E enjte, 01.05.2025, 03:58 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Lubonja mbi arkivolin e gjyqtarit

E enjte, 06.02.2014, 08:10 PM


Fatos Lubonja ulet në studion televizive të Fevziut mbi arkivolin e gjyqtarit Konomi

Nga Kastriot Myftaraj

Fatos Lubonja ka tre muaj që i ka bërë temën kryesore të shkrimeve të tij atentatet me dinamit që kanë ndodhur në vend në këto kohë dhe fijet që i lidhin atentatorët me porositësit e tyre në botën e politikës. Fatos Lubonja e nisi këtë seri shkrimesh me një letër patetike ku i kërkonte Prokurorit të Përgjithshëm të hetonte mbi akuzat e dyanshme politike për atentatin ndaj Prefektit Dervishi të Vlorës. Por Lubonja para se t’ i bënte një pyetje Prokurorit të Përgjithshëm do të kishte bërë mirë që t’ i kishte bërë një pyetje Blendi Fevziut, në emisionin “Opinion” të të cilit është i ftuar i përhershëm. Lubonja duhet ta kishte pyetur Fevziun: “Ore si nuk gjete një mbrëmje për të folur ne në emisionin tënd për atentatin ndaj gjyqtarit Konomi të Vlorës?”

Se kjo valë atentatesh të bujshme me tritol nisi me atentatin ndaj gjyqtarit Skerdilaid Konomi në Vlorë, në shtator 2011. A nuk e ka çuditur Lubonjën fakti se gjashtë muaj para atentatit ndaj gjyqtarit Konomi, në 7 mars 2011 tema e emisionit të Fevziut kishte qenë një ngjarje e ditës në Shqipëri: “Vrasja e këngëtares Emmy” (kjo ishte një vajzë e re shqiptare e cila humbi jetën tragjikisht). E pyes Lubonjën: A thua vrasja e gjyqtarit Konomi, qartësisht nuk ishte për Fevziun aq e rëndësishme sa vrasja e kësaj këngëtareje, e cila u bë e njohur vetëm me vdekjen e saj? Në përvjetorin e parë të vrasjes së gjyqtarit Konomi, në 13 shtator 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Nazimeja: krim apo pasion”, dhe u fol për vajzën fshatare tiranase e cila vrau ish-të dashurin e vet disa javë më parë. Kjo vrasje kishte ndodhur shumë kohë më pas asaj të gjyqtarit Konomi, megjithatë Fevziu gjeti kohë të bënte një emision për Nazime Vishën dhe jo për gjyqtarin Konomi. Arsyet janë të qarta. Në 17 shtator 2012, tema e emisionit të Fevziut ishte “Kush e vrau Adem Tahiraj”, ku u fol për vrasjen disa ditë më parë të shefit të komisariatit të policisë të Shijakut. Këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se përse Fevziu gjatë një viti nuk gjeti kohë televizive që të bënte një emision me temë “Kush e vrau Skerdilaid Konomin”. Arsyeja nuk është e vështirë që të merret me mend, nga mendja e hollë e Lubonjës.

Është kërshëror edhe fakti që atentati ndaj gjyqtarit Konomi ndodhi pikërisht në ditën kur i konvenonte Fevziut, pra një ditë pas përfundimit të javës televizive katërditore të tij, ditën e premte. Fevziu shpesh e ka në praktikiën e tij që kur ka ngjarje të bujshme gjatë ditës, të improvizojë një debat për to në mbrëmje. Nëse atentati ndaj gjyqtarit Konomi do të kishte ndodhur një nga ditët e javës kur ka emision Fevziu, pra nga e hëna në të enjtë, do të binte në sy që Fevziu nuk e ndryshoi temën e emisionit, duke bërë temë të emisionit atentatin ndaj gjyqtarit Konomi. Të premte, të shtunë dhe të dielë, Fevziu e kishte pushim. Natyrisht se Fevziu mund ta kishte bërë atentatin temë të emisionit të tij ditën e hënë dhe në vazhdim, por ai nuk e ka bërë këtë gjë as sot e kësaj dite. Në 8 shtator 2011 i ftuari i vetëm në emisionin e Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Dalja e Berishës në emisionin e Fevziut në vigjilje të atentatit ndaj gjyqtarit Skerdilaid Konomi në Vlorë (vrasja e tij do të ndodhte të nesërmen në 9 shtator), fiton një simbolikë të çuditshme i pëlqen ose jo Berishës. A nuk të krijohet përshtypja se Fevzoja i shkathët e keqpërdori Berishën në dobi të alibisë së tij. Pra Fevziu deshi të na thotë: Unë isha i zënë me intervistën me Berishën, dhe ju të gjithë e dini se kur merrem me punë të tilla jam krejt i përpirë prej tyre dhe nuk mund të mendoj për gjëra të tjera të rëndësishme.

Të parën ditë kur Fevziu kishte emision, pas atentatit ndaj gjyqtarit Konomi, ditën e hënë në 12 shtator 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “11 shtatori dhjetë vjet më pas” (Dossier nga Blendi Fevziu) Dossierët e këtij lloji të Fevziut nuk janë gjë tjetër veçse plagjiat i fragmentarizuar i dossierëve të tillë të televizioneve të mëdha ndërkombëtare. Atentati ndaj gjyqtarit Konomi, i ndodhur disa ditë më parë, ishte për Shqipërinë një ngarje më e rëndësishme se atentatet e 11 shtatorit 2001, të kqyrura pas 10 viteve. Këtë dossier Fevziu mund ta kishte emetuar edhe një ditë më pas (kur nuk arriti që ta emetonte në 11 shtator), por ditën e hënë tema e emisionit të tij duhet të kishte qenë atentati ndaj gjyqtarit Konomi.

Në 5 shtator 2011 tema e emisionit të Fevziut kishte qenë “Misteret e tunelit të Porto Palermos”. Nuk është ironi e vogël që ky emision u dha vetëm katër ditë para se Vlora, ku gjendet Porto Palermo të pasurohej me një mister tjetër, atë të atentatit ndaj gjyqtarit Skerdilaid Konomi, i cili ishte me origjinë nga një fshat afër Porto Palermos. Në 6 shtator 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Krimi në familje”. Dy ditë më pas do të ndodhte atetati ndaj gjyqtarit Konomi, por çuditërisht Fevziu nuk do të gjente në këtë ngjarje një temë për emisionin e tij. Gjithsesi, kur Fevziu trajton tema të tilla si krimi në familje në emisionin e tij, debati pervertohet nga prirja e Fatos Lubonjës për t’ i përdorur raste të tilla që t’ u veshë shqiptarëve në përgjithësi veti kriminale, pothuajse në terma lombroziane. Të tjera krime ordinere kanë ndodhur që nga ajo kohë dhe ato kanë gjetur qasje në emisionin e Fevziut. Vetëm vrasja e gjyqtarit Konomi mbeti tabu për Fevzon. Kjo do të thotë se tabuti, siç i thonë në turqisht arkivolit, i gjyqtarit Konomi gjendet në mes të studios televizive të tij dhe rreth tij ulet Lubonja bashkë me të tjerë e flasin me Fevziun për gjithçka, duke përfshirë edhe atentatet e fundit me tritol, duke kërkuar fijet e tyre që të çojnë te porositësit. Por një nga fijet që duhet ndjekur për të zbuluar të vërtetat e valës së atentateve, Lubonja e ka shumë pranë, ajo gjendet pranë këmbëve të tij. Mjafton që Lubonja të pyesë Fevziun se përse ai nuk bëri kurrë në “Opinion”, ku Lubonja është i ftuar i përhershëm, një emision të veçantë për vrasjen e gjyqtarit Konomi? A nuk është kureshtar Lubonja për përgjigjen e Fevziut. Se gjyqtari Konomi u vra për disa prona që kishte familja e tij në Durrës, në një vend ku ka prona të trashëguara edhe Fevziu.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx