E enjte, 01.05.2025, 12:11 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Loja e pardesybardhëve

E merkure, 08.01.2014, 08:31 PM


RD - NJË LOJË E PARDESYBARDHËVE DHE ISH MEGAFONËVE TË REGJIMIT TOTALITARIST

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Rilindja Demokratike, e konsideruar si gazeta e parë opozitare, festoi 23 vjetorin. Në vetvete kjo gazetë pasqyron dramat dhe dështimet që ka vuajtur pluralizmi shqiptar, i kontrolluar që në gjenezë nga PPSH.

RD lindi si shpresë dhe kishte shumë shanse që të mos e komprometonte misionin e saj. Por nuk e lanë pardesybardhët.

Kishte shanse që vetë njerëzit e Ramiz Alisë, që njihen si themeltarët e Rilindjes Demokratike, të ndryshonin lëkurë, të konvertoheshin. Por ata që ishin pjesë e pushtetit 23 vjeçar nuk u konvertuan kurrë.

Rilindja Demokratike u krijua, sipas një skeme, nga ata që ishin pjesë e bërthamës të propagandës në shtetin komunist, të cilët ndryshuan zyrat nga selia e Komitetit Qendror të Partisë të Punës në selinë e PD dhe të Rilindjes Demokratike.

Por, megjithatë, kishte plot shanse që RD t‘i shpëtonte këtij skenari, sepse kishte njerëz të penës të persekutuar gjatë regjimit, ishte klasa e të përndjekurve, ishin gazetarë me integritet të pastër. Pastaj ishte brezi i ri i gazetarëve. Të gjithë mezi prisnin që t’i shprehnin mendimet lirshëm, të tregonin vuajtjet, dramat, tragjeditë që kishin vuajtur në vetën e parë dhe si komb.

Të gjithë emrat që krenohen si themeltarët e Rilindjes Demokratike kanë qenë njerëz shumë të besuar të regjimit komunist. Ata krenohen edhe se kanë rrëzuar diktaturën. Nga zyrat e Nexhmije Hoxhës dhe selia e Komitetit Qendror të PPSH direkt si liberatorë!

Pikërisht ky kontigjent e mbajti gazetën nën kontroll. RD doli nga kontrolli i tyre në mënyrë sporadike deri sa degjeneroi përfundimisht në një fletushkë partie, ku zëri kritik nuk ekziston më.

Zëri kritik nuk ekziston askund në mediat e Shqipërisë. Ka larje hesapesh, ka sharje të slangut të rrugës, ka akuza të ndërsjellta, por zëri kritik është kthyer në taboo.

Sot Preç Zogaj, Besnik Mustafaj e të tjerë si këta krenohen se kanë krijuar RD. Është tallje e madhe me popullin shqiptar. Kur nga zyrtarë të lartë të bindur të regjimit të përmbysur, ata, sa hap e mbyll sytë, shfaqeshin si yje të propagandës opozitare!

Jemi dëshmitarë të asaj kohe. Më kujtohet Skënderi, si një nga intelektualët e rinj më të spikatur me zë kritik, shkroi një esse ku argumentonte se përse më 31 mars 1991 populli shqiptar do të duhej të votonte për PD. Ishte nga ato esse që të ngrenë shpirtin peshë. Essenë e dërgoi tek Frrok Çupi.

Shkuam bashkë tek Frrok Çupi, i cili megjithë korrektësinë dhe predispozitën, pa marrë parasysh se ishte kryeredaktor i gazetës, nuk e botoi essenë, që duhej të dilte një ditë përpara zgjedhjeve. Çupi i tha Skënderit se esseja ishte e mrekullueshme dhe se ai do ta mbante në arkivin e tij. Por nuk i tha se përse nuk do ta botonte dhe kush nuk e lejoi që të mos e botonte. Frrok Çupi është dhe nuk e di nëse e mban shkrimin e Skënderit në arkivin e tij, siç tha asaj kohe, por tani mund të tregojë se përse nuk u botua ajo esse në fundmarsin e 1991.

Me entuziazmin se Shqipëria kishte të parën gazetë opozitare dhe pa paragjykime, fillova të dërgoj edhe unë shkrimet e mia të para tek Rilindja Demokratike. Shkrimi i parë për Petro Markon u botua. Me vizën e kryeredaktorit. Dmth të Frrok Çupit.

Por pas këtij, megjithëse u prit shumë mirë, dera e redaksisë m‘u mbyll. Dëshmitar kam Mitro Çelën, i cili, vinte në RD pas një përvoje në redaksinë e Zërit të Popullit, prej nga ishte përzënë dhe kishte pasur disa peripeci. I vinte zor kur shihte se censura nuk më ndahej, paçka se thuhej se ishin ndryshuar sistemet. Më kujtohet njëherë kisha shkruar një koment të bukur mbështetur në poemën e poetit amerikan Carl Sandburg People, yes. Vija e shkoja në redaksinë e gazetës e takoheshim me Mitro Çelën. Ai ngrinte supet. E konsideroj Mitro Çelën një person liberal, nga ata që konvertohen, por nuk e kishte ai në dorë botimin e autorëve të Rilindjes Demokratike. Përzgjedhja ishte monopol i qoftëlargëve që u vetëshpallën si prurësit e lirisë, përmbysësit e diktaturës dhe themeluesit e shtypit të opozitar.

Drama e shtypit të lirë në Shqipëri vazhdon edhe sot e kësaj dite. S’ka media të lira. Ka media të kontrolluara nga politika. S’ka media të pavarura, ka media të varura dhe ndërvarura nga politika dhe oligarkët e rinj. S’ka zë kritik, sepse ka gërshërë censorësh. Vendi dergjet në korrupsion dhe sistemi është i rrezikuar, sepse nuk ka shtyp të lirë, pasi fjala e lirë është marrë peng nga ish propoganduesit e regjimit totalitarist.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx