E enjte, 28.03.2024, 01:31 PM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: 20 shkurti 2014 dhe 28 tetori 1941

E merkure, 19.02.2014, 06:45 PM


20 shkurti 2014 dhe 28 tetori 1941

Nga Kastriot Myftaraj

Protesta e opozitës që do të mbahet pasnesër në Tiranë, ka siguruar paraprakisht një vëmendje ndërkombëtare që nuk e kishin madje as protestat e fundit në Ukrainë para se ato të nisnin nëntorin e kaluar. Ajo çka do të ndodhë në Tiranë në 20 shkurt do të ketë një rëndësi të madhe për rrjedhën e politikës në Shqipëri në 20 vitet e ardhshme. Pikësëpari, ajo çka do të ndodhë në 20 shkurt do të përcaktojë mënyrën se si do ta shohin shqiptarët PD-në në opozitë, pra si një parti e fortë, e aftë për të ardhur në pushtet, qoftë edhe pas tetë viteve në opozitë, si PS, apo do ta shohin si një parti e cila e ka përfunduar ciklin e saj, të nisur në 1990. Performanca e PD-së në 20 shkurt, do të përcaktojë fatin e saj në zgjedhjet e ardhshme. Një performancë e dobët e PD-së në 20 shkurt do të ketë si pasojë të drejtpërdrejtë që PD të kalojë në vendin e tretë si parti në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2015, pas PS dhe LSI. Por dita e 20 shkurtit do të ketë një rëndësi të madhe në analizën e raportit të forcave që do të bëjnë zyrat e posaçme në Washington, Brussels (Bruksel), dhe në kryeqytete të tjera të mëdha europiane, mbi dy partitë e mëdha politike në Shqipëri, PS dhe PD. Kjo do të ketë një peshë të madhe në formimin e parapëlqimit të ndërkombëtarëve mbi atë nëse Edi Rama dhe PS duhet të rrinë shumë gjatë në pushtet, tre apo katër legjislatura (12-16 vite), apo të ketë një rotacion të pushtetit pas tetë viteve. Dhe nëse ndodh kështu, pra që PS të rrijë në pushtet qoftë edhe tre legjislatura, atëherë PD do të pushojë përfundimisht së qëni jo vetëm një parti e madhe, por do të jetë thjesht një nga partitë e vogla, që luftojnë për të hyrë në Kuvend me disa deputetë, jo për të marrë pushtetin. Nëse PD del partia e tretë në zgjedhjet e ardhshme vendore, ajo do të dalë partia e tretë edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2017. Dhe më pas e ardhmja e saj do të jetë si një parti e vogël.

20 shkurti 2014 ka për të ardhmen afatgjatë të politikës në Shqipëri atë rëndësi që pati 28 tetori 1941. Në 28 tetor 1941 ata, të cilët disa ditë më pas do të krijonin Partinë Komuniste të Shqipërisë organizuan një demonstratë në Tiranë. Kjo demonstratë bëri një efekt shumë të madh në Shqipëri, se praktikisht demonstruesit e morën nën kontroll qendrën e Tiranës dhe u endën ku dhe si deshën në qytet. Demonstruesit kaluan në rrugët kryesore, u tubuan në Sheshin “Skënderbej”, shkuan te ndërtesa e Kryeministrisë (që në atë kohë ishte ndërtesa e bllokut të ministrive në anë të Bankës së Shtetit). Nëqoftëse në Shqipëri do të kishte pasur vërtet një regjim fashist, atëherë me demonstruesit do të kishte ndodhur ajo gjë që do të kishte ndodhur me një demonstratë të tillë në kohën që Enver Hoxha ishte në pushtet. Pra, turma e njerëzve do të ishte rrethuar dhe izoluar pastaj do të ishte grirë me mitralozë, ndërsa ata që do të kishin mbetur gjallë, do të ishin tërhequr zvarrë në burgje, ku do të ishin pushkatuar me apo pa gjyq, si terroristë. Në 28 tetor 1941 në Tiranë nuk u vra asnjë demonstrues i vetëm. As historiografia e kohës kur Enver Hoxha ishte në pushtet nuk e ka pretenduar këtë gjë. Vetë Enver Hoxha, i cili ishte pjesëmarrës në demonstratë, dhe e përshkruan atë gjerësisht në librin me kujtime “Kur lindi Partia”, nuk thatë se demonstrata pati ndonjë dëshmor.

Në 28 tetor 1941 rinia shqiptare e kuptoi se regjimi fashist në Shqipëri ishte shumë i butë, prandaj më pas hyri pa frikë në aventura luftarake kundër tij, të nxitura nga komunistët. Pak më vonë nisën atentatet, jo kundër pushtuesve italianë, por kundër zyrtarëve shqiptarë, oficerëve të Policisë, prefektëve, kryetarëve të komunave etj. Dhe në më pak se një vit pas kësaj demonstrate kishte disa çeta të armatosura komuniste, të cilat erdhën duke u shtuar me shpejtësi. 28 tetori tregoi se në Shqipëri nuk kishte një regjim të vërtetë fashist, por se kishte vetëm një fashizëm dekorativ dhe pasoja më afatgjatë e kësaj fatkeqësisht nuk ishte çlirimi i vendit nga pushtuesit, por vendosja e regjimit komunist në Shqipëri tre vite më pas në 1944.

Në 28 tetor 1941 e gjithë Shqipëria pa se komunistët treguan forcë dhe shteti u tërhoq para tyre. Shqiptarët nuk i dinin motivet e ndërlikuara që kishin italianët për të mos i asgjësuar komunistët në Sheshin “Skënderbej” atë ditë. Shqiptarët gjykuan nga ajo çka ndodhi atë ditë. Sa për italianët ata donin që në vend të kishte një lëvizje komuniste, për të cilën besonin se mund ta mbanin nën kontroll. Ekzistenca e një lëvizjeje komuniste në Shqipëri u duhej italianëve për t’ a trembur dhe lidhur pas vetes atëe pjesë të shoqërisë në vend që kishte frikë nga ardhja e komunistëve në pushtet.

Pikërisht në ditën e 28 tetorit e ka origjinën pushteti i Partisë Komuniste të Shqipërisë, që në 1948 ndërroi emrin në Partia e Punës së Shqipërisë, dhe në 1991 ndërroi emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila parti ka në krye sot Edi Ramën. Pikërisht te ajo që ndodhi në 28 tetor 1941 e ka origjinën rreptësia e madhe me të cilën regjimi i Enver Hoxhës i dënonte me shumë vite burg njerëzit qoftë edhe për një fjalë goje të thënë në tryezat e kafeve. Enver Hoxha e dinte mirë se demonstrata 28 tetorit 1941 që ishte në origjinë të pushtetit të tij, u përgatit pikërisht në biseda kokë më kokë, në rrugë, në tryeza kafesh etj. Enver Hoxha, nga përvoja e vet e dinte se pas pëshpërimave vinin demonstratat, pas tyre vinin atentatet, dhe pas tyre vinte lufta e armatosur kundër regjimit. Prandaj Enver Hoxha godiste që në origjinë të gjërave.

Kur Edi Rama mori drejtimin e PS, atij i dhanë dhe kodet e trashëguara konfidenciale të ruajtjes së pushtetit. Pikërisht këto kode Edi Rama do të përpiqet që t’ i zbatojë në 20 shkurt. Edi Rama e di mirë se nëse opozita dhe posaçërisht PD, dështon që të bëjë një protestë me pjesëmarrje të madhe të njerëzve në 20 shkurt, dhe sidomos një protestë e cila do të zhvillohet në atë mënyrë që do të kompromentojë në retrospektivë atë që bëri PS që sot është në pushtet në 21 janar 2011, atëherë PD e ka humbur përfundimisht kauzën e saj dhe ka firmuar fundin e saj si parti e madhe. Prandaj Edi Rama do të bëjë gjithçka që mundet që PD të mos arrijë ta bëjë këtë gjë. Strategjia politike e Edi Ramës është që ta mbajë PD-në dhe kryetarin e saj të ri Lulzim Basha, nën “Shpatën e Damoclesit” të fajit të 21 janarit. Në 20 shkurt PD ka rastin e papërsëritshëm për t’ ia kthyer Edi Ramës 21 janarin në boomerang. Kur Edi Rama prishi gardhin që rrethonte ndërtesën e Kryeministrisë, me të hyrë atje si Kryeministër, ai llogariti se me këtë kishte treguar një akt force, pra se ishte duke u thënë shqiptarëve: “Unë nuk kam frikë nëse opozita vjen me turma te Kryeministria siç bëra unë në 21 janar!”

Por në fakt Edi Rama, duke prishur gardhin rrethues ka zbuluar “Thembrën e Akilit” të vet, pikën e tij të dobët, dhe një goditje e saktë në këtë pikë në 20 shkurt, do ta kthejë këtë ditë në ditën kur Edi Rama do të paguajë edhe për 21 janarin. I gjithë miti juridiko-penal i 21 janarit, me autore ish-Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, u bazua te koncepti se perimetri ligjor i mbrojtjes së selisë së Kryeministrisë ishte i njësuar me gardhin rrethues të ndërtesës. Çdo gjë tjetër që ndodhi atë ditë jashtë këtij gardhi ishte “ngjarje në bulevard”. Prandaj marshimi i protestës i opozitës në 20 shkurt duhet të shkelë medoemos deri në milimetrin e fundit të hapësirës së trotuarit dhe lulishtes para dhe anash selisë së Kryeministrisë, deri te vija ku ka qenë gardhi rrethues. Nëse Policia e Shtetit do t’ i pengojë me dhunë protestuesit që ta bëjnë këtë gjë, ashtu siç pritet të ndodhë, atëherë opozita ka të drejtë të thotë se ishte Policia e Shtetit, domethënë qeveria që i provokoi protestuesit dhe shkeli rëndë të drejtat kushtetuese të tyre. Në çdo vend të botës kur Policia provokon protestuesit konsiderohet legjitime kundërpërgjigjia e dhunshme e palës tjetër. Pikërisht kjo ka qenë dhe alibia e Kryeministrit të sotëm, Rama, në 21 janar 2011, kur ai ishte kryetar i opozitës, dhe u shfajësua për dhunën që ushtruan protestuesit e majtë ndaj Policisë, duke thënë se kishte qenë Policia ajo që i provokoi protestuesit.

Edi Rama është plotësisht i vetëdijshëm se çfarë është në lojë në 20 shkurt dhe ai ka një plan të detajuar për t’ i çuar ngjarjet këtë ditë në rrjedhën që do ai. Ky plan konsiston në këto pika:

1)Qeveria do të deklarojë se në 20 shkurt do të jetë e angazhuar që të zbatojë ligjin, duke i mundësuar opozitës që të ushtrojë të drejtën e saj të ligjshme për të protestuar, por në anën tjetër do të jetë e vendosur për t’ iu përgjigjur me forcën e ligjit çdo veprimi të paligjshëm dhe në shkelje të ligjit gjatë protestës. Ky është si të thuash Plani A, publik i qeverisë dhe Policisë së Shtetit për 20 shkurtin. Por ka dhe një Plan B të Edi Ramës, konfidencial, i cili do të zbatohet atë ditë si më poshtë:

2)Të kufizojë pjesëmarrjen e mbështetësve të opozitës në protestë duke përdorur metodën e grykës së shishes, pra qasja për në Tiranë e protestuesve të ardhur nga rrethet do të kufizohet sa më shumë që të jetë e mundur, duke u nxjerrë atyre Policia njëmijë pengesa rrugës.

3)Protestuesit do të lejohen të kalojnë vetëm në bulevard, por jo në trotuarin para Kryeministrisë dhe në lulishten anash saj nga ana e “Piramidës”, deri te ish-gardhi rrethues. Nëse protestuesit do të përpiqen ta shkelin këtë hapësirë, Policia e Shtetit do të reagojë dhunshëm ndaj tyre.

4)Nëse PD nuk do të kërkojë që ta shkelë këtë hapësirë në 20 shkurt, Edi Rama do të jetë i lumtur, se me këtë opozita do të tregojë dobësi. Por megjithatë sipas skenarit të Edi Ramës, do të provokohet përplasje e dhunshme mes Policisë dhe protestuesve në një pikë tjetër që Edi Rama të realizojë skenarin e tij të demonizmit ndërkombëtar të opozitës.

5)Në kthim, protestuesit, sidomos ata të ardhur nga jashtë Tiranës dhe periferitë do të keqtrajtohen masivisht nga Policia, në mënyrë që të mendohen mirë kur të shkojnë herën tjetër në një portestë të ngjashme.

6)Edi Rama dhe truri i tij i komunikimit, Endri Fuga kanë bërë një plan t detajuar për të paraqitur një imazh të keq të opozitës në ditën e 20 shkurtit, në median ndërkombëtare, që do t’ i bëjë një mbulim të madh protestës së Tiranës.

7)Fill pas përfundimit të protestës Edi Rama në Twitter dhe në Facebook do të tallet me protestën duke e quajtur atë një dështim të Saliut dhe të Lulit. Sipas kësaj direktive të Edi Ramës, Televizionet dhe gazetat pro Edi Ramës do të nisin menjëherë një fushatë marramendëse, duke thënë se protesta ishte një dështim i opozitës, posaçërisht i Berishës dhe i Bashës.

Nëse gjërat shkojnë kështu, 20 shkurti do të jetë dështimi fatal për PD-në dhe kryetarin e ri të kësaj partie Basha, si dhe fitorja e madhe e Kryeministrit Rama. Rëndësia e 20 shkurtit për të ardhmen e politikës në Shqipëri, vështirë të ekzagjerohet nga unë, se ajo është e qartë për çdo njeri në Shqipëri, dhe dallimi është te mënyra e shprehjes. Nëse protestuesit, në 20 shkurt do të arrinë që t’ i ngulin flamurët e PD-së skajin e vijës ku deri para pak muajsh ka qenë gardhi rrethues i Kryeministrisë, opozita është fituesja e madhe e 20 shkurtit dhe në retrospektivë edhe e 21 janarit. Asnjë polic që do të gjendet në hapësirën midis pikës ku trotuari takohet me bulevardin, dhe pikës ku gjendej gardhi rrethues i ndërtesës së Kryeministrisë, nuk është në pozitën e mbrojtësit të ligjit, por e shkelësit të ligjit në flagrancë. Çdo protestues që do të kërkojë të shkelë këtë hapësirë është në të drejtën e tij kushtetuese. Kjo është beteja e madhe në 20 shkurt. Policia e Shtetit do ta bëjë këtë betejë për llogari të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, pra është e kompromentuar paraprakisht me vetë qëndrimin e saj në këtë hapësirë. Protestuesit kanë të drejtë dhe duhet ta bëjnë këtë betejë në emër të demokracisë, që nuk ka kuptim pa ekzistencën e opozitës, e cila jeton ose vdes në 20 shkurt pikërisht në këtë hapësirë të ngushtë.

Prandaj opozita duhet të ketë edhe ajo Planin e saj A dhe Planin e saj B për 20 shkurtin. Plani i opozitës duhet të cekë të gjashtë pikat e planit të Edi Ramës për 20 shkurtin:

1)Kryetari i PD-së, Lulzim Basha duhet të dalë në televizion në 19 shkurt dhe të japë një mesazh të qartë, ashtu siç bëri Edi Rama në 20 janar 2011, duke thënë se opozita është e vendosur që të mbajë një demonstratë paqësore proteste, dhe pret që qeveria, personalisht Kryeministri Rama, Policia e Shtetit nën urdhrat e tij, t’ i përmbahen ligjit në qëndrimin ndaj manifestimit të opozitës. Por nëse do të bëhet e qartë nga ngjarjet e 20 shkurtit se Kryeministri Edi Rama ka një Plan B, veç planit A, që duhet të jetë ai që rrjedh nga ligji, dhe sipas Planit B do të kërkojë që ta provokojë opozitën duke mos e lejuar të ushtrojë të drejtat e saj të ligjshme në këtë ditë proteste, atëherë edhe opozita do të aktivizojë Planin B të saj, për zbatimin e të cilit përgjegjësia do t’ i shkojë drejtpërdrejt Kryeministrit Rama.

2)Protesta e 20 shkurtit nuk nis në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por nis në të gjitha qytetet e Shqipërisë, nga ku në mëngjesin e asja dite do të nisen mbështetësit e opozitës për në Tiranë. Partia Demokratike do ta konsiderojë njëlloj sikur të ketë ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë çdo ngacmim dhe provokim që Policia e Shtetit do t’ u bëjë protestuesve në itinerarin që nga qyteti i tyre dhe deri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

3)Partia Demokratike është e vendosur që protestuesit të shkelin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përreth tij, para dhe anash ndërtesës së Kryeministrisë çdo milimetër të hapësirës që Kushtetuta dhe ligjet e tjera ua njohin si të drejtë ta bëjnë në ushtrim të së drejtës së manifestimit dhe protestës. Vetëm për këtë arsye mund të ketë përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit në 20 shkurt në Tiranë, gjë për të cilën Partia Demokratike nuk mban asnjë përgjegjësi, se përgjegjësia në këtë rast i përket qeverisë që dhunoi të drejtat kushtetuese të protestuesve. Çdo përplasje mes Policisë së Shtetit dhe protestuesve në një pikë tjetër, nuk mund të jetë veçse e provokuar nga Policia, se opozita nuk ka interes që të zhvendoset nga objektivi i saj kryesor.

4) Në 20 shkurt, pak minuta para se të nisë protesta, kryetari i PD-së Basha duhet të bëjë një deklaratë duke treguar në televizion rreshtimin e policëve para selisë së Kryeministrisë, dhe ta denoncojë atë si një skenar provokimi i llojit të Policisë së Janukoviç, pasiqë e ndalon opozitën që të shkelë hapësirën e lejuar nga Kushtetuta për të protestuar lirisht. Kryetari i PD-së Basha duhet t’ i bëjë thirrje qeverisë dhe personalisht Kryeministrit Rama që të largojë Policinë nga hapësira që kanë të drejtë të shkelin protestuesit e opozitës, dhe ta bëjë të qartë se PD është e vendosur që kjo hapësirë të shkelet medoemos nga protestuesit milimetër për milimetër me çdo mënyrë. Nëse do të shkohet deri te përleshja me Policinë atëherë opozita duhet të verë në zbatim Planin B dhe protestuesit nuk duhet të tërhiqen gjatë gjithë natës dhe ditës së nesërme, se natën zjarret duken më bukur në median ndërkombëtare, gjë që na e vërtetoi 21 janari. Duhet marrë shembull skenografia e protestës së Kryeministrit të sotëm Edi Rama në 21 janar, kur zjarret u ndezën sipas një plani të përcaktuar mirë për të bërë efekt në median ndërkombëtare, duke u djegur deri edhe palmat. Për fatin e keq të Edi Ramës këto ditë shkurti koha në Tiranë është si në prill dhe kalohet këndshëm një natë romantike në protestë, e cila do të jetë një eksperiencë e paharruar për çdo pjesëmarrës. Nëse Policia e Shtetit do t’ i provokojë protestuesit me gaz lotësjellës (tani kemi postulatin e Edi Ramës në 21 janar se përdorimi i gazit lotsjellës nga Policia e Shtetit është provokim), atëherë protestuesit duhet të kundërpërgjigjen me llojin e tyre të gazit që janë gomat e djegura të automjeteve, të cilat përdoren në të gjitha protestat në botë dhe që kur vendosen duke u llogaritur drejtimi i erës janë shumë efektive për ta bërë Policinë të pendohet shumë për gazin lotësjellës që përdori me mendjelehtësi, siç na e dëshmojnë edhe ngjarjet në Ukrainë. Në këtë rast përgjegjësia për përdorimin e këtyre mjeteve nga protestuesit i shkon Policisë së Shtetit, e cila eventualisht e provokon turmën. Tymit të gomave të automjeteve të vendosur mjeshtërisht duke llogaritur drejtimin e erës, nuk ka trupë policore në botë që t’ i rezistojë gjatë, as e pajisur me maskë kundërgaz.

5)Për t’ iu kundërvënë planit Rama-Fuga për demonizimin e opozitës në median ndërkombëtare në 20 shkurt, duhet që të përgatiten për protestën postera të mëdhenj me fotografitë e përbashkëta të Edi Ramës dhe Kryeministrit ukrainas Janukoviç, të shoqëruara me pankarta në anglisht: “Cili është më i keq se Janukoviç që refuzoi Europën? Edi Rama i cili u refuzua nga Europa!” Këto bëjnë efekt në median ndërkombëtare që do të mbulojë protestën e Tiranës, se sloganet të shoqëruar me fotografi janë shumë goditëse. Varësisht ecurisë së protestës, duhet të shpërndahen nëpërmjet rrjeteve sociale, edhe zyrtarisht nga PD, foto ku veprimet e Policisë në Tiranë krahasohen me foto të ngjashme në Ukrainë. Më tutje, Kryetari i PD-së duhet t’ i paraprijë prononcimit që do të bëjnë Edi Rama dhe Saimir Tahiri pas përfundimit të protestës, duke u prononcuar disa herë gjatë protestës për ecurinë e saj. Vazhdimisht duhet të përdoret frazeologjia ukrainase duke e krahasuar Edi Ramën me Janukoviçin, si dhe duke e krahasuar operacionin e Policisë së Shtetit me rastin e protestës me ato të Policisë në Ukrainë, gjë që duket se është evidente.

6)Keqtrajtimi i protestuesve pas përfundimit të protestës do të bëhet shkak për reagime të dhunshme për të cilat PD nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi, se përgjegjësia në këtë rast i shkon qeverisë.

7) Varësisht mënyrës se si do të reagojë Kryeministri Rama dhe Policia e Shtetit e kontrolluar prej tij ndaj protestës, duhet të shpallet paraprakisht se protesta mund të vazhdojë pa afat përreth selisë së Kryeministrisë.

Nëse PD është e vendosur që t’ i kundërvihet Planit B të Edi Ramës, me Planin e saj B, atëherë PD do të jetë fituesja e madhe e 20 shkurtit, dhe e ardhmja e saj politike ka shpresa. Ndryshe... në Shqipëri dhe në Ballkan, njerëzit edhe për shumë kohë do të ndjekin pas liderin që tregon forcë. Edi Rama është i vendosur që të tregojë forcë në 20 shkurt. Nëse ai merr një përgjigje adekuate, atëherë Lulzim Basha në mbrëmjen e 20 shkurtit do të jetë një lider i vërtetë i padiskutueshëm. Nëse jo, atëherë Lulzim Basha në 21 shkurt do të jetë thjesht një nul politik.

Skenari i rastit të papritur për 20 shkurtin është që Edi Rama ta dorëzojë Kryeministrinë në duart e protestuesve, për të kompromentuar opozitën. Por kjo nuk mund të funksionojë se do të kuptohet që selia e Kryeministrisë nuk u mbrojt. Edi Rama ka për detyrë që ta mbrojë selinë e Kryeministrisë duke nisur që nga perimetri ligjor i mbrojtjes dhe në brendësi. Kjo është detyrë kushtetuese e tij, për moskryerjen e së cilës ai mban përgjegjësi penale. Edi Rama, nuk mund të jetë më Kryeministër nëse dorëzohet selia e Kryeministrisë.

__________

Protestuesit e 20 shkurtit, të tradhtuar dhe të tallur paraprakisht nga kryetari i tyre Basha


Nga Kastriot Myftaraj


Se si do të jetë protesta e 20 shkurtit në Tiranë, kjo gjë u paralajmërua nga “dreka e punës”, siç u tha, që pati dy ditë para protestës Kryetari i PD Basha, me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Tiranë. Qëllimisht nuk u tha se kush ishte nismëtari i drekës, Basha apo ambasadorët. Edi Rama nuk mbajti një takim të tillë me ambasadorët e huaj dy ditë para demonstratës, siç e quajti ai publikisht dhe zyrtarisht, të 21 janarit 2011. Edi Rama e dinte mirë se, nëse do të kishte mbajtur një takim me ambasadorët dy ditë para 21 janarit, atëherë ai nuk mund të bënte në Drejtorinë e Policisë së Tiranës një kërkesë provokuese dhe destabilizuese në kulm për të mbajtur një demonstratë (veprimtari e paparashikuar nga ligji përkatës pra e jashtëligjshme), si dhe të shprehej në këtë kërkesë se PS, që ishte kërkuese e lejës, nuk mbante përgjegjësi nëse demonstratë dilte jashtë kontrollit. Kur në fakt gjërat kishin dalë jashtë kontrollit që nga termi “demonstratë” dhe për këtë përgjegjësia nuk ishte e turmës, por personalisht e Edi Ramës. Për më tepër, Edi Rama, nëse do të kishte mbajtur një takim me ambasadorët dy ditë para 21 janarit, nuk mund të kishte kërkuar leje pa afat kohor për demonstratën, gjë që krijonte destabilizim total, se Policia në raste të tilla duhet të planifikojë operacionin për mbarëvajtjen e tubimit, duke dislokuar forca shtesë dhe këto nuk mund të bëhen pa afat. Por mbi të gjitha, nëse Edi Rama do të kishte mbajtur një takim me ambasadorët e huaj dy ditë para 21 janarit, ai nuk do të kishte mundur që të bënte në mbrëmjen e 20 janarit atë ultimatum që bëri në emisionin Top Story të Sokol Ballës, në Top Channel, ku tha: “Do ta largojë populli Saliun ose Saliu do të pranojë zgjidhjen e re, zgjidhjen politike. Nuk mundet më të kapërcehen, siç kapërcehen të vdekurit në një fushë me të vdekur, pas një lufte”.


Le ta analizojmë fjalë për fjalë. Çfarë kuptimi ka fraza “Do ta largojë populli Saliun” në gojën e kryetarit të opozitës, i cili sapo ka dërguar në Polici kërkesën për një demonstratë pa afat, që mund të dalë jashtë kontrollit? (njoftimi zyrtar i PS) Pra, populli i dalë jashtë kontrollit do të hynte në ndërtesën e Kryeministrisë dhe do ta vriste Saliun, se kur turma e egërsuar të pushtonte ndërtesën nuk do t’ i kërkonte Saliut që të largohej i qetë. Kjo frazë ishte njëra anë e ultimatumit. Ana tjetër ishte fraza “ose Saliu do të pranojë zgjidhjen e re, zgjidhjen politike”. Dihet se togfjalëshi “zgjidhje politike” ka kuptimin dorëheqje e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Fjalia vijuese ishte: “Nuk mundet më të kapërcehen, siç kapërcehen të vdekurit në një fushë me të vdekur, pas një lufte”. Në kontekstin e mësipërm kjo fjali kishte këtë kuptim: Saliu në 21 janar mund të largohej i paprekur në shtëpi vetëm nëse shkelte mbi kufomat e protestuesve, gjë që Edi Rama mendonte se Saliu nuk do të kishte guxim ta bënte. Pra, Saliut i duhej të jepte dorëheqjen para orës 14 të ditës së nesërme kur do të niste demonstrata, çka ishte dhe afati i ultimatumit, ndryshe do të shkelte mbi kufoma, ose kufoma e tij do të tërhiqej zvarrë në korridoret dhe shkallët e ndërtesës.


Unë nuk them se Lulzim Basha duhet t’ i kishte folur Edi Ramës me një frazeologji të tilla, ende pa u mbushur një vit nga zgjedhjet parlamentare. Kjo frazeologji megjithatë duhej mbajtur rezervë për t’ u përdorur në të ardhmen. Takimi i Bashës me ambasadorët, ku kryetari i PD-së dha garanci të pakushtëzuara se protesta e 20 shkurtit do të jetë paqësore, është tallja dhe tradhtia e madhe që iu bë protestuesve të 20 shkurtit nga kryetari i PD-së. Lulzim Basha në takimin me ambasadorët dorëzoi paraprakisht “armën” kryesore që ai kishte në dorë për 20 shkurtin dhe që ia kishte dhënë vetë Kryeministri i sotëm Rama. Kjo “armë” ishte arsyetimi juridik dhe politik mbi të cilin bazohej kriminalizimi i PD-së për 21 janarin, gjë që e kam shpjeguar me hollësi në dy postime para këtij, me titull “20 shkurti 2014 dhe 28 tetori 1941”, si dhe “20 shkurti dhe 21 janari”. Dorëzimi paraprakisht i kësaj “arme” nga Lulzim Basha ishte fitorja e madhe e Edi Ramës. Se ky i fundit këto ditë ka qenë në ankth se mos PD në 20 shkurt ia kthente si boomerang 21 janarin. Takimi i Bashës me ambasadorët e siguroi Edi Ramën se nuk do të ndodhë kështu.


Ajo që duhej të kishte bërë Lulzim Basha në takimin e ambasadorët ishte që të kishte dhënë garanci të kushtëzuara për natyrën e protestës, pra të thoshte se përgjegjësia për ecurinë e protestës varej dhe nga qëndrimi i qeverisë nën urdhrat e së cilës është Policia e Shtetit. Basha duhet t’ ua kishte bërë të qartë ambasadorëve të huaj se PD ishte vendosur që protestuesit ta shkelnin medoemos paqësisht deri në milimetrin e fundit të hapësirës së trotuarit dhe lulishtes para dhe anash selisë së Kryeministrisë, deri te vija ku ka qenë gardhi rrethues. Ky do të ishte një akt vetërespekti për opozitën e sotme, një akt që i konfirmonte asaj të drejtat e opozitës së djeshme që sot është në pushtet. Kjo për arsye se kriminalizimi që iu bë PD-së kur ishte në pushtet mbi 21 janarin, kishte në bazë të tij tezën se perimetri ligjor i mbrojtjes së ndërtesës së Kryeministrisë ishte i njësuar me gardhin rrethues të saj, që sot është shembur nga Kryeministri Rama. Basha duhet t’ u kishte thënë Ambasadorëve se nëse Policia e Shtetit do t’ i pengonte me dhunë protestuesit që ta bëjnë këtë gjë, atëherë opozita do të kishte të drejtë të thoshe se kishte qenë Policia e Shtetit, domethënë qeveria që i kishte provokuar protestuesit, duke shkelur rëndë të drejtat kushtetuese të tyre, dhe për pasojë dhuna e protestuesve do të ishte legjitime. Asgjë të tillë nuk u tha Basha ambasadorëve të huaj.


Edi Rama mund të ishte mjaftuar me fitoren e madhe që arriti dy ditë para 20 shkurtit, por Edi Rama nuk do të ishte ai që është nëse do të kishte vepruar kështu. Pasi u sigurua se në 20 shkurt opozita do të sillej ashtu sic do të donte ai, Edi Rama vendosi që të arrinte një fitore tjetër mbi opozitën, një fitore perverse, duke e poshtëruar PD-në dhe personalisht kryetarin e saj Basha. Kështu, Edi Rama ka urdhëruar që, ditën e 20 shkurtit, pikërisht hapësira e trotuarit para ndërtesës së Kryeministrisë që PD duhet ta kishte përcaktuar si objektiv për ta shkelur medoemos në, të mbrohet nga një kordon i përbërë nga police femra. Kjo është një gjetje perverse për ta poshtëruar Partinë Demokratike, kryetarin e saj Basha, dhe protestuesit në përgjithësi, në ditën e 20 shkurtit. Me këtë Edi Rama u thotë shqiptarëve: “Lulzim Bashën dhe protestuesit e PD-së unë i mbaj nën kontroll me femra!”. Kryeministri Rama, njeriu i cili i ka rrahur të gjitha gratë me të cilat ka bashkëjetuar ka thënëse se meqënëse Lulin e rreh gruaja, për të mjaftojnë police femra, se nga to ka më tepër frikë se meshkujt.


Jo vetëm në Shqipëri, dhe në vendet e tjera të Ballkanit, që janë shoqëri ku mbisundon ndjenja e dinjitetit mashkullore, por edhe në vendet më pa paragjykime perëndimore, një veprim i tillë i qeverisë në një protestë të opozitës do të konsiderohej si një fyerje dhe provokim i panevojshëm. Dhe kjo nuk ndodh askund, në fakt. Ka police femra mes meshkujve në raste të tilla, por jo ekskluzivisht police femra në një pozicion kaq delikat. Është kërshërore se si e pranojnë këto police femra të keqpërdoren kështu politikisht, duke u nxjerr në trotuar si prostitutat.


Ishte një detyrim i ambasadorëve të cilët morën një garanci pa kushte për protestë paqësore nga Basha, dhe vecanërisht i Ambasadorit Arvizu, i cili ka qenë në Shqipëri edhe në 21 janar 2011, që të bënin të mundur që PD nuk do të shpërblehej me poshtërim për garancinë për protestë paqësore që dha. Pra, ambasadorët duhet t’ i kishin kërkuar Edi Ramës që të sillej në mënyrë korrekte dhe të hiqte dorë nga sjellja prej palaçoje me kordonë policesh femra. Ambasadorët qartësisht nuk e kanë bërë këtë gjë. Kjo është një tjetër provë se kur lideri politik tregohet shumë i zellshëm për të kënaqur diplomatëve të huaj, nuk shpërblehet me të njëjtën monedhë.


A do ta pranojnë protestuesit e PD-së që të poshtërohen kështu, vetëm se kryetari i PD-së është një njeri të cilit i mungon minimumi i ndjenjës së dinjitetit prej burri? Me police femra, ose jo, PD dhe Basha duhet të ishin të vendosur për ta shkelur hapësirën midis bulevardit dhe vijës ku ka qenë gardhi rrethues i ndërtesës së Kryeministrisë. Nëse këto femra pranojnë të keqpërdoren kështu, atëherë protestuesit kanë të drejtë t’ i marrin para deri në vijën ku ka qenë gardhi. Por nuk do të ndodhë kështu.


Protesta e 20 shkurtit, sipas të gjitha gjasave do të jetë një poshtërim i madh për PD-në. Lulzim Bashës qartësisht nuk i vjen turp për poshtërimin që do të pësojë nesër. Se Lulzim Basha ka vetëm një qëllim, të pasurohet edhe pak këtë vit që i ka mbetur si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe pastaj, pasi të humbë zgjedhjet vendore ku nuk do të kandidojë për herë të dytë për Bashkinë e Tiranës, të japë dorëheqjen si kryetar i PD-së dhe të largohet për në Holandë.


Për shkak të rrjedhës që ka marrë paraprakisht protesta e 20 shkurtit, tashmë rëndësi ka vetëm ajo që do të ndodhë në oborrin e madh të selisë së PD-së kur të grumbullohen pjesëmarrësit para se të dalin në bulevard. Atje duhet të mbahet protesta kundër Kryetarit Basha, të cilit duhet t’ i kërkojnë të përgjigjet se për çfarë i ka shitur ata, gjë që nuk mund të jetë bërë pa miratimin e Berishës.


Ashtu siç do të bëhet protesta e 20 shkurtit është më keq se ajo të mos bëhej fare. Kryetari i PD-së Lulzim Basha do të thotë në protestë fjalë “të fuqishme” kundër Edi Ramës dhe qeverisë. Por në këtë rast atij i përshtatet thënia e Winston Churchillit për shtetarët francezë në kohën kur Hitleri hyri në Rheinland: “Fjalë plot guxim, por një veprim do të ishte dëgjuar më tepër!”


Në 20 shkurt, shumë më tepër se fjalët e Bashës do të kishte bërë efekt një veprim, shkelja nga opozita e hapësirës së trotuarit para Kryeministrisë dhe lulishtes anash saj, nga ana e Piramidës, deri te vija ku ka qenë gardhi rrethues, prishja e të cilit është përgjegjësi e Kryeministrit Rama. Hitleri, i vetmi Kryeministër piktor përveç Edi Ramës, kur zuri Rheinland-in tha: “Tani do të shohim nëse ka burra Franca!” Nëse Franca do të kishte pasur burra në krye, ata do të kishin urdhëruar Ushtrinë e saj që të hynte në Rheinland. Por Franca nuk kishte burra në atë kohë. Prandaj Franca ra katër vite pasiqë Hitleri zuri Rheinland-in. Edi Rama tani është duke dhënë të njëjtin mesazh si paraardhësi i tij piktor. Edi Rama është duke u thënë shqiptarëve dhe botës: “Shikoni, PD nuk ka burra!” Dhe PD, ashtu si Franca në atë kohë, nuk do të ekzistojë më si parti e madhe katër vite pas 20 shkurtit, domethënë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.


Por vdekja faktike politike e PD-së do të ndodhë që ditën e nesërme, në 20 shkurt. Për PD nesër shkruhet epitafi:


Ditëlindja: 12 dhjetor 1990- ditëvdekja: 20 shkurt 2014.


Partia Demokratike do të vdesë nesër klinikisht nga pikëpamja politike në moshën 24 vjeç, por do të jetojë si zombie politike deri në zgjedhjet e vitit 2017. Pas tyre do të shpërbëhet krejt nga grindjet e brendshme mbi atë se kush e ka fajin që PD në atë kohë do të jetë partia e tretë apo e katërt në vend, me vetëm pak deputetë. Në 20 shkurt, anëtarët dhe simpatizuesit e PD-së, nuk do të marrin pjesë në një protestë kundër qeverisë “Rama”, por në funeralin faktik të Partisë Demokratike. Funerali do të bëhet si tragjikomedi, meqënëse bashkëinskenues për pjesën komike është Edi Rama.


Edi Rama nuk rri dot pa bërë ndonjë gjë komike në funerale. E bëri këtë në funeralin e të atit, kur tha në fjalimin e tij në varreza se: Lamtumirë baba, edhe me vdekjen tënde i shërbeve kulturës shqiptare, se erdha unë nga Parisi të të hedh një grusht dhe në varr, dhe me këtë rast më ftuan të bëhem Ministër i Kulturës”. Dhe duke hedhur grushtin me dhe rrëshqiti në tokën e lagur të prillit, a thua se Kristaqi i zemëruar nga fjalët e tij deshi ta tërhiqte brenda në varr. E bëri Edi Rama një marrëzi komike edhe në funeralin e Vaçe Zelës, ku megjithëse arkivoli i Vaçes ishte në sallën kryesore të Teatrit të Operas dhe të Baletit, ku njerëzit duhet të shkonin për të bërë homazhe, Edi Rama, i cili drejtoi gjithçka personalisht, urdhëroi që në holl të vendosej fotografia e Vaçes me nje grumbull të madh lulesh para. Dhe njerëzit që hynin për të bërë homazhe ngatërroheshin dhe vinin rrotull grumbullit me lule, me idenë se poshtë tyre ishte arkivoli i Vaçes, kur atje nuk kishte asgjë. Kur i thoshin Edi Ramës se njerëzit po ngatërrohen, ai nënqeshte. Një tallje të ngjashme Edi Rama do ta bëjë nesër edhe në funeralin e PD-së.





(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora