E enjte, 01.05.2025, 03:40 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Telefoni celular i proxy analistëve

E marte, 04.02.2014, 07:43 PM


Telefoni celular i proxy analistëve televizivë si smoking gun

Nga Kastriot Myftaraj

Ditët e fundit pati një debat të madh mbi manipulimin nga ana e politikanëve të analistëve të njohur të debateve televizive nëpërmjet sms-ve që përmbajnë pyetje ose frazeologji të cilat ata duhet t’ i recitojnë me patetizëm në studiot televizive. Dy analistë të njohur televizive Artan Hoxha dhe Artur Zheji u filmuan duke lexuar gjatë emisionit sms ku qortoheshin apo inkurajoheshin nga politikanë dhe familjarë të tyre për sjelljen e tyre në debatin televiziv. Të dy këta analistë mohuan që kjo ishte provë se ata qenë të manipuluar gjatë debateve televizive. Të tjerë analistë të njohur shpejtuan të shprehen me indinjim ndaj kolegeve të tyre, duke e stigmatizuar sjelljen e tyre si klienteliste ndaj politikanëve.

Kur e vërteta është se të gjithë analistët e njohur televizivë në Shqipëri e kanë bërë zakon që t’ i mbajnë telefonët celularë në dorë gjatë gjithë emisionit dhe të jenë të vëmendshëm gjatë gjithë kohës për sms-të që u vijnë atje. Kjo është një sjellje krejt joprofesioniste për një analist televiziv. Nga eksperienca ime them se një analist televiziv kur është në ekran, është si ai futbollisti që është në fushë gjatë një ndeshjeje futbolli. Ashtu si ky futbollist, analisti duhet ta ketë vëmendjen njëkohësisht në disa drejtime. Qoftë kur analisti është duke folur, qoftë kur nuk është duke folur. Kur analisti është duke folur, ai është si futbollisti që zotëron topin në fushë. Kur analisti nuk është duke folur, është si ai futbollisti që është në fushën e lojës, por që nuk e zotëron topin në ato momente. Futbollisti, qoftë kur e ka topin në zotërim, qoftë kur nuk e ka, duhet ta ketë vëmendjen në disa drejtime, te të vetët, te kundërshtari, madje lojtari i mirë e ka një sy edhe te traineri. Kur analisti është duke folur duhet ta ketë vëmendjen te ato që po thotë, jo thjesht për të ndërtuar argumentin, por edhe për ta artikuluar atë me atë masë fjalësh që lejojnë limitet e kohës televizive të përcaktuar për një ndërhyrje të tij në debat. Analisti i mire duhet ta shohe teleshikuesin, auditorin si futbollisti lojtarin kundershtar ne fushe, pra si nje partner skeptik dhe dyshues. Analisti i mirë profesionist duhet të mendojë paralel se si po e percepton atë që është duke thënë ai teleshikuesi, që mua në këtë rast më pëlqen ta quaj dëgjes. Analisti vërtet profesionist duhet të mendojë paralel me artikulimin e mendimit të tij se çfarë reagimesh do të kenë teleshikues të ndryshëm ndaj atyre që thotë ai, çfarë pyetjesh dhe dyshimesh u lindin atyre, dhe duhet të përpiqet që të thotë nga një fjali që iu jep përgjigje dilemave të tyre. Ky është arti i bindjes në shkallë sa më të madhe. Gjithashtu analisti profesionist duhet ta ketë mendjen dhe te reagimet që bën drejtuesi i emisionit ndaj fjalëve të tij, reagime që shfaqen me lëvizje, grimasa, shenja, gjë që unë e krahasoj me detyrimin që ka lojtari në fushën e futbollit për të patur gjithmonë një sy nga tranieri.

Një analist i mirë profesionist me vëmendje të përqëndruar në këto drejtime, nuk mund të ketë vëmendjen edhe te telefoni celular. Analisti me telefon celular në dorë gjatë debatit televiziv është një amator, jo një profesionist, është një sharlatan, jo një ekspert i debatit televiziv. Është si një futbollisht me telefon celulal në dorë gjatë ndeshjes. Analistet e ashtuquajtur te shquar televizive ne Shqiperi nuk kane asnje interes per teleshikuesin, masa e teleshikuesve eshte per ta nje hije ne sfond. Analistet e permendur kane interes vetem per auditorin e politikaneve te cilet i ndjekin dhe i komandojne ata.

Debatet televizive në Shqipëri kanë lindur bashkë me telefonin celular, kështu që analistët tanë televizivë janë në fakt telefonistë dhe jo analistë. Ata thjesht përçojnë mesazhet që i marrin nga të tjerët, kryesisht nga politikanët tek të cilët janë klientë. Pavarësisht nëse analistët e tjerë nuk janë kapur duke këmbyer mesazhe me politikanët gjatë debatit televiziv, telefoni celular i ndezur, në dorën e analistit gjatë debatit televiziv është një smoking gun, si të thuash, është arma e krimit që nxjerr tym, e cila zbulon fajtorin. Dhe me smoking gun në dorë janë parë deri më sot analistët e të dy palëve, të majtë e të djathtë. Shfajësimi i Artan Hoxhës dhe i Artur Zhejit është i mjerueshëm. Ata nuk mund të jenë profesionistë dhe të pafajshëm kur kanë qenë gjatë gjithë kohës në debatet televizive me smoking gun në dorë. Me smoking gun në dorë kanë qenë dhe kritikët e ashpër të tyre këto ditë Mero Baze dhe Mustafa Nano.

Pesë vjet më parë, në 19 mars 2009, në emisionin e Fevziut, u kapën dy analistë të majtë me smoking gun në dorë. Fatmir Mediu, i pranishëm në arriti të zbulonte se pyetjet që i bënin atij gazetarët e pranishëm duke lexuar në ekranin e telefonave të tyre, qenë sms që atyre ua dërgonte mumri 2 i Prokurorisë së Përgjithshme. Ky zotëri, duke ndjekur emisionin dhe posaçërisht thëniet e Mediut për çështjen “Gërdeci”, u dërgoi dhjetëra sms gazetarëve të pranishëm në emision, të cilët i udhëzonte për pyetjet që duhet t’ i bënin Mediut. Për mendimin tim Mediu duhet të ishte në burg për Gërdecin sot, por edhe ky zotëri duhet të kishte hyrë në burg për shpërdorim detyre. Bashkëfajësia e analistëve me këtë drejtues të Prokurorisë ishte lehtësisht e verifikueshme pasi kishte një kontakt intensiv telefonik të tij me ta pikërisht gjatë kohës së debatit televiziv.

Tashmë është e qartë për çdokënd se ata që janë pompuar për shumë vite si analistë të shquar televizivë, të cilët madje kanë ndikim edhe te politikanët, në fakt nuk janë gjë tjetër veçse proxy analistë, pra janë politikanët ata që kanë bërë dhe bëjnë analistin by proxy me anë të këtyre të ashtuquajturve analistë.

Analistët televizivë pa telefon celular në dorë gjatë debateteve televizive do të jenë diçka krejt tjetër, do të jenë surrogat i vetvetes. Pyetja që lind natyrshëm është se si shkruajnë këta analistë televizivë. Fjalën e kam për analizat politike që ata botojnë në shtyp. Kuptohet se kur ulen në kompjuter që të shkruajnë një artikull komunikojnë me sms. Madje ata kanë nisur që të bëhen të rremë edhe nga pamja e tyre. Pjesa më e madhe e tyre, sa më shumë u kalon mosha, aq më tepër kanë maninë që të duken të rinj. Prandaj i lyejnë flokët me bojë, bëjnë kirurgji plastike dhe përdorin të gjithë mënyrat që janë shpikur për ta bërë një njeri që të duket kinse më i ri. Shkurt, me kalimin e kohës kanë nisur të bëhen edhe fizikisht të rremë.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx