E enjte, 01.05.2025, 10:06 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Rama-Topi dhe vdekja e Olldashit

E enjte, 23.01.2014, 08:33 PM


Darka Rama-Topi dhe vdekja e Olldashit

Nga Kastriot Myftaraj

Lajmi se Kryeministri Rama dhe ish-Presidenti e kryetari i Partisë FRD, Bamir Topi darkuan së bashku mbrëmjen e kaluar, nuk habiti njeri pasi një gjë e tillë merrej me mend qëkurse partia e Topit bëri aleancë me PS në zgjedhjet e fundit vendore në Korçë. Nëse ka një gjë që meriton vëmendje analitike në këtë ngjarje është se përse Rama dhe Topi, pas disa drekave dhe darkave sekrete që kanë pasur së bashku qëkurse Edi Rama është bërë kryeministër, vendosën që pikërisht tani të lejojnë që një ndodhi e tillë të bëhet lajm në media. Arsyeja se përse ndodhi kështu është se vetëm tani Bamir Topi u bind përfundimisht për të zbatuar planin e Edi Ramës që duhet fuqizuar partia e Topit me rrjedhje nga PD, dhe jo që Topi të bëhej kryetar i PD-së me mbështetjen e Edi Ramës, siç dëshironte Topi. Pas darkës së fundit të Topit me Edi Ramën, Topi përfundimisht nuk mund të kthehet më në PD. Darka kurorëzon disa veprime të Topit në dobi të Edi Ramës që në kohën kur ishte President i Republikës, më spektakolarët prej të cilëve veprime kanë qenë votimi i Topit për Edi Ramën në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe aleanca e partisë së Topit me PS në zgjedhjet e fundit vendore në Korçë. Shpjegimet që dhanë për darkën të dy palët, Rama dhe Topi, që në fakt tashmë janë një palë e vetme, nuk janë bindëse. Kryeministri dhe kryetari i partisë më të madhe në vend, nuk mund të ulet dhe të bisedojë për reformat me një parti që nuk ka asnjë deputet në Kuvend. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës dhe nuk ka ndodhur as në Shqipëri. Arsyeja e një darke të tillë mund të jetë dhe është vetëm një: diversioni politik i Kryeministrit kundër partisë më të madhe të opozitës, PD.

Dalja e Ramës publikisht në një darkë me Topin ishte sinjali publik që Edi Rama u dërgon kundërshtarëve të Bashës në PD, si dhe atyre të tjerëve në PD që nuk duan të vuajnë opozitën e gjatë, që të shkojnë te partia e Topit. Për të kontrolluar PD-në, Edi Rama ka skenarë të tjerë me Grida Dumën dhe të tjerë persona. Edi Ramës nuk i duhet një parti e madhe opozitare e kontrolluar nga Topi, se ndërkombëtarët dikur mund të kërkojnë ta sjellin në pushtet atë. Por Edi Rama kërkon të rrijë së paku nja katër mandate në pushtet, prandaj ai do më mirë një PD të ndarë në dy a më shumë parti, që të mos bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Në analizë të fundit është skenari i pëlqyer i Ramiz Alisë për pluralizmin politik me vetëm një parti të madhe, PPSH (PS), që në 1991 duhej të zbatohej me zgjedhjen e Gramoz Pashkos si kryetar i PD-së dhe që pastaj, pas zgjedhjeve do të hynte në qeverinë e koalicionit si zëvendëskryeministër. Kështu PD do të kishte humbur mbështetjen elektorale nga fakti që kryetari i saj ishte në qeveri. Edhe pa këtë PD nisi ta humbë mbështetjen elektorale për faktin që ishte në qeverinë e koalicionit me PS, të quajtur qeveria e stabilitetit, dhe shpëtoi nga skenari i Alisë vetëm kur amerikanët e nxitën Berishën që ta nxjerrë partinë nga bashkëqeverisja. Në atë kohë, ata që në 1991 nuk deshën që PD të largohet nga qeveria e koalicionit me PS, krijuan pas disa muajsh një parti, Aleanca Demokratike, që bashkëpunoi me PS-në, sipas skemës së vjetër të Ramiz Alisë për pluralizmin me vetëm një parti të madhe.(Me kalimin e viteve gjërat ndryshuan se PS i ndryshoi skemat dhe i braktisi këta njerëz.) Por në thelb këtë lojë të vjetër po luan Topi sot. Ajo që quhet Fryma e Re Demokratike nuk është gjë tjetër veçse Fryma e Vjetër Anti-PD, sipas skenarit ramizian të pluralizmit politik me vetëm një parti të madhe. Në funksion të këtij skenari të rimarrë nga Edi Rama, qeveria e sotme kërkon seriozisht të burgosë vetëm një ish-ministër të PD-së, Arben Imamin. Arsyeja është se Imami ishte i vetmi nga ata që u larguan në 1992 nga PD për në PAD, i cili ishte ministër në qeveri. Sinjali i Edi Ramës është i qartë: Unë nuk dua rikthime në PD, dua që të shkoni te partia e Topit.

Darka Rama-Topi është një ngjarje që hedh dritë edhe mbi një ngjarje tjetër misterioze, që është vdekja e Sokol Olldashit. Ky i fundit pati mbështetjen e Edi Ramës kur kandidoi kundër Lulzim Bashës për postin e kryetarit të PD-së. Kjo kuptohet edhe nga fakti se deri në 20 nëntor të vitit të kaluar, kur vdiq Sokol Olldashi, nuk kishte asnjë lëvizje nga ministritë që kishte drejtuar Olldashi për të përgatitur një dosje për abuzimet e tij, që më pas do të dërgohej në Prokurori. Olldashi kishte qenë për gjashtë vite e gjysmë (nga marsi 2007 deri në shtator 2013) Ministër i Transporteve dhe Punëve Publike dhe kur mbante këtë detyrë ishte akuzuar nga PS për shumë abuzime me tendera dhe dhënie koncesionesh e licencash të ndryshme. Më parë kishte qenë ministër i Punëve të Brendshme. Mes Edi Ramës dhe Olldashit ishte arritur një marrëveshje që nëse Olldashi do të bënte diversion në PD, atëherë Rama do t’ i garantonte paprekshmërinë. Por Olldashi nuk pajtohej me Ramën në një gjë. Rama donte që Olldashi së bashku me grupin e deputetëve që e mbështesnin atë të shkonin në partinë e Topit. Olldashi donte që Rama ta mbështeste atë për t’ u bërë kryetar i PD-së pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, kur Olldashi do ta sulmonte hapur Bashën duke përdorur si kartë humbjen e PD-së dhe moskandidimin e pritshëm të Bashës për Bashkinë e Tiranës. Por Rama kishte plane të tjera në mendje. Olldashi ishte nervoz për faktin se kishte humbur në bankruptin apo falimentimin e tre bankave të mëdha në Qipron Greke, ku ai i kishte depozituar pjesën më të madhe të parave të tij, dhjetëra milionë euro që kishte vjedhur duke abuzuar me detyrat e tij si ministër gjatë tetë viteve që kishte qenë në pushtet. Domethënë në letër ishte shndërruar në aksioner i bankave, që tashmë nuk vlenin asgjë. Tani Olldashi nuk kishte se ku të merrte para përveçse nga Edi Rama. Për Edi Ramën Olldashi duhet të ishte nënkryetar i partisë së Topit, gjë që Olldashi nuk e pranonte aspak. Kështu që Rama u detyrua të zgjidhte mes Olldashit dhe Topit. Se kë zgjodhi tashmë është e qartë. Olldashi përfundoi i vdekur në një yrt të shkretë (siç thotë Fan Noli në përkthimin e “Macbethit”) në Krrabë, ndërsa me Topin Rama darkoi mbrëmë.

Darka Rama-Topi ishte një darkë shekspiriane ku mysafiri i paftuar ishte fantazma e përgjakur e Sokol Olldashit. Darka Rama-Topi është çelësi për të kuptuar veprimet, apo më saktë mosveprimet e çuditshme të Policisë së Shtetit në hetimin e vdekjes së Olldashit. Se ka një mospërputhje të çuditshme mes angazhimit fillestar të qeverisë në këtë çështje, me ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i cili shkoi personalisht në vendngjarje, dhe mënyrës si është vepruar më pas në hetimet. Policia e Shtetit nuk ka bërë asgjë nga detyrat që i ngarkon ligji në këtë çështje. As Prokuroria nuk ka bërë gjë, por kuptohet se kur qeveria nuk dëshiron që të hetohet një çështje, Prokuroria nuk do të bëjë shumë. Pasiqë është vërtetuar se Sokol Olldashi nuk ka qenë në Elbasan, se automjeti i tij nuk rezulton që të ketë kaluar në tunel, atëherë del se ai ka qenë diku në të dya anët e segmentit të shkurtër mes hyrjes së tunelit dhe vendit ku vdiq. Dhe në atë vend ka qenë mes orës 18: 30 dhe orës 21:20 kur vdiq. Ku shkoi Olldashi në atë natë me shi (në 20 nëntor në atë orë është errësirë), në atë yrt të shkretë, po të përdor shprehjen fanoliane të përkthimit të “Macbethit”, mes tunelit të Krrabës dhe vendit ku vdiq? Në atë zonë, nëse futesh në rrugë anësore ka edhe vila, disa prej të cilave janë misterioze. Pikërisht në njërën prej tyre ka qenë në një takim Olldashi. Atje i është kërkuar për herë të fundit në mënyrë ultimative nëse pranonte të luante lojën ashtu siç ia kërkonin ata tek të cilët ishte shitur. Refuzimi i tij i kushtoi jetën.

As Policia as Prokuroria nuk guxojnë që të kërkojnë gjurmët e Sokol Olldashit në atë segment mes tunelit dhe vendngjarjes ku u gjend i vdekur. As Policia dhe as Prokuroria, nuk guxojnë të shohin në plagët e tij dhe në mungesën e gjakut, një ritual llozhash sekrete masonike, që ka të bëjë me një betim: Betohem se koka do të jetë e imja, por gjaku im tashmë është i juaji.). Fondacioni “Soros” nga ku është katapultuar Edi Rama në politikë funksionon vetë si një llozhë sekrete dhe Sorosi ka nxitur krijimin e llozhave sekrete në të gjitha vendet ku ka finacuar të ashtuquajturën shoqëri civile dhe politikën.

Leonardo Scascia (1921-1989) ka qenë një shkrimtar italian i cili e kaloi jetën duke bërë kërkime dhe përsiatje mbi qendrat sekrete të pushtetit në vendin e tij. Në më tepër se një nga romanet e tij Scascia merret me llozhat sekrete që ushtrojnë një pushtet të fshehtë mbi shoqërinë, duke manipular edhe politikën dhe institucionet kushtetuese që duhet të jenë të pavarura. Më i famshmi i librave të Scascia-s me këtë temë është “Todo modo”, ku flitet për një llozhë të tillë sekrete anëtarët e së cilës mblidheshin në një ndërtesë të veçuar jashtë qytetit. Ky roman i Scascia pati një histori të çuditshme. Në 1976 mbi bazën e tij u bë një film, ku personazhi kryesor ishte trukuar në atë mënyrë që t’ i ngjante një politikani italian të rëndësishëm të kohës, Aldo Moro. Në film ky personazh vritet kur del nga llozha. Dy vjet pasi kishte dalë filmi Aldo Moro, në atë kohë Kryeministër, u rrëmbye dhe u vra në rrethana ende sot të pasqaruara. Leonarda Scascia saora u ul të shkruante një libër për vdekjen e tij, që doli po atë vit, me titull “L’ Affaire Moro”. Tre vite pas vdekjes së Moros Policia italiane zbuloi në një ndërtesë të veçuar dokumentet e një llozhe masonike, P-2, duke përfshirë edhe listën e anëtarëve, dhe këto u bënë publike. Kjo llozhë është e vetmja në Perëndim dokumentet sekrete të së cilës janë bërë publike. Misteri më i madh mbetet se përse u bë ky zbulim. Por kjo nuk ka të bëjë me temën tonë. Tema jonë është vdekja e Sokol Olldashit. Dhe vdekja e Olldashit është një histori misteresh, shpjegimi i së cilës ngjan si një mistery fiction. Nëse nuk e pranojmë këtë atëherë çfarë të bëjmë me faktet e pashpjeguara. Vdekja e Olldashit është një kumt makabër i elitës sorosiane që ka marrë nën kontroll Shqipërinë dhe kërkon ta mbajë gjatë atë: Duhet të na bindeni ne ndryshe do të keni fundin e Olldashit!

Faktet e pashpjeguara të vdekjes së Olldashit kanë mbetur të tillë se qeveria nuk dëshiron që ato të qartësohen. Prandaj janë në mosveprim të plotë Policia e Shtetit dhe Prokuroria. Nëse do të ishte fjala për një krim ordiner, të kryer nga grupe trafikantësh me të cilët kishte lidhje Olldashi, ose për një krim të kryer nga opozita, qeveria sot do të kishte bërë gjithçka për të zbuluar të vërtetën se kjo do të ishte në dobi të saj. Në rastin e parë qeveria do t’ u thoshte ndërkombëtarëve se është në gjendje që të zbulojë edhe krime hibride ku politika ndërthuret me mafien. Në rastin e dytë qeveria do t’ i jepte një goditje të rëndë opozitës. Por qeveria nuk do që ta zbulojë të vërtetën e kësaj vdekjeje se e vërteta nuk është në dobi të saj.

Sipas planit të Edi Ramës, në darkën e djeshme, në krah të Bamir Topit duhet të kishte qenë Sokol Olldashi. Ky i fundit mungoi se nuk u bind të bënte numrin dy në partinë e Topit. Vetë kryetari Rama kishte në krah në këtë darkë një dëshmitar të padëshiruar të një krimi të tij. Niko Peleshi u bë zëvendëskryeministër vetëm se, kur ishte kryetar i Bashkisë së Korçës ka kryer në emër të Edi Ramës operacionin e vjedhjes së tablove të piktorit më të madh shqiptar, Vangjush Mios. Niko Peleshi ishte ai që kishte në varësi galerinë lokale të arteve ku mbaheshin këto tablo, dhe ai qëllimisht kishte krijuar kushte që tablotë të vidheshin. Humbja e tablove të Vangjush Mios në Shqipëri, është baras me humbjen e tablove të Leonardo Da Vinçit në Muzeumin e Louvre, në Paris. Vetëm kjo ndodhi do të kishte mjaftuar që Niko Peleshi, në mos të hynte në burg, së paku të merrte fund karriera e tij politike. Por Edi Rama ishte bashkëfajtor me Peleshin kështu që, ose do të duhej ta dërgonte këtë në një udhëtim olldashian, ose do të duhej ta shpërblente duke e mbajtur pranë vetes si Enver Hoxha Pilo Peristerin.

Darka Topi-Rama e ka tronditur shumë Mero Bazen, i cili kohët e fundit, pasi Edi Rama drekoi publikisht me të në Sarandë, kishte nisur të shtirej sikur Edi Rama ia kishte besuar penës së tij paralajmërimin e lëvizjeve të tij politike, ashtu siç bënte Berisha dikur, dhe që tekefundit ishte arsyeja se përse lexoheshin editorialet e Meros. Nëse do të kishte qenë ashtu siç thotë Meroja, atëherë në një nga dy-tre ditët para darkës Rama-Topi, Meroja duhet të kishte bërë një editorial ku të shpjegonte se përse duhej që Topi të bashkëpunonte me Edi Ramën. Por nuk pati një editorial të tillë. Kjo tregon se Edi Rama e quan përfundimisht të konsumuar Meron, pasi e përdori atë si misionarin e tij pranë Olldashit, gjë që e ka pohuar edhe vetë Meroja në shtyp. kur ka thënë se në muajt para vdekjes së Olldashit ka qenë pothuajse gjatë gjithë kohës me të. Si duket Rama konsideron se i ka bërë një të mirë të madhe Meros, duke e njoftuar, me një shkak të rremë, se në mbrëmjen 20 nëntorit nuk duhet të ishte me Olldashin. Një tjetër gazetë pro Edi Ramës, pronari i së cilës e mbante veten si mikun e Olldashit, na bënte të ditur sot se darka Rama-Topi erdhi pas negociatave të gjata mes dy palëve. Nuk e kupton dot ky zotëri që kështu i prish punë Edi Ramës, pasi njerëzit do të pyesin për shkakun se përse u bënë këto negociata të zgjatura. Se nuk është e besueshme që janë bërë për t’ u emëruar Bedri Blloshmi drejtor i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë! Ironikisht gazeta ka të drejtë se negociatat kanë nisur që rreth dy muaj para vdekjes së Olldashit, dhe Topi kërkoi neutralizimin e këtij të fundit.

Dhe në fund një pyetje: çfarë ju kujton e kuqja që dominon në këtë llozhë sekrete: ngjyrën që Edi Rama iu ka dhënë zyrave qeveritare apo jo? Edi Rama nuk e ka bërë këtë për përkushtimin ndaj komunizmit, në mos ngjyra e komunizmit ishte huazuar nga këto llozha.



(Vota: 7 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx