Mendime
Murat Gecaj: Nderohet Skënder Hasko
E hene, 10.02.2014, 07:54 PM
SHKRIMTARI SKËNDER HASKO, NDEROHET ME “ÇMIMIN E KARRIERËS”
(Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta)
Nga: Murat Gecaj
Alketa, bija e S.Haskos, me diplomën në duar…
Në njëvjetorin e ndarjes përgjithnjë nga jeta të shkrimtarit e publicistit të njohur, Skënder Hasko, u organizua një takim përkujtimor. Ishin të pranishëm familjarë, shkrimtarë e publicistë, kolegë dhe miq të tij.
Në fjalën e rastit, shkrimtari e publicisti Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”, u foli, shkurt, pjesëmarrësve për jetën dhe krijimtarinë e pasur, letrare e publicistike, të Skënder Haskos. Ndër të tjera, përmendi ndihmesën e shquar dhe trashëgiminë e pasur letrare, që ai la pas vetes, në gjini të larmishme letrare e publicistike. Ajo do ta bëjë atë të paharruar ndër breza dhe do t’u shërbejë moshave të ndryshme të shqiptarëve, sin ë Shqipëri e trojet tjera amtare dhe në disporë, për ta njohur e kuptuar ende më mirë kohën, në të cilën ai jetoi, punoi e krijoi.
Pastaj, shkrimtari Pandeli Koçi ia dorëzoi bijës së tij, Merita Haskos, dëshminë e Diplomës së “Çmimit të Karrierës” (pas vdekjes), dhënë tani nga Shoqata Mbarëkombëtare e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj. Në motivacionin përkatës, bëhet ky vlerësim i merituar, për Skënder Haskon:
“Për ndihmesën e shquar në krijimtarinë e tij artistike, në lëmin e letërsisë për fëmijë e të rinj dhe për mbarëvajtjen e gjallërimin e Shoqatës”.
Duke e marrë këtë Çmim, Alketa Hasko dhe vëllëzërit e Skënderit, Birçe e Arif Hasko e falënderuan nga zemra kryesinë e kësaj Shoqate për këtë nder, që i bëjnë njeriut të tyre shumë të dashur e të paharruar, në njëvjetorin e ndarjes përgjithnjë nga jeta.
Kolegë e miq të S.Haskos, nga e djathta: V.Kona, B.Xhama, S.Harka e M.Gecaj
Duke shprehur respektin dhe dëshmuar vlerat e gjithanshme, njerëzore dhe në fushën e krijimtarisë, të shkrimtarit e publicistit Skënder Hasko, me radhë, folën: Viron Kona, Sejdo Harka, Murat Gecaj e Gjikë Kurtiqi; Sofo Kuteli, Gafurr Brahimi e Sokol Abazaj. Ata theksuan se ai ishte shumë i përkushtuar, jo vetëm në punë, por dhe në të gjitha veprimtaritë shoqërore e jetësore. Në tërë vitet e jetës së tij, Skënder Hasko dëshmoi atdhetarizëm e profesionalizëm, për të shkruar e botuar vepra sa më të dobishme për brezin e ri dhe për të gjitha moshat. Ishte mjaft domethënëse, që ai kërkoi, qyshë në gjallje, për ta varrosur në vendlindjen e tij të dashur, në Dukat të Vlorës, pranë bashkëshortes e bashkudhtares së jetës, Shanes, për të cilën kishte botuar librin-vajtim, “Më iku, gjysma ime”.
Janë kaq domethënës vargjet-amanet, që shkroi Skënder Hasko:
...Ndaj, po vij të tretem në gjirin tënd-valë,
Se unë të kisha prind e Ti më kishe djalë.
Me dheun tënd trupin do përziej,
Që ngrohtësinë tënde, ditë e natë, ta ndiej!
Veprimtaria e thjeshtë përkujtimore, kushtuar Skënder Haskos, u shoqërua edhe me kujtime e mbresa nga të pranishmit, si në punë dhe miqësinë e pandarë me të, por dhe në bashkëpunimet, në krijimtarinë letrare e publicistike. Përmbajtja kryesore e tyre ishte se, njerëz e shkrimtarë si ai, do të mbeten kurdoherë të paharruar e të pashlyer në kujtesën e gjithë atyre, që e kanë njohur, si tani dhe në të ardhmen. Për fjalët e shprehura, me aq respekt e dashamirësi, në adresë të njeriut të tyre aq të dashur, ata i falënderuan nga zemra: Birçe, Arif e Alketa Hasko.
Tiranë, 9 shkurt 2014