E merkure, 01.05.2024, 12:09 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Universiteti i Prisht

E diele, 09.02.2014, 05:29 PM


Universiteti i Prisht

Nga Halil Matoshi

Nga tërë ky mjerim i shkollës kosovare, kur Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kundërmon në një pellg ujërash të zeza, po del një hajr: Studentët po e lëvizin sërish historinë!?

Dhe në këtë lëvizje, një fjali e studentit Fitim Salihu, të lë përshtypje të thellë, të lë pa frymë. Ai tha në “Interaktiv”: “Gjatë viteve ’90 pushteti i egër serb na i mori objektet universitare, por na e krijoi idenë e Universitetit, kurse pushteti i ri, po aq shtypës ndaj dijes, na i dha objektet universitare dhe na e mori idenë e Universitetit”!?

Ndaj Universitetit të Prishtinës gjithnjë – prej themelimit e këtej - ka pasur mësymje pushtuese.

Serbia e ka mësy shkollën kosovare për ta privuar shqiptarin e Kosovës nga dija - pra për ta çarmatosur - që është krim ndaj njerëzimit.

Pushteti i Unmiklandit të pasluftës, përmes sociologut Michael Daxner, e ka mësy këtë universitet për ta “ligjëruar” hegjemoninë gjuhësore dhe dominimin e një kinse kulture më të lartë ndaj një kulture inferiore!?.

Konspiracionistët e pasfazës emergjente e kanë përgatitur monopolizimin e dijes dhe “dijeve” mbi etikën, historinë, kombin dhe shtetin, për ta kapur Universitetin e më pas edhe shtetin.

Ky është krim kundër arsyes.

Por kjo çka ka bërë ndaj këtij Universiteti Qeveria e Hashim Thaçit është krim jo vetëm mbi dijen, por edhe ndaj shoqërisë.

Krim me paramendim i një regjimi autoritarist apo thjesht i një “junte të kamufluar” që sundon me ndihmën e një armate ‘analfabetësh funksionalë’ që ka adresën: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina.”

Ky emërtim nuk është adekuat. Duhet të ishte: UP “Filan Fisteku”, pra t’i vihej një emërtim i përçudshëm, jo konkret, një emër hijesh a hienash që fshihen pas konspiracioneve të mëdha, pas kafshimeve, pas ulërimave...

Kjo armatë analfabetësh funksionalë, ashiqare që prodhon vota, pra pushtet, përmes studentësh të përfshirë në kinse organizata “të zgjedhura” si Parlamenti studentor, që fabrikojnë kuadro për forumet rinore të PDK-së, të AAK-së dhe së voni edhe të Lëvizjes Vetëvendosje; që ushtrojnë ndikim politik përmes profesorësh “jopolitikë” e asistentësh militantë partiakë e të korruptuar.

Thjesht përmes një armate njerëzish pa moral, pa edukim qytetar dhe me tituj të kontrabanduar, deri tek dekanët e rektorët e një sistemi të sofistikuar spiunazhi.

E ky regjim në thelbin e saj është një formë qeverisëse që në teori quhet Kakistokraci, pra qeverisje nga njerëz të ligj, apo qeverisja nga ana e qytetarëve më pak të kualifikuar ose të paktën më joparimorë, "qeveri nga më e keqja."

Pse është e përfshirë Qeveria e Kosovës në këtë turp dhe pse kryeministri kosovar është rektori real i UP-së.

Akti i fillimvitit 2013, kur kryeministri Thaçi e pati marrë Çmimin e Sun Moon University, “Doctor Honoris Causa” - një Universitet kishtar (evangjelist) i themeluar nga magnati kontrovers, koreanojugori Moon, që veten e vlerësonte të jetë “Mesia”, por që ishte një  ish i dënuar në Amerikë për fshehje taksash dhe konspiracion, ishte njëfarë preludi për sferat e errëta e misterioze të marrjes së titujve akademikë dhe gradave shkencore nga njerëzit e Thaçit.

Ky akt ishte pra një hapje solemne “e kampionatit të dijes” së këtij regjimi.

Duke bërë fjalë për teorinë e gjysmanalfabetizmit, Theodor W.Adorno thotë se arsimimi duhej të ishte ai që do t’i përshtatej shpirtërisht individit të lirë, me ndërgjegje të plotë dhe veprues në shoqëri.

Arsimimi ka vlejtur në heshtje si premisë e një shoqërie autonome, në nukleusin e së cilës është individi i lirë, sepse sa më të kthjellët individët, aq më e kthjellët shoqëria.

Porse në Kosovë, ashiqare individualizmi është i përjashtuar.

Individi është pushkatuar!

Madje secili individ që ka mëdyshje për sa u përket të vërtetave përfundimtare të pushtetit, që nuk heziton ta marrë në mbrojtje tjetrin më të dobët, që i shmanget mendësisë uniforme dhe kolektiviste, ai stigmatizohet deri në përmasat e armikut të popullit!?

Shkolla kosovare është në fazën e prodhimit serik të gjysmanalfabetëve dhe analfabetëve funksionalë me diploma, për t’i rekrutuar në “aparatin e partisë-shtet” dhe për mbajtjen e sundimit të një kleptokracie, e cila po shndërrohet në shtetngrënëse!

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës duke i premtuar nga një universitet secilit qytetth kosovar, po vazhdon ta mbjellë logjikën pirate të një magjistari.

Në anën tjetër, të gjithë rektorët e pasluftës në Kosovë kanë qenë politikë, ata kanë ardhur si pasojë e ndërhyrjes politike, por nuk kanë qenë politikanë.

Arsim Bajrami e Enver Hasani ishin vendosur për rektor nga klika e Hashim Thaçit.

Mujë Rugova ishte një politikan i lodhtë i koniunkturës së Thaçit, por shkoi krejtësisht i turpëruar.

Ibrahim Gashi ishte një qeveritar i së njëjtës koniunkturë, ndonëse i infiltruar tek partia e Pacollit.

Rrokullisja e turpshme drejt humnerës, si një i dehur tapë, e Universitetit Publik s'ka të ndalur.

Ky Universitet, në emër të dijes dhe humanitetit, po i bën rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve kosovarë, po abuzon me tituj e grada akademike dhe po e fundos etikën profesionale, duke qenë në shërbim të pushtetit, si vegël qorre.

Me zgjedhjen e Gashit rektor përfundimisht ky universitet u bë pronë e Qeverisë së Hashim Thaçit, që e ka korruptuar dijen, (mendjen) e atyre që dikur quheshin intelektualë, ose së paku pjesës dërrmuese të tyre.

Hiç katër-pesë veta, që dëshmuan edukim qytetar para së gjithash, si Arben Hajrullahu, Qëndrim Gashi, Ibrahim Berisha, Rexhep Gjergji, Agron Dida e ndonjë tjetër, shumica duan të ushtrojnë detyrën e hyzmeqarit të milicisë së PDK-së.

Në këtë tregim, çfarëdo që ndodh s'është befasi.

Skenari Thaçi & Co u realizua ashtu siç pritej.

E forcoi pushtetin e tij mbi kurrizin e lakuar të UP-së dhe tashti mbase nuk i duhet më as Ibrahim Gashi.

Sepse ka plot të tillë që i nxjerr nga mënga, si letra pokeri.

Sipas këtyre standardeve mbrapshtane e të mjera, të cilat po aplikohen në këtë Universitet, "Titanicu" kosovar i dijes mbytjen e ka të sigurt. Askush s’e ka fuqinë ta vendosë një dijetar e menaxher të pakorruptuar për rektor – as studentët, as shoqëria civile dhe as VV-ja. Aty do të rivihet një rektor sipas masës së shumicës së profesorëve. Për grekët antikë, qentë po të dinin të vizatonin – do ta vizatonin edhe Zotin në doken e qenit!

Po kujt do t’i përshkruhet ky turp i radhës?

Pushteti do të thotë: “Ua kemi besuar profesorëve, ata kanë faj”!?

Profesorët, ata të mjerët do të thonë: “Ishim të frikësuar”!

Por këtë frikë ata e kanë instaluar, qoftë nga paaftësia, nga deficite morale e profesionale, qoftë nga sindroma e persekutimit...

Atëbotë, kur u zgjodh Gashi për rektor pati reaguar lëvizja studentore "Studim, Kritikë, Veprim" dhe e pati cilësuar me këto fjalë: “Krimi po vazhdon në stilin e vjetër, por me rektor të ri”.

Dhe sot, gati pas dy vjetësh, UP-ja po i korrë ato që ka mbjellë.

E studenti Fitim Salihu vazhdon të ketë ende ide dhe ideale!?

Para dy vjetësh po ashtu, Salihu si ideator i “Klubit të studentëve”na kishte ftuar të debatonim me studentët, ne, disa njerëz të medies së pavarur dhe të politikës, porse dekani i Fakultetit Filozofik atëherë i pati ndaluar debatet me motivacion se “nuk do politizimin e Universitetit”, ndërsa vetë i bënte reklamë publike një politikani provincial dhe kontrovers, që arriti deri ngat shefit të madh.

Dhe me studentët e mbledhur rreth Salihut, debatet i patëm bërë në livadhin mes Bibliotekës dhe ndërtesës së Fakultetit Filozofik.

Salihu e di se studentëve u janë kthyer ndërtesat, por jo liria për të zgjedhur, për të ditur dhe për të qenë individë të lirë. Ai lufton për t’ia kthyer Kosovës idenë e Universitetit.

Dhe në këtë luftë, s’ka se si të mos e mbështesë secili qytetar me integritet.

Në këtë rast, jo vetëm Salihun, por duhet mbështetur gjithsecilin, qoftë edhe Lëvizjen VV ose secilën parti tjetër politike, që ka ide se si duhet t’i rikthehet Kosovës ideja e Universitetit.

Qysh më 2012 kam botuar po në këtë rubrikë dhe po në këtë gazetë një shkrim me titull: “UP: Shkollë politike e Hashim Thaçit” dhe sot do ta korrigjoja veten vetëm për faktin se Ibrahim Gashin e cilësoja së paku si burrë të mirë e historian modest, duke mos e njohur edhe si autor punimesh shkencore - kulmore për minierat dhe mineralet të botuara pas një pagese prej rreth 50-60 US dollarë, në revista inekzistente ose “skema piramidale.”

Nga Këshilli Drejtues (një organ paramilitar mbi strukturat universitare) ishte thënë fillimisht për Gashin se e ka programin praktik!?

Këta njerëz duan universitet praktik!? Aty supozohet se tash e tutje do të mësohen sportet marciale, do të ushtrohet përdorimi i modelit rus të pushkës automatike "kallashnikov", prita, thyerja e eshtrave, spiunimi, përdorimi i profesorëve me dosje kriminale, për qëllime denoncimesh, shantazhesh...

Përdorimi i studentëve si klientelë për t’u shitur skripte, libra me përralla iriqi e kopalla tjera; përdorimi i shumicës së organizatave studentore si militantë partiakë dhe si sekserë për të shitur nota e tituj...

E për shumë punë tjera të pista!

Dhe asokohe, me uzdajë se do të ngrinte zërin e arsyes ndokush brenda Qeverisë, Kuvendit apo vetë UP-së pata shkruar se ata të nëntë tipat muskulozë të organit paramilitar që veten e quanin “Këshill Drejtues i UP-së” patën votuar me unanimitet Gashin.

Unanimiteti është ligj në diktaturë.

Unanimiteti politik u bë ligj edhe në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

E kështu dalëngadalë në UP do të hapej një kuesturë për t'i marrë njerëzit në pyetje se më kë janë dhe a kanë pa ndonjë ëndërr një natë më parë; mos kanë menduar armiqësisht për frytet e revolucionit?

Mos kanë menduar armiqësisht për “Shefin e madh”?

Mos kanë menduar, fare...!?

Dhe pata thënë se as në Universitetin shtetëror të Venezuelës ULA "Universidad de los Andes" nuk zgjidhet rektori me unanimitet.

Atëherë isha ndie goxha vetmitar.

E tashti, idealet e Fitim Salihut dhe studentëve të tjerë që duan të jenë individë të lirë po më grishin me pa pak dritë në fund të tunelit.

E qysh po vete puna, kryeministri s’ka fat tjetër, pos atij të Ibrahim Gashit.

Ose do të ikën me një kërkimfalje publike për këtë regjim të më të ligjve ose do të mbetet në pushtet me zor (me milici) – për ta vulosur fatin e atdheut të kosovarëve me vulën e turpit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora