Mendime
Alma Lama: Shpresa e Filan Fistekut
E hene, 27.01.2014, 08:55 PM
Titujt e Bollivudit dhe shpresa e
Filan Fistekut
Nga Alma Lama
Efektet e skandalit të Filan Fistekut, mund të shihen në shumë dimensione.
Së pari na e dëshmoi se “Manifesti i Partisë Komuniste” të Karl Marksit dhe Frederik Engelsit, më në fund u bë i dobishëm. Jo për gjë, por janë disa edhe këtu në Kosovë që “Manifestin…” e kanë libër të shenjtë dhe ëndërrojnë ta implementojnë.
Së dyti dhe më e rëndësishmja “intelektuali” Filan Fisteku duke përdorur “Manifestin…” i zhveshi lakuriq mashtruesit e UP-së, të cilët prej vitesh kamufloheshin e fryheshin si kaposhë duke shitur mend e “dijeni” sa në një ekran televiziv në tjetrin, por mbi të gjitha duke marrë më qafë me mijëra studentë.
Së treti Filan Fisteku na hapi sytë për këta dallkaukë, prepotentë, sharlatanë, mashtrues, arrogantë, pengues, hajdutë, imoralë, që u instaluan në tempullin e dijes duke bërë lloj-lloj manovrash, si ajo e revistës mashtruese indiane, ku botuan “punimet” apo faqen e tyre të zezë.
Universiteti i Prishtinës sot numëron edhe profesorë pa shkolla të mesme, por kuptohet që i kanë marrë me letra, analfabetë që janë bërë doktorë e profesorë. Janë këta pengesa kryesore pse djem e vajza të reja të talentuar apo të shkolluar nëpër universitete të huaja kurrsesi nuk mund të depërtojnë në UP.
Tempullin e dijes pra e kanë shndërruar në një humnerë ku dija e thyen qafen përditë. E kanë shndërruar në gropë të injorancës në të cilën nëse vazhdon kështu, do të mbytet në të krejt Kosova.
Prej vitesh gjendja është e tillë, nga viti në vit degradimi sa vjen e rritet.
Në vitin
2004 kur punoja në
Në vend
që shoqëria të reagonte, e institucionet të ndiheshin përgjegjëse, të gjithë
zgjodhën heshtjen, ndërsa drejtuesit e UP-së atëherë nxorën një fletërrufe
kundër meje, e cila u lexua në edicionet e lajmeve të
E sot, pas 10 vitesh, jo vetëm që logjika nuk ka ndryshuar, por është pasuruar me manovra të tipit bollivudian. Në Indinë e largët pra paskan botuar artikujt shkencorë. E ku tjetër xhanëm, paçavuret e tyre s’i boton asnjë revistë serioze.
Si thotë populli “minarja në thes nuk futet” por çudia më e madhe është se edhe pse ju plasi bomba në dorë, prapë dëshirojnë të kamuflohen, me justifikime idioteske gjoja se s’po vihet në dyshim cilësia e punimeve (e çka tjetër po vihet përveç cilësisë more të marrë).
Ky është kulmi i paturpësisë. Në vend që të japin dorëheqjen e të largohen me bisht ndër shalë të gjithë ata profesorë “tallava” që u kapën me presh në dorë, vazhdojnë të rezistojnë.
Janë irrituese deklaratat e tyre. Ata po ia fyejnë inteligjencën secilit qytetar të Kosovës.
Këta plotësisht po harrojnë se kanë mashtruar jo vetëm studentët, por edhe shtetin e Kosovës, pasi artikujt e tyre bollivudianë iu kanë shërbyer për të marrë tituj, e titujt pozicione në universitet, e pozicionet paga të majme. Pra këta profesorë iu kanë borxh taksapaguesve. Ata duhet të kthejnë edhe paratë, përveç titujve të pamerituar.
Të mos flasim këtu për dëmin kolateral që mungesa e dijes së tyre iu ka shkaktuar studentëve. Është i pamatshëm.
Dhe ky dëm do të vazhdojë nëse studentët në radhë të parë nuk e marrin në dorë situatën; nëse institucionet nuk veprojnë urgjentisht, nëse shoqëria vazhdon të qëndrojë në amnezi kolektive dhe kështu e bombarduar nga gjithçka, të mos reagojë për asgjë.
UP-ja
është dëshmi e degradimit që partia në pushtet i ka bërë këtij institucioni dhe
krejt Kosovës.
Vendi po degradon, shoqëria po kalon në depresion total, vlerat po rrënohen plotësisht dhe shteti demokratik nuk do të mbetet tjetër veçse një ëndërr e largët. E Hashim Thaçi vazhdon të hapë universitete nëpër komuna, ku do të japin mësim shokët e tij me tituj shkencorë nga Bollivudi…
Pse jo, nuk ka hasur në asnjë rezistencë deri tani.
Oportunizmi i skajshëm i secilit po më kall datën. Zërat e së vërtetës po shuhen në këtë shoqëri, njëri pas tjetrit.
Prandaj Filan Fisteku, ky personazh fiktiv, por sinonim i shumë kuadrove nëpër institucionet e Kosovës që kanë parashutuar kryesisht nga parapolitika apo klanopolitika, po më ngjall pak shpresë.
Më ngjallin shpresë ata studentë që dolën në protestë për të mos u pajtuar me shkeljen e dinjitetit të UP-së. Edhe pse do të duhej të ishin me mijëra aty.
Një gjë duhet ta dinë të gjithë: nëse edhe këtë herë injorohet gjendja, rruga e degradimit përfundimtar të UP-së, dhe bashkë me të edhe të Kosovës është e pakthim.
(Autorja është deputete e Lidhjes Demokratike. Qëndrimet janë personale)