E marte, 30.04.2024, 07:06 PM (GMT+1)

Mendime

Naser Sertolli: Për çka luftohet në Siri?

E premte, 10.01.2014, 08:05 PM


Për çka luftohet në Siri?

Nga Naser Sertolli

Nuk ka njeri me ndjenja që, kur ka parë fotografi e incizime me krimet e llahtarshme të kryera nga regjimi sirian, të paktën të mos i jenë ngritur mornicat. Ndonjëri mund të jetë tronditur aq shumë sa që ka ndarë mendjen menjëherë – u nisa për Siri. Zgjidhjen mund ta ketë parë vetëm në pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën e armatosur kundër regjimit kriminel të Bashar al-Assadit.

Sipas të gjitha gjasave, pamjet makabre, pothuaj të përditshme, nga ky vend i Lindjes së Mesme, kanë qenë ato që i kanë shtyrë disa të rinj shqiptarë, të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera përreth, që të nisen për në luftë kundër regjimit gjakatar sirian. Pra, ideja kryesore e nisjes për në luftë mund të supozojmë se ka qenë mposhtja e forcave qeveritare siriane, e trofeu - koka e Basharit.

Por, pasi të kenë shkuar në terren, ashtu të paorganizuar, luftëtarët vullnetarë shqiptarë do të jenë përballur me një realitet të papritur. Në vend se të gjejnë grupet rebele të bashkuara rreth një kauze të vetme, atë të heqjes qafe të Bashar al-Assadit dhe të regjimit të tij, të rinjtë tanë do t’i kenë gjetur ato pikë e pesë: një grup që për synim do të ketë pasur formimin e një shteti islamik në territoret e Sirisë, Irakut dhe ndonjë vendi tjetër dhe vendosjen e Sheriatit si legjislacion; një tjetër të përbërë nga luftëtarë që xhihadin e kishin për qëllim të vetëm, e forcat qeveritare siriane ishin armiku ndaj të cilit do ta zhvillonin luftën e tyre të shenjtë; dhe grupi tjetër me të cilin mund të jenë takuar të rinjtë tanë është ai i luftëtarëve të vërtetë të revolucionit, pra i atyre që qëllim të parë dhe të fundit kanë largimin e regjimit shtypës dhe të padrejtë të Assadit.

Ata që do të kenë pasur fatin e keq të hasin në grupin e luftëtarëve të “Frontit al-Nusra” (e besatuar me organizatën që konsiderohet terroriste “Al-Qaeda në Irak”), ose në “Shtetin Islam të Irakut dhe Levantit” (grup që u shkëput nga i pari, dhe që përbëhet, po ashtu, nga ekstremistë islamistë), mund të jenë përballur me dilemën: të tërhiqem apo të hidhem në vallen e “luftës së shenjtë”, të cilën e proklamonin të dy grupet? Vendimi i parë do të ketë qenë me më shumë rrezik për ta. Prandaj, vazhduan, deri kur do të bien “shehid”. Njëri pas tjetrit.

Ajo që do ta kenë kuptuar xhihadistët tanë të zorit me kalimin e kohës është se ajo për çka ishin nisur drejt Sirisë nuk ishte objektivi kryesor i grupeve në të cilat ishin inkorporuar. Tashmë dihet publikisht se dy grupet në fjalë i kanë shpallur luftë të hapur njëri-tjetrit. Lufta e shenjtë kundër jobesimtarit Bashar al-Assad ka kaluar në plan të dytë. Xhihadi tani është i drejtuar kundër atyre jobesimtarëve që deri dje ishin vëllezër, të fesë e të armëve. Ka indikacione që dy kosovarët që ranë “shehid” ditëve të fundit të jenë viktimë e kësaj lufte vëllavrasëse. Pra, viktimë e grupeve që luftojnë për interesa të cilat vetëm Zoti e di çfarë janë.

Prandaj, kjo situatë konfuze në Siri duhet të jetë mësim për secilin që mund t’i mbushet mendja të shkojë ta kryejë “obligimin”. Sepse mund të shkojë si “qeni n’rrush”, siç thotë populli. Ndërsa, rebelët sirianë, ata të vërtetët, më së paku kanë nevojë për luftëtarë sharlatanë. Ata kanë nevojë për ekspertë ushtarakë, për mjete e për ndihma humanitare. Nëse nuk jemi nga këta të fundit thjesht do të bëhemi vetëm barrë e revolucionarëve anti-Assad dhe hendikep i familjeve tona dhe i shoqërisë tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora