E marte, 30.04.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Gabimet e Gërxhaliut

E hene, 27.01.2014, 07:59 PM


Gabimet e Gërxhaliut

Nga Arbana Xharra

Gjithmonë na është prezantuar me deklarata të forta, ku theksonte se është “kundër korrupsionit”, duke tentuar që ta kritikojë qeverinë. Këtë e bënte kryesisht me fraza të përgjithshme mbi keqqeverisjen.

Me qëllim që të tingëllojë si “mbrojtës i të drejtave të biznesit”, shpeshherë ka dhënë edhe përfundime naive, aspak bindëse, apo ka përsëritur qëndrimet e tij që opinioni i kishte dëgjuar shumë herë.

Ata që e dëgjojnë për herë të parë duke folur mund të binden se ky zyrtar e paska seriozisht. Por me kalimin e viteve në krye të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu gradualisht ka nisur të demaskojë vetveten dhe po shihet gjithnjë e më shumë se nuk është aq i përshtatshëm për këtë post.

Trajtimi i problemeve në mënyrë shumë sipërfaqësore, duke mos marrë guximin që të prezantojë ndonjë fakt për akuzat publike që i ka bërë, ndikojnë në dëmtimin e imazhit publik të Gërxhaliut.

Ndonëse nuk është dëshmuar se është i përzier në ndonjë aferë të paligjshme biznesi, ai megjithatë dalëngadalë po e humb kredibilitetin.

Gërxhaliu, që me qejf do të dëshironte të perceptohej nga opinioni si përfaqësues i denjë i interesave dhe të drejtave të komunitetit të biznesit, nuk ka përtuar kurrë të flasë sa herë është pyetur për ndonjë çështje madhore rreth ekonomisë së vendit. Deklaratat shpeshherë i jep kuturu, në harmoni edhe me veshjen “lezher”.

Bile shpesh ka përgjigje për gjithçka. Por jo edhe guxim të nevojshëm të trajtojë problemet me emër dhe mbiemër.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë të keqpërdorimeve që janë bërë përpara syve tanë, lidhjeve të biznesit me partitë e caktuara politike, shkeljen e bizneseve të vogla, të cilat nuk kanë fuqi kundërshtuese, sepse nuk përfaqësojnë asnjë politikan, por nga goja e Gërxhaliut nuk kemi dëgjuar asnjëherë një qëndrim të qartë.

Madje së fundmi ai më shumë tingëllon si mbrojtës i interesave të PDK-së, zyrat e të cilës i ka një kat sipër tij, sesa si mbrojtës i paanshëm i interesave të biznesit.

Pas vendimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të rishikohet kontrata e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve nga kompania “Devolli”, e njohur për afërsitë e saj me zyrtarë të lartë të politikës, Gërxhaliu na shfaqet si mbrojtës i kësaj ndërmarrjeje dhe kundër vendimit për hetimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Gërxhaliu e di shumë mirë se që nga vitit 2002, kur ka nisur procesi i privatizimit, e deri më tash ata që kanë përfituar jashtëligjshëm janë kryesisht politikanët në aleancën e tyre djallëzore me biznesmenë të dyshimtë, pra ata politikanë që zyrtarisht kanë paga të ulëta, por që posedojnë prona milionëshe të privatizuara pamëshirshëm dhe jashtë çdo kriteri ekonomik, apo të tregut të lirë dhe konkurrencës së barabartë.

Gërxhaliu po ashtu e di shumë mirë se si janë bërë marrëveshjet për shitjen e ndërmarrjeve më të mëdha shoqërore dhe se kush është blerës real i tyre. Gërxhaliu e di se pse kanë dështuar shitjet më të mëdha e sidomos ato me spin-off special. Gërxhaliu duhet t’i njohë shumë mirë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit të privatizimit, prej punëtorëve të thjeshtë e deri tek drejtorët, të cilët sot posedojnë nga 2-3 banesa e luks marramendës.

Mjafton t’i hedhësh një sy deklarimit të pasurisë së tyre për të parë se sa prej tyre kanë madje edhe qindra hektarë toka. Gërxhaliut me siguri i kujtohen skandalet me “Ferronikelin”, “Lamkosin”, “Grandin” etj.

Gërxhaliu me siguri nuk ka harruar se si u dogjën dokumentet e AKP-së brenda natës. Gërxhaliu i ka të ditura të gjitha këto skandale të një procesi, i cili për më shumë se një dekadë ka qenë pa asnjë efekt pozitiv për popullin e Kosovës, por njëkohësisht ky proces ishte një mundësi e përfitimeve të pronave shoqërore në mënyrë të jashtëligjshme.

Duhet përsëritur përherë se kosovarët e thjeshtë nuk kanë përfituar asgjë nga procesi i privatizimit, ata vetëm kanë qenë dëshmitarë të një procesi mafioz, i cili ka pasuruar një grup njerëzish të afërt me politikën, por edhe vetë politikanët.

E pas gjithë këtij degradimi të pronës shoqërore, duke qenë dëshmitar i qindra skandaleve, të dalësh publikisht kundër rishikimit të kontratave të privatizimit, siç vepron Gërxhaliu, kjo të bën përgjegjës po aq sa ata që kanë qenë pjesë e këtij procesi.

Domosdoshmëria e reformave ekonomike është parakusht për ulje të korrupsionit, është proces natyral i tranzicionit ekonomik. Ne duhet të kalojmë nëpër tunelin e njëjtë tranzitor me vendet e rajonit që kanë pasur nomenklaturë të ngjashme apo përafërsisht të ngjashme me tonën.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora