E shtune, 26.07.2025, 12:05 AM (GMT+1)

Mendime

Vana Jerliu Ramadani: Kosova dhe kriza sociale

E enjte, 23.01.2014, 08:59 PM


Kosova dhe kriza sociale

Papunësia nuk po adresohet si problem serioz i shoqërisë

Si pasojë e kësaj gjendje, është lehtë e kuptueshme pse kaq shumë njerëz në Kosovë sot janë të demoralizuar, të pashpresë dhe duke luftuar për optimizëm.

Nga Vana Jerliu Ramadani

Gjendja aktuale e papunësisë vazhdon të jetë një shqetësim i madh për shqiptarët e Kosovës. Papunësia mund të ketë efekte negative edhe në shëndetin psikologjik dhe biologjik të popullatës. Papunësia shkakton ndryshime psikologjike negative, duke përfshirë ndryshimet në vetë-efikasitetin, vetë-respektin, identitetin, kënaqësitë e jetës dhe ndjenjën e kuptimit dhe të qëllimit në jetë. Kjo gjendje psikologjike mund të qojë në depresion, çrregullime të ankthit, rritje të simptomave semantike, të tilla si lodhja apo dhimbja e kokës, dhimbja e barkut, humbja e oreksit për ushqim apo ngrënie e tepruar e ushqimit, pagjumësi dhe humbje e interesit për aktivitete fizike dhe të tjera. Kur njerëzit ballafaqohen me këtë gjendje ekonomike, së pari ndryshojnë botëkuptimin e tyre në mënyrë dramatike për mënyrën se si funksionon bota. Nëse dikur ata e panë botën si përgjithësisht dashamirëse dhe të mirë, tani të njëjtën botë e shohin si të paparashikueshme dhe të pasigurt, gjë që shkakton humbjen e shpresës dhe optimizmit. Nëse dikur ata e panë botën si një vend ku puna e madhe shpërblehet, tani ata e shohin botën si një mjedis ku nuk ka rëndësi se sa përpjekje për punë apo shkollim duhet bërë për të përmirësuar veten ose shoqërinë. Thjesht, në mendjen e tyre, bota nuk ka rëndësi sepse ata kanë humbur shpresën dhe optimizmin. Bota e tyre është shumë më e vështirë sesa e atyre që janë të punësuar. Nisur nga kjo, është lehtë për të kuptuar se pse kaq shumë njerëz në Kosovë janë të demoralizuar, të pashpresë dhe duke luftuar për optimizëm.

Varfëria shkakton probleme të rënda familjare

Papunësia mund të ndikojë edhe në familje, duke sjellë probleme të shumta si në bashkëshortësi, po ashtu edhe tek fëmijët. Bashkëshortët mund të fajësojnë njëri-tjetrin për shpenzime të ndryshme apo për gjendjen e varfër ekonomike në përgjithësi. Përveç kësaj, shumë njerëz që ballafaqohen me këtë gjendje, kanë probleme të ndryshme ose janë të varur nga alkooli dhe substancat e dëmshme. Potencialisht e gjithë kjo gjendje rrit grindjet bashkëshortore, rrit dhunën në familje, krijon probleme shëndetësore dhe ndoshta edhe probleme ligjore. Mos të harrojmë se gjithë këto probleme rrisin problemet martesore, duke zvogëluar komunikimin në mes të dy bashkëshortëve, me mundësi të krijimit të distancës nga njëri-tjetri, që mund të çojë deri te divorci. Papunësia mund të shkaktojë edhe turp dhe keqardhje, gjë që mund të krijojë një depresion shumë serioz dhe të ketë ndikim të mëtejshëm negativ në jetën e njerëzve. Kritikat dhe gjykimet negative nga bashkëshortët, anëtarët e familjes, miqtë dhe kolegët, janë të pranishme në gjendje të tilla. Kjo gjendje e rëndë shkakton rënie në mirëqenien individuale dhe familjare. Barra e madhe ekonomike mund të ketë ndikim në raport prindëror ndaj fëmijëve. Raportet me fëmijë mund të jenë më të acaruara dhe si pasojë të mos plotësohen nevojat e fëmijëve. Si rezultat i kësaj, fëmijët krijojnë shumë ankth dhe mund të kalojnë në depresion. Pasojat e depresionit te fëmijët janë të lidhura ngushtë me sjelljet të shumta negative, përfshirë problemet akademike, suksesin e dobët në shkollim, abuzimi me substanca të ndryshme, problemet me shëndetin fizik, marrëdhëniet e dobëta sociale dhe rritje të rrezikut për vetëvrasje.

Edhe fëmijët ndikohen nga pabarazia sociale

Papunësia nuk duhet të konsiderohet vetëm si problem individual, por edhe shoqëror. Papunësia e madhe në qytete dhe lagje zvogëlon mundësitë për një shoqëri të shëndoshë dhe jetë cilësore banimi. Gjendja mentale është e prekur dhe mundësia e shkollimit është shumë e vogël. Krijohet një ndjenjë e pabarazisë që mund të shkaktojë trazira sociale dhe tension të madh, gjë që rezulton me një atmosferë jo të mirë shoqërore apo ndoshta edhe të rrezikshme. Ndoshta kjo është arsyeja pse pak kosovarë kanë besim në aftësitë e partive politike për të adresuar krizën e papunësisë. Mundësia e krijimit të vendeve të punës duhet të jetë një aspekt më qendror i identitetit të politikanëve shqiptarë. Sepse varësisht se një pjesë e madhe e popullatës ka qenë shumë e ndikuar nga kriza e papunësisë, ata së paku kanë pak shpresa në partitë politike dhe duke besuar se do ta trajtojnë mundësinë e uljes së papunësisë si një obligim primar, ata ua kanë dhënë votën atyre që janë në krye të shtetit apo të komunave. Duhet pasur parasysh se në një gjendje të tillë aq të varfër ekonomike dhe psikologjike, mund të jenë edhe më të afërmit tanë, shokë, fqinjë, por edhe nëse janë vetëm kalimtarë të rastit në jetën tuaj, nuk duhet gjykuar, por duhet mundësisht t`iu jepet përkrahje morale e financiare. Më e keqja është se fëmijët janë të ndikuar po ashtu, edhe pse ata janë të pafuqishëm të punojnë apo, thënë më mirë, të luftojnë për një gjendje më të  mirë  ekonomike. Në shumicën e rasteve, atyre u prezantohet një negativitet për botën e tyre, gjë që i bënë të humbasin vullnetin për shkollim dhe ngritje personale, që është e nevojshme për të ardhmen e tyre. Andaj sidomos mësimdhënësit duhet të kenë shumë kujdes me këta fëmijë të ndikuar nga kriza e papunësisë së prindërve të tyre. Si te fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit, nevoja për përkrahje është shumë e madhe, andaj duhet të kemi konsideratë ndaj tyre, nëse duam të kemi një shoqëri më të shëndoshë dhe më të lumtur.

---------------

(Autorja është studente e Masterit për Psikologji në SHBA).



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx