Mendime
Myftaraj: Rama ndan lavdinë e Pinokut me Berishën
E hene, 03.02.2014, 08:09 PM
Gënjeshtra e Madhe TAP, ose kur
Rama ndan lavdinë e Pinokut me Berishën
Nga Kastriot Myftaraj
Qeveria “Rama” eci në gjurmët e Qeverisë paraardhëse “Berisha”, duke e quajtur gazësjellësin TAP si investimin e shekullit në Shqipëri. Në të vërtetë Edi Rama kishte të drejtë në kohën kur ishte kryetar i opozitës dhe tallej me projektin TAP. Kur Edi Rama e quante Berishën “Pinok”, duke nënkuptuar historinë e Pinokut të cilit i rritej hunda nga gënjeshtrat, duhet thënë se Rama kishte të drejtë në rastin e TAP. Por tani është Rama i cili përvetësoi gënjeshtrën më të madhe të paraardhësit të tij, atë të TAP. Edi Rama me t’ u bërë Kryeministër shkoi në Azerbajxhan të ndante lavdinë e Pinokut me paraardhësin e tij.
Pse është TAP gënjeshtër? Është e vërtetë që janë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për TAP, madje me bujë të madhe. Por kompanitë e mëdha ndërkombëtare arrijnë marrëveshje për projekte të mëdha edhe për të rritur më tepër profilin e tyre dhe për të rritur aksionet e tyre në bursë. Të njëjtin interes kanë edhe vende si Azerbajxhani. Por ajo që të bën përshtypje në projektin TAP është se në konsorcium mungon një kompani italiane. Italia është vendi që do të përshkohet nga TAP në të gjithë gjatësinë e saj, duke nisur që nga skaji jugor i “cizmes” dhe deri në Alpet në veri. Italia është vendi i parë në botë sa i përket ndërtimit të gazësjellësve nënujorë. Duke nisur që prej vitit 1978 Italia ka ndërtuar tre gazsjellës nënujorë të cilët sjellin në Italia gazin natyror nga Afrika e Veriut (Algjeria). Kapaciteti i përgjithshëm i këtyre gazsjellësve është 50 miliard metra kub gaz, pra dy herë e gjysëm më tepër se kapaciteti maksimal i TAP. Nëse TAP do të ishte një projekt me të ardhme, kompanitë italiane nuk do ta shpërfillnin atë. Dikush mund të thotë se nëse është kështu atëherë përse qeveria italiane e ka miratuar projektin TAP. Arsyeja është presioni amerikan. SHBA do që Azerbajxhani të mos jetë në varësinë e Rusisë sa i përket rrugakalimeve të gazit të tij për në Europë. Ndërtimi i TAP do të shmangte që Azerbajxhani të vihej në varësi të Gazpromit rus. Për këtë arsye SHBA kanë lobuar fuqishëm për projektin TAP.
Italia e dha miratimin me dyshim, duke pasur bindjen gjithsesi se projekti nuk do të realizohej kurrë. TAP (Transadriatic Pipeline) është në varësi të TANAP (Trans Anatolian Gas Pipeline), një gazësjellës me gjatësi 2000 km, që duke nisur nga Azerbajxhani përshkon Gjeorgjinë Turqinë për të arritur në kufirin turko-grek. Ndërtimi i TANAP duhet të përfundojë në 2018, me një kapacitet bartës prej 16 miliard metra kub. Nga këto, 6 milard metra kub i kërkon Turqia për nevojat e veta. 10 miliard metra kub supozohet të shkojnë për TAP. Por një sasi e tillë nuk është e mjaftueshme që TAP të jetë rentabël për investitorët. Sipas llogarive duhet që prurjet në TAP të jenë 20 miliard metra kub gaz që projekti të jetë rentabël, në mënyrën që është parashikuar pra që një përqindje e madhe e sasisë së gazit të bartur, përveç atij që do të ndalet për nevojat e Greqisë, Shqipërisë, Italisë, të shkojë në Europën Veriore. Kjo do të mundësohet vetëm kur kapaciteti bartës i TANAP të rritet në 26 miliard metra kub, gjë që është parashikuar të ndodhë në vitin 2026. Në 2026, TANAP supozohet që të jetë në gjendje të bartë 6 miliardë metrat kub gaz që i kërkon Turqia, dhe 20 miliard metra kub që i kërkon TAP.
Gazi
natyror në këtë sasi për TAP duhet të vijë nga fusha gazmbajtëse Shah Deniz 2,
që është në nëntokën e Detit Kaspik. Por që të mund të nxirret një sasi e tillë
vjetore gazi nga Shah Deniz 2 kërkohet një investim prej së paku 20 miliard
euro, për shkak se dihet që nxjerrja e gazit nga fundi i detit kushton më
tepër. Në konsorciumin Shah Deniz 2 shumicën e aksioneve (51%) i kanë British
Petroleum dhe Statoil (kompania shtetërore norvegjeze e naftës dhe gazit). Këto
supozohet që të investojnë mbi 10 miliard euro në këtë projekt, gjë që nuk ka
asnjë gjasë që të ndodhë. Kjo për faktin e pasigurisë së investimit. Një grusht
shteti mund ta largojë nga pushteti familjen Alijev në Azerbajxhan dhe të
sjellë në fuqi njerëz të orientuar nga Rusia dhe Gazpromi. Kaukazi është një
tokë tokë tektonike gjeopolitike. Shteti azer ka nën kontroll vetëm 60% të
territorit të tij pjesa tjetër kontrollohet nga
Kompania italiane “Eni”, e cila në fillim iu bashkua konsorciumit për nxjerrjen e gazit në Shah Deniz 2, u tërhoq nga konsorciumi duke shitur pjesën e saj prej 5%. Një shenjë e keqe për TAP kjo, i cili supozohet që të kalojë në territorin italian. Një parakusht për realizimin e projektit TAP ishte që Italia të lejonte përdorimin e rrjetit të saj gazjellës, të ndërtuar tashmë. Konsorciumi TAP në 2010 arriti me ndërhyrjen e qeverisë amerikane një marrëveshje me Italinë për përdorimin e faciliteteve të rrjetit të saj gazsjellës. Ajo çka synon që të bëjë konsorciumi TAP është që të lidhë gazjellësin që vjen nga Adriatiku me gazsjellësin TransMed, i cili vjen që nga Tunizia në Sicili, hyn në Italinë kontinentale në skajin më jugor të saj në Mesina, dhe ngjitet në veri duke përshkuar krejt “çizmen”. TransMed ka një kapacitet bartës të gazit prej 33. 5 metra kub. Atij iu atashua në 2004 edhe Green Stream që sjell 8 miliard metra kub gaz nga Libia. Për atashimin e TAP duhen natyrisht tubacione shtesë. Por me TAP bartja në këtë linjë do të rritet në 61.5 miliard metra kub gaz, çka do të thotë se Italia pothuajse arrin kufirin nga pikëpamja e sigurisë dhe ajo mjedisore për sasinë vjetore të gazit të bartur. Kjo do të thotë se Italia do ta privojë veten nga mundësia e marrjes së sasive shtesë të gazit nga Afrika Veriore, gjë që është në kundërshtim me interesat e saj.
Rrjeti i sotëm gazsjellës i Italisë është ndërtuar në funksion të sjelljes në Itali të gazit nga Afrika Veriore, përkatësisht nga fushat gazmbajtëse të Algjerisë. Shikoni hartën e Italisë! Italia në formën e një çizmeje të gjatë, ka tashmë tre linja ndërkombëtare që sjellin atje gazin nga Afrika. Tashmë Italia ka vendosur prej disa dekadash një bashkëpunim funksional me Algjerinë e pasur me gaz natyror. Itali merr tashmë nga Algjeria pothuajse aq gaz sa ç’ supozohet të bartë TANAP dhe TAP si degëzim i këtij të fundit rreth vitit 2035. Përse duhet që Italia të lejojë që në territorin e saj të ndërtohet një gazsjellës për të furnizuar Europën Veriore me dhjetë miliard metra kub gaz (kaq do të mbeten pasi të ndalet pjesa për konsum e Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë vetë), kur Italia shumë lehtë mund ta rrisë prodhimin e gazit në Algjeri, duke mundësuar bartjen e një sasie të tillë gazi në tregjet e Europës Veriore? Armiqtë e vërtetë të TAP-it nuk janë gazsjellësat që kalojnë nëpër Ballkan, por ato që kalojnë nga Afrika Veriore në Itali. Algjeria është më e pasur se Azerbajxhani me gaz natyror. Derisa Azerbajxhani është vendi i njëzet e nëntë në botë për nga madhësia e rezervës të gazit natyror, Algjeria është vendi i dhjetë në botë. Sipas të dhënave të EIA, që është zyra qeveritare e SHBA për informacionin mbi energjinë, Algjeria ka rezerva të vërtetuara të gazit natyror në masën 4.5 trilion metra kub. Kjo do të thotë se Algjeria është në gjendje që të përballojë detyrimet që ka ndaj gazsjellësve të saj që e lidhin me Italinë dhe Spanjën, madje edhe të rrisë kapacitetin e tyre që sot arrin në 60 miliard metra kub gaz në vit. Brenda kohës që do të ndërtohen TAP dhe TANAP me kapacitetin e tyre maksimal, gjë që pritet të ndodhë pas vitit 2030, Algjeria në bashkëpunim me partnerët e saj europianë mund t’ ia arrijë më thjesht që ta rrisë kapacitetin e bartjes të gazit në Europë në 100 miliard metra kub në vit, duke çuar kështu një sasi shtesë dy herë më të madhe se e TAP.
Prandaj edhe nëse TAP do të realizohej dhe do të arrinte të merrte sasinë prej 20 miliard metra kub nga Azerbajxhani, nuk ka gjasa që Italia ta pranojë ndërtimin e tij, pavarësisht se e ka miratuar projektin. Një vend i madh është në gjendje që t’ i gjejë i gjen mënyrat për t’ iu shmangur detyrimeve të cilat i ka marrë nën presion. Një lëvizje e fuqishme kundër TAP ekziston tashmë në Itali dhe pritet që ajo të rritet shumë. Çdokush në Itali e ka të qartë se TAP nuk është në interes të Italisë.
Herë pas here shkëmbej shaka për TAP me një zyrtar të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, i cili është një fanatik i TAP. Ai ka qenë marrë me projektin TAP në qeverinë “Berisha” dhe vazhdon të merret edhe tani, se partia e tij vazhdon të jetë në koalicionin qeveritar. Kemi vënë edhe një bast mbi TAP. Kur u nënshkrua marrëveshja për TAP vitin e kaluar, ai më tha se e fitoi bastin. Nuk ka faj, zyrtarët janë të prirur që t’ i shikojnë vijat në hartë si realitet. Unë iu përgjigja se nëse qëllimi i projektit ishte që të bëhej një vijë në hartë, mund të thuhej se fitoi ai. Në terren ndërtimi i TAP supozohet të nisë në 2015. Në ndërkohë ende nuk janë gjetur paratë për investimin që duhet bërë në fushën gazmbajtëse Shah Deniz 2 në Azerbajxhan. A thua do të nisë ndërtimi i tubacioneve para se të gjenden paratë e nevojshme për nxjerrjen e gazit që do të kalojë në këto tubacione? Kjo është një gjë që nuk ka ndodhur kurrë me asnjë projekt të ngjashëm.