E enjte, 28.03.2024, 03:23 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: T'i dalim Zot shtëpisë

E enjte, 13.02.2014, 08:03 PM


KOHA ËSHTË SI “VËLLEZËR”

T’I DALIM ZOT SHTËPISË

NGA KALOSH ÇELIKU

Vite më parë në Strugë (1997), në një Akademi përkujtimore për Mehmadali Hoxhën, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar, ku merrnin pjesë shkrimtarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, humoristi nga Shqipëria Niko Nikolla në bisedë e sipër në një tavolinë miqësie tha: nuk ka popull shqiptar, po ka popull shkrimtar.

Kohën e fundit habitem me shqiptarët, nuk qëndron ajo thënia e Niko Nikollës se, jemi popull shkrimtar. Mehmedali Hoxha, edhe sot e kësaj dite nuk ka një përmendore mbi “Urën e civilizimeve” në Shkup, krah për krahu me shokët e tij të penës me më pak merita luftarake e letrare. Ballë për ballë t’i rri Car Dushanit, si vizionar me shishen e konjakut “Skënderbeu” në dorë: Koha do të vijë një ditë, kur ju “vëllezërit” e mi do t’i fshini rrugët e Tiranës. Parashikimin e tij të asaj kohe, sot e kemi këmbëkryq para dere. Babai i revistave për fëmijë: “Gëzimi” dhe “Fatosi”, sot ndiqet mes varreve edhe më zi se në kohën komuniste. Edhe atë, nga shokët e tij të penës që dikur i mori nga rruga në redaksi duke i bërë gazetarë e shkrimtarë. Tekefundit, edhe ku të ishte e vërtetë ajo thënie historike e Niko Nikollës se, jemi popull shkrimtar. Fatkeqësisht, sipas listave të publikuara në mjetetet e informacionit, po dalim popull “spiun”. Faqe të tëra të gazetave, pas Pavarësisë së Kosovës u mbushën me emra të spiunëve dhe pyetje marramendëse policore: pesëqind e sa në numër. Pyetje banale, që vështirë se ta mbushin mendjen se janë reale në Ditën e sotshme historike. Fajin kolektiv si shqiptarët më, gjatë një dite e shpallim hero e brenda një nate tradhtar, ia mveshim dështimet vetëm një personi. Gurë e dru mbi të si “tradhtar” e. “spiun“ i Serbisë. Punemadhe, që deri dje  i këndonim për së gjalli këngë me çifteli. Realitet, që flet ndryshe me fakte: Personi i sulmuar ka kryesi, ministra, deputetë e këshilltarë. Qesharake, vetë me duart tona ia japim votën e lirë demokratike dhe pushtetin rresht disa mandate. Spiunët shqiptar nuk duhet futur të gjithë në një thes. Edhe pse, dikushit si ujk i ka pasur hije të jetë “spiun”, por jo edhe këlyshëve me zgjebe gjithë jetën duke u përjagur rrugëve të Bit – Pazarit me një asht në gojë.

Akuzat e pabaza jashta institucionale në shpalljen e spiunëve po na e zënë frymën. I hurit e litarit, shkon aq larg sa që e shpallë spiun edhe Adem Demaçin. Burrin, që për Çështjen shqiptare i hëngri hiç më pak se 29 vjet burg, në Goli Otok. Presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën. Shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare, Rexhep Qosjen, Hashim Thaçin e Ali Ahmeti që zbritën nga malet. Nuk do t’i shti në këtë vagon politik edhe partizanët e sistemit komunist me poste të larta politike në Prishtinë e Beograd: Fadil Hoxha, Veli Deva, Xhavit Nimani, Sinan Hasani (shkrimtarin e romanit të parë në Kosovë “Rrushi ka nisë me u pjek” dhe presidentin e parë shqiptar të Jugosllavisë), Mehmet Maliqi, Xhevdet Hamza, Agim Zatriqi e Azem Vllasi. Popull i çuditshëm jemi ne shqiptarët, ndoshta edhe i vetmi në botë, që në ballë na prinë “spiunët”?! Dhe, jo rastësisht për ne si popull, gjatë pushtimit e kanë thënë gjarmanët: kudo nëpër botë kemi paguar për spiunim shuma të mëdha parash, këtu në vendin e shqiponjave spiunët qenkan pa para. Popull, që sot kënaqemi edhe me një president kosensual të IRJ të Maqedonisë me më pak se dy miljonë banorë (aqsa ka një lagje e Stambollit), në vend që të ngulim këmbë politike, korkojmë presidenti i Shtetit të “përbashkët” të jetë shqiptar.

Rrufjanët, nuk lanë shqiptar të vdekur e të gjallë pa e shpallur spiun. Tjetër punë është ajo se, këta aktivistë për zgjidhjen e Çështjes shqiptare kanë dosje politike në Beograd, Tiranë, Prishtinë e Shkup. Mos të flasim për shërbimet tjera informative sekrete nëpër botë. Përçudi, sot me shumicë e pakicë spiunë me të madhe shpallin serbët, spiunë shpallin shqiptarët përmes “pëllumbave” të tyre postier duke na i hudhur nëpër oborre e lënë pas dere. Spiunë me qerre në Shqipëri, spiunë në Kosovë, spiunë në IRJ të Maqedonisë. Punë tjetër është ajo se, spiunët e Shqipërisë kanë dallime nga spiunët e Kosovës dhe IRJ të Maqedonisë e Malit të Zi. Shqiptarët e Shqipërisë, edhe nëse kanë qenë spiunë, kanë qenë në shërbim të Shtetit Shqiptar. Por, shqiptarët e Kosovës, IRJ të Maqedonisë dhe Mlit të Zi, në shërbim të cilit shtet kanë qenë si “patriotë” shqiptar?! Djemtë e të cilëve, menjëherë në prag të ndryshimeve demokratike do të turren të themelojnë Paritnë e "vëllazërim- bashkimit”, UJDI -n, që ta shpëtojnë Jugosllavinë. Parti politike e cila në Kosovë nuk do të ketë jetë të gjatë, përballë LDK –ës me në krye Ibrahim Rugovën. Edhe pse, në këtë parti politike Serbia do të arrijë t’i shti elemenetet e veta të UDB -ës jugosllave. Argatë shqiptar të shkolluar e stërvitur mirë në Beograd, Shkup e Prishtinë, që më vonë kokëulur do të tërhiqen pas sulmeve të dështuara ndaj Ibrahim Rugovës. Populli shqiptar i di mirë këto emra në Kryesinë e LDK –ës, që vite më vonë me veprimet e tyre antishqiptare do të dalin si kunguj mbi ujë, në sipërfaqe. Dhëndri, njeriu nr. 2 pas Ibrahim Rugovës, që sa herë Presidenti i Kosovës shkonte në Shqipëri për takime miqësore politike, do ta strehonte në “besë” në Shkup te një familje e njohur UDB –ashe dibrane për ta përcjellur të nesërmen në Shqipëri. Familje, të cilën më vonë përmes kamerave televizive, pas Luftës së 2001 – shit, Dhëndri në një emison dokumentar televiziv të MTV (Redaksia në gjuhën shqipe) ia paraqiste opinionit shqiptar si familje patriotike që e ka strehuar Ibrahim Rugovën sa herë që ka shkuar me punë zyrtare në Shqipëri. Merita propaganduese për “flijimeve patriotike” në LDK, pas të cilave do të përfundojë si “hero” lufte në Kabinetin e Kiro Gligorovit.

Shqiptarët janë të radhitur në vendin e tretë si spiunë dhe bashkëpuntorë të shërbimit sekret të UDB –ës jugosllave gjatë periudhës së socializmit, sipas një shkrimi të së përditshmes maqedonase “Dnevnik”. Radhiten qafë për qafe në vendin e tretë pas serbëve dhe kroatëve të ish – Jogosllavisë. Faktin e ndërlidhin me të dhënat e fundit të Komisionit Lustrues në IRJ të Maqedonisë, ku nga 23 funksionerët e lustruar, tetë prej tyre kanë dalë shqiptarë.

Populli shqiptar, sot për sot është popull i mbetur në gjysëm të rrugës, pa shoqëri përparimtare, gazetarë të “stërvitur” nëpër Universitete të Qendrave Sekrete Informative dhe Shqipëri Etnike. Anë e kënd botës turren se, kush do të shpallë më shumë spiunë në mesin e popullit shqiptar. Nuk e them se ky popull nuk ka pasur spiunë, nuk ka dhe nuk do të ketë edhe në të ardhmen si e gjithë bota përparimtare Por, e ngrej zërin: jo aq thellë deri në palcë, siç përpiqen ta shpallin disa qarqe të errëta antishqiptare.

Puna e gazetarit nuk është e lehtë, e shtruar me lule. I duhet aftësi dhe punë intelektuale, të shoh larg edhe pas kodre. Interesant, punën e spiunit që në atë kohë e bënin individë profesionist të shkolluar nëpër qendra sekrete të ish Jugosllavisë, sot e bëjnë gazetarë me diploma universitare të partive politike. Fatkeqësia, emërimi i tyre nëpër Komisione Lustrues e punësuar nëpër institucione të shtetit e partive politike si argatë të huaj, të cilët me të madhe kohën e fundit na i rehabilitojnë spiunët e vërtetë nga “spiunët” e shpallur pas lufte, janë për studim shkencor nëpër Universitetet botërore.

Askushi, sot merr guximin dhe të shpallë spiun, që ti si familje e ke përjetuar në kohë të egër atë spiunim të paparë komunist. Edhe atë, në Kërçovë, Shkup, Prishtinë dhe përsëri në Shkup. Individë të përshtatshëm, që në atë kohë punonin nëpër redaksi e institucione të Shtetit si “shqiptarë të ndershëm”, e ti ishe i detyruar të punosh si mësues nëpër male, sot të shpallin “spiun” pa pasur në dorë asnjëfarë dokumneti të nënshkruar nga dora yte, së paku edhe për një vend pune. Pse?! Shkaku se, në atë kohë, kur ato ishin më shumë spiunë, sesa: gazetarë, shkrimtarë e intelektualë, ti refuzoje me çdo kusht ta pranosh si bashkëpuntor i sigurimit policor, postin e redaktorit të revistës për fëmijë “Fatosi”, në “Flakën e Vëllazërimit”, në Shkup. Ende, edhe sot e kësaj dite nuk mund ta harrosh “bisedën informative” në polici: ti je i dërguar nga Kosova që të veprosh në këto anë. Përmëtepër, ti je kryesori (i madhi), ti ke ndejtur në “Menada” me një “irredentist” të rrezikshëm, i cili me një këmbë të thyer na ka ikur nga burgu. Përfundimi i “bisedës informative”: ti Çështjen shqiptare do ta zgjidhësh me luftë.

Inspektori maqedonas, pas gjithë këtyre pyetjeve provokative edhe të thotë: a, do ta shohësh akuzën kundër teje me njëzetë nënshkrime? Jo, i përgjigjesh me buzëqeshje. I marr me mend se kush janë ato “burra” me brekët mbi pantollona. “Patriotë” shqiptar me vende pune nëpër redaksi komuniste të “vëllazërim-bashkimit” dhe kabinete të Qeverisë. “Intelaktualë” të shitur me një torbë taxhi për qafe ose një banesë të shtetit, që i tremben punësimit tim si krijues në atë redaksi policore.

Përderisa, ti ngjitesh maleve në punë Dimër e Pranverë, jo për bukën e gojës, por për qëllime të tjera personale “artistike”, partizanët e “vëllazërim – bashkimit” të ndjekin nëpër redaksi si shkrimtar i një familje nacionaliste balliste. Herë pas here, edhe të suleshin me shkrime mes atyre faqeve të asaj gazete me ideologji komuniste. Shkrimet e tyre me emra e mbiemra dhe pseudonime edhe sot e kësaj dite rrinë kokë më kokë si dëshmi mes faqeve të asaj gazete policore në Bibliotekën Universitare, në Shkup. Kohë ajo (1980), kur ti shkaku kushteve të vështira malore ke shkuar në punë me motor, “xhip” e më vonë edhe me “Pezho 309”, që asaj kohe i gjithë Shkupi, a i ka pasur dy ose tri makina të këtyre firmave më të njohura botërore. Edhe atë, falë trashëgimisë të Babait, e jo pagës dhe shpërblimeve të Partisë Komuniste. E sot, përsëri askushët me të njëjtat metoda policore të ndjekin si shkrimtar i “familjes komuniste”. “Irredentist”, që nuk mund t’ju thuash mysafirëve të rastit në kafene, mos u uluni në tavolinën time me vende të zbrazura në karrike! Tjetër, ia përplas në fytyrë Inspektorit policor: pasi ai ka qenë aq i “rrezikshëm” si shqiptar, pse mua nuk ma keni tërhequr vërejtjen si individ i painformuar në shoqëri? E fundit, unë dua të jem ai “kryesori” që paramendoni ju në “ndreçjen” e këtij sistemi, në doni ta dini edhe më vjen mirë dhe krenohem, por fatkeqësisht nuk jam Ai “kryesori”, që Çështjen Shqiptare dua ta zgjidhë me luftë.

Brengosja, byku shqiptar si spiunë i atij sistemi të egër komunist, në vend që të izolohet e gjykohet për krime ndaj popullit shqiptar, vazhdojnë të struken edhe sot e kësaj dite nën sjetullat e partive politike shqiptare, mos them me bindje të plotë:  i marrin në gji në mbrojtje si “patriotë” shqiptar. Fishekë qorra, të cilët i përdorin qarqe të errëta antishqiptare nateditë, të kërcnohen me të gjitha metodat kriminele e policore, që ta lëshosh Shkupin. “Xhipit” tënd, pak para agimit ia vënë flakën. Zjarr, të cilin mezi e shuan me “djemtë e Shalës”, në mes të “Çairit”, në Shkup.

Vazhdimi: Babait tim i faleminderohem për së gjalli: E para: që më la trashëgim pasuri, që të kenë çka të djegin këto dudumë më mes të Dimrit. E dyta: Gjithë jetën më këshillonte e ma tërhiqte vërejtjen të mos bie në provokime të rrumaducëve, grackën e tyre policore. Bir, mos i beso askujt, edhe këmishës tënde që e ke të veshur me vite në trup! Shkurt, as familjes të oxhakut, miqve e shokëve! UDBA jugosllave i ka shti rrënjët aq thellë në popullatën shqiptare, sa që ti nuk mund ta marrësh me mend edhe gjatë kohë mes atyre librave me kapakë të trashë, në bibliotekë.

Porosia e Babait, dha frute. E vetmja arsye, që unë nuk rash në duart e tyre kriminele dhe nuk bëra asnjë ditë burg. Zoti im i vërtetë ishte dhe do të jetë: Babai, që sot pushon i qetë mes varreve, rrëzë Çukës. Kulminacioni i hakmarrjes me penë: E dini, pse sot do t’i ndjek deri në varr si shkrimtar?! Jo, nuk e dini si spiunë dhe kriminelë. Shkaku se, më keni ndjekur këmba - këmbës gjithë jetën me shpifje e etiketime edhe maleve. Ditën e sotme, më kërcnoheni edhe me rrezik jete. Shktarrim të pasurisë së Babait duke ia vënë flakën. Problemi kryesor: Këmbekrye, pse e gjeni veten si personazhe nëpër shkrimet e mia publicistike. Nesër, edhe nëpër libra, në bibliotekë. Porosia: Nuk do të ketë Komision Lustrues që do t’ju shpëtojë në këtë jetë edhe në atë jetë si bërllok Bit - Pazari me “gunën patriotike” hedhur krahëve nëpër xhepat e partive politike ose policore. Pamarrë parasysh, kujt nacionaliteti i takoni apo besimi fetar. Arsyeja, ju flisni me thashetheme, shpifje dhe “kuzhina” policore antishqiptare, e unë me fakte nga jeta e përditshme shqiptare. Shembull, pse sot jeni edhe më të zëshmit si spiunë të asaj kohe?! Ende mendoni dhe e rreni mendjen se do t’i gëzoni të njëtat definicione qytetare: vende pune, taxhi të Shtetit dhe poste politike.

Realiteti shqiptar, deri mës sot nuk e di se cili shtet në botë ka shpallur më shumë spiunë sesa vetë shqiptarët?! Fatkeqësia, gjithë këtë zhurmë “patriotike” e bëni si partizanë të partive politike për pushtet pa pushtet në Qeveri. Ose, për të ardhur me dhunë nga rruga në pushtet. Medjat në gjuhën shqipe të shitura për një asht, u japin hapsirë duke manipuluar me këtë popull të përndjekur nëpër shekuj. Dyert ua hapin krah më krah pykave të spiunimit në mes të popullit shqiptar. Huti dhe frikë përhapni në popull, nuk e mer vesh qeni të Zotin nga cila anë i vjen guri duke fshehur dorën. Nuk dihet cili është spiun e cili patriot. Përfundimi: Çmenduria, sipas këtyre akuzave të Sërbisë, populli shqiptar na qenka popull “spiun”?!... O burra binu, spiunëve të djeshëm të pabesë! Edhe sot, para syve të botës po na shpallin popull “spiunë”! Rrezik i madh, për një popull!...

Shqiptarëve, gjatë gjithë këtyre viteve të “ndryshimeve” demokratike, “vëllezërit” vetëm na qesin diçka në grep, dhe ne merremi gjithë kohën me vetëveten, në vend që të merremi me fenomenet politike para pragut të Shtëpisë. Punëkoti, që ai është vetëm një krimb (president kosensual). Momenti është, populli shqiptar: “shapin ta ndajë nga sheqerit”. Politikanë të papërgjegjshëm, harrohen me vite nëpër kabinete dhe poste politike. Njëzetë vjet me radhë si politikanë merreni me ndarjen e lugëve dhe enëve. Moti jua kam thënë këtë te libri: Trumbetat e Tellallit (1992), që në kohën e PPD -së. Libër i cili në atë kohë më dërgoi edhe në një “bisedë informative” në polici. Helmime dhe një shpërthim zjarri pasmesnate në banesë. Përndjekje të papara deri më sot nga Policia letrare. Tashti, pas kaq viteve me gjithë këto “parti politike shqiptare” që i kemi në skenë (dy shqiptar – pesë parti), vetëm e përsëris si parashikim për Nesër. Shtëpinë ia kemi lënë “Vëllait të Madh”. Pasurinë e tundshme e të patundshme në Shtetin e “përbashkët” demokratik. Arat, livadhet dhe pyjet me lisa të gjatë, që siç thotë Naim Frashëri: Ju kam ndërmend ditë e natë.

Koha është, në vend të lugëve dhe enëve, t’i dalim zot si “vëllezër” Shtëpisë…



(Vota: 45 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora