E diele, 04.05.2025, 04:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Migjeni, “doktorët” dhe ca zakone

E hene, 20.01.2014, 09:03 PM


Shënim

Migjeni, “doktorët e shkencave” dhe ca zakone ngushtësisht shqiptare

Nga Vangjush Saro

Dy gjëra më tërhoqën vëmendjen sot. E para, një informacion në lidhje me inflacionin e doktoraturave e të doktorëve të shkencave në Shqipëri (unë mendoja se inflacioni kishte të bënte vetëm më master-at), doktoradhamudhë për të cilët gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj tha shkurtazi se s’dimë ku do t’i tregojnë spaletat…Me fjalë të tjera, mund “të këndojnë fjalët që s’duhen”. (Xh. Xhojs) Dhe së dyti, një studim i shkrimtarit dhe kritikut te njohur Behar Gjoka për Migjenin, një nga ikonat e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Studimi “Migjeni - një rast i humbur”, me sa e shoh unë, është ndërtuar në trajtën e një polemike për probleme të origjinës dhe, më tej, të vecanësive të kthjellëta në tekstet e këtij ylli, për fat të keq në njëlloj shkëlqimi që ndokush ka mëtuar ta venitë. Më parë. Më pas.

Kolegu ynë i nderuar Behar Gjoka sikur një përmendore i ka ngritur Migjenit me studimin dhe ligjërimin e tij tejet shqip e shkencor njëherësh. Duke polemizuar me ata që rëmojnë atdheun e tij në troje të huaja, për ta vjedhur veprën e Migjenit, Gjoka thotë: “…atdheu i shkrimtarit është letërsia dhe gjuha në të cilën shkruan, dhe jo mëtimet për përqasje të pa argumentuar, së paku gjer më tani.” Më tej, ai cek edhe rrethana të mohuara. Gjoka thotë se Migjeni… “është zbuluar dhe pranuar nga Ernest Koliqi dhe të gjithë shkrimtarët katolikë të Shkodrës.” Pak fantazi, duke pasur parasysh veprën e Koliqit dhe përmendorja shkëlqen si në asnjë auditor ku akademykët (si i quan Gjoka) me vjetërinë e së shkuarës nuk ndjekin dot rininë e përjetshme të Migjenit dhe yjeve të tjerë të letërsisë shqipe. (Disa përpjekje të autorëve të cilët gjithë jetën e kanë parë Migjenin si produkt të luftës së klasave në Shqipërinë e viteve ‘30 të shkekullit të shkuar, duken mjaft të vonuara; megjithatë prapë duhen përgëzuar që dikur u kujtuan…)

Por le të kthehemi edhe njëherë te z.Gjoka. Edhe pse pa titull (ai e ka refuzuar atë për shkak të terrenit të rënduar këso) me një sërë vepra në prozë dhe në kritikën letrare, ai bie shembullin e profesorit që nuk ka nevojë për titujt që sot shiten e blihen me lekë dhe përulje; sepse ai nuk ka as prirje për këtë dhe as kohë të merret me tekat e autoriteteve. Ai është duke shkruar një sërë studime të tjera, kryesisht për emra të pandricuar si duhet në të shkuarën. Një prej tyre, shkrimtari i madh shqiptar Anton Pashku.

Ja kështu janë punët te ne. Ende. Një hollësi. Z. Gjoka, edhe sot e gjithë ditën, është i papunë. (I papunësuar nga shteti i vet.) Ai jeton me honoraret e shkrimeve dhe librave. Ka pyetje? S’ka.

Lexohemi.

…………………………

Behar Gjoka është  autor i 15 librave, nga të cilët 11 studimorë; (për Budin, Kutelin, Kadarenë, Camajn, Trebeshinën, Migjenin). Artikulli në shqyrtim është pjesë e studimit të plotë me titullin “Migjeni në pakohësi”, botuar në vitin 2011.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx