E enjte, 01.05.2025, 01:57 PM (GMT+1)

Mendime

Shaban Peraj: Përse heshtin kompetentët

E enjte, 16.01.2014, 08:34 PM


Përse heshtin kompetentët

Shkruan: Shaban Peraj

Nga debatet televizive të organizuara në prag të zgjedhjeve të parakohshme lokale në Ulqin , më 26 janar , nuk të dëgjon veshi  tjetër  vetëm fjalë të cilat thuhen, dhe pastaj I merr era, por ama janë fjalë prekëse ato që I dëgjon nga  prijësit e politikës të kujtdo krahu qofshin, por që janë hije e zbehtë  nga kushdo që I thotë. Duket se të njëjtit e kanë profesion vetëm të flasin, të flasin edhe atëherë kur nuk I pyet kush, dhe kështu vazhdojnë t’I qesin njëri-tjetrit të palarat në shesh!  Nuk bën ndryshe, nuk ke edhe çfarë pret më shumë prej tyre, kur të njëjtit ia thonë toç në sy tjetrit  pa asnjë konsiderate, për sa kohë  ishin në bashkëjetesë, dhe tash pasi kjo u prish , fillojnë të dalin vazhdimisht me komunikata e deklarata sa qesharake aq edhe çmendëse karshi atyre që u trazojnë jetën , atyre që çdo ditë nga keq qeverisja e tyre  I kanë sjellë në vështirësi, telashe e dhimbje, pa u turpëruar se janë duke punuar e vepruar  jashtë kodit moral politik.

Le t’I marrim këto deklarata  të tyre si shumë serioze , tash pasi e prishën bashkëjetesën,  po çfarë do të kishte ndodhur sikur së bashku ta përfundonin mandatin deri në fund? Paskan dashur të heshtin për problemet e ngritura në debate televizive e në medie të shkruara! Atëherë edhe më keq se kaq. Problemet në qeverisje të krijuara prej tyre  dje, e ata që krijohen sot në të vërtetë janë përherë të njëjta. Këtu nuk ka vend për shfajësim, këtu vendi është për diku tjetër, atje ku “kërkojnë” edhe ata, por çe do se më pare duhet të flasë dikush për të marrë iniciativë organet gjegjëse ! Duhet zbardhur e vërteta rreth akuzave që ata bëjnë për njëri-tjetrin, ndryshe hipokrizia është institucionalizuar, ndaj dyshohet se do thuhet e vërteta. Qytetarët bëhen sikur nuk i kuptojnë  këta politikanë , apo preferojnë të heshtin  duke thënë në vete: Punën le ta bëjnë politikanët.  Kështu këta ndihen komod, qëndrojnë mbi ne sipas oreksit të tyre, janë të gjithëpushtetshëm dhe pa ferrë në këmbë vazhdojnë të rinohen sipas modes, nuk merzitën, bëhen të plotëfuqishëm dhe krahas politikës drejtojnë mediet  duke treguar pështirosjen që si duket e kanë nga hallet tona.

Për të satën herë  po dëshmohet se kjo klasë politike kujtohet për ne vetëm para zgjedhje, dikush me seriozitet e dikush për të mbrojtur bizneset e për t’u pasuruar shpejt, në një kohë kur për ne flasin e veprojnë sa për sy e faqe. Kështu ata I krijojnë vetës komoditet  duke besuar se pasuria u jep pushtet , duke na injoruar  vazhdojnë vetëm të flasin, të flasin dhe asgjë më shumë. Çfarë duan të thonë për akuzat që I bëjnë njëri-tjetrit , nëse jo sa për të treguar  se janë të paprekshëm , se janë pushtet me të cilin sillen sipas modes së tyre, pa pasur një strategji  e duke punuar mbi bazën e mospërfilljes  së ligjeve, në mungesë të një strategjie politike  për ecurinë e mbarëvajtjes  dhe mirëqenies  së atyre që duhet t’I votojnë nesër.

Tani këtu çështja është se a duhet të merren me politikë e të jenë të pafajshëm këta  që sjellin amoralitet, ku epiteti u mbetet politikanë të pamoralshëm , bazuar në sjelljet e tyre. I kuptojmë deridiku  se aty ku zhvillohet  “luftë”  për të marrë pushtetin, aty nuk ka vend për politikanë të moralshëm, por të mos harrojmë se qytetarët e Ulqinit  po ballafaqohen me luftën për mbijetesë, për kafshatën e bukës dhe për një të ardhme më të mirë. Këtë se ata kanë standardin më të ulët  dhe se është komuna më e varfër në nivel të komunave tjera në Mal të Zi e dëshmojnë edhe statistikat e dhëna zyrtare , ndaj u takon këtyre politikanëve zhurmaxhi të Ulqinit  që të angazhohen seriozisht  me vepra, e jo me fjalë, u takon të marrin përgjegjësitë, të realizojnë premtimet e dhëna, nëse jo, atëherë ta thonë të vërtetën. Pse!? Gjendja konfliktuale nuk mund të zgjasë. Se kush do ti fitojnë zgjedhjet e parakohshme lokale  në Ulqin mbetet për t’u parë.Të shpresojmë më në fund se të gjithë e sidomos ata që kanë përgjegjësi institucionale  pas këtyre zgjedhjeve  lokale të bëjnë punën e vet sipas rregullave e ligjeve në fuqi  duke u dhënë llogari qytetarëve  me një transparencë e prioritet për vet qytetarët e Ulqinit. Ata tashmë e meritojnë këtë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx