Mendime
Mero Baze: Kush përgjigjet për imazhin e terroristëve?
E merkure, 29.01.2014, 08:40 PM
Kush
Nga Mero Baze
Një tjetër i ri shqiptar u vra sërish në Siri në luftimet mes palëve, në një luftë me motive të qarta fetare, ndërkohë që Shqipëria dhe Kosova po shtojnë prezencën e tyre në lajmet ndërkombëtare si vende që furnizojnë konfliktin sirian me ushtarë të Xhihadit. Ndërsa në Kosovë situate është delikate dhe pafuqia e institucioneve të shtetit të ri është e justifikueshme, në Shqipëri rasti është flagrant. Shtetasit shqiptarë, të përfshirë në një konflikt fetar, po bëhen vrasës dhe Shqipëria po merr taksën e një vendi që furnizon konfliktet ndërkombëtare me terroristë. Kjo është një çështje që prek thellë jo vetëm imazhin e Shqipërisë, por dhe sigurinë kombëtare në vend, pasi po bëhemi palë në një konflikt fetar për interesa tërësisht private të disa qytetarëve. Për këtë, institucionet që garantojnë sigurinë kombëtare duhet të kishin reaguar me kohë.
Por pse po heshtet?
Presidenti i Republikës, i cili ka kompetenca të drejtojë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, nuk e ka trajtuar asnjë herë këtë çështje. Ai nuk ka bërë asnjë gjest publik apo personal kundër këtij fenomeni.
Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili e ka për detyrë, qoftë dhe për shkak të partneritetit me SHBA, të jetë i ndjeshëm ndaj kësaj fushate rekrutuese, siç thotë Ministri i Brendshëm, nuk ka dhënë asnjë informacion për këtë fenomen.
Indoktrinimi i familjeve të varfra shqiptare, të keqpërdorur nga ekstremistë myslimanë, po shkon në ekstrem duke i rekrutuar si mish për top djemtë e rinj dhe duke i nisur në konflikte fetare në botë në emër të Al Kaedës.
Ka një justifikim të përgjithshëm se në Shqipëri ky nuk është fenomen shqetësues, pasi ka pak njerëz dhe nuk ia vlen debati për ta. Por e vërteta është se baza e rekrutimit të tyre është varfëria dhe injoranca dhe ato janë fenomene që kanë rrënjë në Shqipëri dhe mund të përbëjnë një trend të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.
Por këtu ka një problem serioz me strukturat e reja të Shërbimit Informativ Shtetëror. Stafi i ri i këtij institucioni, i rikthyer në vitin 2012, po rikthen në punë shumë punonjës të SHIK, që kanë pasur një orientim fetar dhe prirje për të qenë tolerantë ndaj këtij klani myslimanësh në shoqërinë tonë. SHIK u akuzua në atë kohë se toleroi dhënien e shtetësive deri për vëllain e numrit 1 të Al Kaedës sot, dhe se inkurajoi prezencën në Shqipëri të disa prej celulave më të rrezikshme terroriste në botë, që u dënuan, pas ekstradimeve, me vdekje në Egjipt dhe vende të tjera.
Shqipëria filloi t’i spastrojë këta elementë pas disa atentateve të Al Kaedës në vitin 1998 dhe më pas në vitin 2001.
Shërbimi Informativ Kombëtar u orientua, sidomos pas vitit 2002, drejt luftës kundër terrorizmit dhe rriti në një shkallë të lartë bashkëpunimin me qeverinë amerikane. SHISH u zhduk nga prezenca e tij në jetën politike në vend dhe nuk përbënte më objekt debati.
Sot SHISH po rikthehet sërish si debat publik, jo vetëm pse po toleron një vatër terrorizmi bazuar tek Xhihadi, por dhe sepse po shërben më shumë politikisht se sa si institucion i sigurisë kombëtare.
Deri më sot nuk kemi asnjë raport serioz mbi rekrutimet e shqiptarëve për terrorizëm në botë, asnjë raport serioz mbi aktet terroriste në Shqipëri dhe asnjë propozim ligjor për ndëshkimin e këtij fenomeni.
E përsëris se Shqipëria e ka të nevojshme të adaptojë në Kodin Penal si vepër terroriste nisjen e luftëtarëve për Xhihad dhe duhet t’i dënojë ata me ligjet e shtetit tonë, si pjesëmarrës në një konflikt që dëmton sigurinë kombëtare të vendit.
Shërbimi Informativ Shqiptar sot i ngjan më shumë një xhamie ku të punësuarit e rinj falen pesë herë dita, se sa një zyre të sigurimit kombëtar që duhet të angazhohet mes të tjerash për të garantuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Shumica parlamentare duhet të reflektojë sa nuk është vonë jo vetëm për të vendosur dënime ligjore për këtë fenomen, por dhe për të shpëtuar imazhin e një vendi, i cili përveç korrupsionit dhe varfërisë, tashmë po bëhet i njohur dhe për mercenarë në një luftë vëllavrasëse, në emër të Xhihadit. Dhe e vetmja mënyrë është rikthimi i SHISH në një institucion sigurie kombëtare, duke bërë po të jetë nevoja ndryshimet e nevojshme ligjore për të rindërtuar një institucion luajal me politikat shtetërore kundër terrorizmit.
Dy vjet më parë, kur Nishani dekretoi në këtë detyrë Visho Ajazin, tha se e bënte këtë pasi ia kërkoi kryeministri dhe se SHISH duhet të punojë me qeverinë. Nëse e ka pasur seriozisht, duhet të njëjtat arsye t’i përdorë përsëri. Nëse ka gënjyer, duhet trajtuar si një gënjeshtar, me të cilin nuk ia vlen të punosh dhe të shikohet mundësia e ndryshimeve ligjore.
Siguria kombëtare në vend nuk mund të lihet në dorë të një sekti, që janë gati të bëjnë Xhihad për Sali Berishën.