Mendime
Olsi Pajo: Alarm në planetin Mars!
E diele, 29.12.2013, 08:05 PM
Alarm në planetin Mars!
Nga Olsi Pajo
Aq shumë bujë bëri vendimi mbi refuzimin e statusit kandidat për Shqipërinë, saqë u dëgjua edhe në planetin Mars, atje ku thonë se jetojnë disa krijesa të tjera, jotokësore. Shefi i atij planeti, ca nga kureshtja sesi venë punët me tokësorët dhe ca nga habia sesi i ndodhi kjo gjëmë vëndit nga thuhej se kishte origjinën edhe ai vetë, dërgoi në Shqipëri një grup ekspertësh në mardhëniet me tokësorët, që të zbulonin sesi qëndronte e vërteta e madhe.
Të nesërmen e vendimit, ata mbërritën në Shqipëri dhe ende pa u çlodhur nga rruga e gjatë filluan nga puna. Dëgjuan opinione e lexuan artikuj, nga politikanë e analistë që u munduan t’i shprehnin, mbase edhe t’i fshihnin, arsyet e vërteta të këtij vendimi që s’ditën ç’emër t’i vinin, regres, nevojë për maturim, apo ishte si gjithë të tjerët që kishin dëgjuar për Shqipërinë, pjesë e një tranzicion sfilitës. Përtej zhurmave, thashethemeve, të vërtetave, brroçkullave dhe sofizmave, ky grup ekspertësh e kuptoi me lehtësi se fajin më të madh për këtë hap pa emër e kishte politika. Vetëm se ata ishin të paaftë ta gjenin të vërtetën e plotë. E ka fajin politika në tërësi, apo një pjesë e saj? E ka fajin politika e djeshme, apo ajo e sotme? E brëndshmja, apo e jashtjma? Kjo jona, apo ajo e të tjerëve? Ajo që duket, apo ajo që fshihet?
Të kënaqur, se me mëndjen e tyre kishin gjetur një përgjigje bindesë për shefin e tyre, i dërguan menjëherë faks atij, duke i thënë se një lavire e mistershme ia ka ngatërruar punët shqiptarëve. Sa keq i erdhi shefit të Marsit… Ekspertët, i përgëzoi për punën e shpejtë dhe konkluzionin e goditur, andaj si shpërblim vendosi t’i jepte një javë leje për të kaluar disa ditë pushime në Shqipëri, pasi kishin dëgjuar se Zoti u kishte falur shqiptarëve një vënd që as në Mars nuk gjendej. Sot, pak ditë pas kësaj ngjarje, në Mars ka rënë alarmi. Grupi i ekspertëve është shpallur në kërkim. Janë arritur të gjenden vetëm ditarët e tyre…
***
“ Lajmi që
erdhi në Mars, nuk paska qënë aq i rëndësishëm saç u duk. Shqiptarët nuk e
vriskan shumë mëndjen për punën e statusit. “Jemi mësuar tani, herën e parë e
kishim pak të vështirë”, thonë. Madje për ta, më mirë që ndodhi kështu. Anglezët,
një popull tjetër tokësor, i nisin bisedat e tyre me motin, një fenomen
atmosferik i jetës këtu në Tokë. Kjo ndodh sepse në vëndin e tyre moti është shumë
i paqëndrueshëm. Shqiptarët, për analogji, bisedat e tyre i nisin me çështjet
politike. Prandaj them që është më mirë për ta, sepse nëse do ta merrnin
statusin, biseda nuk do ishte aq e zjarrte. Janë popull kritik, dinë ta
analizojnë mirë humbjen, aq sa nuk pranojnë të fitojnë kollaj. Humbja me nder është
krenaria e këtij populli. Këto ditë statusi ka filluar të harrohet. Biseda ka
ndryshuar, është bërë edhe më e zjarrtë.
Eksperti i estetikës, në ditarin e tij shkruan:
“Në Shqipëri
estetika merr një dimension tjetër, krejt të panjonhur. Zakonisht, gjërat e
bukura dhe të veçanta të tokësorëve, në pamje të parë duken të pakuptimta, mirëpo
sa më në detaje t’i analizosh, aq më shumë i kupton, i ndjen dhe i shijon. Shqipëria
është ndryshe. Tek po vinim nga Marsi, prej lart, u mahnitëm nga bukuria e saj.
Personalisht, më shumë u habita nga një detaj tjetër, kur zbritëm edhe më poshtë, në një stacion autobuzi. Aty kuptova edhe thelbin e estetikës të shqiptarëve. Ata i bënin gjërat mbrapsh. Në fillim hipnin në autobus ata që ishin në stacion, pastaj zbrisnin ata që ishin në autobuz. Ka edhe nga ata që revoltohen. Sipas tyre, në fillim duhet të zbresesin ata që janë brënda, pastaj të hipin ata që janë në stacion. Të indinjuar nga revolta e padrejtë e atyre që duan të zbresin pastaj të hipin, këta që hipin përpara se të zbresin, ankohen në media dhe më gjërë për kushtet e papërshtatshme të trasnportit publik.”
Në ditarin e një eksperti tjetër, të interesuar në fushën e filozofisë:
“Duket se shqiptarët janë tokësorët e rrallë që kanë kuptuar thelbin e jetës në Tokë. Ata gënjejnë dhe bëjnë sikur gënjehën njëkohësisht, qajnë dhe qeshin njëkohësisht. Popull i gallatës! Kështu ndodh edhe me korrupsionin, një nga problemet më të mëdha të tokësorëve. Këtu korrupsioni nuk është problem, por argëtim. Në publik akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion, në fshehtësi korruptojnë e korruptohen dhe në darkë ia plasin gazit me bëmat e tyre. Në mëngjes vajtojnë. Herë qajnë e herë qeshin. I ka mbetur si shprehi nga sistemi i kaluar, për të cilin thonë se të vriste natën dhe të qante ditën.”
Për ta mbyllur, disa rreshta nga një ditar tjetër:
“Nëse ka një fushë ku është i pamohueshëm progresi i shqiptarëve, ajo është fusha e arsimit. Numri i të rinjve që shkojnë në gjimnaze, universitete dhe të diplomuar është më i lartë se asnjëhere tjetër. Numri i universiteteve gjithashtu. Janë popull aq arsimdashës, saqë paguajnë jo vetëm për t’u arsimuar, por edhe për t’u arsimuar me nota të larta. Ka biznesmenë të pashtershëm që paratë e tyre i çojnë në çeljen e universiteteve private, thelbi i të cilëve në çdo rast është cilësia e lartë. Të rinjte e pranojnë, vetëkënaqen dhe e kuptojnë fare mirë rëndësinë e arsimit të mirë. Për më tepër, arsimi është bërë pjesë e traditave dhe zakoneve të këtij populli. Jo pak herë, diploma konsiderohet si një stoli tepër e veçantë në pajat e nuseve.”
***
Për shkak të vazhdimsisë së hetimeve, nuk mund të bëhen publike më shumë detaje nga ditaret e ekspertëve të Marsit. Ditë të mëvonshme mund të publikohen rreshta të tjerë. Sidoqoftë, alarmi në Mars ka rënë! Nuk dihet pse është bërë kaq shqetësuese zhdukja e tyre. Mbase sepse shefi i Marsit ka dëgjuar se me shqiptarët përshtatesh shpejt dhe nuk do që t’i humbasë ekspertët e vetëm që ka për cështjet me tokësorët, ose mbase ngaqë prej ditarëve të tyre ka kuptuar se raporti i tyre nuk ishte tërësisht i saktë. Mos vallë fajin nuk e ka vetëm politika?!