E merkure, 24.04.2024, 11:34 PM (GMT+1)

Mendime

Adriatik Kelmendi: Ky farë Skënderbeu!

E hene, 17.02.2014, 08:56 PM


Ky farë Skënderbeu!

VETËDIJA SHTETFORMUESE!

Nga Adriatik Kelmendi

A e kanë shqiptarët përfundimisht të kompletuar këtë koncept në të gjitha shtetet e Ballkanit në të cilat jetojnë? Në Kosovë e Shqipëri, si shtete bazë të shqiptarëve, në Maqedoni si komuniteti i dytë më i madh etnik, si dhe në shtetet ku janë pakicë domethënëse. Këto pyetje sforcohen natyrisht në kohë përvjetorësh, si ky i gjashtëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë historisë, mjerisht, del se jo gjithmonë ka pasur ndjeshmëri për vetëdijen shtetformuese. Dhe sigurisht se jo rastësisht shqiptarët na dalin si popull i vonuar. Në qoftë se u lihet faji gjithmonë për vonesat e shqiptarëve vetëm armiqve dhe interesave të huaja, atëherë kjo është e keqe e dyfishtë. Fajin, sigurisht në pjesën më të madhe e bartim vetë, pikërisht për mungesën e vetëdijes shtetformuese.

Jo rastësisht, pra, Shqipëria është e fundit nga kjo anë që shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane, dhe mbase edhe ajo nuk do të ndodhte sikur për këtë të mos insistonte Austro-Hungaria. Shqipëria e para u pushtua nga Italia fashiste. Pas Luftës së Dytë Botërore u fut në një ndër diktaturat më të egra të shekullit, teksa edhe Kosova nuk ia doli që të bashkohet me shtetin amë.

Shqipërinë, sërish e shohim të jetë e fundit në rrëzimin e komunizmit, dhe vazhdon të mbetet dhe sot ndër vendet më të varfra të kontinentit. Në anën tjetër, Kosova kurrë nuk ia doli ta fitojë statusin e republikës në ish-federatën jugosllave. E fundit u pavarësua dhe ende po vazhdon të ketë probleme me rrumbullakimin e shtetësisë.

AJO ÇKA MË SHTYRI t’i rikujtoj këto vonesa janë pikërisht fenomenet që po i shohim të na rriten kohëve të fundit në Kosovë, e që flasin drejtpërdrejt sërish në vetëdijen shtetformuese tonën.

P.sh. asnjëherë nuk do ta mendoja se do të vinte dita që pas kaq shumë vuajtjesh e pësimesh të shqiptarëve do të vinte ajo e lumja ditë kur pavarësia çaluese e shtetit tonë, që po mbush moshë të afërt me fëmijët që nisen për klasë të parë, të na dalin individë që kontestojnë figurat më të rëndësishme të të gjithë shqiptarëve.

Ja që kohëve të fundit, kanë filluar të vihen dyshime se si të vlerësohen Skënderbeu dhe Nëna Tereze, si shembujt më të mëdhenj në këtë çmenduri kontestimesh të autoriteteve nga të gjitha anët. Kontestohen pikërisht ata për të cilët me miq e me armiq tanë janë munduar gjithnjë t’i përvetësojnë, të zvetënojnë e falsifikojnë faktet që i qesin ata shqiptarë, me qëllimin e vetëm që të marrin diçka për vete nga lavdia e madhe e tyre.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu vazhdimisht është kërkuar të përvetësohet në radhë të parë nga serbët e pastaj edhe nga shumë popuj të tjerë.

Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze, nobelistja humaniste më e madhe e shekullit të kaluar, simbol i paqes në botë, kërkohet që të mos i përmendet etnia, duke pandehur se ajo është aq e madhe saqë duhet t’u takojë të gjithëve dhe jo vetëm një populli, e sidomos jo një populli të vogël si shqiptarët. Por, e mira këtu është që ajo vetë gjithnjë e ka nënvizuar etninë shqiptare, diçka që s’mund ta falsifikojë e fshehë askush.

Por, si ka mundësi që ka sot, në vitin 2014, të tillë që e pandehin veten shqiptarë, e që mendojnë se nuk na duhen këta dy emra? Për më tepër, ka të atillë që duan t’ua rrëzojnë ose përlloçin edhe bustet?! Epo, çmenduria është një kategori të cilën sigurisht se ende duhet ta studiojë mjekësia.

Mirëpo, e frikshmja këtu është se ky diskurs ka një adresë të pikënisjes, dhe fatkeqësisht, vija përcjellëse na çon deri te ulëset e Kuvendit të Kosovës, organit më përfaqësues të popullit. Derisa aty kemi të ulur deputetë që - për interesa të kushedikujt e për llogari të pashpjegueshme me logjikë të shëndoshë - vënë në dyshim rëndësinë e Skënderbeut e Nënë Terezës për shqiptarët, atëherë çka mund të pritet nga qytetarë të thjeshtë trushpëlarë?

Popujt e tjerë mundohen t’i krijojnë nga hiçi heronjtë e tyre, ose bëjnë luftë titanike për të përvetësuar të huajt, te ne gjenden individë që pa më të voglin kompleks ose hezitim mohojnë ata pak, por shumë të fismë, që i kemi.

E ky është një ndër ato episodet që flet shumë se përse i kemi punët si i kemi dhe përse gjithë

këto vonesa të shtetformimet shqiptare.

POST SCRIPTUM! Derisa jemi te gjashtëvjetori i shtetësisë së Kosovës, ka një gjë që bie në sy dhe lë shije të keqe. Për të treguar edhe me fuqinë e simboleve se Kosova është shtet dhe ka edhe krenarinë e saj, para disa vjetësh ishte ndërmarrë një iniciativë për të vënë një flamur të madh e në lartësi te rrethi në hyrje të Prishtinës kah ana e Shkupit.

Ka dikush që si duket e ka keqkuptuar këtë idenë e flamurit të Kosovës, duke kujtuar se po ia zë vendin flamurit kombëtar shqiptar, dhe jo siç do të duhej: që vetë shtetësia e Kosovës me të gjitha simbolet e saj është avancim i shqiptarizmit dhe idealit për vetëvendosje të shqiptarëve dhe assesi ndonjë mohim i kësaj.

Shpresoj shumë që kjo do të kuptohet drejt dhe Komuna e Prishtinës të marrë masat që ta rivendosë simbolin kushtetues të shtetit aty ku e kishte bërë një vend pikërisht për efekt të simbolikës.

Gjashtëvjetori i pavarësisë pa këtë flamur simbol gjithsesi se do të na lërë një shije të hidhur dhe do të kujtojë sërish përçudnimet tona të pakuptueshme dhe pikëpyetjet për vetëdijen shtetformuese.

Urime gjashtëvjetori i pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë!

Adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

Koha.net



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora