E premte, 02.05.2025, 09:57 AM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Lushaj: Sipërfaqja e Shqipërisë Londineze

E merkure, 07.05.2014, 07:37 PM


NË KOMISIONIN PARLAMENTAR TË POSAÇËM PËR REFORMËN ADMINISTRATIVE-TERRITORIALE ZVOGLOHET ME MBI 1.500 KM KATËRORE

SIPËRFAQJA E SHQIPËRISË LONDINEZE

NGA RAMIZ LUSHAJ

Hartës gjeopolitike të Shqipërisë Londineze prej 2 majit 2014 i mungojnë mbi 1.540 km2 të sipërfaqes së saj territoriale (!) Pothuaj sa rrethi i sotëm i Vlorës së Flamurit. Përndryshe: sa rrethet Gjirokastër e Krujë sëbashku. Kjo “zgrapsje” apo “çkymje” ka ndodh në Kuvendin e Shqipërisë, në ligjvenësin shqiptar. Pikërisht në Komisionin e Posaçëm për “Reformën Administrative-Territoriale”, në seancën dëgjimore të tij. Në një nga projektet e paraqitura para këtij Komisioni, në Projektin “Shtetweb” del se Shqipëria e ka 27.207 km2 sipërfaqen e saj. Të satin copëtim të Shqipërisë Iliriane duhet ta quajmë këtë rast zyrtar e të paprecent të ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë?!

Në çdo shtet të botës do të mbahej qëndrim përballës deri në ekstremitet, kurse në Shqipëri, në Komisionin Parlamentar e njëherash të Posaçëm, në kit’ Komision që merret direkt e tërësisht me sipërfaqen e çdo komune, bashkie, rrethi e qarku u kalua me një heshtje të pajustifikueshme. Asnjë qëndrim i parlamentarëve shqiptarë gjatë seancës dëgjimore publike në televizione e media të elektronikës e letrës. Ende nuk është zbardh proçes-verbali i kësaj seance në uebsajtin e Kuvendit të Shqipërisë, sikurse janë publikue proçes-verbalet e seancave të 7 shkurtit dhe 28 prillit 2014. Projekti i paraqitur “Shtetweb” gjendet në tavolinën e punës të Komisionit Parlamentar të Posaçëm. Aty e kanë, e shohin çdo ditë, e heshtin deri më sot. Pritet edhe qëndrimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, që shpeshtas mban qëndrim kombëtar në raste të tilla, po kësaj here e ka ma obliguese se vakia ka ndodh në institucionin e tij/tonë. Presidenti i Republikës, edhe ky me rrënjë e degë kombëtare, nuk duhet të jesin pa e shfaq interesimin e tij (jo)publik. Opozita le të mbetet në pavëmendjen e heshtjen e saj se kësisoj populli opozitar po mësohet me pushtetin politik, po keqmësohet me pranimin e qeverisë së tij si një e keqe e (pa)nevojshme.

Çështja e zvogëlimit të territorit të Shqipërisë Londineze me 1.540 km2 nuk është çështje e vogël. Pse e themi njikështu? E para, se nuk jemi shteti ishullor i Islandës që të mos kemi probleme kufitare me fqinjtë. E dyta, kjo vaki zyrtare e publike vendndodhi në Kuvendin e Shqipërisë. E treta, Projekti “Shtetweb” u paraqit nga një personalitet shqiptar i njohur, dr. Ylli Bufi, ish kryeministër, ish nënkryetar i Kuvendit, bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar të Reformës të Qeverisjes Vendore në vitin 2003, etj. E katërta, Projekti ka pasë konsulentë dy ish kryeministra (i të djathtës, i të majtës), tre zv/kryeministra (dy të PD, një i PS), ish ministra nga të gjithë krahët politik, (ish)deputetë, kryebashkiak, kryekomunar, etj. nga të gjitha qarqet e vendit. E pesta, ky  Projekt ka partner institucione prestigjioze europiane si Fondacioni Friedrich Erbert, Fondacioni Konrad Adenauer, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran. E gjashta, ndryshimi i sipërfaqes territoriale të Shqipërisë Londineze ende mbetet publikim zyrtar në uebsajtin “Shtetweb”.

Askënd nuk po e akuzojmë për tradhëti kombëtare. E dijmë se kush e mbart tagrin e vendimmarrjes ligjore të këtij rangu (ndër)kombëtar. Po mendojeni për një çast të vetëm sikur një rast i tillë si ky i “Shtetweb” e i keqndodhur në Kuvendin e Shqipërisë të ketë gjasa në Amerikën e presidentit Obama, në Gjermaninë e kancelares Merkel e në Japoninë e perandorit Akihito, se si do të ishin qëndrimet e veprimet e shtetarëve e të qytetarëve të tyre. Japonezët e kanë një thanie hyjnore: “Tokë, më fal që të shkel me kambë”.

Sidoqoftë ky Projekt, në mos koft gabim njerëzor i çastit zvogëlimi territorial i Shqipërisë Londineze, ndoshtaky fakt dëshmon paraprakisht se do të futemi në thelluta të ndonjë “skandali” të kahershëm apo të pritshëm. A mos kemi të bajmë me rastin e kohës së E.Hoxhës kur iu dha një territor ujor RSFJ sa sipërfaqja e Mallakastrës?! A mos kemi të bajmë me lëvizje të vonshme të kufinit të Shqipërisë Londineze me shtetet fqinjë Mali i Zi e Kosova?! Etj.

Faktikisht duke kërkue për vendlindjen time, Tropojën (Malësi e Gjakovës), për vendin e ndryshimet e saj në Reformën Administrative-Territoriale pashë se i ishte zvogëlue sipërfaqja me 166 km2. E kaq nuk janë pak. E kush janë ata që duan të bajnë prerje të tilla...? A mos kemi të bëjmë me ndryshime kufijsh se Tropoja ka vijë kufitare me Malin e Zi e me Kosovën?! Etj. Shifrat më çuan tek zvogëlimi i krejt sipërfaqes së Shqipërisë.

Në përmbyllje, dy fjalë për Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Administrative-Territoriale me kryetar Bashkim Finon, ish kryeministër e ministër i Pushtetit Lokal etj.

Fjala e parë: projekte të tilla si ky “Shtetweb” e tre të tjerë të paraqitur e në proçes, të kryera edhe me interesim ndërkombëtar euro-atlantik, po i shërbejnë këtij Komisioni Parlamentar e të Posaçëm thjesht për propogandë e dekor publik e politik. Nëse antarët e Komisionit e ekspertët e tij do ta kishin kqyr realisht e thellësisht Projektin “Shtetweb” do të kishim ndryshimin përkatës të sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë në uebsajtin përkatës. Ose, përndryshe: t’iu lamë udhë fqinjëve sllavë e helenë ta ngrejnë problematikë deri në OKB kufirin e sipërfaqen e Shqipërisë, etj. . E në kryerjen e angazhimeve të tilla shovinistëve balkanik iu vjen në ndihmë për sot e nesër edhe ndarja e Shqipërisë Londineze në rajone?!

Fjala e dytë, ky rasti “Shtetweb” me zvogëlimin e territorit shtetëror të Shqipërisë Londineze dëshmon për një fakt të pakundërshtueshëm: Komisioni Parlamentar i Posaçëm nuk është ngrit për Reformën Administrative-Territoriale, por për interesa politike, elektorale, ekonomike, etj. të sa majtës në qeverisjen e vendit, në Qeveri e në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo projekt i paraqitur nga OJQ shqiptare, nga gjithata ekspertë ndërkombëtar, nga Opozita e djathtë do të kalojnë në arkiv dhe nga sirtarët e vet partiak politik do të nxjerrin “Projektin “ e vet, që iu duhet ta miratojnë sa ma shpejt për ta pasë si mundësi reale për të fituar zgjedhjet lokale të Elektoriadës 2015. Gjithçka duket qartë. Gjithësesi lexohet lehtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx