Mendime
Sibel Halimi: Religjioni, rikthim në rrënjë apo panik
E diele, 12.01.2014, 05:50 PM
Religjioni- përçarje, rikthim në
rrënjë apo panik
"Në bazë të çdo feje, kodi i papërcaktuar i parathemeluar tejkalon të drejtën e individit për të eksploruar, përjetuar dhe për t`u mrekulluar me misteret e jetës dhe vdekjes. Feja nuk na njofton me Perëndinë, por me skllavërinë. Ata na privojnë lirinë tonë për të eksploruar vetë shpirtrat tanë dhe për të zbuluar mundësitë e pafundme dhe të mrekullueshme të paraqitura për ne nga universi i pafund. Dhe në të shumtën e herëve mënyra e feve është frikë, jo dashuri. Ata kërkojnë nënshtrim të verbër dhe shpesh bindje ndaj dogmave të tmerrshme" (Gerry Spence)
Nga Sibel Halimi
Debati mbi religjionin në Kosovë, i nxjerrë në sipërfaqe nga rrjetet sociale shtron nevojën e një debati të gjerë e përmbajtësor. Në rastin e kundërt, një debat prapa kuintave do të formësohet në një projekt politik më gjithëpërfshirës për përcaktimin e identitetit fetar.
Prandaj në këtë kontekst nuk është e rastësishme që vëmendja e brendshme lidhur me tensionet në raportin fe-formacione të ndryshme shoqërore, reflekton shqetësimin jo vetëm për identitetin kombëtar, siç pretendohet, por në veçanti edhe në kontekstin ndërkombëtar. Kjo tendencë e shndërrimit të religjionit në fuqi ndikuese do të jap të gjitha përgjigjet për shumë probleme fundamentale me të cilat përballet shoqëria kosovare.
Të gjithë kundër të gjithëve
Diskutimi për religjionin në rast se përcakton qëndrimin apo besimin në disa vlera të predikuara, nuk ka nevojë të shihet si përçarje, siç po ndjehet kjo panik, por është nevojë dhe vetëdije se temat si religjioni duhen të debatohen dhe janë të prekshme aq sa mirëqenia e qytetarëve. Por ajo çfarë mbetet të analizohet është mënyra se si po diskutohet dhe kush po pretendon veten ta ndjejë viktimë e kush fuqi dhe nga kush?! Kjo e lidhur ngushtë edhe me tendencën e përhapjes së frikës, duke iu referuar burimeve të ndryshme si: atdhetarizmit, kombit dhe identitetit islam apo të krishterë. Prandaj, në këtë kontekst shoqëror, përfshirja e personave publik në debatin e fesë në Kosovë është burim i rëndësishëm i krijimit të vetëdijes dhe orientimit të debatit brenda suazave demokratike. Por, kjo kornizë zor të ruhet nga qëndrimet përfundimtare, të cilët po shfaqen në debat nga anë të ndryshme. Në këtë kontekst, ligjëruesi në degën e gazetarisë, Milazim Krasniqi, duke aluduar në debatin për këtë çështje, e projekton frikën nga islami, të cilën ia adreson një grupi të papërcaktuar, por të cilin e stigmatizon skajshmërisht. “Nëse në kohën e komunizmit ata vetë (e pakta prindërit e tyre) ishin argatë të UDB-së, tash sillen si argatë të Vatikanit”, shkruan ai në një postim të tij në FB. Mëtej, ai vazhdon me tezën e tij kërcënuese kundrejt një pakice religjioze.
“Fanatikët katolikë në Kosovë po luajnë shumë keq me kartën e shqiptarizmit, gjoja se ata qenkan vulëmbajtësit e tij. Por, kjo pandehmë është shumë arrogante. Nuk ka mundësi që 4 për qind e një populli të jetë vulëmbajtësi i shqiptarizmit. Pa shqiptarët që i përkasin besimit islam, nuk do të mund të kishte Kosovë shqiptare dhe as shqiptari në këto troje”.
Gjithsesi që një qëndrim i tillë i mbyllur provokon anën e kundërt, ndaj Anton Berisha, anëtar i AAK-së, e legalizon kërcënimin e Krasniqit. “Ne këtë situatë, katolikëve u ka mbetur migrimi”, përfundon ai.
Një uverturë e rrezikshme në një çështje të ndjeshme, njëlloj tendence për prishje ekuilibri-bashkëjetese ndërmjet konfesioneve fetare në Kosovë, sado e shtirur të jetë ajo.
Kjo koekzistencë më shumë prodhim i një situate, sesa një realitet i përjetuar. Duke u përballur me ekzistencën e qenies kosovare, natyrisht që askush në vitet e 90-a nuk i ka rënë çështjes së ndasive religjioze apo idesë së primatit të njërës ndaj tjetrës. Prandaj, ishte pikërisht ajo kohë që prodhoi klerikë të të dy konfesioneve kryesore fetare në Kosovë që mbi fe vunë kombin për të ardhur deri në momentin aktual, kur kjo tezë përmbyset radikalisht nga klerikë të kësaj kohe- misionar politik e ideologjik. Nga ky prizëm mund të kundrohet një takim tête-à-tête ndërmjet, tashmë mullait në zë, Shefqet Krasniqit dhe akademik Rexhep Qosjes. Asgjë më shumë se sa një takim mullahësh. Çfarë mund të bisedojë një akademik me një imam xhamie?! Sigurisht mund të kenë folur edhe për aktin e fundit (vdekjen), por ama edhe për të gjallët e vdekur (vetëdijen e fjetur). Mbase, zor të besohet që Qosja të ketë qenë kritik ndaj gjuhës së urrejtjes që mullai ka kohë që predikon gjithandej ndaj atyre që mendojnë ndryshe, por edhe ndaj figurave kombëtare.
Por, një zë në këtë plan nuk e nxori asnjëherë as shtëpia që e strehon Qosjen, Akademia e Shkencave. Mbase jo për këtë çështje, por për asnjë të këtij rangu. Prandaj, ky abstenim akademik krijon terren për mulla të tillë, të cilët luajnë rolin e gardianëve të vlerave morale, shndërrohen në mendimtar “kredibil”, duke mbajtur ders e dhënë fatva për ata që mendojnë ndryshe.
Prandaj, akademik me kredenciale, mos u çuditni kur mullai, konkurrent serioz i juaji t`u vijë me ndonjë propozim që në hyrje të Akademisë të vendoset ndonjë sentencë religjioze, sall për ta dëshmu përkatësinë religjioze të këtij vendi. Kjo, sepse debati për religjionin do të ishte dëmi më i vogël nëse do të vlerësohej tendencë përçarëse, sepse do të mbetej vetëm në suazën e rishikimit të historisë. Por, kjo tendencë është siç ka shkruar Gerry Spence. “Ata kërkojnë nënshtrim të verbër dhe shpesh bindje ndaj dogmave të tmerrshme". E kjo do të arrihej vetëm nëse pjesë të saj bëhen ‘intelektualët’ dhe qëndrimet kozmetike të partive politike.
Partitë politike- opinion krijuese (sic!)
Religjioni në kontekstin e ideologjisë së partive politike, luan një rol të rëndësishëm për sa i përket edhe profilizimit ideologjik që kanë partitë politike në Kosovë. Norberto Bobbio në librin e tij “E djathta dhe e majta”, Gjykime dhe kuptime të një dallimi politik”, shkruan se feja është në të djathtë, ateizmi në të majtë, në kontekste të ndryshme.
Ai vë në pah nëse kundërthënia mes momentit fetar dhe atij politik nxjerr në fund të fundit dallimin në mes të djathtës dhe të majtës, dallimin mes së shenjtës dhe profanes, brenda të cilit gjejnë vend edhe plot dallime tjera si ai midis rendit hierarkik dhe rendin barazimtar dhe ai midis qëndrimit tradicionalist, përkrahës së vijueshmërisë dhe qëndrimit progresist ose të orientuar nga e reja, përkrahës të shkëputjes, ta pavijueshmërisë.
Pra, partitë politike në Kosovë në kontekstin e ideologjive si dhe deklarimeve të tyre për çështje të ndryshme fetare do të ndihmojnë edhe në përcaktimin e identitetit të tyre ideologjik.
E pretenduar si parti e djathtë, e vetmja është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kreu i së cilës e ka konkretizuar qëndrimin në lidhje me fenë, duke u pozicionuar në favor në ruajtjes së islamit tradicional, kundër derivateve të tij të pasluftës në Kosovë. Sipas Bobbios, shpirti i së djathtës mund të shprehet nëpërmjet motos “Asgjë jashtë traditës e kundër saj, gjithçka brenda traditës e për të”. Por, ai potencon se ekzistojnë modalitete të ndryshme të së djathtës, varësisht nga kuptimet e ndryshme që i jepen termit “traditë”. Prandaj, deklarimi i liderit të po të së njëjtës parti për një islam atdhetar, autokton, është në përputhje edhe me trajtimin që bënë Bobbio termit traditë, së cilës ia atribuon gjashtë elemente: tradita si arketip, si përcaktim ideal i një epoke aksiale, ose vendimtare, në historinë e njerëzimit, tradita si një besnikëri e kombit, tradita si një kujtesë historike, tradita si të pasurit të njëjtin fat, dhe në fund tradita si vetëdije e kompleksitetit të realitetit.
Por, për dalim nga subjekti i mësipërm, Lëvizja “Vetëvendosje”, ka mbajtur pozicion me ambiguitet. Teksa janë shprehur në favor të legalizimit të shamisë, lideri i saj, megjithatë ka mbrojtur karakterin laik të shtetit, duke mbështetur ndarjen e shtetit nga feja. Gjithashtu, ai është shprehur edhe në favor të futjes së një lënde mbi religjionin, por jo të edukatë fetare.
Në këtë kontekst, këto dy parti ndër të tjera kanë trasuar rrugën drejt deklarimit të të gjitha partive politike në Kosovë për sa i përket jo vetëm religjionit por edhe çështjeve të ndryshme të padiskutuara deri më tani. Kësisoj partitë përpos që synojnë grupe ta caktuara të interesit, do të duhej ta përqendronin energjinë edhe në eliminimin e temave tabu, të cilat mbase do të duhej të ishin pjesë edhe e platformave të tyre partiake.
Nuk është ideja të flasim në zbërthimin e asaj çfarë është politikë dhe çfarë fe, ngase emëruesi i përbashkët i të dyjave është pushteti, respektivisht ndikimi që synojnë ta kenë në kodifikimin e vlerave fundamentale për shoqërinë kosovare.
Shteti i Kosovës duhet ta ruajë sekularitetin në hapësirën publike, gjë të cilën aktualisht nuk ka arritur ta menaxhojë në mënyrën e duhur e as në përballje. Madje po i njëjti shtet, frymën në të cilën është duke u ndërtuar ka arritur të ekzistoj edhe pa elitën, e cila së paku do ta mbante apo ruante gjallë nga rrymat të cilat rrezikojnë çdo ditë e më shumë, qytetarinë.
Vdekja më vjen nga pamja e tillë!
Shkrim i botuar në gazetën “Koha Ditore”, më 11 janar, në faqe 11