Mendime
Kastriot Myftaraj: 4 shkurti 1944 dhe 25 tetori 1943
E premte, 07.02.2014, 08:10 PM
4 shkurti 1944 i Tiranës dhe 25
tetori 1943 i Vlorës- enigma e standardit të dyfishtë të shtetit komunist
Nga Kastriot Myftaraj
Gjatë gjithë kohës të regjimit komunist nga viti 1944 e deri në 1991 u përkujtua me bujë të madhe masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, për të cilën u tha se atë ditë qenë vrarë 84 njerëz. Historiografia zyrtare komuniste e shpalli 4 shkurtin si ditën e masakrës më të madhe të kryer në Shqipëri gjatë pushtimit gjerman, si ditën më të zezë për popullin shqiptar gjatë pesë viteve e gjysmë të pushtimit. Për 4 shkurtin flitej shumë më tepër se për masakrën e Borovës, ku u vranë nga gjermanët 106 njerëz në korrik 1943. Në të vërtetë as 4 shkurti në Tiranë, dhe as 6 korriku në Borovë, nuk qenë ditët më me shumë viktima në Shqipëri në kohën e pushtimit fashist. Dita që solli më shumë viktima në Shqipëri nga dora e pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte 25 tetori 1943 në qytetin e Vlorës. Në këtë ditë gjermanët arrestuan befasisht mbi 600 banorë të qytetit të Vlorës, dhe i internuan me ngut në kampin e shfarosjes së Mathauzenit, në Austrinë e sotme, nga u kthyen vetëm shumë pak prej tyre. (Një prej atyre që u kthye është gjyshi i Shpëtim Gjikës, Xhebro Gjika, të cilin gjermanët e zbritën në mënyrë misterioze nga kamioni në Zemun, në periferi të Beogradit)
Ajo që ndodhi në Vlorë në 25 tetor 1943 bëhet edhe më interesante për faktin se gjatë kohës së regjimit komunist, i cili kishte prirjen që të ekzagjeronte kur ishte fjala për terrorin që kishin bërë pushtuesit në Shqipëri në atë kohë, praktikisht e la në heshtje këtë ngjarje, ndonëse ajo ishte e vërtetë dhe lehtësisht e provueshme. Qytetarët e Vlorës të cilët janë internuar nga gjermanët në tetor 1943, njihen me emër dhe mbiemër. Për këtë gjë ka edhe lista. Një listë e ka botuar kohët e fundit studiuesi vlonjat Enver Lepenica (Memisha) në një libër të tij. Por miku im Enver Lepenica gabimisht jep shifrën 336 për të internuarit duke u bazuar në një letër që familjarët e viktimave i dërgojnë Komandës Gjermane me anë të Prefektit të Vlorës, në shtator 1944, dhe ku kërkojnë lirimin e të afërmve të tyre. Në fakt kjo listë përmban vetëm emrat e atyre të internuarve familjarët e të cilëve pranuan t’ i drejtohen Komandës Gjermane me një lutje. Por në listë mungojnë emrat e atyre që nuk pranuan ta bëjnë këtë, të nxitur nga Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste për Vlorën. Drejtuesit e PKSH për Vlorën u përpoqën që kjo letër të mos nisej duke i gënjyer familjarët dhe duke u thënë se të afërmit e tyre gjendeshin në Kampin e Prishtinës dhe se për atje ishin nisur brigadat partizane shqiptare dhe jugosllave që t’ i lironin të internuarit. Nëse ju nënshkruani letrën, u thanë komunistët familjarëve, atëherë jo vetëm juve por edhe i afërmi juaj do të shpalleni kolaboracionistë dhe do të merrni dënimin e merituar. Me këtë nënkuptohej dënimi me vdekje. Prandaj në listë u shënuan vetëm emrat e 336 personave. Letra gjendet në Arkivin e Shtetit në Tiranë (Viti 1944, Dosja 38, f. 114)
I pari që
u përpoq të hidhte dritë mbi këtë ngjarje ishte Petro Marko, i cili në 1945
ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, e vetmja e përditshme në atë kohë në
vend, dhe që ishte gazeta kryesore e propagandës së regjimit komunist. Petro
Marko, i cili ishte kthyer në Shqipëri vetëm pak kohë më parë në 1945, pas
internimit të gjatë në ishujt e Italisë, mësoi i habitur për këtë ngjarje që në
vajtjen e tij të parë në Vlorë dhe pa ditur se ajo ishte një tabu për regjimin
komunist të porsainstaluar në vend, bëri një editorial të bujshëm në faqen e
parë me titull “Vlora në kujë”. Petro Marko shkruan: “Me të hyrë në Vlorë,
njeriu ndjen diçka që i kujton të kaluarën.
Artikulli i Petro Markos e nervozoi shumë Enver Hoxhën. Se artikulli u botua dy muaj para përvjetorit të dytë të ngjarjes. Dhe regjimi i Enver Hoxhës nuk kishte ndërmend t’ i bënte ndonjë përkujtim të bujshëm kësaj ngjarjeje. Petro Marku nuk e ka kuptuar arsyen, por Enver Hoxha nuk kishte ndërmend që t’ ia shpjegonte. Fakti është se Enver Hoxha gjatë 41 viteve që ishte në pushtet nuk shkoi kurrë në Vlorë në këtë ditë të martirizimit të këtij qyteti, për ta përkujtuar atë. Asnjë libër nuk u shkruajt në Shqipëri për këtë masakër, ndonëse në atë kohë nga autorë shqiptarë janë botuar libra për masakrat e kolonizatorëve në Afrikë e në Azi, libra për Nikaraguan, Palestinën, Vietnamin etj. Për një masakër të ngjashme në qytetin e Kragujevacit, në 1941, Jugosllavia komuniste bëri një film me titull “Krvava bajka”, që u titrua madje edhe në anglisht me titull “A bloody Fairytale”. Në Shqipëri nuk u bë asgjë e tillë. Arsyeja? Që 336 familje iu lutën Komandës Gjermane për të rikthyer të afërmit? Por vetë të internuarit nuk dinin gjë për këtë. Pastaj përveç këtyre kishte dhe rreth 300 të tjerë, familjarët e të cilëve iu besuan komunistëve dhe nuk i panë kurrë të afërmit e tyre.
Regjimi komunist duhet të kishte pasur një arsye të fortë që e la në heshtje këtë ngjarje. Ashtu siç duhet të kenë pasur gjermanët një arsye të fortë që ia bënë Vlorës një kob të tillë. Vetë gjermanët nuk dhanë asnjë shpjegim për atë që bënë. Nuk bëhej fjalë për ndonjë operacion ndëshkimor për vrasjen e ushtarëve gjermanë, se në këto raste gjermanët njoftonin publikisht për këtë. Dhe me përjashtim të rastit të Borovës në korrik 1943 nuk ka ndodhur një raprezalje masive nga gjermanët ndaj popullsisë civile në Shqipëri, si ndëshkim për vrasjen e ushtarëve të tyre. As vetë historiografia komuniste nuk e pretendon këtë gjë. Atëherë cila ishte arsyeja që gjermanët bënë këtë raprezalje në Vlorë, në tetor 1943? Për mendimin tim shpjegimi duhet kërkuar në një ngjarje të largët të historisë së Vlorës, ose më saktë në dy ngjarje. Kur hebrenjtë sefarditë u dëbuan nga Spanja në fund të shekullit XV dhe u pranuan për t’ u strehuar nga Perandoria Otomane, pjesa më e madhe e tyre erdhën në territorin ottoman nëpërmjet portit të Vlorës. Imagjinoni dhjetëra mijëra njerëz, burra, gra, fëmijë, pleq që zbresin nga anijet në një vend të huaj, në një qytet të vogël, ose më saktë në një fshat të madh otoman të fundshekullit XV. Ata mund të kenë mbijetuar vetëm falë solidaritetit të jashtëzakonshëm të banorëve të Vlorës dhe të fshatrave përreth qytetit. E njëjta histori u përsërit edhe në fillim të shekullit XVIII, kur Spanjollët, të cilët kishin pushtuar Mbretërinë e Napolit në Italinë e Jugut i dëbuan hebrenjtë edhe prej andej. Edhe këta hebrenj u pranuan nga Perandoria Otomane ku erdhën nëpërmjet Vlorës.
Gjermanët, të cilët i kishin studiuar mirë arkivat otomane, kishin dijeni për këto ngjarje. Prandaj ata vendosën që ta ndëshkojnë Vlorën për këtë bujari të treguar ndaj hebrenjve. Regjimi komunist kishte dy arsye për ta lënë në heshtje masakrën e madhe të Vlorës. E para kishte të bënte me faktin se duhej të ekzagjerohej rëndësia e masakrës së 4 shkurtit 1944, për të cilin nuk u bënë kurrë të ditura emrat e 84 viktimave. Por amplifikimi i 4 shkurtit i duhej regjimit komunist për të ngjallur urrejtjen ndaj shqiptarëve të Kosovës, se autorësia e masakrës lidhej me emrin e Xhafer Devës, ministër i Brendshëm i qeverisë shqiptare të kohës së okupimit gjerman, me origjinë nga Kosova. Serbisë i pëlqente që si masakra më e amplifikuar në Shqipëri, e ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte ajo autorësia e së cilës lidhej me emrin e një shqiptari të Kosovës. Në fakt njësitet guerrile komuniste qëllimisht vranë nipin 12 vjeçar të Xhafer Devës, që ta nxisnin këtë të bënte raprezalje si hakmarrje. Dhe Deva vërtet reagoi siç e prisnin komunistët shqiptarë dhe shefat e tyre serbë, por ai nuk vra as 84 vetë, nuk vrau as çerekun e tyre dhe as vetëm për nipin e tij. Historiografia zyrtare komuniste gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist nuk i tha kurrë emrat e 84 viktimave të famshme të 4 shkurtit. E ashtuquajtura masakër me 84 të vrarë e 4 shkurtit mbeti një shifër që nuk u përkthye kurrë në emra personash.
Xhafer Deva, për aq sa vrau në 4 shkurt 1944, nuk vrau vetëm për nipin e tij por edhe për djalin e Isa Boletinit, Adem Boletinin, të cilin komunistët e vranë në Shkodër dhe pastaj kërkuan falje me një trakt, kinse ishte vrarë gabimisht. Por atentatorin, Petar Bullatoviç (me përkatësi nga minoriteti sllav i Shkodrës), i cili njihej në Shqipëri si Petro Bullati dhe ishte kunati i Vasil Shantos, pas luftës e bënë shefin e Sigurimit të Shtetit për Shkodrën, detyrë në të cilën në vitet 1944-1948, u bë kryexhelati i Shkodrës. Petro Bullatin e quajtën njeriun e Koçi Xoxes dhe e shkarkuan por nuk e dënuan me burg. Vetëm në 1956, kur ai kërkoi që të largohej për në Jugosllavi meqënëse kishte dhe pasaportë jugosllave, Enver Hoxha i alarmuar (se ai dinte shume sekrete) urdhëroi ta arrestojnë dhe ta pushkatojnë së bashku me Liri Gegën dhe Dali Ndreun. Enver Hoxha e bëri këtë që ta poshtëronte si spiun serb Dali Ndreun, djalin e Suf Xhelilit(Ndreu), luftëtarit të madh kundër serbëve, së bashku me Elez Isufin. Hipokrizia e treguar nga komunistët në rastin e vrasjes së djalit të Isa Boletinit, që u vërtetua me sjelljen ndaj Petar Bullatoviqit, e fshin fajin që ata i kanë ngarkuar Xhafer Devës për 4 shkurtin. Ndonëse Adem Boletini ishte nënkolonel i Xhandarmërisë, gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist historiografia zyrtare nuk e ngarkoi atë me asnjë krim të vetëm.
Regjimi komunist i Enver Hoxhës i cili bënte sikur e lavdëronte shumë Vlorën për pjesëmarrjen dhe sakrificat e saj në luftën antifashiste, e privoi qytetin nga nderimi i sakrificës së tij më të madhe. E të mendosh që u ngritën kulte të rreme si ai i dy prostitutave që u varën në Gjirokastër se u blinin ushtarëve gjermanë mallra për tregun e zi, duke i paguar me monedhë seksuale. Këto u bënë edhe Heroina të Popullit- njëra prej tyre është halla e një deputeti të sotëm socialist. Edhe Partia Socialiste, e cila shtiret si shumë e përkushtuar ndaj vlerave të luftës antifashiste, nuk lëviz një milimetër nga qëndrimi i Enver Hoxhës, duke mos i dhënë sakrificave të Vlorës nderimin që meriton ky qytet.
600 martirët e Vlorës të zhdukur në Mathauzen meritojnë një monument memorial ku të thuhet se janë vrarë si ndëshkim të bujarisë që treguan të parët e tyre ndaj hebrenjve.