
gjente, vite më pas, truall e kuptim këshilla proverbiale “për vendin dytë
humbëtar”, në atdheun e Ali Ahmetit, si ka qejf ta quajë ai me dedikim përulës
Maqedoninë? Absolutisht! Veçse me një të lehtë ndryshim: këtu humbësi nuk
përjeton blamazh publik a demisionim të justifikuar – por glorifikohet si
triumfator! Si ngaherë, në një ornament oriental, ranë e jehuan këmbanat e
fitores në njërin dhe u zymtuan dritaret e mbyllura në kampin tjetër.
Ç’mjerim! Fitimtari, edhe kësaj here nga radhët e Integrimorëve të ekzaltuar ahmetjanë, ngjan, prandaj, iluzorisht i tillë: një levë e mirëmbrehur në përpjekjen për të mashtruar si turma altari elektorët e shkretë, po duke rënë ngadalë dhe viktimë e besimit të gënjeshtrës së vet. Në fakt, Ai, dashnori i përbetuar i koekzistencës (që nëse s’do të mbruhet një ditë n’politikë – si parashikon naivisht B. Blushi – do të ngjizet në shtratin bashkëshortor) ka fituar, ndaj, vetëm kundër shqiptarëve të krahut përballës, kurse ka humbur keqas në raport me bllokun e sllavëve, të rrjeshtuar në armiqësi e përçmim. Ndërkaq, kriter, masë reale e fitores dhe, pra, çështje e të gjitha çështjeve nuk është kurrësesi mundja e shqiptarit, por mposhtja e sllavit. Një mposhtje që do arrinte njëjtësinë e baraspeshuar mes korpusit etnik dhe votës së ligjëruar në shkallë të vendimmarrjes paritive në Kuvendin qendror, atje ku akoma ndjehet tehu a prapaskena e teatrit bizantin!..
Por, jo!
Prijësi i tipit të mbetjeve sovjetike zonash të iruna kaukazjane, por që, për
origjinalitet, ngërthen dhe veçanësi stili autoritar (nuk merr poste, si kudo
në botën e qytetnisë, po tërheq fije nga thellësia e errtë mistike), gjëndet
prore andej: në anën tjetër të arsyes së lartë të shtetit dhe pozitës së
brishtë të kombit!
Ky status lexohet edhe në prekjen e përditshmërisë edhe në strategjinë e afatgjatësisë: në rangimin konstitucional, në të drejtat politike dhe në emnesën shtetërore. Në rangim – sepse sllavët rezultojnë gjithnjë bartës unitar të shtetësisë, e shqiptarët spostohen “ndër të tjerë”, pastaj në të drejta – sepse, civilisht e nacionalisht, bashkëvendësit e Ahmetit, këtij këmbëputhësi të sllavomëdhenjëve artificialë, janë të nënshtruar dhe, së mbrami, me emërtimin sepse sllavët, duke arnuar biografinë e rreme etnike me copëza të vjedhura, i kanë dhënë nocionit gjeografik atribut të nyjëtuar kombëtar, kurse shqiptarëve, nga ana e tyre, u mbetet veçse pozicioni i një bashkësie të huaj minoritare në trojet e tyre autoktone që nga mbamëndja njerëzore.
Janë
infantile a spekuluese teoritë se këso udhe ushtrohet vlera mondane e demokracisë
multikulturale. Asaj kanë filluar ti tundin fletëvdekjen dhe në Europë.
3.
A bëjnë, vallë, shqiptarët rezistencë, luftë e parlamentarizëm me një të vetmen yshtje e bilans, mundjen edipiane të vetëvetes? Ndërkohë që maqedonësit sllavë organizohen në principin e rrezikut shqiptar, këta vetë, për çudi, pa kultivuar maturisht një kauzë të ngjashme simetrike, organizohen me një perfeksion negativ poashtu mbi rrezikun, tashmë brendashqiptar! Ideja politike është shmagjepsur fare dhe, në leckërinë e saj, ngrihet kulti i pushtetit të kuotës së mëshiruar! Dhuratë më danaike s’mund të prisnin flamujt e krekosur të renesancës folklorike sllave në ngasjen për të asgjësuar vendarët e hutuar dhe për të pronësuar territoret e tyre të lashta! Dhe ja akti dëftues: Ngadhnjysi mbi njeriun e vet dhe rrëzimtari i përulshëm në pragun e njeriut sllav, shpallet krenueshëm kurorëmbajtës i lavdisë! Një krenari mizore që endet shesheve të injorancës me përkushtim kopshtari të devotë për ruajtjen e “mëkatit të zanafillës” që pat përcaktuar nismërisht natyrën e kësaj tampon-sajese të ndërgjegjes robnore.
Marrëzi, oh ç’marrëzi që përtall kulturën elementare politike dhe trondit themelet e kodit moral kombëtar! Njëj gjirizi të tillë ndotës mund të prehet vetëm shpirti i çoroditur politik shqiptar, që, si do thoshte Niçe, feston ende saturnalet, këtë orgji të dhimbshme të vetëvuajtjes heroike!