E marte, 30.04.2024, 09:54 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Toleranca ndaj së keqes

E premte, 03.01.2014, 07:32 PM


Toleranca ndaj së keqes

Nga Alma Lama

Toleranca është një nga virtytet më të mira të njeriut. Ka të bëjë me kapacitetin për të pranuar të tjerët, të ndryshëm nga ç’je vetë. Një shoqëri demokratike nuk mund të kuptohet pa këtë cilësi.

Një shtet demokratik e ka të qëndisur këtë virtyt në çdo ligj e praktikë institucionale. Vendet me tolerancë më të lartë për të tjerët, rezultojnë të jenë ato më të lumturat e globit. Përkundrazi vendet më pak tolerante e disa aspak tolerante, nuk munden kurrsesi të gjejnë paqe të brendshme. Duke marrë parasysh rëndësinë, Kombet e Bashkuara prej 1995 kanë shpallur edhe një Ditë të Tolerancës, që është 16 Nëntori, e shoqëruar edhe me një deklaratë të Parimeve të Tolerancës.

E bëra këtë hyrje të shkurtër, e cila mund të vazhdojë pafundësisht nga përsiatjet letrare apo eseistike e deri te ato shkencoret për këtë cilësi të domosdoshme shoqërore, për të mos u keqkuptuar ajo që do të argumentoj më poshtë: tolerancën si problem.

Nuk di ta them se kur e ka zanafillën, por prej shumë vitesh toleranca ndaj fenomeneve negative në Kosovë është bërë e zakonshme. Do t’i veçoja tre probleme si më të rëndësishmet, pasi ato janë të pafundme.

Së pari, toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit. Sado që duket se ka një logjikë prapa kësaj, për shkak të viteve të jetuara në ilegalitet, nën një shtet armiqësor i cili kurrë nuk u përkujdes për qytetarët e tij, kthesa e madhe e çlirimit do të duhej të kishte bërë një kthesë rrënjësore edhe në mentalitetin e qytetarëve të Kosovës. Pranimi i krimit si gjendje normale, e bën gati të pashpresë një shoqëri.

Dëshmitë janë të përditshme për këtë pranueshmëri. Janë të papërfillshme reagimet kur njerëzit e inkriminuar udhëheqin institucionet dhe i dhunojnë ato; madje përkundrazi këto zgjedhje lokale na dëshmuan se të inkriminuarit mund të mbledhin më shumë vota se rivalët e tyre pa barrën e këtyre akuzave në shpinë; përditë publikohen skandale në media, por askujt nuk i bën përshtypje se pse të njëjtët zyrtarë vazhdojnë të mbajnë të njëjtat poste sikur të mos kishte ndodhur asgjë; tolerohet korrupsioni me gjithë varfërinë e skajshme të një pjese të mirë të qytetarëve; mungon tërësisht llogaridhënia për taksat e qytetarëve, por as për këtë s’mërzitet njeri; përkundrazi qeveria mund t’i shpenzojë paratë sipas qejfit, në vepra të mëdha-aty ku mundësitë për të vjedhur janë po kaq të mëdha; ta zëmë një kilometër autostradë që në Gjermani kushton 2 milionë, në Kosovë kushton 12 milion dhe për këtë toleranca e qytetarëve dhe e mediave është maksimale; tolerohen institucionet e drejtësisë të cilat zvarrisin me vite dosjet, në emër të ngarkesave të mëdha të cilat në vend që t’i shkarkojnë me punë, i stërngarkojnë me mospunë.

Qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe produktin e tyre, politikanët njëherësh shquhen për tolerancë ndaj Beogradit dhe kërkesave të tij; madje këto të fundit, pasi bëjnë pak naze i pranojnë, duke menduar se ndryshe ua marrin inatin ndërkombëtarët; janë tolerantë ndaj dhunimit të përditshëm të sovranitetit në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës; tolerohen bandat e krimit në veri në emër të stabilitetit edhe pse ata përditë e destabilizojnë Kosovën; tolerohet fusnota-shënjuesja më komike e asaj se çfarë është Kosova; tolerohen gjykatat e ndara; forcat e MUP-it të Serbisë në policinë e Kosovës, tolerohet heqja dhe përdhosja e simboleve të Kosovës; tolerohet flamuri serb mbi dyer të institucioneve edhe pse në emër të tij u bënë shumë krime, tolerohen madje edhe fotot e Sheshelit, kriminelit të luftës, në një afërsi pesë kilometrash prej Prishtinës. Toleranca ndaj Beogradit dhe politikave të tij është kthyer tashmë në një mënyrë të sjelluri; inferioriteti ia ka zënë vendin asaj krenarie e rezistence që i karakterizonte shqiptarët e Kosovës në vitet ’90 e më herët.

Si të mos mjaftonte kjo tolerancë, shoqëria kosovare është tolerante edhe ndaj grupeve krejtësisht jo tolerante që po tentojnë të zaptojnë edhe jetën publike; të diktojnë mënyrën e të menduarit, të sjellurit, të të veshurit. Është fjala për grupet e islamit radikal, që flet ne emër të myslimanëve të Kosovës, por që realisht nuk ka të bëjë asgjë me ata; që promovon format më fanatike të interpretimit fetar, të huaja edhe për shtetet nga e ka origjinën.

Viti i vjetër po mbyllet me thirrje për të mos e festuar festën tradicionale të Vitit të Ri; me bredha të rrëzuar nga ekstremistët e me posterë të ngjitur nëpër mure ku na tregojnë se Babadimri nuk ekziston, zbulim i madh shkencor ky i fundit. Përtej marrëzive të lartpërmendura, ekziston një frymë e urrejtjes që po mbillet veçanërisht ndaj grave, tipike për këtë ideologji ekstreme; mediat janë plotpërplot fyerje e sharje, kërcënime e banalitete si kurrë më parë në këtë shoqëri; mediat sociale janë shndërruar në ambiente të perversëve që vjellin gjithçka; djem të rinj po indoktrinohen e manipulohen nga imamë radikalë, e madje po nxiten për të shkruar e luftuar në Siri, në vendin ku organizatat terroriste shkatërruan revolucionin e nisur demokratik.

Kosovës po i rrëshqet përditë dheu nën këmbë, e të gjithë heshtin.

Deri kur kështu?!

Unë shpresoj fort që Viti i Ri 2014 të jetë ndryshe; së pari me një vetëdijesim shumë më të lartë të shoqërisë për rreziqet që po i kanosen shtetit të brishtë, rreziqe të cilat mund të rezultojnë me krijimin e një gjendjeje të pariparueshme; së dyti me një seriozitet më të madh të institucioneve dhe vetë shtetit në aksionin kundër të keqes, pasi po shkojmë përditë drejt vetëvrasjes politike; së treti me rritjen e tolerancës ndaj tjetrit që është i ndryshëm dhe zvogëlimin e tolerancës ndaj të keqes, të cilën e shohim, e ndjejmë, por nuk mund ta pranojmë si pjesë tonën.

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora