E marte, 08.10.2024, 09:38 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Shejtanarapët

E hene, 18.11.2013, 09:09 PM


SHEJTANARAPËT

NGA KALOSH ÇELIKU

Herë pas here, kur e hap internetin në YuoTube më dalin para syve Shejtanarapët me kësulëlecka ose me çallma turku të lidhura përreth në vend të veshëve duke pëllitur para “xhematit” në mes të batakut. Kohën e fundit krah për krahu edhe tulumbaxhinjt e fabrikave komunsite (miq besnik të Haxhi Deputetit) me “hajmalitë” e tyre serike teknefese, që e kanë shitur veten një vend pune ose banesë shtetërore. Shkrime të mbështjellura e kënduara me “bismillah al-rahman al-rahim ” në letër hallvaxhinjësh, të cilën duhet t’ia varim përqafe Lopës, që t’i shtohet tambëli dhe mbushë plot kusinë në Katund. Histori më vete, që padashtas ma kujton Hoxhën me kësulën e bardhë në kokë të Bajram Currit, kur një plakë i troket në derë për ndihmë: një hajmali për Lopën e larme.  E dini se, si i përgjigjet Hoxha me kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë: Mirë do të ishte Lopës larme, që t’i shtohet tambëli  t’i jepni edhe një thes me krunde. Pajtohem me Hoxhën e Çelvjollcës (mik i Asdrenit, i cili ka ardhë edhe në Kërçovë) pikë për pikë, por kush do t’ju jap një thes me krunde tullumbaxhinjve të sotshëm me diploma universitare?! Shejtanarapëve turko-arab, që vetë “kalemi” Baba Dovletit i ka rrëzuar në kokërr të shpinës mes livadheve. Edhe atë, me të vetmin qëllim: Tulumbat e tyre me “farë të vëllezërve”, mos të na dalin të papjekura në treg me shumicë e pakicë?! Tekefundit, së paku të arrinë “vlerat ekonomike” të Çobanit Sharrit, që 300 dele i “humbi” nga bombardimet e helikopterëve rusë në Luftën e fundit të 2001 -shit. Përplasje në sy e fytyrë: Edhe sot si dje, me gjithë “arsenalin artistik” (vërejtja e fundit), të mos ma ndërsejnë më pas shpine “policinë letrare”…

Nateditë vajtojnë pse, nuk kanë mjekra të dendura (dëllinja shullani)  si Azreti Muhamedi a. s. e jo tru. Ose, Azreti Isai që fluturoi nga minarja e xhamisë në qiell. Përgjumshëm, i rrëfejnë popullit shqiptar përralla arabe të Netëve të gjata shqiptare: Plaka si e ka zbritur aeroplanin nga qielli, Kush sëmuret nga Sihiri, Exhinatë, Shpikjet e munafikëve ndaj muslimanëve, Kur të kaloni në kopshtet e Xhennetit, hyni në ato kopshte… Më kot i kërkon Profeti shqiptar nëpër lëmë (institucinet e shtetit), livadh ose kasollë t’i dërgojë në mal për dru, ose sjellin miell në Shtëpi. Shejtanarapët janë rrasur me të katra këmbët në batak dhe pëllasin e pëllasin nateditë për liri argati fetar nga strofullat “fetare” dhe minarja e xhamisë. Zërin e ngrejnë në Faccebook: o, vëllezër rrokni armët në vend të Kur’anit dhe kalemit (lapsit)! Pranverën arabe ta sjellim me të gjitha “nishanet” edhe në Shkup. Paralajamërojnë “Njeriun e fundit që do të hyjë në Xhenet”. Përçudi, sipas parashikimeve të tyre më nuk do të ketë jetë. Bota do të vdesë, përmbyset mes varreve. Vetëm se, kur ia qëllojnë “nishanit” meritojnë duartrokitje: “Mosfalja e Namazit është gjunah më i madh se me pi raki”. Burra e gra të Kombit Shqiptar, bini armikut të pabesë rakisë sipas këtyre Shejtanarapëve, që dikur moti ka bërë thirrje edhe imami Omar Khajam për verën. Kulminacioni i profetizmit botëror: “Zbret Allahu në qiellin e dynjasë”. Dhe, u shpëton nga mëkatet me vargjet e Omar Khajamit:

 

Të Madhit Moamet i çon selam

Dhe e pyet Imami Omar Khajam:

"O Pejgamber, më thuaj, mor aman,

Pse dhallën bën hallall, Verën haram?

 

-212-

Përgjigjet Moameti me selam:

"S'më more vesh, Imam Omar Khajam!

Dhalla hallall për lolot, mor aman,

Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!"

 

-213-

Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë,

Më thonë: "Vera ësht' armik i Fesë",

O burrani, pra, Kupat mbushini

T'ia pimë gjakun qenit të pabesë!

 

Shejtanarapët harrojnë se, nuk shohin më larg se në lëmë, pas Pranverës vjen Dimri me fortunë, borë dhe akull. Lisat i bënë kokë më kokë. Pasmesnate, delë Ujku i përrallave në Abetare me këmbën e lyer me miell që e hëngër Kësulkuqen në mes të pyllit dhe pasmesnate na troket te porta e edhave. Soji tyre, pa menduar gjatë edhe në Ditën e sotshme ia hapin derën, na e fusin në Shtëpi. Nateditë u bien trumbetave të grisura copë – copë të Dexhallit: Dhe, “nuk e kuptojnë “rrapjanin” (sipas publicistit neokomunist që nateditë rri me shkrime “profetike” në Faccebook) se, çka ka dalldisur me haxhi Deputetin, më falni me haxhi Muhamedin.”

E ne, shqiptarët me “Din e Iman” ende nuk kemi Gjuetar të Malësisë Madhe si dikur me armën me dy tyta krahut që ka dalë në mal për gjah, sot ta shpëtojë Kësulkuqen me shportën e luleve që do t’ia dërgojë Gjyshes për Ditëlindje në mes të Pyllit, nxjerrë me shpatën e Skënderbeut nga barku i Ujkut. Edhe sot, si dikur në kohën e Jugosllavisë të Shokut Tito t’i bëjë tulumba shqiptare, mos qajë në djep. Ose, ndonjë “hajmali me shkrola” arabe në vend të lektyrave shkollore t’ia varë përqafe.

Shkaku këtyre Shejtanarapëve si popull shqiptar, shohim ëndërra turko-arabe edhe sot, ne mes të Ditës Madhe. “Vëllezër” i kemi pushtuesit shekullor dhe argatët e tyre Shejtanarapët, që me anë të hajmalive përpiqen të na i “përzënë” xhindet. Topin e Mic Sokolit me gjoksin para gryke si trimat,  ende e rrokim për fyti si dikur me çifteli nëpër dasma shqiptare. Skënderbeun me gjithë kalë me shalë në mes të Shkupit, dudumët edhe sot na  e shpallin tradhtar. Takimet dhe manifestimet fetare-kulturore i organizojnë te “Kali”, sipas programeve “artistike” të halldupëve. E kanë “Kalin”, por shqiptarëve u mungon Skënderbeu, do të thotë një Shejtanarap “shqiptar”, gjithë jetën me një torbë taxhi përqafe i shëtitur nëpër institucionet e Shtetit Vjetër e të Ri të “përbashkët”. E, unë e them të kundërtën: Shqiptarët e kanë Skënderbeun, por u mungon Kali me shalë (Gjoku i Gjergj Elez Alisë) të hipë në Kalanë e Shkupit.

O Imzot, vërtetë edhe hidhërohem keq sot me Skënderbeun e Shkupit, si nuk e nxjerrë më në fund nga brezi atë shpatën famëmadhe historike dhe t’ua presë kokën dudumëve, flugë para këmbëve të Kalit si kunguj Stambolli?! Thasë - thasë t’i ngarkojë jo si dikur në tren nga Shkupi t’i përzë në Turqi, po hipë në qerre (pajton) me katër palë kuaj me kumbona përqafe e lodra e cingana te Sheshi “Skënderbeu”. Hingëllimë “Kali” të dëgjohet në mes të Bit-Pazarit, që di të qesë edhe shqelma dhe hudhë buthekrye halldupët matanë Kalasë Shkupit. Nateditë, mos të shpallim më dëshmorë lufte dhe mbesim duke vajtuar si qyqe gjithë jetën nëpër varre. Kohë kjo, kur “vëllezërit” tanë të Njerkës në trojet shqiptare shpallin Shtet të Ri pa banorë maqedonas, para syve të Botës me shumicë prezente shqiptare në mes të Ballkanit...



(Vota: 101 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora