E merkure, 01.05.2024, 04:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Amaneti i shkjaut malazez

E diele, 19.01.2014, 12:15 AM


AMANETI I SHKJAUT MALAZEZ MBI

LOTËT E SHQIPTARIT E SAKICËN E HJEKËSISË

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Etno-historia dëshmon se Mahmudët e Hotit, ashtu sikurse edhe Kurtët e Hotit, janë rrënjas në Hotin e Vendit mbi liqen të Plavës, janë dera ma e vjetër e këtij fisi  flamur, e këtij visi dinjitar. Përndryshe, siç ma tha me artin e fjalës një hotjan në Amerikë: “Mahmudët kanë lind para lisave në Hot”. Këta nuk kanë lidhje gjaku me vllaznitë e tjera të derisotme të Hotit të Vendit, pasi ishin të degëzuar genetikisht në breza si bark më vete. Njihen si Derë e madhe dhe e fortë, aqsa kujtesa popullore kallxon se ishin të njoftun në krajlitë e kohës “nga Stambolli në Çetinë”. Kjo derë e trimave nuk la pasardhës, pasi mashkujt iu vranë në luftra, në duele ballas, në hjeksi  pritash, në flakë të betejave. Në shekullin e kaluar, në dekadën ’70, u shue nga shëndetligësia edhe i fundmi i tyne, Rexha, i mbetur i vetëm e pa kujdes e përkrahje nga shteti okupues sllavo-komunist malazez. Emni i kësaj dere të lavdisë shqiptare ka me mbetë në historinë tonë kombëtare.

Një nga lisat e kësaj dere të Mahmudëve të Hotit të Vendit, një nga trimat e mëdhenj të Shqiptarisë në Ballkan, është edhe luftëtari epik, epope e epokal, Osman Murat Mahmudi, për të cilin më rrefejnë se “ka lind me orë” dhe emnin e tij e lidhin ngushtë me “Luftën e Nokshiqit” (Lufta e Ultinës së Epërme të Limit). Kjo ka shpjegimin e vet domethanës: Ky është dëshmori i parë i Luftës së Nokshiqit, i cili eci prijtas para hotjanëve të vet, ku luftoi i vetëm tue vra 15 pushtues malazezë. E mbrapa tij, ballas betejës, ia nisën luftës edhe Alush Smajli Haxha me vllazën, vet i 37-ti apo 43 luftëtarë nga te’tana vllaznitë e Hotit të Vendit: Mehaj, Sinanaj, Hysenaj,Mujaj, e ngjitas me ta edhe një i Dedushajve të Vuthajve.  Hotjanët tana herët kanë shkue bashkarisht, krahë e supe lidhun jo vetëm në beteja luftarake, po ata, të nisun nga Kodra e Rexhës, binin në kuaj shale e në vargni ecjeje edhe në tregun e Plavës e atë të Gucisë nga 20-30 veta. Malet e njerëzit thoshin asokohe: “Erdhën djemtë e Hotit...”

Shpesh Osman Muratin e Mahmudëve, si hotjanët edhe plavë-guciasit, e thirrnin: “Murati i Dytë”, në nderim të babës së tij trim i rrallë, që ishte vra heroikisht në luftë jo vetëm me malazezët. Nga ky titull i fisit të vet e i viseve përreth, i mbeti edhe emni tjetër popullor, ndryshe: Murat Osmani. Boshnjakët (shqiptarë të atyshëm të asimiluar, ardhacakë nga rrethinat) i thirrshin: “Murata Osman” dhe e përdornin atë shprehjen e famshme të mbetun në kohna: “Nema rata, bes Murata” (Nuk ka luftë pa Muratin). Edhe Osmani me ia përtri në gene breznie të gjakut të vet emnin e lavdinë ia vnoi djalit të vet emnin: Murat, i cili (siç e lart thashë) la pas vetit një djalë: Rexhën (Rexhin).

Fishta i madh, “Homeri Shqiptar”, teksa ngrinte monumentin e tij kombëtar, kryeveprën “Lahuta e Malsisë” (Lahuta e Malcies) i shkeli me kambët e veta krahinat luftarake nga brigjet e Liqenit të Shkodrës deri në Liqenin e Plavës, përndryshe edhe “nga Hoti (i Rrafshit) në Hot” (i Vendit). A kanë mysafir nderi edhe në kullën e Alush Smajl Haxhajt, derë e parë e Hotit të Vendit, të cilët me mikpritjen e vet të fisme e mbajtën ma shumë se një natë e, sipas traditës shqiptare e hotjane, ishin në sofrën e bukës e të muhabetit përfaqësues të atëhershëm nga të gjitha vllaznitë e sotme: Mehaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj. Edhe aty Fisha u njoh me madhështinë e Luftës së Nokshiqit, natyrisht edhe me të Osman Murat Mahmudit (Murat Osmanit), heroi legjendar i kësaj lufte, që u vra më 4 dhjetor 1879...

2.

Kësaj here po due me fol për Murat Osmanin e Mahmudëve të Hotit të Vendit. Due me e zdrit anën njerëzore të tij, si njeri me besë hotjane, si njeri me shpirt bardhësi. Kjo ishte ana e medaljes shqiptare. Njëkohësisht po due me rrëfue edhe anën antinjerëzore të shkjaut malazez me kapicë të zezë, me pabesi malazeze, me shpirtzi, me bio-urrejtje ndaj shqiptarëve trojenik të fisit të Hotit të Vendit e të fiseve të Plavë-Gucisë, si kelmendas, etj.

Ky luftëtari i madh hotjan, i thirrun Murat Osmani  i Mahmudëve, e kishte një malazez “mik për shpirt”. Dikush më kallxonte se kit’ malazezin e kishte probatin (vllam) e të tjerë më thonë se e kishte “kumbar”. Në të vërtetë shqiptari luftëtar Murat Osmani e kishte malazezin gjithçka, ndërsa në të vërtetë ky malazezi shqiptarin Murat Osmani e kishte si i thonë asaj fjalës kundërthënëse:  kurrgja(!)

Sllavët (malazezët e serbët, po nganjiherë edhe boshnjakët ekstremistë) për me i zhduk lisat e trimërise e fisnikërise shqiptare të dyerve të mëdha, luftëtarët e trimërive të rralla, si Mahmudët e Hotit të Vendit, i përdornin duelet e hjekësitë. Jo pak burra të mëdhenj u sakrifikuan në të tilla raste në Hotin e Vendit, në krahinën e Plavë-Guci, në trollin e Mahmudëve të Hotit.

Shkijet, për me e farue krejt derën e fortë të Mahmudëve ia banë skenarin e hjekësisë vrasëse tue e (keq)përdor kumbaren e tij malazez. I thanë me i krye dy akte: me e cokat mirë sakicen tande, me e thirr në shtëpinë tande Murat Osmanin dhe kur të flejnë gjumë në oden e miqëve të shtëpisë tande kie me u çue e me ia pre kryet, me e pre në qafë, me ia këput krejt kryet nga trupi. Atëhere merrja kryet me veti e çoje tek krajl Nikolla në Çetinë e ta shohin se çfarë fati kanë shqiptarët si Murat osmani që luftojnë kundër malazezëve.

Ia çuan fjalën Osman Muratit të Mahmudëve të Hotit: e kie kumbaren shumë të lig e a ka do me dekë, ndoshta pa e nxanë e nesërmja. Ky lajm e preku thellë në zemër luftëtarin e madh hotjan, ndaj e pleqnoi me vllaznit e vet të Hotit të Vendit dhe e mori rrugën për tek shtëpia e kumbarës  të vet. Ka shkue me një frymë, aqsa lodhjen e ndjente edhe kali i tij i shalës kur e lidhi në oborr.

I thirri tek dera me tanë fuqinë e shpirtit e hyni brenda me merak të madh për fatin e jetës së probatimit të tij.

Në të vërtetë ish kanë i smutë randë kumbara i tij. Ishte tepër ligsht në krevat. Ishte i lodhun në të pame e në të folune. Ai e pa se nuk i qeshnin sytë si herët e tjera. Ai e ndjeu se nuk i dilnin fjalët si herët e tjera.

Kur Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit e pa gjendjen e randë të probatimit të tij, ndonëse ishte luftëtar i madh në beteja me malazezët pushtues, i ranë lotët nga sytë e nga thellësia e zemrës së tij njerëzore i dolën lotët e shpirtit. Po qante me za të neltë. As kur hyni në odë gruaja e kumbarës të tij nuk mujti me e ndalë të qajtunen me lotë. Zakoni nuk e donte që burrat me kajtë në sy të grave, prandaj ajo doli përjashta.

Trimi i përlotur e ndoi kryet e vet mbi gjoksin e kumbares malazez sikur donte me ia ndie të rrahunat e zemres së tij. Shqiptari ia donte jetëgjatësinë malazezit, kurse e kundërta ishte e planifikuar nga malazezi: ai donte t’ia merrte jetën në mënyrë barabare, antinjerëzore: me kokëprerje, natën në gjumë, në shtëpinë e tij.

- A po ma ndie një fjalë o Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit, i tha shkjau malazez.

Vërtetë të paskam kumbarë, probatim e gjithçka, se t’u paskam dhimbtë fort. Nuk e di se cili nga të afërmit e mij do ta kishte ndie një dhimbje kaq të madhe sikur ti kësaj mbasditeje...

-  Ç’ka je ka m’i thue këto fjalë, o kumbara im, i tha shqiptari Murat Osmani i

Mahmudëve të Hotit. Ta kam dhanë besën e shqiptarit njëherë e kam me i qëndrue sa të jem gjallë unë e brezat e mij.  Ti  je ma mirë nga shëndeti po unë u ligshtova pak...

Kumbara malazez e çoi dorën tek jasteku nën kryet e vet e prej andejna e nxori sakicën e cokatun, me të cilën donte me ia pre kryet. Ia kallxoi historinë e hjekësisë fill e për pe, qysh e kishte ba planin me malazezët e shtetit për me e vra atë natë.

-  Po ta la një amanet, i tha kumbara malazez: Kurrë mos i beso shkjaut, se ai të

nxenë kumbarë apo probatim veçse me të zhduk, me të farue krejt...

Edhe pak orë kishte me ra nata e asaj dite vere. Shqiptari trim e njerëzor Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit të Vendit, i lypi leje kumbarës së tij malazez për me u çue, pasi e mendonte të keqen tjetër: kur ta shihnin malazezët e tjerë që ishte gjallë do ta vrisnin me ndonjë hjekësi tjetër. Me hjekësi sllave, të tipit malazeze ose serbe. Ai hypi në kali shale dhe u nisë për udhë si kreshnikët. Ai mori me vete një amanet, një mësim për jetën e tij e të brezave. Ai iku nga ajo shtëpi ku nuk do të trokiste astenjiherë tjetër, pasi kumbara malazez i foli për hjekësinë, i foli për pabesinë e pakryeme ose të pritshme.

Prapa krahëve shqiptari i besës e la Andrijavicen, dikur tokë etnike shqiptare, me shumicë popullsi shqiptare.

Luftëtarit e heroit të Luftës së Nokshiqit para syve i shfaqej në vizion Hoti i Vendit.

Me thanë të vërtetën nuk e di se në cilën shtëpi shqiptare ka fjetë atë natë shqiptari i besës, njeriu njerëzor, heroi i mbetur në hije, Murat Osmani i Mahmudëve. Po diçka e di saktësisht: amaneti i malazezit rrinë zgjuar prej asaj dite e deri më sot, e deri më nesër. Dëgjojeni, besojeni, vlerësojeni!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora