E marte, 30.04.2024, 10:53 AM (GMT+1)

Mendime

Xhavit Haliti: Ekstremizmi fetar

E enjte, 13.02.2014, 07:17 PM


Ekstremizmi fetar

Nga Xhavit Haliti

Ekstremizmi fetar është i dëmshëm si çdo lloj ekstremizmi. Është po aq i dëmshëm për fatet e një vendi a një populli sa edhe ekstremizmi politik dhe ai nacional. Këto dihen, sepse është ditur historikisht nga mbarë bashkëkombësit që teprimi në çdo gjë të bën dëm. Veçanërisht i bën shumë dëm individit, por dhe shoqërisë, kur idetë e karakterit botëkuptimor, siç janë idetë filozofike, politike, nacionale, fetare, bëhen pjesë e botëkuptimit individual ekstremist.

U zgjata në parashtrim për t’u përballur me shfaqen e një shqetësimi mediatik, gati dyvjeçar, për rrezikun e ekstremizmit islamik për rendin dhe sigurinë në Kosovë. Ky shqetësim shpërfaqet edhe në segmente të opinionit qytetar, madje zë vend edhe në materiale të publikuara të institucioneve shtetërore. Mendoj se është një shqetësim i përligjur sikurse, njëherësh, kam edhe bindjen se medialisht po përforcohet më tepër sesa duhet.

E kam krijuar këtë bindje nisur nga njoftimet apo komentet mediatike të një periudhe gati dyvjeçare. Kam përshtypjen se “alarmi” mediatik për një lëvizje të rreptë të islamit mes besimtarëve myslimanë në mbarë Kosovën është dhënë që në 2012-n. Ky “alarm” u pasua nga deklarime për përqafimin në masë të fesë dhe fetarizimin e gati të gjitha segmenteve të jetës, sidomos për “mjegullimin” e së ardhmes së të rinjve.

Aktualisht po lexojmë dhe dëgjojmë për pjesëmarrje vullnetare të të rinjve shqiptarë të besimit mysliman nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia të motivuar fetarisht në konfliktin e përgjakshëm në Siri. Nuk mund të flas për numrin e pjesëmarrësve, as të të vrarëve nga radhët e tyre, por mund të jap një mendim për rolin dhe përgjegjësinë e shtetit mbi këtë dukuri shqetësuese, që është e njohur dhe në fokus të vëmendjes së institucioneve të tij.

Në dokumentin e paraqitur nga Ministria e Jashtme në Komisionin për Punë të Jashtme pranë Kuvendit të Kosovës (nëntor 2013) ekstremizmi politik fetar është cilësuar si rrezik kryesor, pas strukturave ilegale në veri, i cili mund të cenojë vendin. I njëjti shqetësim u shfaq qartë edhe në analizën vjetore të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, ku u nënvizua rrezikshmëria e radikalizmit dhe ekstremizmit me theks fetar.

E bëra këtë parashtrim vlerësimesh për ekstremizmin fetar që janë shfaqur në kohë dhe në hapësira të ndryshme gjeografike dhe politike për të argumentuar se ekstremizmi fetar i besimit islam po shfaqet në të njëjtën kohë si shqetësim serioz në gjithë hapësirën etnike shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Nuk mund të mos e vlerësoj që në paraqitjen e kësaj dukurie janë angazhuar mediet e shkruara dhe elektronike, shoqëria civile, institucionet shtetërore, madje edhe krerë të komunitetit mysliman. E përshëndes dhe, natyrshëm, e vlerësoj kontributin e tyre për frenimin dhe shmangien e ekstremizmit fetar kudo ku shfaqet në mesin e shqiptarëve. Por, pa dashur ta përmend fjalën “vërejtje”, nuk mund të mos bëjë një sugjerim, kur si argument për mosmarrjen e statusit të kandidatit të Republikës së Shqipërisë në BE u “fajësuan” forcat ekstremiste brenda BE-së, që e shohin Shqipërinë si vend mysliman.

Nuk mund të gjykoj as për vlerën dhe as për peshën politike të “antievropianizimit” të shqiptarëve për hir të besimit të tyre fetar. Sepse jo vetëm ne, shqiptarët, por edhe mbarë Evropa ka mbi 80 vjet që e ka kuptuar se kombi shqiptar hodhi rrënjë, lindi dhe u rrit ndryshe nga gjithë fqinjët e vet, jo mbi fenë, por mbi gjuhën, mbi shqipen dhe shqiptarizmin. Ne shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë po e denoncojmë veten për ekstremizëm fetar botërisht, kur nuk na i kërkojnë as fqinjët dhe ca më pak, nuk na i kërkon as Evropa.

Sepse historikisht është provuar, s’kemi qenë kurrë ekstremistë fetarë, edhe kur ekzistenca jonë kombëtare ka qenë në pikëpyetje! Feja ka qenë në shekuj, vazhdon të jetë dhe do të jetë bashkudhëtare me ne shqiptarët, por asnjëherë dhe kurrsesi udhërrëfyese. Shqiptarët në të gjitha trevat e tyre etnike në Ballkan do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të ecin në trasenë e shtruar nga kombëtarizimi i ndërtuar mbi shqiptarizmin. Medialisht, njëherësh shtetërisht, shpallet rrezikshmëria shtetërore e ekstremizmit fetar.

Mediet e kanë për mision ta sensibilizojnë dhe angazhojnë opinionin dhe shtetin për frenimin e shmangien e këtij rreziku. Kurse shteti, institucionet përkatëse të tij, kanë detyrimin ta gjurmojnë, identifikojnë, luftojnë dhe eliminojnë ekstremizmin politik fetar, të shpallur zyrtarisht si rrezik për sigurinë e shtetit të Kosovës.

Mendoj se nuk i pengon mungesa e shtetit ligjor që institucionet shtetërore të jenë të suksesshëm në këtë luftë sesa i bënë të paefektshëm veprimet e tyre mosnjohja apo moszbatimi i kompetencave dhe detyrimeve që kanë realisht. Sëmundja luftohet te shkaku, ekstremizmi fetar shmanget duke luftuar burimin që “prodhon” besimtarin shqiptar vullnetar, që shkon e vritet në Siri në emër të “luftës së shenjtë”.

(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora