Mendime
Ramiz Lushaj: Fiku i Gjukanoviçit
E hene, 05.05.2014, 06:55 PM
FIKU I GJUKANOVIÇIT
NGA RAMIZ LUSHAJ
1.
Ndryshe nga çdo herë tjetër, Elektoriada e 25 majit 2014 në dymbëdhjetë komuna në Malin e Zi si në ato me popullsi shqiptare në Guci, Tuzi, Plavë, Podgoricë, Tivar, Rozhajë, etj. po orakllon e orkestron një “Vetmi të Madhe”, aq sa ndoshta Kadare mund ta shkruante edhe një roman tjetër “Dimri i Madh”.
Sytë e Botës, të Qiellit e të Tokës, janë ba satelit e skaner tek zgjedhjet me randësi ndërplanetare. 25 maj: zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian, Shtëpinë Tonë të Përbashkët. 25 maj: zgjedhjet për Presidentin e Ukrainës midis Luftës e Paqes, midis Perëndimit e Lindjes. E, kësisoj, kush e ka mendjen tek shqiptarët nën Malin e Zi?!
Në Ballkan, ndër shqiptarët, gjatë muajit maj 2014 po qafë xhirafen zgjedhjet parlamentare e lokale: Në Maqedoni hala nuk janë kryembyll zgjedhjet parlamentare, se po horlleken me votat e po goglon Qeveria e re me platformë të vjetër. Në Kosovë, këto ditë maji do të shpallen zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të jenë ma të egrat e qyshse tashti po vorbullojnë e shkallojnë politikë ndërveti. Në Shqipëri po strucohen zgjedhjet lokale të 2015-tës tue nisë nga elektroshoku i Komisionit për Reformën Administrative-Territoriale, hjekësitë e Pozitës (Qeverisë) ndaj projekteve metropolitane të Bashkisë së Tiranës, etj. E, kësisoj, politika shqiptare në kryeqëndra shqiptare si Tirana, Prishtina e Shkupi, kanë me i lanë shqiptarët në fatin e vet të keq, në vetminë e madhe të pa merituar.
2.
Gjukanoviçi e Co, si ngahera, edhe në ditën e 25 Majit (ri)prodhojnë shovinizim me lak e pa cak kundër shqiptarëve etnik nga Deti tek Alpet, nga Ulqini e Tivari deri në Plavë-Guci e Rozhajë. Shpesh herë i lanë votimet në muajin Maj si Referendumi për Pavarësi (21 maj 2006), zgjedhjet lokale (23 maj 2010), për komunën e re të Petnjicës (28 maj 2011), etj.
Jo rastësisht po ndodh përkimi i sivjetëm i datës së zgjedhjeve me përvjetorin e ditës të lindjes të krajlit antishqiptar, serbit Danilo I Petroviç-Njegos (25 maj 1826-13 gusht 1860) i cili sëbashku me vllain e tij, Vojvodën e Madh Mirko, i njohur ndryshe edhe si Duka i Madh i Grahovacit e baba i krajl Nikolla I i Malit të Zi (1860-1918) kanë krye krime përbindshe ndaj shqiptarëve trojenik.
Jo rastësisht ky maj elektoral i sivjetëm përkon edhe me me Betejën e Grahovacit (1 maj 1858), e cila u zhvillua në komunën e sotme Nikshiq dhe është një nga ma gjakataret e kryera ndaj shqiptarëve etnik.Kryeministri Gjukanoviç (me klanin e tij politik nikshiqas) u rrit e mburret me historinë e kësaj lufte, e kishte dhe e ka rituale shkuarjen tek vendi i saj gjatë gjithë jetës së vet.
Jo rastësisht kjo datë e zgjedhjeve përkon me 25 majin e “Stafetës së Titos”, pjesmarrës elitar i të cilës ka qënë edhe Gjukanoviçi në rininë e tij që ka hy në LKJ qyshse në gjimnaz.
E,
kësisoj,
3.
E, te-tana këto kushte e rrethana politike, përkime e kalkulime datash, etj. e gjithë kjo pavëmendje nga ndërkombëtarët e shqiptarët dhe me vëmendje të tepruar nga malazezët, serbët e boshnjakët e Malit të Zi, ka me i lanë “dorë të lirë” mullinit shoven kundërshqiptar të Gjukanoviçit, e ka ihere prej ndokujt, edhe me ujë nga sheu e sherret tona, me ullukë e lotët tanë.
E, ruajna Zot, të mos ndodhi në komunat me popullsi shqiptare, as në Tuzi e Podgoricë, as në Tivar e Rozhajë, as në Plavë e Guci, etj. si në atë urtinë e moçme: “për inat sime vjehrre shko e flej me mullixhinë”(!) Pra, të çohet ndokush prej nesh, shqiptarëve etnik, e të votojnë për Gjukanoviçin e partitë e tjera të Pozitës apo Opozitës, të votojnë për parti që nuk janë të etnisë shqiptare.
Në Ulqin, në janar 2014, Gjukanoviçi deshti me i rrëzue shqiptarët nga fiku, po nuk ia mbrrini kësaj të keqeje të kahershme. Ndokujt i duket sikur fiku i Gjukanoviçit ka kokrra për shqiptarët, po a krejt ndryshe?!
Njëherë, së parit, në fikun e Gjukanoviçit nuk duhet me hypë. Së dytit, ne nuk muj rrëzohena bashkë me fikun e Gjukanoviçit. Së treti, fiku i Gjukanoviçit se ka problem se iu çkye një degë e fikut të tij, veçmas kur ndonjë shqiptar apo parti politike shqiptare rrëzohen në kokërr të shpinës.
Ma mirë në lisin e Sefë Koshares se në fikun e Gjukanoviçit.
Në këtë “Vetmi të Madhe” elektorale t’iu gjendemi pranë shqiptarëve tanë etnik në trevat shqiptare nën Malin e Zi tue kanë të bindun në vetëdijen tonë se pas dimrit vjen pranvera...