E enjte, 01.05.2025, 09:52 AM (GMT+1)

Mendime

Shahin Ibrahimi: Shi në plazh

E hene, 10.02.2014, 08:50 PM


Shi në plazh

Nga Shahin Ibrahimi

Si vetë koha e zymtë dhe e ngrysr në një qiell me re pis të zeza, të cilat sikur donin të tregonin unin e tyre, apo mllefin për çka po shohin në qëniet njerëzore. Ato po mundohen të pastrojnë këto papastërti me shiun e rrëmbyshëm të këtyre ditëve. Mendimet më kishin rrëmbyer në vazhdën e tyre në një gjëndje kaotike më kishte pushtuar dhe. Po shikoja kot nga dritarja, pellgjet e ujit tek tuk gjatë rrugëve të lagjes. Dritat e shkallëve ndezur të një godine shumëkatëshe përballë më vranë sytë duke më ndrruar mendimin. Por përsëri mendimet vazhduan të tyren. Nuk e di pse mu kujtua një histori e nënës sime që tashmë ka vite që ka ndrruar jetë, që qetësi i ndjeftë shpirti në atë jetë. Duke rikrijuar ngjarjen me fjalët e saj, dhe duke krahësuar me ndërtimet dhe imfrastrukturën e lagjes tani në vitet e demokracisë, po qesh me veten. Ndoshta ju do mendoni pse po qesh por sado i mençur të tregohet ndonjëri nga ju nuk do të më mbushi mëndjen me arsyetimin e buzëgazit tim.Dhe pyetja që i bëra vetes time ishte:

- Për sa kohë do ishte larguar uji i atij kanali që në atë kohë zgjati rreth një javë mbi 20 cm, sot mbas 53 vjetësh në plazhin e Durrësit?.

Mbasi sot në tërë lagjen nuk ka asnjë kanal kullues dhe dy që ishin ndërtuar nga komunalja e asaj kohe i kanë bllokuar ndërtesat shumë katëshe që janë ndërtuar, dhe më verbuan sot sytë me dritat e ndezura.

Ishte data 17 dhjetor i vitit 1960. Një shi i vazhdueshëm dhe herë herë me rrëmbim kishte ditë që qielli e shkarkonte mbi tokë. Dhe pse toka ishte ranishte dhe si e thith shumë ujin, përsëri shiu i atyre ditëve kishte krijuar pllgje të vogla uji. Në lagje zotëronte një heshtje ankthi dhe frike pasi ishte hapur fjala që niveli i kanalit që kufizon plazhin me kodrat përballë ishte rritur shumë, dhe në rast se shiu vazhdonte me ritmin e ditëve të fundit mund të dilte nga shtrati, kjo mbasi dhe deti kishte dallgë dhe nuk e linte ta shkarkontë ujin në det.

Ishte ora njëmbëdhjetë e mbrëmjes. Të gjithë familjarët kishin rënë në gjumë kur dëgjohen disa breshëri armësh automatike nga reparti ushtarak që e kishim fare pranë, ngjitur me shtëpitë tona. Ky repart ishte ndërtuar dy vite më parë në kuadrin e masave mbrojtëse të qytetit bregdetar nga ndonjë agression i mundshëm armik. Ishte viti kur vendi sapo kish dalë nga traktati i Varshavës. U ndërtuan me pupulit {një masë llaç me leshterik} shumë shpejt, dhe për tre muaj u ngritën gjashtë kapanone me nga  240 metra katror. Pushteti vendor ishte informuar që kanali vaditës mbrojtës i kanalit kryesor, që shërbente për vaditje, kishte gërryer dheun, kishte prishur argjinaturën e tij dhe po derdhej tek kanali i madh. Për fat të mirë i kishte kaluar një shtëpie disa metra afër dhe nuk kishte të dëmtuar në njerëz por vetëm dëme materiale dhe një mullari me bar, ndërsa bagëtija që ishte pranë shpëtoi për mrëkulli.

Njerëz të vënë nga këshilli i lagjes { pushteti vendor i asaj kohe } kishin mbi tre orë që qarkullonin dhe po ruanin kanalin e madh, i cili kishte një shtrat më shumë se 25 metra gjërësi, dhe një gjatësi rreth shtatë km që kufizonte lagjen me fshatin Arapaj me kodrat e tij në veri të lagjes. Ai ka qënë përherë shqetësim por dhe frikë për banorët, siç e rrëfen edhe kjo ndodhi.

Nëna i ndëgjoi krismat dhe doli menjëherë në dritare pa ndezur dritën. Dritarja që binte nga lindja ishte përballë vend rojes së repartit i cili vazhdonte të qëllonte në ajër me ndërprerje. Doli nga dritarja e dhomës tjetër nga veriu dhe njëjta skenë. Nëna kishte tre djem dy nuk i kishte në shtëpi vetëm mua të vogli e kishte aty.Vëllai i madh ishte shofer me nje makime skoda në rëzervat e shtetit dhe dy ditë më parë ishte nisur në drejtim të Kuksit dhe prej andej do shkonte për Korçë. Vëllai i dytë ishte ushtar në Ishullin e Sazanit në marinë. E humbi fare e gjora nënë. Mendoi se filloi lufta dhe vuri dy duart në kokë dhe po i lutej zotit. Por duart i prekën flokët e bardha dhe në errësirë mundohej të gjënte shaminë kur më prek mua dhe zgjohem, duke u trembur si nga prekja e nënës dhe nga krisma e armëve. Ajo më qetësoi duke më thënë se po kërkonte shaminë.

Unë e pyta çfarë ishte ajo zhurmë dhe dritat që reflektonin në mure. Mundohej të më qetësonte duke më thënë që ushtarët kanë qitje. Në atë kohë u zgjua dhe motra trembëdhjet vjeçe dhe nëna u detyrua të ndizte dritën.

Në sytë e saj unë pashë lot.Por pse po qante nuk po kuptoja dhe e pyeta. Ajo më tha për vllain që kisha ushtar, që kishte kërkuar diçka me anë të një shoku dhe ajo nuk ja kishte dërguar dotse nuk kishim lekë. Fiku dritën dhe mundohej të na vinte në gjumë mua dhe motrën. Të qëlluarit me armë nuk zgjati shumë, kur papritmas një zhurmë si një tringëllimë u ndëgjua tek deriçka e gardhit të shtëpisë, dhe më pas një trokitje jo e zakontë tek dera. Nëna shikoi nga dritarja dhe u frikësua. Pa disa njerëz që hapën deriçkën me forcë dhe u afruan për nga dera e jashtëme e shtëpise. Nëna ndezi dritën. Akoma i dukeshin lotët në fund të syve. Unë e shihja me frikë nga një rreze e jorganit. Një trokitje gjysëm e lehtë u dëghua në derë dhe një zë i dhimbshëm, {që sot më duket se kërkoi ndihmë dhe përkrahje} tepër i frikësuar kumboi ngadalë:

-Nu oj Nu {se kështu i thrrisnin të gjithë në mëhallë nënës time ,po kështu dhe ne fëmijët e saj} jam Merushja me vajzë hape derën. Nëna e njohu nga zëri komshijen dhe nenjëherë hapi derën. Sa u hap dera Merushja ra në krahët e nënës duke i thënë :

-Po bëhet kiameti po del deti.

Ç`kishte ndodhur vallë? Merushja burrin nuk e kishte në shtëpi, e kishte me punë në hekurudhë se ishte turn nate. Kishte rënë në gjumë në orën nëntë.

Kishte një shtëpi përdhese aty pranë nesh, një dhomë dhe një guzhinë për të gatuar. Ekonomia e dobët e atyre viteve të mbas luftës, dhe në veçanti e atyre që erdhën si emigrantë të dëbuar nga Çamërija, pa strehë pa ushqime e pa përkrahje ishte për tu dëshiruar. E tillë ishte dhe familja e Merushes, shyqyr që ishte i shoqi në punë dhe bënë një shtëpi për të futur kokën ku jetonin me hallet e tyre.

E kishte zënë një gjumë i rëndë në dyshekët e mbushur me kashtë shtruar në dyshemenë prej çimentoje të shtëpisë, kur befas ndjeu ftohje në trup më vonë ndjeu dhe lagështirën e ujit. Hapi sytë dhe kur lëvizi dorën uji i ra në fytyrë, menjëherë u ngrit në këmbë ndezi kandilin dhe pa, që gjithë shtëpia ishte mbushur me ujë. Zgjoi  tre fëmijet dhe mendoi të vinte tek ne, me ngut me një gisht fytyrë nga frika.

Nëna nga ana e saj u mundua ta qetësonte, jo moj Merushe nuk plasi deti por plasi lufta nuk i dëgjove ti krismat e armëve që dha ushtria.

Në këtë kohë kur dy gratë bisedonin u ngrit im atë dhe, mbasi dëgjoi dy gratë që bisedonin në këtë mënyrë tha:

Duhet të ketë dalë kanali i madh nga shtrati dhe ushtria ka qëlluar për të zgjuar popullsinë që mos të hutohet. Fjala e tij ishe e vertetë. Pushteti vendor po lajmëronte popullsinë sa më shpejt.

Në shtëpinë tonë erdhën shumë komshinj të tjerë atë natë qoftë të mirrnin vesh ëfarë kishte ndodhur sepse pyesnin në repartin ushtarak, qoftë edhe për të përballuar së bashku fatkeqësinë. Të shumtë ktheheshin pyesnin tek ne, dhe kur shikonin që në shtëoinë tonë nuk kish ujë sillnin familjen. Shtëpia jonë atëhere ishte me e larta në mahallë me dy shkallë dhe vet vëndi ishte më i ngritur. Atë natë dhe netët në vazhdim neqëndronim gati në këmbë se s`kishte vend, bëhej fjalë për fëmijët e vegjël se të rriturut qëndronin në sallon apo jashtë në verandë. Sapo gdhiu disa familjar që kishin drrasa në shtëpi gozhduan drrasa në formë pllashatash të lëviznin mbi ujë që tq mos lageshin. Të nesërmen ndërmarja e komunales solli varkë nëpër lagje ku vetëm mahalla jonë mori dy të tilla. Familjarët nuk shkuan në punë, djemt e rinj u ipnin varkave dhe mirreshin me lëvizjet e njerëzve dhe nevojat e tyre. Çonin me varkë familjarët për tu furniziuar me ushqime dhe ujë të pishëm.

Kjo gjëndje zgjati rreth tetë ditë dhe uji ra, por të gjitha shtëpitë ishin jashtë kushteve për të jetuar. Shiu tashmë kish pushuar dhe dielli thante me ngadalë të gjitha rrobët e familjarëve nderur nëpër gardhe, pemë e lule të lara nga ujti I ndotur ku kishin notuar për një javë. U prishën disa orendi shtëpijake në veçanti rroba dhe ato pak hekura korenti dhe ndonjërit radiua që kishte. Ujin nuk e linte hekurudha dhe rruga automobilistike të derdhej në det. Ishin gjithsej dy ura ku lidheshin kanalet e kullimit në kushte normale që bënë të mundur largimin e ujit pak me vonesë. Këto kujtova unë atë ditë me shira të vazhdushëm ku qielli zbrazi gjithë inatin e tij kryeneç.

Po në kohën e sotme që s`ka shira të tillë dhe nuk del kanali me përmasa lumi, pse noton lagja jonë. Përse projektet nuk shikohen para se të aprovohen, ose t`ju vihet kusht tenderave të ndërtimit apo firmave ndërtuse që mos të preken kanalet kulluese dhe të vihen në zbatim parametrat socialë për rrugët për ambulancat, zjarrfikset dhe lulishte e tjerë. Është për të ardhur keq që sot lagja që përfaqëson plazhin më të madh të vëndit dhe mbulon 50 për qind të turizmit e kanë lënë kaq pas dore. Në dimër noton në ujë dhe në verë vuan nga uji dhe pluhuri mbasi nuk janë bërë kanalizimet dhe  rrugët nuk janë të asfaltuara, si kryesoret dhe dytësore. Nga bulevardi kryesor deri në brgdet nuk ka as një metër vënd të pa shtruar me asfalt, sepse atje kanë interesat e tyre, qoftë dhe në vjeljen e taksave gjatë sezionit turistik.

Është detyrë e pashtetit vendor ta shikojë këtë lagje si lagje e këtij qyteti mbasi detyrimet që na takojnë si qytetarë ne i shlyejmë.

Kanaliziet, rrugët, parqet e pushimit, këndet e lojrave për fëmi dhe semaforët e qarkullimit rrugor mungojnë tërësisht. Këto nuk kërkojnë vullnet politik por përkushtim social, prandaj ju tërheqim vëmëndjen dhe hu themi, që dhe ne si lagje meritojmë më shumë nga ç`na keni dhënë deri më sot.

Deri kur do të vazhdojë ky indiferentizëm, ndaj problemeve të tilla, që po i heqin vlerën dhe imazhin e mirë që ka plazhi i qytetit tonë, dhe që po largojnë turistët për çdo vit e më shumë?

Kujt ti drejtohemi për këto probleme, përveç Bashkisë në të cilën jetojmë,gjë që e kemi bërë dhe herë të tjera si me kërkesa po ashtu dhe nëpërmjet shkrimeve nëpër gazetat ku shprehim indinjatën tonë si qytetarë, dhe ajo s`reagon. Na thoni ju të nderuar lexues.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx