E merkure, 24.04.2024, 10:52 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Eksperimenti Kosovë

E hene, 17.02.2014, 08:55 PM


Eksperimenti Kosovë

Nga Alma Lama

Nevoja për më shumë sovranitet është bërë jetike për shtetin e Kosovës, një trend krejtësisht i kundërt ky me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. Këto të fundit vazhdojnë procesin e shkrirjes.

Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, shteti më i ri në Evropë jo vetëm që nuk po ia del të konsolidohet përbrenda, por po shqepet edhe nga jashtë. Në fakt, në disa pjesë nuk u qep kurrë, dhe arnat që po i vihen në Bruksel, duket se nuk mund të jenë jetëgjatë.

Në pamje të parë duket si një qasje pesimiste, për një proces në të cilin janë angazhuar diplomatët më të lartë evropianë. Por realiteti në terren ofron një pamje aspak pesimiste. Shteti i Kosovës nuk po ndërtohet më sipas propozimit të presidentit Ahtisari, propozim që shërbeu për të shpallur pavarësinë, por tashmë ka shkuar shumë përtej tij.

Presidenti finlandez që u nderua me Çmimin Nobel edhe për kontributin që ka dhënë për Kosovën në fakt ka qenë shumë i qartë, gjithçka që shkon përtej pakos është defunksionalizim i shtetit të Kosovës. Mos e prekni, ka porositur ai.

Por dialogu që zhvillohet për pajtimin e armiqësisë shumëshekullore shqiptaro –serbe , me gjithë qëllimin fisnik apo strategjik të BE-së, po përfundon në krijimin e një lëmshi i cili do të ketë pasoja të pakthyeshme në aspektin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Me një fjalë një pjesë e territorit të saj po vuloset condominium, bashkëqeverisja me Serbinë, dhe në tërësi për shtetin e Kosovës po përjetësohet ambiguiteti. Bota është e ndarë më dysh, për sa i përket njohjes, disa e shohin si pjesë të Serbisë, disa si shtet të pavarur. E kur flasim për këtë, na bie ndërmend pashmangshëm shteti palestinez, që ka mbetur në paradhomat e njohjes së Kombeve të Bashkuara.

Takimet e shpeshta të kryeministrit Thaçi me atë të Serbisë Daçiq, janë betejë për kompetenca. Daçiq lufton për të mbajtur një dorë brenda Kosovës, nëpërmjet serbëve, Thaçi mundohet ta shmangë sa më shumë atë dorë, por në pozicionin defetist; ai tashmë ka pranuar të futet në pazar për shtëpinë e tij.

Në veri tashmë kemi rreth 300 ish pjesëtarë të MUP-it serb në policinë e Kosovës. Pra të gjithë ata që deri dje kanë punuar për shtetin e Kosovës, tashmë do të jenë në strukturat e sigurisë . Se çfarë besnikërie pritet nga ta është më se e qartë. Kjo formulë e zgjidhjes , e dakorduar në Brusel, është bombë më sahat për sigurinë e Kosovës.

Sistemi gjyqësor tashmë do të bëhet në përputhje me autonominë në veri. Formula të çuditshme si ajo një prokuror serb dhe një gjykatës shqiptar janë shpikja më e fundit që vjen nga zyra e lady Ashton. Drejtësia pra do ndahet me formula të balancave etnike në shtetin multietnik që gjithnjë e më shumë po i ngjan Bosnjës, shteti të zënë në kurth. Por jo vetëm drejtësia. Në çdo fushë po veprohet njëjtë, lësho pe këtu lësho aty për hatër të Serbisë, për hatër të pajtimit dhe rezultati do të jetë moszgjidhje e përhershme.

Kush nuk e kupton këtë, nuk ka kuptuar asgjë.

Gjithçka i ngjan një eksperimenti. Praktika të panjohura deri tani po aplikohen gjoja në përputhje me rrethanat, ndërsa rezultatet vazhdojnë të jenë një vrimë në ujë. U toleruan heqja e simboleve shtetërore në veri, për hir të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, dhe rezultati? Katër herë zhvillim i zgjedhjeve, dmth. harxhim i buxhetit të mbledhur nga taksapaguesit evropianë, për shkak se serbët atje nuk duan të njohin institucionet e Kosovës, nuk bëjnë as betimin që është kushti formal për t’u futur në institucion.

Kulmi është se të njëjtit të zgjedhur që nuk pranuan të bëjnë betimin, pretendojnë të marrin sërish pjesë në zgjedhje.

Me një fjalë, ata po tallen.

Ndërsa Kosova, në këtë 6- vjetor të pavarësisë së saj është si tenxherja me presion që vlon nga pakënaqësitë politike, sociale, nga zhgënjimi prej qeverisjes, varfëria e lartë dhe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë dhe e sundimit të ligjit, valvula shfryrëse nuk mund të jetë perspektiva e Bashkimit Evropian, i cili po kushtëzon me dialogun me Serbinë, ose me eksperimentin që do të prodhojë pasoja në të ardhmen.

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora