E premte, 19.04.2024, 07:43 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Ditë zie për gomarin e Rrencit

E shtune, 07.12.2013, 09:06 PM


DITË ZIE PËR GOMARIN E HAXHI RRENCIT

NGA KALOSH ÇELIKU

E di se, përsëritem nëpër shkrimet e mia, po edhe unë nuk kam gjithaq faj. Shqiptarëve, u përsëritet me shekuj historia. Shkak ky, që edhe mua ndodhë të më përsëriten shkrimet publicistike letrare. Lexuesve të mi besnik, u kërkoj falje, e përsa u përket dudumëve, nuk e lodh fare as Kryengritësin, i cili e vazhdon luftën nëpër beteja të përgjakshme. Ende, nuk i ka dorëzuar armët e luftës. Fare pak merrem me shkarravinat e dudumëve me “Din e Iman” duke m’u kërcnuar se do të më varin “hajmali” përqafe, të mi përzënë xhindet, që edhe sot e kësaj dite më hudhin dorë më dorë majë lisave. Ose, me pëllitjet e tyre “profetike” plotë mallkime e diagnozë mjeksore “shkencore” në YooTube si “antimysliman”. “Armik” të Fesë Islame. Etiketime e shpifje plot sharje të Shejtanarapëve me këmbët dhe trutë në legen.

Aspak, shkrimet e mia nuk kanë të bëjnë me antimyslimanizmin e as Fenë Islame, po me dudumët që nateditë i ngatërrohen nëpër këmbë popullit shqiptar duke u thirrur në myslimanizëm dhe Fe Islame, e në anën tjetër janë në shërbim të Dexhallit me trumbeta nëpër Bit-Pazar. Interesant, ne siç duket mendojmë dhe gjykojmë me kokë të huaj në qafë, ose nën sjetulla: I festojmë humbjet historike. Vështirë e kam ta them në këtë shkrim, përplas në fytyrë kundërshtarëve historik: Fatkeqsisht, jemi popull i dalldisur pas “fitoreve” të posteve politike dhe përfitimeve materiale në emër të popullit shqiptar. E kam thënë edhe me herët: jemi bërë edhe me zi se serbët. Komandantët e Luftës të UÇK -ës i fusim në një thes, i shpallim “hajdutë”, edhe nga kush: Trimat pas lufte. Profiterët e luftës, që pas ndryshimeve politike u turrën me të katra pas qeveritarëve, posteve politike duke rrëmbyer nga një asht për pjestarët e “familjes revolucionare” në Qeveri. “Patriotët”, që në çdo sistem politik i kemi krah për krahu të parët në vrapime maratonike pas posteve politike dhe përfitimimeve të mjeteve materiale. Hajdutët e fondacioneve botërore si udhëheqës të shoqatave joqeveritare në kohë lufte, që në emër të fëmijëve të Kosovës gjatë Luftës (1999) në IRJ të Maqedonisë, grabitën shuma marramendëse për botimin e librave për fëmijë, dhjetë tituj me një tirazh prej dhjetë mijë kopjeve për secilin libër. Para me të cilat, blenë banesa e ndërtuan “Kulla” nëpër vende turistike. Haramët e sotshëm, që sot marrin guximin t’i sulmojnë të tjerët për hajdutllëk, pa e marrë veten si shembull unikat në shoqërinë shqiptare. Debilët, harrojnë se po t’i kishin botuar ato libra për fëmijët shqiptar, sot shkollarët tanë nuk do të kishin vende të ulen as në karrige nga librat “e tyre” nëpër shkolla e biblioteka. Përmëtepër, askushi, deri më sot nuk pyeti se ku shkuan gjithë ato para dhe ai “tirazh” marramendës i librave për fëmijë?! Kulminacioni hajnisë në nivel “humanitar”, me gjithë këta përgjegjës dhe të punësuar në Minsitrinë e Arsimit, njeri i gjallë deri më sot nuk e ngriti zërin, pyes kordinatorët e projektit me emër e mbiemër të mirënjohur për opinionin shqiptar, çka u bë me fatin e atyre librave të “përzgjedhur” nga hajdutët “artistik” për fëmijë?! Nuk flasim këtu për listën e shkrimtarëve të përfaqsuar në “projektin humanitar” e as për kriteret artistike të “patriotëve” shqiptar, honaret e shkrimtarëve të gjallë e të vdekur, që nuk morën asnjë lek shpërblim si autorë të librave.

Komandantët, kur i panë Trimat pas lufte se, çfarë malli janë (made in Jugosllavia) me kokën në grazhd e bythën te “vëllezërit” për hajni, i përzunë me gjithë djemtë dhe vajzat e tyre nga vendet e pamerituara të punës brenda një nate, ashtu edhe siç i fituan ato vende pune brenda një dite. Zemërimi me “mikun” e tij “Abazin” e maleve, tashti kohën e fundit e arriti kulminacionin. Pushtetin e luftës në kohë paqe “Abazit”, po ia rrëmben Ali Ahmeti i fushës. Gurë e dru pas komandantëve të UÇK -ës. Burrave të pushkës e penës, që vërtetë aqsa mundën dhe patën fuqi bënë ndryshime politike në Kosovë, IRJ të Maqedonisë dhe Luginën e Preshevës, që sot Askushi mori guximin t’i shpallë “hajdutë” të popullit shqiptar. Populli thotë: hajduti, të shpallë hajdut. Përçudi, seç ma kujtojnë anekdotën e dy vëllezërve të verbër që hanin së bashku petulla me kos në një sofër të Katundit. Vëllai i thotë vëllait: pse ti hanë nga dy petulla e unë mezi e rrëmbejë një petull? Vëllai Madh, i përgjigjet: jo, o burrë unë ha gjithë kohën vetëm nga një petull. Vetëm, çuditem me pyetjen tënde teknefese: ne, që të dy jemi të verbër, nga ti e sheh dhe e ke atë bindje se unë ha nga dy petulla. Shkaku se, unë i ha nga dy petulla, i përgjigjet vëllai Vogël plot gojën me dy petulla të tjera në dorë.

Patriotët e vonuar me prejardhje të dyshimtë jugosllave, që janë plot gojën për “ndryshime demokratike”, plasën edhe në Ditën e sotshme si në kohën e ish Jugosllavisë të dalin me ndonjë Parti të Re Politike t’u prinë shqiptarëve për Liri. Arsyeja, ku ta di unë si shkrimtar: Vite me radhë kemi jetuar me “vëllezërit” e Njerkës në një Shtëpi pa çati mbi kokë. Edhe, kemi dhënë e kemi marrë nuse. E di, ju do të më akuzoni, se: nuk jam për “Ndryshime politike”. Gabim i madh, moti jam për ndryshime në politikën shqiptare, po jo me bagazhin politik të këtyre trusakatëve të arratisur nëpër parti politike që e kanë shitur dhe e shesin nëpër Bit-Pazar njëzetë vjet me radhë me pare e pa pare popullin shqiptar. Fatkeqësisht, populli shqiptar ende nuk ka vetëdije të lartë kombëtare për ndryshime politike, i zbret nga samari Nastardini me 60 kg., i hipë Nastardinica me 120 kg. mbi shpinë si “haxhuxhe e patuxhexheve” të Zajazit me ferexhenë krahëve.

Faji?! Fajin duhet kërkuar te Torba e taxhisë përqafe, përsëri si puna e jorganit të Nastradin Hoxhës. Nuk do t’ua përsërisë anekdotën në këtë shkrim parashikues për Nesër, besoj se e dini dhe nuk keni nevojë. Vetëm fjalinë e fundit: E gjithë puna kishte qenë për jorganin tim të ma vjedhin hajdutët. Qëllimi ishte t’ua përkujtoj se, disa individë me torbën e taxhisë përqafe, në Ditën e sotshme flasin jerm përpara pasqyrës: Pasqyrë, pasqyrë kush është më i bukuri mbi këtë botë? Pasqyra u përgjigjet: Ali Ahmeti. Njerka, menjëherë ia ndërsen Kopilin e lënë pas porte. Patrioti i vonuar pret t’i përgjigjet pasqyra: “Abazi”. Përçudi, dudumët edhe sot, e kërkojnë me këmbëngulje atë torbë taxhi përqafe. Xhindihallët, që harrojnë se Shekull tjetër jemi sot, prandaj edhe duhet tjetër tru në arenën politike. Mjaftë më derdhëm lotë nëpër varre e mjetet e informacionit! Mjaftë më humbjet i shpallëm fitore. Mjaftë më shpallëm vend e pavend kotnasikoti Ditë Zie për Gomarin e Haxhi Rrencit, që sipas Mark Krasniqit cofi rrugës ende pa mbërri në Kaçanik! Në vend që të shpallim Ditë zie për Xha Derallën dhe këngën e tij antologjike që e këndoi deri në vdekje: Turqia e ka shitur këtë Rumeli/ e ka blerë ç’aj Moskovi Zi/ me shtatë alltan xhemi. Flamujt t’i ulim në gjysmështizë nëpër institucionet e Shtetit të “pëbashkët”. Përgëzojmë Plakun e urtë, që i shëtiti xhandarët e Serbisë gjithë natën nëpër Katund. Kurrë, nuk i besoi Hoxhës, por sa herë që ai i kërcnohej me zjarrin e Xhehnemit i përgjigjej: Përderisa, unë të vij në Xhehnem, ti më veç do ta kesh shuar zjarrin. Pastaj, ti o hoxhë mendon se gjithmonë do të jetë verë, po çka do të bësh në dimër?! Mëkot do të vish të më kërkosh pak zjarr në mes të Dimërit, nuk do të të jap: rri mërdhihu në Xhehnet, do të të përgjigjem. Pse jo, t’i ndërtojmë edhe një përmendore madhështore te “Ureja”, para portës së Xha Mazllëmit! Dihet, kur shpallen dhe në cilat raste Ditët e Zisë. Edhe, atë: për personalitete të dëshmuara të politikës kombëtare dhe kulturës shqiptare. Përmëkeq, jemi bërë për të qeshur e qarë, siç thotë populli me gra Zajazi: Gjithë jetën mbetëm duke festuar “fitore” dhe shpallur “Ditë zie” edhe nëpër katunde. Dhimbje kombëtare, për të cilët nuk i kemi shpallë deri më sot për shumë personalitete të dëshmuar me emër e mbiemër të politikës, arsimit dhe kulturës shqiptare.

O burrani, mjaftë më i patë të tjerët dhe i morët “yrnek” në vek të drurit anët negative (sipas jush armiqëve). Përvishuni mëngët dhe futjuni punës! Atdheu nuk bëhet me varreza kolektive, përmendore mbi gomarë, lotë dhe Ditë Zie. Po, me punë, tru dhe djersë rrëke mbi ballë në fushën e betejave politike nëpër Evropë e botë. Diplomaci shqiptare të cilën e kemi pasur edhe në kohën e Turqisë. Euforia kolektive, është rrezik për një popull që gërhet ne gjumë për Liri! Vallë, nuk e shihni se me vite mbetët nëpër varre dhe emisione të kota “debative” se të tjerët ua kanë fajin, e asnjë ditë në punë nëpër fabrika e “koperativa bujqësore”. Dorën në zemër, do të pajtohesha me ju, por sikur Uji i rremës të rridhte pa pengesa pranë Shtëpisë së dajallarëve te Mulliri i Arapit. Fatkeqsisht, në Ditën e sotshme ne nuk kemi miell në hambar as për bukë. Maxhatorja nuk ka me çka ta gatuaj brumin, bukën për në çerep dhe strehojë në maxhe për familjen. Moti kohë nuk e kemi vënë kapakun e maxhes mbi kokë, fërkojmë barkun me dorë nga gëzimi, rrëmbejmë nga një copë buke misëri dhe turremi livadheve me pushkë shelgu. Euforia koletkive nuk shtrohet në sofër para miqëve me shkrime patetike politike. Shkaku se, nuk kemi bukë e kripë në sofër, sipas traditës shqiptare.

Përçudi, ende si nuk mbushemi mend si popull historik?! Kokës t’i biem me të dyja duart me grushta: O burrani, ndaluni para portës Kalasë Shkupit! E dini pse, nuk hyhet brenda me “bismilahim e rrahim” me çallmën e turkut në kokë, e as me eufori patriotike, po me punë atdhetare brez pas brezi nëpër shekuj. Ende në Kalanë e Shkupit nuk ka hipur Skënderbeu me kalë me shalë, e ju para tij doni ta hipni Flamurin kuqezi Shqiptar me Shqiponjën dykrenare. Pala tjetër kundërshtare politike ju provokon me përmendoren e Car Dushanit në Shkup (pushtuesit të trojeve shqiptare), në kuadër të projektit “Shkupi 2014” në sheshish e kryeqytetit, që ju turrevrap t’i kërkoni përmendoret e Sulltanëve të Turqisë. Në vend, që sot t’i shpallni luftë librit në Bibliotekë. Mësimeve në shkollë. Studimeve në Universitet. Gabim i madh historik. Zemër ju dhanë patriotët e vonuar, populli thotë: para pampurrit një ditë përpara kalorës të arratisur: Malli i kishte marrë të fotografohen para kamerave televizive nga Shqipëria, Kosova e IRJ e Maqedonisë edhe në Shkup. Problemi kryesor, siapas të arratisurve: Çamëria. I ndreqëm punët me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Tashti, problem historik na ka mbetur sipas tyre, vetëm Çamëria?!

Interesant, gjithmonë kur shqiptarët do të jenë në hap me kohën, do të gjenden kalorës të arratisur t’ju ngatërrohen nëpër këmbë. Fatkeqësisht, edhe ndonjë tullumbaxhi në rolin e Sanço Panços mbi gomar. Trusakatë, që vetëm para kamerave televizive shpallin Shqipëri Etnike. E, në anën tjetër gjithë jetën janë deklaruar si jugosllavë, familjarisht brez pas brezi kanë punuar kundër interesave historike shiqptare. Tashti, u doli gjumi si patriotë të vonuar me vite “shqiptarë”: “Komandantët e UÇK -së, janë hajdutë”. Amani, na jepni si kalorës të arratisur çka të doni ju si kunguj stambolli: përralla arabe, theshetheme politiko-fetare, punë të koperativave bujqësore në Katund, por jo edhe tru Gomari. Shkaku se, trurit tuaj deri më sot ia kemi parë dhe shohim ende sherrin në jetën politike për Shqipëri Etnike.

Përgëzime, Ali Ahmetit me shokë! Vërtetë, sot i ka hije të festojë fitore historike! Pasardhësit të kaçakëve të Zajazit, që e solli edhe në këto troje pas Skënderbeut në Shkup edhe Nënën Shqiptare, në Zajaz. Hije i kishte edhe “xhemati” në figurë madhështore shqiponje, simboli i flamurit kuqezi kombëtar. Edhe, kaçakët e Zajazit me kësula të bardha që zbritnin nga mali, kësaj radhe me armët në brez, ose pa armë fare. Unë, do të doja si shkrimtar, t’i shoh me armët në dorë. Trimit kija inatin, ama mos ia ha hakun, jepja dorën. Përmëtepër, atij burri që përsëgjalli i lanë borxhet ndaj vendlindjes. Vërtetë, përpiqet të bëjë ndryshime në politikën shqiptare. Edhe atë, në mesin e shqiptarëve të përçarë si Kashta e Kumbarës, që historikisht shumë burra mejdani kanë pasur dhe kanë probleme t’i bëjnë bashkë si popull shqiptar. Që, në këtë përvjetor historik i bëri kokë më kokë para këmbëve të Nënës Shqiptare edhe krerët e Bashkësisë të Fesë Islame. Punë tjetër është ajo se, këta myslimanë me “Din e Iman”, a do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të luten me këmbët dhe trutë në legen para këmbëbeve të Kalit, apo Skënderbeut me shpatën në brez. Nesër, ndoshta prijësit fetarë flamurin kombëtar shqiptar do ta hipin edhe në minare. Dhashtë Zoti, përkrah Nënës Shqiptare e gjejnë rehatinë edhe Kalosh Zajazi me shumë burra pushke e gra shqiptare në vendet e tyre të luftës flakë më flakë me armikun shekullor. Vetëm, jo edhe këto personalitete të dëshmuara historike, po edhe shumë të tjera që ranë në fushën e betejes te pragu i derës anembanë Atdheut. Theshetheme janë ato të “ushtarëve” të UÇK -ës se kanë mbetur projektet e papërfunduara në Kumanovë e Tetovë. Vallë, kush ua ka lidhur duart si shqiptarë, përvishnjuni punës! Apo, pritni Ali Ahmeti të ju vizitojë shtëpi për shtëpi me thesin me miell në krah, t’ua ushqejë edhe fëmijët?! Vërtetë, Zajazit më shumë hije do t’i kishte kaçaku i maleve, Kalosh Zajazi mbi kalë të bardhë me shokë, që luftoi krah për krahu me Bajram Currin, sesa Nëna Shqiptare pa Babain Shqiptar në Zajaz me mauzerrin krahut. Pastaj, kërçovarëve hije do t’ju kishte kësaj radhe në këtë Njëqindenjëvjetor të pavarësisë së Shqipërisë ta kthejnë në vendin e tij të dikurshëm historik, në Kalanë e Kërçovës: Permendoren e Skënderbeut të harruar e varrosur me vite diku në podrumet e Kalasë.

Historia shkruhet me gjak, e jo me një torbë taxhi argati përqafe nëpër insitucionet e pushtuesve historik antishqiptar. Edhe, atë: duke shitur mend pa i nxjerrë fare në Pazar si plaçka lufte. Gjithëçka mund të bleni me para, po jo edhe mend në kokë. Shkaku se, deri më sot askushi nuk i ka nxjerrë t’i shesë në Bit-Pazar. Përndryshe, po të shiteshin në Bit-Pazar mendtë, shumë “analistë” e “politikanë” do t’i blenin me pare. Arsyetosh veten me komente teknefese se, nuk e ke mizën në kësulë. Punemadhe. O Imzot, po kush merret me komentet e juaja “kodër pas bregut”, kur hiç pa i lexuar nga titulli, i di se çfarë “malli” jeni për analiza politike. Moti jua kemi lexuar mendtë dhe ua kemi parë fytyrën e vërtetë “patriotike” në veprime. Zoti ju ndihmoftë! Populli shqiptar, nuk e di a do të ketë kohë një grusht dhe nesër t’ju fluk mbi varr. Edhe kjo, nuk ka gjithaq rëndësi në Ditën e sotshme, ka halle edhe më të mëdha mbi kokë me shekuj. Dorën në zemër, historinë e shkruan vetë populli shqiptar.

Gomarit të Haxhi Rrencit, sot për sot nuk i kërkojmë tru, po samar dhe mund t’i japim dru për inatin me të katra këmbët e rrasura deri në bark në mes të batakut…



(Vota: 51 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora