Mendime
Alma Lama: Drejtësi për viktimat
E hene, 03.02.2014, 08:58 PM
Drejtësi për viktimat
Nga Alma Lama
Ngjarjet e shumta të javës që lamë pas, disi e lanë nën hije ngjarjen më të madhe në fakt, arrestimin e Oliver Ivanoviqit, politikanit dinak, i cili mbajti poste politike të rëndësishme pas luftës, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Kishim dëgjuar të gjithë se Ivanoviqi, i cili ishte nga të vetmit politikanë që për media nuk përtonte të fliste edhe shqip, kishte qenë në krye të rojave të famshme të urës, një grup kriminal që vëzhgonte urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, dhe që në fakt pamundësoi qarkullimin e lirë mbi të që prej pasluftës.
Ivanoviq përflitej si organizator dhe udhëheqës i kësaj bande. Por kjo nuk e kishte penguar atë që të depërtonte deri në Kuvendin e Kosovës, si deputet. Përkundrazi, me një akrobaci të stilit të tij, ai hoqi uniformën e rojave, për të veshur një tjetër uniformë, atë të një politikani të moderuar.
Me kujtohet në 2006 pata shkuar në veri të Mitrovicës për të bërë një dokumentar me temën mbi realitetin atje dhe se si do të reagonin serbët kur Kosova po shpallte pavarësinë. Ivanoviqin e gjeta në zyrën e tij duke punuar mbi hartat e decentralizimit të Kosovës. Ishte koha e bisedimeve të Vjenës dhe Ivanoviq, ishte tërësisht i përfshirë në dizajnimin e komunave të reja me shumicë serbe. Të njëjtat harta i pashë më vonë në kërkesat e Beogradit në Vjenë, kërkesa të cilat u pranuan pothuaj të gjitha nga mediatori Ahtisari.
Më pas
Ivanoviq shkoi në
Por siç thotë populli, kungulli askujt nuk i shkon gjithmonë mbi ujë. Akuzat e EULEX-it, të ngritura së fundi, e bëjnë atë përgjegjës për krime lufte, që do të thotë se duart i ka të përlyera me gjakun e shqiptarëve. Jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas luftës. Edhe pse aktakuza e EULEX-it nuk jep shumë hollësi në lidhje me akuzat, mediat këto ditë raportuan fakte tronditëse.
Ivanoviq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e 31 shqiptarëve në Mitrovicë në masakrën e 14 prillit 1999. E po kështu akuzohet se është pjesëmarrës në vrasjen e 11 shqiptarëve në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, si dhe dëbimit të më shumë se 10 mijë shqiptarëve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës. Ky ishte spastrim etnik që ndodhi në sytë e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe për vite të tëra u tentua të mbahet si një ngjarje e profilit të ulët.
Por ajo çfarë është më tronditëse është se akuzat që janë ngritur tani për politikanin që në zgjedhjet e fundit kandidoi edhe për kryetar komune, nuk janë të reja. UNMIK, në vitin 2000 kishte nisur hetimet por më pas i kishte lënë ato për shkak të shmangies së trazirave të mundshme.
Dhe për pasojë, në vend që të Ivanoviq të futej në burg, u fut në Kuvendin e Kosovës. Ngjarje më absurde se kjo, për sa i përket fushës së drejtësisë nuk mund të ketë. Ivanoviq, i foli popullit të Kosovës të cilin e vrau e ekzekutoi, nga foltorja e Kuvendit, miratoi ligje, bëri zhurmë për serbët, akomodoi agjendën e Beogradit në institucionet e Kosovës etj.
E imagjinoni sa e rëndë ishte kjo për viktimat e tij? Vrasje për së dyti. Si mundën shqiptarët të tregohen kaq të pafuqishëm? Si mundën politikanët shqiptarë të Kosovës të mos ua vënë veshin dëshmive tronditëse që KMLDNJ e Mitrovicës vazhdimisht i ofronte dhe në vend të kësaj pranonin t’u ulej pranë një kriminel i tillë? Çfarë është ky oportunizëm i skajshëm, kjo verbëri, ky dorëzim para së keqes?
Unë nuk di t’i jap përgjigje kësaj, por e di një gjë që lënia e lirë e kriminelëve të luftës, është një nga krimet e rënda të UNMIK-ut në Kosovë. Kjo administratë në vend që të hidhte bazat e një shteti ligjor, e komprometoi drejtësinë në mënyrë të pariparueshme. Ivanoviq nuk është rasti i vetëm që për vite të tëra u amnistua nga krimi.
Në fillim të shtatorit të vitit 2000, 15 serbë të akuzuar për vrasje masive të shqiptarëve, krime lufte dhe gjenocid u lanë të largohen nga burgu i Mitrovicës, pasi ata ishin pajisur me armë brenda burgut dhe ia dolën që të lidhin rojat e të arratisen. Vetëm dy nga ata arritën të kapen, të tjerët janë sot e kësaj dite të lirë.
Natyrisht kjo nuk do të mund të kishte ndodhur pa korruptimin e punonjësve të policisë së UNMIK-ut. Nuk kam ndonjë provë për të akuzuar madje për marrëveshje por janë me dhjetëra raste të tjera ku kriminelët, serbë e shqiptarë u lanë të lirë vetëm për shkak të ruajtjes së “stabilitetit” të momentin.
Kostoja e kësaj sjellje është e lartë. Ai “stabilitet” i përkohshëm ka prodhuar destabilitet afatgjatë. Trajtimi i kriminelëve të rrezikshëm si të “paprekshëm” ka humbur tërësisht besimin e qytetarëve të Kosovës tek sistemi i drejtësisë. Por mbi të gjitha kjo iu mësoi kriminelëve metodën e shantazhit, e cila vazhdon të përdoret sot e kësaj dite.
Kriminelët gjithnjë e më shumë po e përdorin politikën si mburojë, si strehë për të fshehur krimet e tyre. Ndaj Ivanoviq u kthye për të marrë pjesë në zgjedhje, dhe sot, pas arrestimit për krime lufte, deklaron se kjo ka lidhje me angazhimin e tij politik dhe i fut ndjekësit e tij të shantazhojnë misionin e EULEX-it dhe opinionin publik.
Unë shpresoj që këtë herë misioni i BE-së të mos ligështohet e të lëshojë pe, edhe nëse nga Brukseli i zonjës Ashton i vjen ndonjë kërkesë, për hir të bisedimeve.
Nëse këto bisedime mes Kosovës e Serbisë po bëhen për të ripajtuar dy popuj, kjo kurrsesi nuk do të ndodhë sa kohë që ekzekutorët shëtisin të lirë. Ripajtimi nuk mund të bëhet duke shkelur mbi eshtrat e viktimave.
Evropa e di mirë këtë.
(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)