E enjte, 01.05.2025, 09:19 PM (GMT+1)

Mendime

Shaban Peraj: Një realitet që e krijuam vetë

E enjte, 30.01.2014, 08:58 PM


Një realitet që e krijuam vetë

Nga Shaban Peraj

Ka vite të tëra që diskutohen raportet në mes subjekteve politike shqiptare këtu në Mal të Zi, dhe me këtë nuk dua të diskutoj shkaqet dhe arsyet e një dukurie të tillë, por ajo që më shqetëson është çështja e ndërgjegjësimit të faktorit politik, sidomos tani pas zgjedhjeve të parakohshme lokale në Ulqin, të mbajtura me 26 janar. Këtu doli në shesh egoizmi , papjekuria dhe lakmia për pushtet e të parëve të disa subjekteve politike shqiptare,  ku apelet tona për bashkim, tolerance e marrëveshje të këtyre “sulltanëve” hasën në vesh të shurdhër. Moskoordinimi i ndërsjelltë i tyre bëri që votuesit shqiptarë të ndodhen në mes dy zjarrmijeve të hueja. Kërkesat tona për të ndalur ndasitë, inatet, ngatërresat e armiqësitë politike, pa dhënë ndonjë shpresë se ajo ditë ka ardhur, se së bashku kanë për të vazhduar për të njëjtin qëllim  duke qëndruar trimërisht në mbrojtje të interesave kombëtare, duket më në fund se e mori lumi.  Ndërkohë, pas marrjes së rezultateve preleminare ku renditja është: PDS-partia e kryeministrit aktual Millo Gjukanoviq, me 9 mandate, Forca e Re Demokratike-Forca, me 8 mandate, koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” (Partia Demokratike, Lëvizja qytetare “perspektiva” dhe LD në Mz), me 7 mandate,  Unioni Demokratik i Shqiptarëve 3 mandate, Mali i Zi pozitiv dhe Partia Socialdemokrate, nga 2 mandate, Fronti Demokratik dhe Partia Socialiste Popullore nga 1 mandat, duket se disave nga prijësit politik shqiptarë iu lidh buka në fyt dhe hija e “vdekjes” nuk i lë rehat, s’flenë tërë natën nga habia se si është e mundur që pas gjithë atyre shpenzimeve të bëra të mos fitojnë shumicën, pa dashur të besojnë e të pranojnë gabimet që kanë bërë për mosbashkim parazgjedhor, për sulmet e shantazhet e bëra vetëm ndaj subjekteve tjera shqiptare. Disa nga këta shkuan aq larg sa pushtuan mediet lokale për të treguar “arritjet” e tyre, gjë që dëshmoi se nuk u pati sukses dhe situata doli krejtësisht ndryshe , ndaj edhe zhgënjimi i tyre mund të merret si i arsyeshëm. Këta duke paraqitur interesat e tyre sikur të ishin interesat e votuesve, e besa duke bërë shpifje ndaj njëri-tjetrit harruan ndjenjën e bashkimit, harruan gjendjen e atyre të papunëve, atyre që nuk marrin paga me muaj të tërë, ndaj votuesi pyeti: çfarë kërkojnë këta? ndëshkimi erdhi në ditën e zgjedhjeve. Përderisa sulmet e bëra vinin në drejtim të krahut tjetër i treti rrinte shumë komod dhe fërkonte duart. Kështu edhe ndodhi, ndodhi ajo që pak kush e ka pritur, fitoi partia e kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq.

Harta politike në Ulqin tani ka ndryshuar pas 24 vjetëve i udhëhequr nga partitë shqiptare, Ulqini me të drejtë shqetësohet, Gjukanoviqi është shkaku i këtij ndryshimi! Planet e tij për të udhëhequr Ulqinin janë të mbështetura në ndihmën e atyre që i dhanë votën, kurse subjektet politike shqiptare thehen nga ngatërresat në mes veti, nga ndasitë që krijuan vet, dhe tash “pas luftës” si zakonisht ne shqiptarëve na dalin ca “gjeneralë trima” për të thënë gjoja se diç po  themi, gjoja se dine të ardhmen e këtij vendi, gjë që e kanë humbur shansin ta thonë, atë kanë pasur rastin ta thonë atëherë  kur kishin diçka në dorë, tani është vonë, nuk ka vend më për ta  të lajmërohen me deklarata se kush është fajtori për rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme në Ulqin!  Nuk ka vend më për “vajtim” të përmallshëm. Sipas mendimit tim, pa dashur të fyej ndokënd, ose nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë në ç’situatë e kanë sjellë qytetarin e varfër I cili “lufton”për një pjesë bukë, lufton për ekzistencë, ose duan e pretendojnë se këta janë në gjendje të gjallojnë token, dhe me “dijën” e tyre u fitua e gjithë ajo që kanë qytetarët sot! Zemërimi për jetë të mjerë  që po bëjnë dhe padrejtësitë sociale i shtyu shqiptarët e këtushëm, dhe jo vetëm ata, të jenë kundër atyre që u prijnë, duke kërkuar ndryshime. Me kësi mentaliteti shërbehen të parët e politikës shqiptare në Mal të Zi, jo se këto dukuri nuk janë edhe në trojet tjera shqiptare, por nuk është punë e lehtë  që në këto kushte të formohet një mentalitet i ri i atyre që duan të udhëheqin, I ndërgjegjësimit të atyre që japin votën për idolet e tyre, po ky ndërgjegjësim duhet të jetë i përbashkët ku do të vinin në shprehje toleranca, mirëkuptimi, respekti për njëri tjetrin, gjithmonë mbi baza të demokracisë. Kështu të mbyllur brenda fiseve e krahinave pa e pasur të qartë idenë e bashkimit e pa formuar ndërgjegjen e përgjegjësisë, shqiptarët e këtushëm nuk kanë për të ngre kokën kurrë. Pa dyshim populli është ende i papjekur për të përballuar situatën që do të mund të ndryshonte kahjen  e problemeve të krijuara, për te kërkohet kohë jo aq e shkurtër që pjekuria individuale dhe kolektive të arrin stadet e mjaftueshme për t’i pare më mire problemet e krijuara nga dora e atyre që udhëheqin shoqërinë tonë në këto vite të pluralizmit.

Tani sillen shumë kombinatorika se kush me kënd do të formojnë pushtetin lokal këtu në Ulqin. Duke analizuar çdo të dhënë që disponojmë ne nuk gjemë në asnjë rast fare shenje se mund të ndodh ndonjë bashkim puro i subjekteve politike shqiptare i cili do të udhëheqte komunën e Ulqinit për katër vjetët e ardhshme. Kjo edhe për faktin se të njëjtit nuk paten kurrë ndonjë platformë  të përbashkët  pavarësisht sa do të jenë të pranueshëm për opinionin nesër. Çdonjëri duhet të jetë i vetëdijshëm  se vetëm në këtë mënyrë  merr përsipër ta thotë të vërtetën  dhe ta ketë përgjegjësinë  për zhvillimin e përgjithshëm. Ndryshe kështu nuk shkon më. Ajo që na habitë është se si komentuesit japin mendimet e tyre për këtë çështje, pa bërë një analizë të mirëfilltë, pa analizuar rrethanat e reja që na paraqiten këtu, ndaj edhe ne shqiptarët jemi të tejngopur  nga politika dhe frazat boshe e bajate që na i bëjnë ca politikanë , të cilët të etshëm për pushtet mendojnë se me ta fillon historia. Kështu rrezikohemi nga budallakitë tona, jemi pak për t’u përçarë, nga fakti se deri më tani prijësit tanë në të shumtën e rasteve kanë marrë vendime të gabuara. Të shpresojmë që kësaj radhe të jenë më serioz , më të përkushtuar për shumë çështje që rëndojnë pozitën tone në këto kohë të vështira.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx