E enjte, 01.05.2025, 11:06 PM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Gjuhën e urrejtjes e nxiti heshtja juaj

E marte, 11.02.2014, 09:28 PM


Gjuhën e urrejtjes e nxiti heshtja juaj

Nga Alma Lama

Prej muajsh Kosova është e bombarduar nga gjuha e urrejtjes, e cila ka lulëzuar në mediat online dhe nëpër rrjetet sociale, por deri tani nuk e kemi dëgjuar asnjëherë shoqërinë civile të reagojë kundër saj. Asnjë OJQ e vetme nuk e ka marrë mundimin të dënojë gjuhën e ndyrë e degraduese të përdorur nga disa hoxhallarë ndaj grave shqiptare, gjuhën linçuese e përjashtuese, gjuhën dehumanizuese e antikombëtare, gjuhën fyese e seksiste ndaj shumë personaliteteve të politikës, sidomos grave, duke filluar nga figura numër një e shtetit, që është presidentja.

Këta përfaqësues OJQ-sh, nuk është se nuk e dinë se çfarë prodhon gjuha e urrejtjes; nuk është se nuk e dinë se kjo është vepër penale dhe që dikush për nxitje të urrejtjes dënohet me disa vite burg; nuk është se nuk e dinë se gjuha e urrejtjes prodhon dhunë në çdo shoqëri, prandaj është e ndaluar, mirëpo prej kaq kohësh zgjodhën të heshtin, sepse si duket nuk kishin marrë donacione për këtë temë. Do e shihni si do fillojnë të flasin, sapo të marrin para.

Mund të ketë edhe arsye të tjera për heshtjen e tyre të turpshme, gjatë gjithë kësaj kohe. Mendjengushtësi, inate me politikanët për shkak se duan të bëhen vetë e s’po bëhen dot, ose lidhje nën rrogoz me parti të caktuara që shpesh dinë të jenë autorë të gjuhës fashiste. Interesant mbetet fakti që organizatat e grave, se kanë parë fare të arsyeshme të reagojnë kur në shenjestër të gjuhës linçuese kanë qenë vetë gratë. Po kaq moskokëçarës ka qenë pozicioni i intelektualëve, e të mos flasim për politikanët pragmatistë e pa parime.

Nuk kam dëgjuar reagim kur Nënë Tereza u quajt prostitutë, kur u fye figura e Skënderbeut, e kur gratë shqiptare u quajtën k….

Tani shoh se janë çuar peshë të gjithë kundër Milazim Krasniqit. A thua se ky është i pari që flet me këtë gjuhë. Pa dashur t’i dal fare në mbrojtje këtij, po them se ky nuk është as i pari, e as u fundit. Problemi ka kohë që është krijuar. Nëse z. Krasniqi mban përgjegjësi sepse është profesor, të njëjtën përgjegjësi mbajnë mediat, ku gazetarët botojnë të gjitha llojet llumhaneve që ju vijnë në redaksi, pa fijen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit, vetëm për më shumë klikime apo për të shitur gazetat, pa e vra mendjen se janë shndërruar në platforma të fashizmit.

Nga ana tjetër e dëgjova Milazim Krasniqin tek vajtonte se si atë e kishin shndërruar në cak të sulmeve për fjalën e lirë, dhe arsyetimet se është profesor e familjar etj. Eh more zotëri, nuk qenka situatë e këndshme kur bëhesh cak i sulmeve, madje edhe kur vetë i nxit për shkak të gjuhës së papranueshme që përdor? E ata që sulmohen vetëm pse mbrojnë vlerat e lirisë, Kushtetutën e Kosovës, kauzën e grave, pa sharë e fyer askënd, nga ata që ju personalisht i mbështesni, e madje ju keni bërë strehë edhe brenda universitetit, a keni menduar ndonjëherë?

E pra kemi të bëjmë me një situatë të hipokrizisë së shumëfishtë, si nga të parët që reagojnë veç kur ju preken interesat personale, ashtu edhe nga i dyti, me të njëjtën arsye.

Tani përsa i përket gjuhës së urrejtjes, është më se e qartë se hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, më shumë kanë pasur në mendje urrejtjen me baza etnike dhe konkretisht komunitetin serb, dhe po të zbërthesh nenet e gjen aty gati shprehimisht këtë brenge. E zbërthyer në Kodin Penal, në nenin 147 gjuha e urrejtjes tenton të sanksionojë armiqësinë mes grupeve, jo atë mes individit dhe grupit, gjë që e bën disi të mangët këtë nen. Në rast se interpretimi i prokurorëve apo gjykatësve do të jetë fjalë për fjalë, nga ky nen mund të shpëtojnë fashistët që nxisin urrejtje ndaj një individi. Por gjithsesi ndarësit e drejtësisë duhet të bëjnë interpretime pasi asnjë kod, nuk sanksionon çdo situatë që mund të paraqitet në realitet.

Gjithsesi Kosova bën pjesë në ato vende që e ka të rregulluar mirë kornizën ligjore përsa i përket gjuhës së urrejtjes. Nga ana tjetër gjyqësori I Kosovës është i detyruar të marrë parasysh vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në praktikë kjo nuk ndodh, ose fare rrallë.

Është më se e qartë që me zhvillimet e reja teknologjike krahas rritjes së lirisë së shprehjes është rritur edhe gjuha e urrejtjes, dhe mes këtyre vihet re një tension shumë i lartë . Dilema se ku mbaron njëra dhe fillon tjetra është e madhe.

Vetë “gjuhën e urrejtjes” është shumë e vështirë për tu përkufizuar në një mënyrë të qartë apo autoritative dhe kjo nuk ka ndodhur as në të drejtën ndërkombëtare, as në shkolla të rëndësishme të studimit.

Termi “gjuhë e urrejtjes” referohet një spektri të gjerë të diskursit shumë ose ekstremisht negativ, i barsur me urrejtje ose nxitje të urrejtjes; i referohet gjithashtu edhe shprehjeve abusive dhe shpifjes, por gjithashtu edhe formave ekstreme të paragjykimeve. Më fjalorin e Oxfordit shpjegimin e fjalës urrejtje do ta gjejmë kështu: “një emocion i mospëlqimit ekstrem apo neverisë, ngjallje e krupës.

Marrja parasysh e kontekstit për të identifikuar nëse në një rast kemi apo jo gjuhë të urrejtjes është gjithmonë i rëndësishëm. Psh, në një vend i cili ka përjetuar dhunë me baza etnike, çfarëdo diskursi ekstrem që anatemon kundërshtarët mbi këtë bazë, është nxitje e urrejtjes, e po kështu në një ambient të indoktrinuar fetarisht, me karakteristika të njohura të sjelljes së tyre, çfarëdo diskursi ekstrem që përdorët për t’ju kundërvënë dikujt është nxitje e urrejtjes dhe praktikisht mundësi potenciale për dhunë.

Edhe në rastin e Kosovës diskursi i ditëve të fundit, me ish-bashkëpunëtorë të regjimit pritet të nxisë urrejtje pasi ata risjellin në kujtesë krimet e kryera, ashtu sikurse nxitja e urrejtjes fetare në një tokë të kontaminuar tashmë, është thirrje për dhunë, edhe nëse thirrja nuk është eksplicite apo e drejtpërdrejtë. E sa për përmendjen e prejardhjes etnike të prindit të dikujt, prapë s’më vjen çudi, pasi edhe në Kuvendin e Kosovës disa deputetë kanë shprehur mllef që dikush është me origjinë nga Shqipëria, Lugina e Preshevës apo Mali i Zi. Prapë s’kam dëgjuar për ndonjë reagim antiracist.

Problem madhor këtu është shteti, i cili nuk ka bërë ndarjen e shapit nga sheqeri, d.m.th. identifikimin dhe ndëshkimin e ish-bashkëpunëtorëve të regjimit që torturuan shqiptarët, por përkundrazi ia le njerëzve në dorë të flasin herë me të drejtë e herë me paragjykime, të bëjnë linçime publike e nga ana tjetër të jenë të detyruar të bashkëjetojnë me xhelatin e dikurshëm.

Nga ana tjetër prapë shteti, i kapur nga interesat partiake mbyll sytë ndaj përçarjes e ndasive që po sjellin në Kosovë rryma krejtësisht të huaja fetare, të cilat janë problem madhor edhe në vendet e origjinës së tyre. Natyrisht që do të krijojnë përplasje me kulturën tonë të ndryshme qindravjeçare, për më tepër që karakteristike tyre themelore është gjuha përjashtuese dhe linçuese, apo gjuha e urrejtjes.

Për ta mbyllur vetëm një histori e shkurtër, e para një viti. Presidenti Obama, nga shtëpia e tij telefonoi në një program televiziv, për shkak se gjuha e moderatorit përmbante nuanca racizmi, dhe ja bëri me dije se kjo është e ndaluar në SHBA. Tani, një pyetje retorike: kush nga këta që flasin u tregua kaq i ndjeshëm për gjuhën e urrejtjes që po vlon prej muajsh në Kosovë?!

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx