Mendime
Fadil Lepaja: Zhurma humane dhe hyjnore
E merkure, 05.02.2014, 08:05 PM
Zhurma humane dhe hyjnore
Nga Fadil Lepaja
Me vullnetin e zotit, pas shumë vjetësh diktature, vendi ynë fqinj, Shqipëria, u çlirua nga diktatura. Deri atëherë të vetmet zhurma që dëgjoheshin atje ishin autoambulanca, alarmet publike dhe... sirena e policisë. Pastaj erdhi sërish edhe ezani, kambanat etj!
Përgjithësisht
kapitalizmi konsiderohet më dinamik dhe më i zhurmshëm se socializmi, nëse nuk
i marrim në konsideratë mitingjet e organizuara nga militantët e partisë ku
hidheshin sloganet për partinë dhe udhëheqësin e pagabueshëm. Aty po që kishte
dinamikë dhe sinkronizim!
E ndër ne, këndej, falë zotit, i kishim të gjitha. Fqinji ynë verior, i cili na mbante nën pushtim, na lejonte të kemi edhe veturat tona, të kishim edhe rrobalarëse e televizor, edhe ezani thirrej me të madhe edhe kambanat binin! Edhe trurin na e shpërlanin, gratis!
Na lejohej të shkonim edhe në vendin tonë amë, kryeministri i të cilit është edhe vëllai i kryeministrit tonë! Pra në Turqi! Madje kur ne nuk donim të shkonim, këta na ndihmonin duke na vendosur me pahir nëpër trena, fshatra të tëra, dhe nën përcjellje të policisë sekrete apo xhandarmërisë, na përcillnin deri në kufi. Edhe hoxhallarët tradicionalë përhapnin entuziazëm për shpërnguljen kolektive në Anadoll! “Turk elhamdyrylah”, thoshin pleqtë dhe niseshin për në Anadoll me shpresë se ata do të ishin më të mëshirshëm se fqinjët veriorë! Fundja, tashmë gati ishim mësuar! Nuk janë pak 500 vjet!
E në vendin fqinj, kryeministri i të cilit është miku i kryeministrit tonë, nuk mund të shkonim! Këtu nuk themi dot se zoti i hapi rrugët, sepse zoti ishte i ndaluar me ligj! Por, perëndia në tokë vdiq dhe hapi rrugën për të gjithë! Kur shkuam... nuk ishte parajsë si e kishim menduar! Kishte filluar një garë e përgjithshme, një selektim i llojeve.
Secili bënte garë se kush po bënte më shumë zhurmë. Ishte gjallëruar mileti. Sidomos boritë e makinave të çanin veshët! “Nuk ke bori, nuk ke makinë”, po thoshte një shofer taksie asokohe.
Ndër ne makinat nuk ishin risi! Kur donte të na largonte nga dëshira për të parë andej gardhit, regjimi kolonizator na thoshte: keni më shumë makina, rrobalarëse, televizor...!
Por edhe ndër ne, u shfaq një zhurmë e re. Edhe gara ishte tjetër! Sirenat! Kalonte ndonjë autoambulancë me sirenën e lëshuar në maksimum. Ec e mos lësho rrugë. Të rrëqethej shtati! Shpesh sa për sport i lëshonin në maksimum, për të marrë përparësi kalimi!
Pastaj kalonin eskortat e udhëheqësve përplot merita që parakalonin po aq zhurmshëm përpara apo prapa qytetarëve të bezdisur. Zhurmonte sirena dhe kërkonte përparësi kalimi! E kur qëllonte të binte sirena prapa shpine, ti si shofer medoemos do të lëshoje rrugë. Pa çka se nuk e dije a po kalon një i sëmurë me urgjencë, apo një pushtetar i shëndetshëm. Megjithëse definicioni i shëndetit ende është i paqartë! Por u bë çka u bë! Tash kanë ndërruar gjërat.
Përpos me bori dhe me sirena ka filluar një garë e pashpallur edhe ndër imamët. Cili do jetë më i zëshëm me altoparlantin e tij. Teknologjia ka krijuar mundësi të pafund. Ai që ka kënaqësinë të ketë shtëpinë në mes disa xhamive ai po që e ka të qartë se kjo garë për xhematin duhet të zhvillohet me mjete të tjera. Kur fillojnë të 5-6 altoparlantë, sipas zakonit jonjëkohësisht, ti në pikë të natës ndreqesh ulur dhe nuk e kupton çka po ndodh! Pastaj e kupton!
“Ky shtet
e ka marrë teposhtën”, më kujtohet që thoshte dikur një plakë e mëhallës.
Çka të shohësh, shteti parakalonte me xhipa të kohës, dhe qytetarët thyenin këmbët për të ikur nga rruga e pashtruar. Pas xhipit mbetej një re pluhuri, e cila i mbulonte edhe pasthirrmat që kishin të bënin me... prindërit e shtetit!
“
Të rinjtë mendonin ndryshe! “Ka prindër shteti, si nuk ka”, thoshin ata dhe ia përmendnin që të dy në kontekst erotik.
Kjo më kujtohet sa herë parakalojnë zhurmshëm suitat e politikanëve të përcjella me sirenat e zhurmshme të policisë. “Nashtë, tanët janë”, po më thoshte një mik. “Së paku këta janë tanët”, po fliste si për të ngushëlluar veten, sepse të rinjtë si zakonisht, prapë përmendnin nënën dhe babanë e shtetit.
E kur jemi te sirenat, a thua sa decibel zhurmë prodhojnë ato? Më shumë se ezani?
Në Kosovë, me një shumicë të thjeshtë votash u miratua në parim një projektligj, i cili synon që të detektojë burimet e zhurmës dhe të krijojë pastaj edhe hartat! E zhurmës! Këtu janë përfshirë edhe pajisjet elektroakustike (të xhamive) dhe kambanat!
A duhet të ndihen të fyer besimtarët? A duhet të ndihen të revoltuar?
Ministri i Shëndetësisë u ndie i fyer. Ai si kryetar i një partie e përfolur si islamiste, lëshoi një deklaratë politike lidhur me këtë. Se te ne politika nuk përzihet në çështje të fesë. As qeveria as partitë! Është çështje private.
Një i njohur i imi më tha se ai, përkundrazi, po proteston në një mënyrë të heshtur, krejt origjinale kundër këtij ligji. Ai e kurdisi telefonin e tij mobil në të pesë vaktet dhe për zile e zgjodhi pikërisht... ezanin. Për çdo natë e ndal sapo të dëgjohen tonet e para për të mos u zgjuar fëmijët se pastaj nuk mbetet vend as për namaz.
Kur filloi të praktikohej ezani, po me shpjegonte ai, nuk kishte Iphone! Tash, me zhvillimin e teknologjisë gjërat kanë ndryshuar.
“Duke bërë zhurmë apo duke i zgjuar nga gjumi ata që nuk e ndiejnë të obligueshme të falen. ne as fitojmë sevap e as fitojmë simpati”, po thoshte ai. Duhet pranuar se nuk është qasje tradicionale por as ekstreme. Më shumë pragmatike!
“A na
dëgjon krijuesi kur i lutemi me zë të ulët?